Apple do të zbulojë iPhone-in e ri më 9 shtator

Apple planifikon të mbajë lansimin e madh të produktit të saj të vjeshtës më 9 shtator, kur pritet të zbulojë serinë iPhone 17, e cila përfshin një version të ri dhe më të hollë të pajisjes së saj ikonike, raportoi Bloomberg.
Eventi do të transmetohet në internet, duke vazhduar strategjinë e prezantimeve virtuale që filloi gjatë epokës së Covid-it. Motoja e eventit është: “E pabesueshme”, sipas ftesës së postuar në internet dhe të dërguar medias.
Eventi do të përqendrohet në telefonat e rinj inteligjentë të kompanisë, duke përfshirë një model bazë të përditësuar, dy modele të reja “Pro” dhe një version krejtësisht të ri që ka një dizajn shumë më të hollë se çdo iPhone i mëparshëm. Kompania po përgatitet gjithashtu të lançojë versione të përmirësuara të Apple Watch.
iPhone 17 i ri bazë do të duket i ngjashëm me iPhone 16, por do të përfshijë një ekran dhe përmirësime më të mëdha në kamerë, raportoi Bloomberg News. Nga ana tjetër, iPhone 17 Pro dhe Pro Max do të kenë pjesën e pasme të ridizajnuar me një zonë më të madhe të kamerës, duke e bërë fotografinë një pjesë edhe më të rëndësishme të pajisjes.
iPhone 17 më i hollë do të jetë dizajni i parë krejtësisht i ri në vite dhe do të jetë rreth 2 milimetra më i hollë se modelet aktuale. Apple po vë bast se kjo qasje mund të tërheqë klientë të rinj për iPhone, megjithëse pajisja do të ketë të metat e saj. Pritet të ketë jetëgjatësi më të shkurtër të baterisë dhe vetëm një kamerë të vetme të pasme.
Lansimi i iPhone 17 nga Apple do të nisë një periudhë produktesh të reja. Gjithashtu, në zhvillim e sipër janë syzet e përditësuara Vision Pro me një procesor më të shpejtë dhe një iPad Pro me një çip M5 dhe një kamerë të dytë të përparme. Kompania me seli në Cupertino të Kalifornisë po planifikon gjithashtu një HomePod mini të ri dhe një Apple TV.
Vitin tjetër, kompania planifikon modele të reja MacBook Pro, një iPhone 17e të nivelit të ulët dhe aksesorë të rinj për Mac, duke përfshirë një monitor të jashtëm. Lajmi më i madh në të ardhmen e afërt do të jetë altoparlanti i parë inteligjent i kompanisë me ekran, i cili është planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2026.
Lansimi në shtator do të nisë një riorganizim tre-vjeçar të iPhone, gjeneratorit më të madh të të ardhurave të Apple. Vitin tjetër, kompania do të prezantojë iPhone-in e saj të parë të palosshëm, duke ndjekur hapat e Samsung Electronics dhe Google. Në vitin 2027, Apple do të lançojë një iPhone me ekran të lakuar për të shënuar 20-vjetorin e produktit.
