Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Arben Meçe, ka akuzuar Sali Berishën se po prodhon artificialisht krizë në vend dhe në Parlament, duke përdorur çështjen zgjedhore për interesa personale dhe duke rrezikuar seriozisht komisionerët dhe numëruesit e PD-së me ndjekje penale.
Meçe deklaroi se Berisha po përdor të gjitha mekanizmat për të bllokuar procesin zgjedhor dhe për të çuar vendin drejt një përplasjeje politike.
“OSBE dhe ODIHR thanë qartë se zgjedhjet ishin të realizuara më së miri në aspektin teknik. Sot, komisionerët dhe numëruesit e PD-së rrezikojnë procedime penale për shkak të pretendimeve që vetë Berisha po i ngre pa prova. Faktet janë në procesverbalet që implikojnë përfaqësuesit e PD-së,” u shpreh Meçe në një intervistë televizive.
Sipas tij, qëllimi final i Berishës është të krijojë një situatë të tensionuar që në shtator të përdorë si argument për të ngritur një krizë më të madhe zgjedhore dhe për të kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare.
“Dy anëtarë të KAS-it, të propozuar nga opozita, kanë vendosur të shtyjnë procesin, duke e kthyer këtë në një instrument bllokues për të zvarritur procesin,” tha Meçe.
Ai komentoi edhe vizitën e fundit të Berishës në Bruksel, duke e cilësuar si një lëvizje për të ndërtuar një krizë të qëllimshme me ndihmën e politikës greke në Partitë Popullore Evropiane (PPE).
“Berisha po përpiqet të ngrejë një mision faktmbledhës për Shqipërinë përmes PPE-ve, ku është përfshirë edhe partia greke Demokracia e Re, por partitë nuk kanë të drejtë ligjore të ngrenë këto misione vetë,” shpjegoi ai.
Meçe theksoi se Berisha e përdor Parlamentin si një skenë për të prodhuar krizë dhe për të ruajtur pozitat e tij personale.
“Parlamenti nuk do të gjejë kurrë qetësi për sa kohë që Berisha është aty. Ai kërkon gjithmonë një armik të ri, madje së shpejti do ta kërkojë edhe brenda partisë së tij,” u shpreh Meçe.
Duke iu referuar historisë së PD-së, ai solli në kujtesë tentativat e dështuara për ta larguar Berishën dhe kulturën e brendshme të partisë që, sipas tij, funksionon mbi bindjen absolute ndaj tij.
“Në vitin 1996, kur disa flisnin për largimin e Berishës, të nesërmen shkonin dhe i raportonin. Është e njëjta situatë edhe sot, nuk ka lëvizje reale brenda PD-së, ka vetëm lëvizje të kontrolluara nga Berisha,” tha Meçe.
Në fund, Meçe ngriti akuza të rënda duke thënë se Berisha ka futur në Parlament figura të lidhura me grupet kriminale. Ai përmendi konkretisht deputetin Ndoja, për të cilin tha se është i lidhur me grupin kriminal më të rrezikshëm në Durrës.
“Ky grup kontrollonte vjedhjet dhe pronat në Gjirin e Lalëzit dhe kishte lidhje të forta kriminale. Berisha është arkitekti i krijimit të këtyre grupeve,” përfundoi Meçe.
The post ‘Berisha po krijon artificialisht krizë politike’, Meçe: Ja si po i rrezikon komisionerët demokratë appeared first on Sot News | Lajme.