Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 July 2025Main stream

SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.

E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.

Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.

Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.

/m.q/r.e/

The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilësoi si antikushtetues draftin e ri të Kodit Penal.

Në një deklaratë për mediet Blushi tha sot se drafti është “një atentat ndaj shtetit të së drejtës, që synon asgjësimin përfundimtar të lirisë në Shqipëri”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “ky Kod Penal është rikthim i Nenit famëkeq, “55” për agjitacion dhe propagandë”.

“Shteti i represionit që synohet të instalohet me këtë Kod parashikon: Burg për fjalën e lirë, sepse çdo kritikë, postim apo protestë mund të cilësohet “terrorizëm” apo “dezinformim” dhe kushdo mund të përfundojë me pranga në duar për “agjitacion e propagandë.

“Burg për parkimin, sepse bashkimi i “krimeve” me “kundërvajtjet” i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ në vepër penale. Burg për kontratat, sepse bizneset dhe individët ndëshkohen penalisht për mosmarrëveshje civile, ndërkohë që kontrabandistët dhe klientët e Qeverisë përfitojnë imunitet të paprekshëm.

“Liri për të dënuarit me burgim të përjetshëm, sepse parashikohen hapësira për lirimin e tyre pa asnjë kriter të qartë, duke çelur rrugën për pazare të fëlliqura politike dhe legalizim të korrupsionit gjyqësor. Liri për hajdutët me pushtet, sepse abuzimi me detyrën, shpërdorimi i fondeve publike dhe korrupsioni i lartë praktikisht dekriminalizohen përmes kufizimit ekstrem të dispozitave për ndjekjen e tyre”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se “Kodi i ri Penal i pakonsultuar me asnjë grup interesi të mirëfilltë, me asnjë OJF apo organizatë të të drejtave të njeriut, pa pyetur avokatët apo profesionistët e drejtësisë, por i prezantuar në terr, nuk është ligj, por një mjet shtypës”.

Sipas Blushit ky Kod Penal duhet refuzuar, rrëzuar dhe dërguar në koshin e historisë bashkë me regjimin që e prodhoi.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, intelektuali, juristi, çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile dhe çdo aktori politik që beson te vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të kundërshtojë me forcë këtë grusht shteti juridik ndaj lirisë, si tentativë kriminale për instalimin e shtetit të mafias”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

The post PL: Drafti për Kodin e ri Penal, antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës njoftoi sot se ka vënë nën hetim tre punonjës të një subjekti të cilët po dëmtonin shtratin e lumit Mat.

Administratori i subjektit, sipas Policisë, është shpallur në kërkim.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ushtruan kontroll përgjatë lumit Mat, ku konstatuan mjete të rënda të një subjekti që kryente aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe duke dëmtuar shtratin e lumit”, njoftoi Policia.

Sipas Policisë, “në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast: u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të këtij subjekti, shtetasit M. L., 36 vjeç, V. L., 47 vjeç (vëllezër) banues në Pukë dhe F. L., 50 vjeç, banues në Tale, Lezhë; u shpall në kërkim shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, administrator i subjektit. Punohet për kapjen e tij”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete të rënda (1 ekskavator dhe 3 kamionë) që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dëmtuan shtratin e lumit Mat duke marrë inerte, nën hetim tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 25-vjeçar dhe ka nisur hetimet për dy të tjerë, si autorë të dyshuar të dy rasteve të zjarrvënies në Konispol dhe Dukat.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve në territor, bënë të mundur identifikimin e dy shtetasve të dyshuar për zjarrvënie në Konispol.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 25 vjeç, banues në fshatin Shalës, Konispol, dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. I., 51 vjeç, banues në fshatin Janjar, Konispol”.

Sipas policisë nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. L., më datë 27.07.2025, është larguar nga banesa duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, dhe rreth orës 23:30, në bashkëpunim me shtetasin S. I., ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullote, në fshatin Janjar, Konispol, ku si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 8 hektarë me barishte dhe shkurre.

Gjithashtu është proceduar penalisht një 15-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie në një sipërfaqe toke me bimësi, në fshatin Dukat.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum është bërë identifikimi i autorit të një rasti tjetër të zjarrvënies, në fshatin Dukat. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetas 15 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”, në fshatin Dukat, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të ndryshme”, njoftoi Policia.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse.

/m.q/r.e/

The post Zjarret në Konispol dhe Dukat, një i arrestuar dhe dy nën hetim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohen hapësira në plazhin e Velipojës, sekuestrohen 80 çadra e 160 shezlongë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Policia njoftoi sot se gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Valipojës, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej, 80 çadra dhe 160 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme nga shtetasi D. M.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. M., 71 vjeç, banues në Velipojë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

/m.q/r.e/

The post Lirohen hapësira në plazhin e Velipojës, sekuestrohen 80 çadra e 160 shezlongë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, arrestohet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar kreun e një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim.

Policia njoftoi sot se si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.

Sipas policisë 59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë–Elbasan.

“Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale”, njoftoi Policia.

59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Tiranë, arrestohet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Po ndërtonin pa leje një TEC në pronë publike, arrestohen dy inxhinierë në Delvinë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Në kuadër të masave të ndërmarra për ndërtimet e paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin Policia e Vlorës në bashkëpunim me IKMT-në ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë.

Policia njoftoi sot se gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.

Sipas Policisë, në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit: E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.

Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Po ndërtonin pa leje një TEC në pronë publike, arrestohen dy inxhinierë në Delvinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Dogji 3,5 hektarë kullota në Konispol, vihet në hetim 70-vjeçari

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia e Sarandës ka proceduar penalisht një 70-vjeçar pasi dyshohet se ndezi zjarr për pastrimin e tokës, por flakët i dolën jashtë kontrollit dhe dogjën rreth 3,5 hektarë kullotë dhe një stallë me bagëti të imta.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore për dokumentimin e rasteve të zjarrvënieve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet procedurale në Prokurori, për shtetasin: F. M., 70 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol”.

Sipas policisë, “nga hetimet paraprake dyshohet se ky shtetas, më datë 26.07.2025, rreth orës 09:00, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e një pjese toke kullotë në malin e fshatit Markat dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve nga era e fortë, është djegur një sipërfaqe prej 3,5 hektarësh me barishte dhe shkurre. Zjarri është përhapur edhe në territorin e banuar të fshatit, ku ka shkaktuar djegien e një stalle me bagëti të imta (10 krerë dele) dhe një koteci me shpendë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Dogji 3,5 hektarë kullota në Konispol, vihet në hetim 70-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Rritja e çmimeve të referencës, goditje ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha sot se rritja e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme nga qeveria do ta bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do të rrisë më tej koston e jetesës.

Nga selia e Partisë së Lirisë, Blushi u shpreh se “qeveria rrit në heshtje çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës”.

“Një tjetër grabitje e pastër që do e bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do rrisë më tej koston e jetesës”, tha Blushi.

Blushi nënvizoi më tej se “rritja tinëzisht e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme është goditja e radhës ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve që e kanë të pamundur sot të blejnë një shtëpi”.

“Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, por një bandë shtetërore që po djeg vendin për të ruajtur pushtetin e vet kriminal përmes farsës dhe terrorit elektoral të 11 majit”, tha Blushi.

Blushi u ndal gjithashtu edhe tek situata nga zjarret në vend.

“Nga Veriu në Jug, mbi 12 mijë hektarë pyje, kullota, pemishte dhe prona publike janë kthyer në hi. Nga një përllogaritje e përafërt mbi bazën e kostos së ripyllëzimit, vlerës së lëndës drusore të djegur, kostos së degradimit të tokës dhe të tjera, dëmi ekonomik nga zjarret deri më tani rezulton përafërsisht 80 milionë euro, vlerë e cila rritet çdo ditë”, tha Blushi.

/m.q/r.e/

The post PL: Rritja e çmimeve të referencës, goditje ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kompanitë me mbi 100 punonjës do të kenë departament inovacioni

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, nga ku u prezantua edhe një start up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.

Në fjalën e tij Rama theksoi sërish se kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24.

“Ne do ta vendosim si kusht që kantierët e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24. Kjo gjë padiskutim do t’ju vlejë edhe juve në ndjekjen e punëve dhe në praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit dhe diku në një nga mjediset këtu do të shikoni që përmes një programi monitorimi me inteligjencën artificiale mund të ndiqet kantieri nga lart dhe mund të shikohet dhe korrektësia e punës në raport me projektin, jo thjesht në perimetër”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se gjithashtu po “përfundon edhe Qendra e Monitorimit me dronë të integruar që së bashku me satelitët do të na japë mundësi të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor”.

Rama tha se do të vendoset që kompanitë me mbi 100 punonjës të kenë një departament të inovacionit që merret me të gjithë pjesën e teknologjisë. Kjo sipas Ramës do të përgatisë bizneset për integrimin në BE.

“Do ju sugjeroja që të shikoni pak disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sasi të nevojës që kompanitë tuaja, përgjithësisht këtu janë kompani të mëdha, të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe inovacionin. Është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, por është para e hedhur më plot se çdo gjë tjetër dhe ne do ta vendosim për të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës do ta vendosim, që të jetë e detyrueshme që të kenë një departament të inovacionit që të merret me gjithë pjesën e teknologjisë dhe do t’i bëjë shërbimin më të mirë çdo kompanie dhe do të na përgatisë për atë që na pret në aspektin e biznesit privat në momentin që të anëtarësohemi në BE, ku do t’ju sugjeroja të informoheni sa më shumë se çfarë do të ndodhë.

“Do të jetë një sfidë shemë e madhe për kompanitë tona që t’i mbijetojën atij tregu, jo e pamundur, por e vështirë. Sa më shumë të përgatitemi sot, aq më të lehtë do ta kemi kur të bëhemi pjesë e komunitetit evropian dhe në aspektin e biznesit”, tha Rama.

/m.q/

The post Rama: Kompanitë me mbi 100 punonjës do të kenë departament inovacioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat e sigurisë për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi sot vendimin për masën e sigurimit detyrim për t’u paraqitur për kreun e Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri.

Ky i fundit kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjithashtu Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi edhe masën e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik.

Kujtojmë se SPKA ka marrë të pandehur Myzyrin për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me procedurë prokurorimi për mirëmbajtjen e aksit rrugor rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit.

/m.q/

The post Apeli i GJKKO-së lë në fuqi masat e sigurisë për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ndryshimet në Kodin Penal, e zhysin sistemin juridik në mjedis pasigurie

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se ndryshimet e paraqitura nga qeveria për Kodin Penal janë bërë pa asnjë konsultim publik.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, kreu i PD-së tha se ndryshimet e shpeshta e zhysin sistemin juridik në një mjedis pasigurie.

Sipas Berishës “stabiliteti i ligjit është kushti madhor i sigurisë juridike, e cila përbën dimensionin më cilësor të shtetit ligjor”.

Berisha tha se “duke përmbysur në mënyrë të vazhdueshme ligjet, ti vetë sistemin e zhyt në një mjedis pasigurie, sistemin juridik”.

“Do t’ju jap një shembull, ky është kodi i tretë në 30 vite. Në vitin 1995, u miratua Kodi i parë Penal. Në vitin 2014, me ndihmën e Euralius, u hartua Kodi Penal që është sot në fuqi. Dhe pa u mbushur 10 vite apo fiks në 10 vite, del nga shpellat e mafies, pa asnjë konsultim, një tekst tjetër i ri i Kodit Penal”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se “kodet plotësohen me veprat penale që krijohen, me praktikat që duhet të zbatohen, por të ndryshosh kod çdo 10 vite do të thotë se interesa tepër të mprehta të detyrojnë të ndërmarrësh një akt të tillë”.

“Dhe këtë kur e ndërmerr në mënyrë pothuaj të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediet, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te propozimi për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.

“Është kodi që vrasësit serialë i nxjerr nga dënimi i përjetshëm dhe u jep një shans të dytë, në një kohë kur në të gjitha ligjet, dhe sot në ligjet e vendeve demokratike të botës, ata marrin dënimin me vdekje. Dhe në qoftë se pyeten qytetarët sot, janë të gatshëm të votojnë për rivendosjen e dënimit me vdekje. Kodi është kryekëput infrastrukturë ligjore e narkoshtetit të instaluar”, u shpreh Berisha.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Ndryshimet në Kodin Penal, e zhysin sistemin juridik në mjedis pasigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Prespës vijon që të jetë ende aktive vatra e zjarrit. Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole në një prononcim për mediet sot tha se në total janë angazhuar 150 forca për shuarjen e flakëve.

Jole theksoi se falë edhe uljes së temperaturave dhe angazhimit të sotëm do të mund të neutralizohet vatra e zjarrit në një kohë më të shpejtë.

Prefekti nënvizoi se në total në gjithë qarkun e Korçës janë angazhuar rreth 1000 mijë forca për shuarjen e vatrave të zjarrit me të cilat u përball ky qark ditët e fundit.

“Që para dy ditësh kemi marrë njoftim nga stacioni i pikës kufitare Goricë për një vatër zjarri të shfaqur këtu në Parkun kombëtar të Prespës, edhe falë një reagimi shumë të shpejtë të strukturave vendore të stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, u bë e mundur që të ketë një mobilizim me reagueshmëri të lartë edhe të shpejtë në mënyrë që të ndikonin pozitivisht që në momentet e para.

Sot është dita e dytë që organizohet aksionin që në orën pesë të mëngjesit. Në total janë angazhuar rreth 150 forca, edhe unë dua të përfitoj nga rasti në fakt të falenderoj gjithë ekipet e angazhuara në këtë drejtim, jo vetëm këtu në rastin e Pustecit, por në të katër rastet që është prekur qarku jonë ditët e fundit, ku në totalin e tyre janë angazhuar rreth 1000 forca, edhe afërsisht 100 mjete. Kjo ka bërë të mundur që sot të kemi aktive në qark vetëm vatrën në Parkun Kombëtar të Prespës. Por që besoj që falë organizimit të sotëm, edhe në një farë mënyre, edhe favorizimi që kemi patur nga ulja e temperaturave, të kemi mundësinë që ta neutralizojmë sa më herët, edhe të evitojmë riskun e përshkrimit të sipërfaqeve të tjera të gjelbra në Parkun Kombëtar të Prespës”, tha prefekti.

Jole tha se deri tani në Parkun Kombëtar të Prespës janë djegur rreth 7 hektarë bimësi.

“Janë diku tek 7 ha të bimësisë të prekur. Besojmë që puna e sotme dhe nesër të bëjë të mundur që edhe kjo vatër të neutralizohet”, tha Jole.

/r.e/

The post Prefekti Jole: 100 forca të angazhuara për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Rama thekson se “Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë po edhe interesin reciprok të kësaj përpjekjeje që do të vijojë”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Linja e transmetimit të energjisë Bulqizë-Krastë është stakuar për arsye sigurie për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të saj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se “për arsye sigurie kemi qenë të detyruar të stakojmë nënstacione apo linja transmetimi, në afërsi të vatrave të zjarrit, por duke u kujdesur edhe për shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët”.

Balluku tha se “rasti më i fundit është në zonën e Bulqizës, ku zjarri i është afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për efekt sigurie u stakua linja”.

Sipas Balluku pa tension janë nënstacionet Krastë, Batër dhe HEC-et e zonës në fjalë.

Balluku nënvizoi se “dëmet e shkaktuara në sistemin energjetik nga situata e zjarreve në të gjithë territorin, deri tani janë të konsiderueshme, por të përballueshme nga operatorët në terma të shërbimit”.

/m.q/j.p/

The post Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime”

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.

Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.

Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.

“Ke hasur ndonjë hapësirë publike të zaptuar që pengon lëvizjen e qytetarëve? Ka ndonjë ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo në hyrje pallatesh? Aplikacioni “Tirana Ime” është krijuar nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar qytetarët të raportojnë problematikat në qytet”, njoftoi IMT në rrjetet sociale.

Në rubrikën “Raporto” mund të raportohet menjëherë një zaptim i hapësirës publike duke shtuar foto dhe vendndodhje. Strukturat përkatëse do ta verifikojnë në terren dhe do të marrin masat e nevojshme.

/m.q/j.p/

The post Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në fshatrat e Mirditës dhe Bulqizës vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes ndau foto të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore dhe Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile të Komandës Mbështetëse, gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve, të dislokuar në Mirditë dhe Bulqizë.

Sipas njoftimit zyrtar të MM-së në Qafë Buall, bashkia Bulqizë zjarri është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

/m.q/j.p/

The post Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt të bashkisë së Himarës po vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarreve.

Që në orët e para të mëngjesit po kryhet ndërhyrja edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka siguruar pamjet nga aksioni që po zhvillohet aktualisht nga ajri në zonën e Borshit ku helikopterë të FA-së po mbushin kovën me ujë në det për të shuar flakët.

Situata në terren sipas raportimeve mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

/m.q/

The post Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një oficer policie i komisariatit të Policisë Kufitare në Dibër është pezulluar nga detyra, pasi është përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës.

Policia njoftoi sot se “pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër”.

Sipas policisë “nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M”.

Aktualisht sipas policisë nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës; kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

/m.q/j.p/

The post Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 63-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë”.

“Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌