Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale po konkurrojnë përkrah nxënësve të shkollave të mesme në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës dhe në disa raste, edhe po triumfojnë. Si Google, ashtu edhe OpenAI kanë arritur të zgjidhin pesë nga gjashtë problemet e paraqitura nga Olimpiada Ndërkombëtare e Matematikës për të rinj, duke pretenduar secili medaljen e artë.
Nëse suksesi do të vlerësohej sipas rendit kronologjik të publikimit, atëherë OpenAI do të cilësohej fituese. Studiuesi Alexander Wei njoftoi në platformën X rezultatin mbresëlënës të modelit të avancuar të kompanisë: “Jam i lumtur të ndaj me ju që modeli ynë gjuhësor i ‘mendimit’ ka fituar medaljen e artë në garën më të vështirë të matematikës për inteligjencën artificiale.”
Megjithatë, sipas gazetës italiane Corriere della Sera, OpenAI nuk ka qenë zyrtarisht pjesëmarrëse në këtë kompeticion, për dallim nga Google. Kompania e njohur mori pjesë për të dytin vit radhazi në mënyrë të certifikuar, përmes modelit të saj të logjikës artificiale, DeepMind. Vitin e kaluar ajo fitoi medaljen e argjendtë.
“Këtë vit kemi qenë pjesë e një programi pilot, ku rezultatet e modeleve tona janë vlerësuar dhe certifikuar zyrtarisht nga koordinatorët e Olimpiadës Ndërkombëtare të Matematikës, në përputhje me kriteret që përdoren për nxënësit,” thuhej në deklaratën zyrtare të ekipit të Google.
Megjithëse asnjë nga modelet nuk konkurroi kokë më kokë me nxënësit pjesëmarrës, performanca e tyre në këtë olimpiadë konsiderohet një tregues domethënës i aftësisë së modeleve gjuhësore për të zgjidhur detyra të arsyetimit të thellë, përtej gjenerimit të tekstit.
Nga gjuha natyrore tek logjika matematikore
Të dy modelet, ai i OpenAI dhe Gemini Deep Think i Google, i zgjidhën problemet brenda afatit kohor prej 4.5 orësh dhe u vlerësuan sipas standardeve të njëjta me pjesëmarrësit njerëzorë. Për këtë arsye, Gemini do të marrë një certifikim zyrtar për arritjen e tij.
Ndryshe nga disa modele të tjera të zhvilluara nga kompani më të vogla, të cilat kërkuan ndërhyrje për të thjeshtuar pyetjet e paraqitura në gjuhë natyrore, modelet e OpenAI dhe Google ishin në gjendje të kuptonin dhe zgjidhnin problemet në mënyrë autonome, pa asistencë njerëzore.
Ky është një përparim i dyfishtë: jo vetëm që AI-të po zgjidhin probleme të ndërlikuara matematikore, por edhe i përpunojnë ato përmes gjuhës natyrore – një arritje e rëndësishme për zhvillimin e teknologjisë së arsyetimit të avancuar.
Sipas Junehyuk Jung, profesor i matematikës në Universitetin Brown dhe anëtar i njësisë DeepMind të Google, ky është një hap më pranë ditës kur inteligjenca artificiale do të mund të zgjidhë probleme matematikore që ende i mbeten sfidë njerëzimit.
Kur fitorja nuk është gjithmonë e AI-së
Por jo çdo garë përfundon me sukses për modelet e AI. Javën e kaluar, OpenAI humbi me pak diferencë në një kompeticion të ngjashëm, AtCoder World Tour Finals 2025 Heuristic, një garë ndërkombëtare në fushën e programimit dhe optimizimit, e zhvilluar në Tokio.
Fitues doli programuesi polak Przemysław “Psyho” Dębiak, i cili u shpreh: “Njerëzimi fitoi (për momentin!). Jam i rraskapitur… mezi jam gjallë.”
Gara konsistonte në një problem të vetëm optimizimi që duhej zgjidhur brenda 600 minutash. Dëbiak fitoi me një epërsi të ngushtë prej 9.5% ndaj modelit të OpenAI, që ende nuk është i disponueshëm për publikun.
Për këtë model të quajtur OpenAIAHC, gara përfundoi me një medalje argjendi, një rezultat mbresëlënës që mund të jetë paralajmërim për një fitore të ardhshme, ashtu si ndodhi me Google në olimpiadën e matematikës./abcnews.al