Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 31 July 2025Main stream

Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal të mashtrimit të shtetasve gjermanë nëpërmjet Call Center-ave.

Në një konferencë të përbashkët për mediet sot me autoritetet gjermane, prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi theksoi se janë arrestuar gjashtë persona që gjendeshin në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

“Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar në 18 prill të vitit që kaloi nga ana e SPAK është ushtruar kontroll në ambientet e një Call Center-i të paligjshëm në Shqipëri, ku u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale të dyshuara të shumta digjitale, por edhe dokumentare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele u dërguan për një analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjermane. Në përgjigje nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale të sekuestruara në Shqipëri çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të struktura kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë dhe jo vetëm, nëpërmjet qendrës së thirrjes së Call Center-ave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.

“Gjykata ka vendosur caktimin e masave “arrest me burg” për pesë shtetas dhe për tre të tjerë masën “arrest me shtëpi”. Gjatë mëngjesit të ditës së sotme është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit për të gjithë personat që gjendeshin në Shqipëri dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që nuk ndodheshin në Shqipëri”, tha Nakuçi.

Sipas Nakuçit, vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 363 mijë euro.

Nga ana tjetër, oficeri i policisë gjermane Oliver Hofman, drejtues i operacionit “Pandora”, tha se “kjo ditë është një ditë shumë e rëndësishme dhe një piketë e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe sidomos kundër skemave profesionale të mashtrimit”.

Sipas Hofman operacioni nisi në dhjetor të vitit 2023.

“Ne filluam të përgjonim mbi 20 telefonata mashtruese dhe krijuam një qendër thirrje, me qëllim që këto telefonata mashtruese të arrinin të kapeshin në kohë reale duke arritur të shmangnim humbjet financiare. Ne zhvilluam edhe hetime shumë komplekse në fushën e krimit kompjuterik me qëllim që të lokalizonim qendrat e thirrjeve dhe autorët e këtyre thirrjeve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Liban”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “qëllimi ynë ishte goditja e plotë e kësaj organizate kriminale të madhe”.

“Ky operacion ka çuar në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, ndërkohë janë dhënë edhe dënimet e para, ndër ta edhe organizatori i infrastrukturës kryesore në Gjermani”, tha Hofman.

Hofman vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare.

“Kemi punuar për një vit e gjysmë dhe kemi pasur bashkëpunim me shumë institucione ndërkombëtare si dhe me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Ky bashkëpunim ishte jashtëzakonisht domethënës për suksesin që arritëm sot”, tha Hofman.

Sipas Hofman, grupi kriminal vepronte nga Tirana.

“Janë identifikuar 5 persona meshkuj dhe një femër, të moshës 21 – 36 vjeç. Sot u bë e mundur të arrestoheshin 6 persona dhe patëm mundësinë ta mbështesim këtë operacion në terren”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “ky sukses thekson fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin tonë të përbashkët për drejtësi”.

“Ai dërgon një mesazh të qartë për të gjitha grupet kriminale që veprojnë dhe ky është: Kufijtë nuk do të ndalojnë që në të ushtrojmë ndjekjen penale dhe të mbrojmë njerëzit nga veprat kriminale. Do të doja të përmendja e edhe mbështetjen financiare shumë të rëndësishme nëpërmjet fondit ndërkombëtar të sigurisë të BE-së, sepse ishin vendimtare për të kryer këtë hetim”, tha Hofman.

/m.q/r.e/

The post Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 27-vjeçar u arrestua sot nga Policia pasi ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i kultivimit të 180 bimëve narkotike kanabis sativa në fshatin Mnelë.

Policia bëri të ditur se “në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën dhe ndaluan shtetasin P. N., 27 vjeç”.

Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet e kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se një bashkëpunim me një 17-vjeçar, kanë kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike kanabis Sativa, në fshatin Mnelë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin qershor. Punohet për kapjen e 17-vjeçarit”.

Në vijim të veprimeve procedurale, Policia njoftoi se u krye kontroll në banesën e shtetasit Z. N., 62 vjeç, babai i shtetasit të arrestuar, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që 62-vjeçari e mbante pa leje.

“U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 62-vjeçarin”, njoftoi Policia.

/m.q/

The post Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deklaratat e Dumanit për krimet zgjedhore, Bardhi: SPAK ishte inekzistent

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot në lidhje me deklaratat e bëra nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, i cili tha se strategjia për krimet zgjedhore pati efekt parandalues dhe se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të subjekteve politike.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi tha se SPAK ishte inekzistent në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas Bardhit nuk është thirrur kurrë për kallëzimet që ka bërë në qarkun e Fieriut ku edhe ishte drejtues.

“Me cilat parti politike ishin në kontakt ju, z. Prokuror? Ku dhe si? Nuk e di nëse vërtetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani e ka thënë apo jo këtë pohim në takimin off-records me gazetarët, por nëse nuk ka qenë një keqkuptim i medias, ai ka detyrimin të shpjegojë se me cilën parti politike ishte në kontakt. Me Partinë Socialiste për të intimiduar dhe shantazhuar opozitën?! Me Partinë Socialiste për të rakorduar kohën e kryerjes së krimeve zgjedhore dhe për të dhënë garanci për paprekshmëri?!

“Si Drejtues Politik i qarkut Fier deklaroj me përgjegjësi të plotë që jo vetëm nuk jemi thirrur kurrë për kallëzimet tona, por SPAK ka qenë tërësisht inekzistent, edhe pse qarku Fier, si qarku i dytë më i madh i vendit, ishte një skenë krimi elektoral çdo minutë”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, SPAK ishte inekzistent kur PD ka kallëzuar skemën e punësimeve elektorale në Fier, që përbën korrupsion zgjedhor.

“Taskforca e SPAK ishte alibia për të realizuar skenarin e njohur edhe në raportin paraprak nga OSBE-ODIHR të shkrirjes së “partisë, shtetit dhe krimit” në një të vetme në zgjedhje! Shndërrimi i SPAK nga shpresë në alibi është lajmi më i keq që shqiptarët morën në zgjedhjet e 2025!”, shkruan Bardhi ndër të tjera.

/m.q/r.e/

The post Deklaratat e Dumanit për krimet zgjedhore, Bardhi: SPAK ishte inekzistent appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

21 Janari, Dumani: Dosje prioritare, hetime intensive për vrasjet dhe pengimin e zbardhjes së të vërtetës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani bëri të ditur sot se po kryhen hetime intensive dhe të pandërprera për dosjen e vrasjes së 4 protestuesve para Kryeministrisë në protestën e 21 Janarit 2011.

Gjatë një bashkëbisedimi informal me gazetarët, kreu i SPAK tha se dosja e 21 Janarit është prioritare.

“Po kryhen hetime intensive për 2 vrasje, 3 plagosje dhe pengim të zbardhjes sa të vërtetës.  Është administruar kaseta audiovizive. Ajo është çështje prioritare”, është shprehur Dumani siç dhe raportojnë në medie gazetarët e pranishëm gjatë këtij takimi informal.

Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme ka në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e Aleks Nikës.

“SPAK ka marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut. Prokurori është ai që vendos si do të hetojë dhe radhën se si do të merren në pyetje personat. Është një nga dosjet prioritare”, tha Dumani.

Në 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

/m.q/r.e/

The post 21 Janari, Dumani: Dosje prioritare, hetime intensive për vrasjet dhe pengimin e zbardhjes së të vërtetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dumani: Strategjia për krimet zgjedhore e dha efektin parandalues, Kodi Penal ka nevojë për ndryshime

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, tha sot se strategjia e ndjekur gjatë zgjedhjeve për krimet zgjedhore pati efekt parandalues.

Në një takim informal me gazetarët, Dumani vlerësoi edhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Fokusi kryesor është krimi zgjedhor. Pritëm që KQZ-ja të shpërndante mandatet dhe të konsiderohej i mbyllur procesi zgjedhor. Jeni informuar herë pas here për krimin zgjedhor. SPAK ka qenë i angazhuar që nga marsi e deri në përfundim të procesit zgjedhor. Strategjia pati së pari, efekt parandalues dhe e ka dhënë këtë efekt. Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte efektiv”, u shpreh ai në bashkëbisedimin me gazetarët jashtë kamerave.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme tha se kallëzimet për shitblerje votash nuk janë shoqëruar me prova konkrete, por me indicie dhe dyshime.

“SPAK ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë, me përfaqësues të subjekteve politike, me policinë dhe prokuroritë e rretheve. Prokurorët e deleguar në rrethe kanë dëgjuar të gjitha pretendimet që kanë pasur edhe subjektet politike në kohë reale”, tha Dumani.

Sipas Dumanit, në total janë administruar 193 materiale kallëzuese, ku 80 prej tyre janë bërë nga qytetarët.

Kreu i SPAK tha se nga 43 raste të regjistruara, një është dërguar në gjyq, një është pezulluar dhe një tjetër është përcjellë për kompetencë.

“Janë arrestuar dy vetë në flagrancë. Ka 16 vendime gjykate për kontrolle. Rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Janë gjetur prova për çështjet që i kemi në proces. Prokurorët i kanë prioritet çështjet e krimeve zgjedhore”, tha ai. Kreu i SPAK-ut shtoi se në 43 raste është vendosur mosfillim, pasi nuk ka pasur elementë të veprës penale.

Dumani komentoi edhe draftin për Kodin e ri Penal.

Siç raportuan mediet duke publikuar detaje nga bashkëbisedimi informal, Dumani ka theksuar se Kodi Penal ka nevojë për ndryshime, ndërsa shtoi se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e tij.

“Për debatin e Kodit të ri Penal, ka një rëndësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime, është normale. Debati i parë që duhej të ishte bërë: A ishte i nevojshëm Kodi i ri apo të punohej mbi Kodin aktual? Unë vetë besoj që ka nevojë për ndryshime, për shembull neni për narkotikët, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. Është një draft. Ne nuk e kemi marrë zyrtarisht. Nuk jemi përfshirë në hartimin e tij. Kur të na vijë do ta analizojmë dhe do të mbajmë një qëndrim”, është shprehur Dumani sipas raportimeve në medie nga gazetarët e pranishëm në takimin informal.

Dumani është pyetur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së sekuestrimit të celularëve pa vendim gjykate, duke deklaruar se “nuk komentojmë, jemi të detyruar t’i zbatojmë”.

Për fitoren e Thoma Gëllçit në Strasburg, Dumani tha se nuk ishin vënë në dijeni nga Avokatura e Shtetit për rastin. Dumani tha për gazetarët se në Strasburg kanë shkuar të dhëna të pasakta.

“Avokatura e Shtetit nuk na vuri në dijeni për rastin “Gëllçi” në Strasburg. Ka pasur një mungesë të theksuar koordinimi, duke na ulur mundësinë për të mbrojtur vendimmarrjet tona. Kanë shkuar të dhëna të pasakta. Thoma Gëllçi është arrestuar, ndërkohë që në Strasburg është dërguar informacion sikur është vetëdorëzuar”, tha Dumani.

I pyetur nga gazetarët nëse kanë frikë se mund t’u kufizohen kompetencat, Dumani u shpreh se “nëse politika vendos të mos bëjë ndryshime apo që SPAK nuk është më i nevojshëm, apo t’i reduktojmë pavarësinë, ky është vendim i politikës”.

“SPAK u krijua edhe si rezultat i vullnetit të partnerëve ndërkombëtarë. Është institucioni më i besuar. E kemi ndërtuar këtë besim në 5 vite e 8 muaj punë”, tha Dumani.

Kreu i SPAK është pyetur nga gazetarët gjatë këtij takimi informal edhe për rastin e Erion Veliajt dhe akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme.

“Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatët. Kjo është forma proceduriale. Dosja “Veliaj” është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale”, tha Dumani.

/m.q/r.e/

The post Dumani: Strategjia për krimet zgjedhore e dha efektin parandalues, Kodi Penal ka nevojë për ndryshime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parkoi gabim dhe pengoi kalimin e zjarrfikëses, nën hetim 22-vjeçari në Himarë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 22-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia në Himarë pasi parkoi në mënyrë të gabuar duke bllokuar rrugën dhe penguar kalimin e mjetit zjarrfikës.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ndërhynë pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi”, në qytetin e Himarës.

“Gjatë verifikimeve, u konstatua se një automjet tip “BMW” ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente”.

Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Himarë vendosën gjithashtu masë administrative 20 000 lekë.

/m.q/r.e/

The post Parkoi gabim dhe pengoi kalimin e zjarrfikëses, nën hetim 22-vjeçari në Himarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave, arrestohet 26-vjeçari në Maliq

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Maliqit pasi dyshohet se ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.

Policia njoftoi sot se është vënë në pranga shtetasi G. A., 26 vjeç, banues në fshatin Pirg.

Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 30.07.2025, rreth orës 15:00, ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Arat e Sulës”, mbi fshatin Leminot, me qëllim hapjen e kullotave të reja, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/r.e/

The post Ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave, arrestohet 26-vjeçari në Maliq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GJKKO dënon me burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar sot me dy vite burgim ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro për shpërdorim detyre, për tjetërsimin e një toke në zonën e Livadhit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar Goros i ulet dënimi me 1/3, duke u dënuar përfundimisht nga GJKKO me 1 vit e 4 muaj burgim. Gjithashtu Goros i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

GJKKO dënoi me shërbim prove për dy vite edhe Vasilaq Strakoshën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.

/m.q/r.e/

The post GJKKO dënon me burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha për pjesëmarrjen e PD-së në parlamentin e ri: Do të vendoset nga forumet

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për shtyp sot e cilësoi sërish procesin zgjedhor të 11 majit si një farsë elektorale të manipuluar në mënyrë masive.

Berisha tha se “patronazhistët” kanë shtrirë ndikimin e tyre deri në diasporë, duke ndikuar ndjeshëm te vota e emigrantëve shqiptarë.

Berisha përmendi rezultate në Qarkun e Fierit, ku sipas tij, janë raportuar përqindje të votimit deri në 92–93% në favor të PS-së.

Kreu i PD-së tha më tej se “1 miliard e 24 milionë euro janë përdorur për të manipuluar zgjedhjet dhe për të blerë vota”.

“Në këto zgjedhje diktatori, apo diktatura autoritare përdori 1 miliard e 24 milionë euro. Cilat janë? 500 milionë në kundërshtim me ligjin në prokurorime publike; 244 milionë në kundërshtim me ligjin interesa bankare dhe grante për fermerët; 200 e ca milionë gjoba dhe kamata të falura të 10 viteve të fundit; 76 milionë çdo pensionist 100 euro. Pa llogaritur dhe 100 milionë rrënjë kanabis, që nuk mbillen dot”, deklaroi Berisha.

I pyetur për pjesëmarrjen e PD-së në parlamentin e ri, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se kjo çështje do të vendoset nga forumet e partisë, duke theksuar se çdo vendim do të jetë kolektiv dhe jo personal.

/m.q/r.e/

The post Berisha për pjesëmarrjen e PD-së në parlamentin e ri: Do të vendoset nga forumet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAS rrëzon Celibashin, mandati i “Nismës Shqipëria Bëhet” kalon për Ana Dajkon

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe i Sanksioneve (KAS) vendosi sot që të rrëzojë vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe t’i kalojë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Ana Dajkos.

Ana Dajko ishte e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Më herët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ia kishte kaluar mandatin, Kleana Xhuvelit.

Në këtë mënyrë KAS vendosi edhe rrëzimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, e cila kërkoi që mandati t’i kalojë Adriatik Lapajt.

Relatori i kësaj ankese, Elvis Çefa, sqaroi se dorëheqja më 11 maj e kandidatëve në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” është “nul” dhe nuk mund të merret në konsideratë.

“Akti i dorëheqjeve nga kandidimi i bërë në rastin konkret ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur të subjektit zgjedhor është një akt nul, absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të merret në konsideratë.

“Për rrjedhojë subjekti nuk mund të pretendojë që KQZ të miratojë një akt që është nul. Në këto kushte ky akt nuk ka asnjë pasojë juridike, sepse heqja dorë nga kandidimi nënkupton në vetvete prishjen e listës të kandidimit të atij subjekti zgjedhor, e cila ka pasojë ligjore ndalimin e konkurrimit të këtij subjekti në zgjedhje.

“Mund të jetë zgjedhur si strategji politike ndoshta nga ana juaj, është e pamundur si proces. Ndaj KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore të subjektit Lëvizja Shqipëria Bëhet për vendimin e KQZ për përcaktimin e kandidates fituese të subjektit zgjedhor në Qarkun Tiranë. Ndryshimin e këtij vendimi si më poshtë: Shpalljen e kandidates fituese për deputet nga lista shumemërore të miratuar nga KQZ të subjektit zgjedhor në qarkun Tiranë, zonjës Ana Dajko”, tha Çefa.

/m.q/r.e/

The post KAS rrëzon Celibashin, mandati i “Nismës Shqipëria Bëhet” kalon për Ana Dajkon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Gjenevë: Shqipëria e angazhuar të kontribuojë për një rend botëror më të drejtë dhe më paqësor

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spriopali mbajti sot një fjalim në Konferencën e 6-të Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, e cila zhvillohet në Gjenevë (Zvicër), nën organizimin e Unionit Ndërparlamentar, me temë “Bashkëpunimi parlamentar dhe multilateralizmi për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin”.

Në fjalën e saj Spiropali vuri në pah rolin aktiv të Kuvendit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përmendur miratimin e rezolutës për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Si parlamentarë, ne duhet të jemi në pararojë në përballjen me çdo formë rreziku, deformimi apo sfide që kërcënojnë shoqëritë tona. Ne në Shqipëri jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Ukrainës në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, duke dënuar pa asnjë mëdyshje agresionin rus dhe duke mbështetur çdo nismë që ka për qëllim llogaridhënien, ndihmën humanitare dhe rindërtimin.

“Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para që ka miratuar projekt rezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurinë evropiane””, tha Spiropali.

Kryeparlamentarja theksoi se “vështirë se gjendet një kohë tjetër kur bashkëpunimi ndërparlamentar për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien të jetë kaq i domosdoshëm dhe kaq kritik sa në kohën e sotme”.

Spiropali adresoi në fjalën e saj nevojën e bashkëpunimit ndërparlamentar.

“Nga kufiri lindor i BE-së, në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe më gjerë, bota po përballet me një krizë të rëndë dhe trazira të mëdha. Forcat e përçarjes, konfliktit të dhunshëm dhe pabarazisë po venë në provë vlerat tona të përbashkëta: paqen, stabilitetin, drejtësinë. Përballja me sfidat globale, nga shkeljet e sovranitetit të shteteve tek ndryshimet klimatike dhe pabarazitë shoqërore, kërkojnë një angazhim të palëkundur ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndër-parlamentar. Sot më tepër se kurrë ne duhet të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja për bashkëpunim dhe progres”, tha Spiropali.

Në fjalën e saj, Spiropali theksoi se Shqipëria është e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë. Spiropali nënvizoi më tej se Shqipëria, që 3 dekada më parë ishte një nga vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësimin në BE.

“Sot më tepër se kurrë në duhet të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja për bashkëpunim dhe progres. Shqipëria është tërësisht e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë, pasi e dimë mirë nga përvoja që paqja dhe drejtësia nuk janë dhurata, por fryt i përpjekjeve të përbashkëta i mësimeve të nxjerra gjatë shtetformit dhe konsolidimit të institucioneve.

“Vendi im, i cili pak më shumë se 3 dekada më parë ishte ndër vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor. Presidenca shqiptare e OSBE-së gjatë vitit 2020 si dhe kontributi si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dëshmuan, qasjen bashkëpunimit dhe paqësore të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se “aktualisht Shqipëria është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut e angazhuar fort në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njërit kudo në botë duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësi dhe abuzimi”.

Spiropali u shpreh se Shqipëria është e angazhuar për të garantuar se kuadri ligjor dhe politikat tona publike, të kontribuojnë për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më paqësor.

“Ne në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë diplomacinë parlamentare si një soft power për mbrojtjen e sigurisë, arritjen e paqes dhe garantimin e prosperitetit të kombeve dhe njerëzve tanë. Kjo konferencë është një thirrje për veprim për të garantuar që kuadri ynë ligjor dhe politikat tona publike të kontribuojnë realisht për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më paqësor.  Pa parlamentarë të përkushtuar, multilateralizmi mbetet një teori. Me veprim të përbashkët dhe të koordinuar, ai bëhet mjet i fuqishëm për ndryshim”, tha Spiropali.

/m.q//r.e/

The post Spiropali në Gjenevë: Shqipëria e angazhuar të kontribuojë për një rend botëror më të drejtë dhe më paqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kodi i ri është atentat madhor kundër fjalës së lirë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediet sot, e cilësoi draftin e Kodit të ri Penal të propozuar nga qeveria si një atentat madhor kundër fjalës së lirë.

Berisha theksoi se Kodi i ri Penal “ka dalë nga shpellat e mafies”. Sipas Berishës, Kodi i ri Penal “shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”.

“Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për Kodin. Pra, kur unë ju deklarova se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi. Por, ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson Kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”, tha Berisha.

Duke iu referuar nenit për ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit, Berisha tha sot se shkohet deri në atë shkallë sa bëhet një nen, sipas tij, për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën.

“Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë. Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë.

“Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën. A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avokatët, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që iu bëhen në sallën e gjyqit. Absurditeti i Kodit tejkalon çdo kufi”, tha Berisha.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Kodi i ri është atentat madhor kundër fjalës së lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paralajmërimet për cunami, ambasada e Shqipërisë në Japoni: Shtetasit shqiptarë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Pas paralajmërimeve nga autoritetet japoneze për një cunami, ambasada shqiptare në Japoni u ka bërë thirrje shqiptarëve që ndodhen atje që të ndjekin me vëmendje udhëzimet dhe informacionet nga autoritete lokale.

Paralajmërimet për cunami deri në 3 metra përgjatë bregdetit të Paqësorit të Japonisë nga Hokkaido në Wakayama erdhën pas tërmetit të fortë me magnitudë 8,7 ballë që goditi lindjen e Gadishullit Kamçatka, në Rusi.

“Në vijim të paralajmërimeve të autoriteteve japoneze për tsunami në disa rajone të vendit, iu bëjmë thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Japoni të ndjekin me vëmendje informacionet e publikuara dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale”, njoftoi ambasada shqiptare në Japoni.

Në rast nevoje për ndihmë, Ambasada ka publikuar adresa dhe numra kontakti.

embassy.tokyo@mfa.gov.al

WhatsApp: +81-70-9023-3905

+81 80 4357 2971

Përditësime në gjuhën angleze janë të disponueshme si vijon:

Agjensia Japoneze e Meteorologjisë https://www.jma.go.jp/jma/indexe.html

NHK World:� https://www3.nhk.or.jp/nhkworld/en/live/

Më shumë se 2 milionë njerëz në Japoni u urdhëruan të evakuohen për shkak të rrezikut për cunami.

/m.q/r.e/

The post Paralajmërimet për cunami, ambasada e Shqipërisë në Japoni: Shtetasit shqiptarë të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Turistët konsumojnë produkte importi, fermerët shqiptarë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se sektori i turizmit nuk po mbështetet nga qeveria, ndërsa evidentoi disa nga problematikat me të cilat haset ky sektor.

Në një deklaratë për mediet zëvendëssekretarja e përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se bizneset e vogla po goditen çdo ditë, në vend që të mbështeten.

“Sektori i turizmit jo vetëm që nuk ndihmohet nga qeveria, por po goditet çdo ditë. Bizneset e vogla që mbajnë peshën kryesore të turizmit veror, në vend që të mbështeten për të zgjeruar ofertën përtej muajve të nxehtë, të sigurohet furnizimi me ujë dhe drita, po sulmohen me rruspa, dënohen me gjoba selektive, dhe shantazhohen nga inspektorë që vijnë me porosi politike.

“Qeveria po godet bizneset familjare në Himarë, Ksamil, Vlorë e Durrës që rrëzohen njëra pas tjetrës për t’ia lënë vendin oligarkëve dhe projekteve betonizuese”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, më shumë se 80% e ushqimeve që konsumohen nga turistët janë të importuara.

“Fermerët shqiptarë janë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit, sepse qeveria nuk ka krijuar asnjë mekanizëm të organizuar për ta lidhur bujqësinë me turizmin. Turizmi në Shqipëri pasuron tregjet e huaja duke lënë bujqësinë shqiptare të falimentojë”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi gjithashtu se bregdeti shqiptar është i ndotur.

“Ujërat detare janë të ndotura me baktere dhe mbetje fekale, në nivele që do të çonin në mbylljen e plazheve në çdo vend të BE-së. Asnjë kanalizim i ndarë, asnjë sistem trajtimi, asnjë strategji kombëtare për mbrojtjen e vijës bregdetare, vetëm fasada, vetëm reklama”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu shtoi se Shqipëria ka nevojë për vizion, për mbështetje reale, për investime në rrugë, ujësjellës, kanalizime, për mbrojtje të mjedisit dhe forcim të ekonomisë vendase.

“Mbështetja e vërtetë për ekonominë shqiptare është te fermeri që prodhon domaten, te punëtori i hotelit që jeton me një rrogë sezonale, te familja që ka ndërtuar një bujtinë në fshat”, tha Haxhiu.

/m.q/r.e/

The post PL: Turistët konsumojnë produkte importi, fermerët shqiptarë të përjashtuar nga zinxhiri i furnizimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Shijak


TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Një 39-vjeçar i dënuar në Itali, me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike, është arrestuar në Shijak.

Policia njoftoi sot se “në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me Shërbimet Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 57″”.

“Gjatë këtij operacioni, u kap në fshatin Hardhisht, Shijak, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

/m.q/r.e/

The post Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 39-vjeçari në Shijak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.

E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.

Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.

Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.

/m.q/r.e/

The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi si antikushtetues draftin e ri të Kodit Penal.

Në një deklaratë për mediet Blushi tha sot se drafti është “një atentat ndaj shtetit të së drejtës, që synon asgjësimin përfundimtar të lirisë në Shqipëri”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “ky Kod Penal është rikthim i Nenit famëkeq, “55” për agjitacion dhe propagandë”.

“Shteti i represionit që synohet të instalohet me këtë Kod parashikon: Burg për fjalën e lirë, sepse çdo kritikë, postim apo protestë mund të cilësohet “terrorizëm” apo “dezinformim” dhe kushdo mund të përfundojë me pranga në duar për “agjitacion e propagandë.

“Burg për parkimin, sepse bashkimi i “krimeve” me “kundërvajtjet” i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ në vepër penale. Burg për kontratat, sepse bizneset dhe individët ndëshkohen penalisht për mosmarrëveshje civile, ndërkohë që kontrabandistët dhe klientët e Qeverisë përfitojnë imunitet të paprekshëm.

“Liri për të dënuarit me burgim të përjetshëm, sepse parashikohen hapësira për lirimin e tyre pa asnjë kriter të qartë, duke çelur rrugën për pazare të fëlliqura politike dhe legalizim të korrupsionit gjyqësor. Liri për hajdutët me pushtet, sepse abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni i lartë praktikisht dekriminalizohen përmes kufizimit ekstrem të dispozitave për ndjekjen e tyre”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se “Kodi i ri Penal i pakonsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, me asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët apo profesionistët e drejtësisë, por i prezantuar në terr, nuk është ligj, por një mjet shtypës”.

Sipas Blushit ky Kod Penal duhet refuzuar, rrëzuar dhe dërguar në koshin e historisë bashkë me regjimin që e prodhoi.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të kundërshtojë me forcë këtë grusht shteti juridik ndaj lirisë, si tentativë kriminale për instalimin e shtetit të mafias”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

The post PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se ka vënë nën hetim tre punonjës të një subjekti të cilët po dëmtonin shtratin e lumit Mat.

Administratori i subjektit, sipas Policisë, është shpallur në kërkim.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ushtruan kontroll përgjatë lumit Mat, ku konstatuan mjete të rënda të një subjekti që kryente aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe duke dëmtuar shtratin e lumit”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast: u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të këtij subjekti, shtetasit M. L., 36 vjeç, V. L., 47 vjeç (vëllezër) banues në Pukë dhe F. L., 50 vjeç, banues në Tale, Lezhë; u shpall në kërkim shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, administrator i subjektit. Punohet për kapjen e tij”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete të rënda (1 ekskavator dhe 3 kamionë) që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 25-vjeçar dhe ka nisur hetimet për dy të tjerë, si autorë të dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në Konispol dhe Dukat.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve në territor, bënë të mundur identifikimin e dy shtetasve të dyshuar për zjarrvënie në Konispol.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 25 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. I., 51 vjeç, banues në fshatin Janjar, Konispol”.

Sipas policisë nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. L., më datë 27.07.2025, është larguar nga banesa duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, dhe rreth orës 23:30, në bashkëpunim me shtetasin S. I., ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullote, në fshatin Janjar, Konispol, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre.

Gjithashtu është proceduar penalisht një 15-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie në një sipërfaqe toke me bimësi, në fshatin Dukat.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum është bërë identifikimi i autorit të një rasti tjetër të zjarrvënies, në fshatin Dukat. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”, në fshatin Dukat, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të ndryshme”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse.

/m.q/r.e/

The post Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohen hapësira në plazhin e Velipojës, sekuestrohen 80 çadra e 160 shezlongë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Policia njoftoi sot se gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Valipojës, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej, 80 çadra dhe 160 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme nga shtetasi D. M.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. M., 71 vjeç, banues në Velipojë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

/m.q/r.e/

The post Lirohen hapësira në plazhin e Velipojës, sekuestrohen 80 çadra e 160 shezlongë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌