Presidenti Donald Trump ka njoftuar se brenda pak ditësh do të emërojë një drejtues të ri të Byrosë së Statistikave të Punës (BLS) dhe do të plotësojë një vend bosh në bordin e Rezervës Federale (Fed), në kuadër të përpjekjeve të tij për të ushtruar më shumë ndikim mbi politikat ekonomike dhe burimet zyrtare të të dhënave në Shtetet e Bashkuara.
Trump konfirmoi se do të shpallë emrin e ri për drejtimin e BLS brenda tre ose katër ditësh, pasi shkarkoi nga detyra Erika McEntarfer, pas publikimit të një raporti zhgënjyes për punësimin. Ai gjithashtu tha se pritet të emërojë një guvernator të ri të Fed “brenda pak ditësh”.
Këto dy pozicione të larta në institucionet më të rëndësishme ekonomike të vendit do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në axhendën ekonomike të Trump për pjesën e mbetur të mandatit të tij. Të dy emërimet kërkojnë miratim nga Senati amerikan.
Shkarkimi i McEntarfer u konsiderua si një hap i paprecedentë, dhe u dënua nga shumë si një përpjekje për të politizuar të dhënat ekonomike që ndikojnë në tregjet globale dhe në vendimmarrjen mbi normat e interesit.
“Ne do të shpallim një statistikane të re brenda tri ose katër ditësh,” u tha Trump gazetarëve të dielën mbrëma, teksa largohej nga New Jersy për në Uashington. Ai e akuzoi McEntarfer për manipulim të të dhënave, pa ofruar asnjë provë. “Nuk kishim më besim. Shifrat ishin të çuditshme,” deklaroi ai.
Trump gjithashtu tha se ka në mendje disa emra për të zëvendësuar guvernatoren e dorëhequr të Fed, Adriana Kugler, e cila dha dorëheqjen të premten, pesë muaj para përfundimit të mandatit të saj. Dorëheqja i jep Trumpit mundësinë për të ndikuar më herët se sa pritej në përbërjen e brendshme të bankës qendrore.
Emrat më të përfolur për të pasuar kreun aktual të Fed, Jay Powell, janë: Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë; Kevin Warsh nga Instituti Hoover në Universitetin Stanford; dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Powell përfundon mandatin si kryetar i Fed në maj 2026, por mund të zgjedhë të qëndrojë si anëtar i bordit deri në vitin 2028. Deri tani nuk ka bërë të ditur nëse do të japë dorëheqjen apo do të qëndrojë për të frenuar ndonjë emërim të ri nga Trump.
Pas dorëheqjes së Kugler, Trump publikoi një mesazh në rrjete sociale duke nxitur edhe Powell që të largohet nga detyra.
Në një deklaratë zyrtare, Shtëpia e Bardhë e mbështeti vendimin për shkarkimin e McEntarfer, duke argumentuar se BLS ka nevojë për një “vështrim të freskët” dhe se të dhënat e publikuara ishin bërë të pasigurta për shkak të korrigjimeve të shpeshta që ndodhin si në administratat republikane ashtu edhe në ato demokrate.
Kevin Hassett u shpreh për Fox News: “Të dhënat nuk mund të jenë propagandë. Ato duhet të jenë të besueshme. Nëse nuk janë të tilla, është një problem serioz për SHBA-në.”
Në një intervistë të veçantë për NBC, Hassett shtoi: “Presidenti Trump dëshiron njerëzit e tij në këto pozita, në mënyrë që kur publikohen shifrat, të jenë më transparente dhe më të besueshme.”
Shkarkimi i McEntarfer u kritikua gjerësisht, pasi ajo ishte konfirmuar në janar 2024 me 86 vota pro dhe 8 kundër në Senat me mbështetje dypartiake, përfshirë edhe nga zëvendëspresidenti aktual JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, të cilët ishin senatorë në atë kohë.
Ish-komisioneri i BLS gjatë mandatit të parë të Trump, William Beach, e cilësoi shkarkimin si “të dëmshëm”.
“Nuk mendoj se ka ndonjë arsye reale për këtë shkarkim. Dhe kjo dëmton seriozisht sistemin statistikor, duke minuar besueshmërinë e BLS,” tha ai për CNN të dielën.