Çka i kishte premtuar Radoiçiqi Prokurorisë Speciale, në këmbim të tërheqjes se urdhër-arrestit më 2021?
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka dhënë detaje të padëgjuara më parë për vendimin për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit në vitin 2021, i cili ishte lëshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Në gusht të vitit 2019 Ministria e Drejtësisë kishte lëshuar letër- rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit. Konfirmimin për letër- rreshtimin në vitin 2019 e kishte dhënë edhe ish-ministri i Drejtësisë, në atë kohë, Abelard Tahiri.
Kryeprokurori Blerim Isufaj për Kallxo tha se deklaratat e tij të mëhershme lidhur me këtë çështje mund të kenë krijuar paqartësi, por tani vendosi të sqarojë gjithçka për publikun.
“Në konferencë të cilën e pata mbajtur kohë më parë, pata deklaruar se për këtë çështje nuk mund të shpalosi detaje. Unë jam i vetëdijshëm se kjo deklaratë ka mujt me shkaktu konfuzion, keqinterpretim” – tha Isufaj.
Ai sqaroi se procedura ishte zhvilluar nga prokurori i çështjes Burim Qerkini dhe se ai ishte informuar si kryeprokuror, bashkë me kryeprokurorin e atëhershëm të shtetit dhe disa prokurorë të tjerë.
“Mos harro, po e përsëris – e kam thanë se nuk mund të ndaj detaje me publikun. Ato detaje po i shpalosi këtu. Procedurën e ka zhvilluar prokurori i çështjes, sikurse në çdo rast tjetër. Prokurorët janë të pavarur për punën e tyre në zhvillimin e procedurës. Për këtë proces, kam qenë i informuar si kryeprokuror. Përveç meje ka qenë kryeprokurori i shtetit dhe disa prokurorë të zyrës time. Kjo do të thotë se kjo çështje në asnjë mënyrë nuk është ba që si të themi në mënyrë sekrete” – shtoi ai.
Isufaj zbuloi prapaskenat e një takimi ndërmjet prokurorit të çështjes, Burim Qerkini dhe avokatit të Radoiçiqit. Radoiçiq i kishte premtuar PSRK-së se do të jepte informacione kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në mënyrë qe urdhër-arresti ndaj tij të hiqej.
“Në një moment, prokurori i çështjes (Burim Qerkini) ka ardhë në zyrën time dhe më ka njoftu për një takim që ai kishte pasur me avokatin e Milan Radoiçiqit. Si ma interpretoi prokurori mua, ishte kështu situata – avokati i Radoiçiqit i kishte thënë prokurorit se Radoiçiqi po jep sinjale bashkëpunimi dhe nëse pranoni me ja hjek urdhërarrestin, ai do të jap informacione që janë shumë kredibile për vrasjen e Oliver Ivanoviqit” – tha kryeprokurori.
Ai theksoi se në atë kohë nuk kishte shumë informacion për rolin e Radoiçiqit dhe nuk kishte pranuar “ofertën” për heqjen e urdhër-arrestit.
“Të jeni të sigurt, unë në atë kohë nuk kam pasur shumë informacione kush është Radoiçiqi. E kam ditur që është i akuzuar si bashkëkryerës në kryerje të veprës penale të Oliver Ivanoviqit, por nuk kam ditur më shumë. Ju e dini që ka pasur tentime me u arrestu disa herë nga Policia por nuk ka mundur. Në momentin kur ma tha këtë prokurori i çështjes, unë kam qenë i qartë, i kam thanë jo. Pse i kam thanë jo? Nuk është se unë s’kam dashur ta pranoj një ofertë të tillë, nuk është se unë nuk kam dashur të siguroj informacionet që pretendohej se ishin shumë relevante për çështjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit sepse urdhër-arresti ka të bëjë për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk u pajtova me prokurorin dhe i thashë vazhdo me procesin kështu si je” – deklaroi Isufaj në KallxoPërnime.
Prokurori Burim Qerkini kishte insistuar, duke sjellë një plan hetimi dhe strategji për marrjen e atij informacioni, që ishte përkrahur edhe nga ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.
“Ndërkohë prokurori i çështjes insistoi dhe mua ma solli një plan hetimi, një strategji për mënyrën se si ai mendon marrjen e atij informacioni. Për të gjitha këto biseda, i informuar dhe në takime ka qenë ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Meqenëse prokurori – e thashë edhe më herët – është i pavarur në mënyrën se si e trajton një rast, se si e siguron një provë, se si e prezanton provën para gjykatës, unë nuk mujta me u ba pengesë me thanë nuk bën në asnjë mënyrë sepse e kisha një instancë më të lartë aty” – sqaroi kryeprokurori.
I pyetur për qëndrimin e ish-kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi, Isufaj tha se ai e kishte përkrahur tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit.
“Po, ishte pro kësaj dhe unë i besova sinqeritetit të prokurorit. Isha i bindur dhe jam edhe sot se qëllimi i prokurorit të çështjes nuk ka qenë që të amnistohet Radoiçiqi, përkundrazi qëllimi ka qenë që ai të vihet këtu edhe të ballafaqohet me drejtësinë. Imagjinoje, Kreshnik, sikur ai të vinte në Prokurorinë Speciale, ose e kish dhënë informacionin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ose do të arrestohej sepse e ka pasur statusin e personit të pandehur” – tha Isufaj.
Ndërkohë Blerim Isufaj tha se deri më tani askush nuk është hetuar për heqjen urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiqit. Por, shtoi se “nëse ka ndonjë provë që dëshmon se tërheqja e urdhër-arrestit lidhet me ndonjë vepër penale, garantoj se do ta hetojë pa kompromis”
Ai shtoi se aktualisht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka katër urdhër-arreste aktive për Radoiçiqin: për vrasjen e Ivanoviqit, për rastin e Banjskës, për organizimin e barrikadave dhe për krime të luftës.
“Po e përsëris, ne Radojiçiqin jemi duke e hetu në shumë pista të hetimit. Po e hetojmë edhe për mundësinë e bashkëpunimit me persona të tjerë në Kosovë. Përndryshe, Prokuroria Speciale i ka katër urdhër-arreste të lëshuara për Radoiçiqin: për rastin e Oliver Ivanoviqit, për rastin Banjska, për rastin e barrikadave dhe për krime të luftës. Atë që ma tha prokurori i çështjes, u betu se nëse nuk arrin me sjellë Radoiçiqin këtu, urdhër-arresti ndaj tij do të kthehet – dhe kjo ndodhi” – përfundoi Isufaj.
I pyetur për faktin se si ndodhi që Radoiçiqi më pas jetoi lirshëm në Mitrovicë dhe nuk ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale, Isufaj tha:
“Nuk e di pse nuk ka ardhë. Synimi i prokurorit ka qenë që ai me ardhë, e vërteta është që ai nuk ka ardhë dhe e vërteta është që për këtë arsye ju ka kthyer urdhërarresti. Unë e them me përgjegjësi të plotë një fakt – se kjo çështje është politizu tej mase. Nuk e kam besu që shkon deri në këtë nivel” – tha kryeprokurori.
Ndaj Milan Radoiçiq kishte një urdhërarrest në lidhje me vrasjen e ish- politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq për çka dyshohej se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.
Sipas një aktakuze të ngritur nga Prokuroria Speciale në Kosovë, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.
Në fillim të muajit shkurt të vitit 2021 në Gjykatën e Prishtinës ka filluar procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Ivanoviq.
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit ishte tërhequr po në fillim të vitit 2021.
“PRSK (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) ka bërë kërkesë për tërheqjen e letër- rreshtimit dhe gjykata duke vepruar sipas kërkesës së saj e ka tërhequr letër-rreshtimin”- kishte deklaruar ai.
Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar 2018.
The post Çka i kishte premtuar Radoiçiqi Prokurorisë Speciale, në këmbim të tërheqjes se urdhër-arrestit më 2021? appeared first on Telegrafi.