Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 August 2025Main stream

Vendimi i qeverisë/ Trajtim financiar për oficerët që punojnë në ambasadat jashtë vendit, ja përfitimet

By: V K
1 August 2025 at 09:28

Në vendimin e ditës së djeshme, thuhet se; Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët caktohen me detyrë si oficerë ndërlidhës jashtë vendit, do të trajtohen financiarisht nga buxheti i shtetit i caktuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në vendim thuhet se; trajtimi financiar përfshin shpenzimet publicitare në interes të Policisë së Shtetit, udhëtimet dhe dietat jashtë vendit pritës, kur këto kryhen në interes të Policisë së Shtetit, udhëtimet dhe dieta, brenda vendit pritës.

Do t’u paguhen shpenzimet për përmbushjen e detyrimeve protokollare për pritjen e partnerëve zyrtarë, ceremonitë zyrtare të karakterit policor dhe pritje të personelit policor të nivelit të lartë në vendin pritës, shpenzimet për mbështetjen e veprimtarive, veçanërisht të rëndësishme, të studentëve të policisë shqiptare në vendet përkatëse, uniformën.

Gjithashtu, qeveria shqiptare do të mbulojë dhe shpenzimet për qiranë e apartamentit, mirëmbajtjen e tij dhe të ambienteve të përbashkëta për ngrohje, gaz, energji elektrike dhe ujë, pajisje shtëpiake, siguracionin, mirëmbajtje, riparim defekti dhe shërbimi karrotrec, karburant, parkim, regjistrim dhe kontrollet periodike në vendin pritës të automjetit, komisionet bankare, internetin dhe telefoninë fikse e të lëvizshme.

Po ashtu do t’u paguhen shpenzimet për zyrë, mobilie e pajisje zyre dhe kancelari, transportin e oficerit ndërlidhës dhe familjarëve të tij nga Shqipëria në kohën e emërimit, si dhe shpenzimet e transportit nga vendi i emërimit për në Shqipëri, kur ata mbarojnë detyrën, transportin e sendeve personale në momentin e emërimit dhe kthimit në atdhe.

Transporti i sendeve dhe orendive personale bëhet me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në masën 7,4 m3 për anëtar familjeje, pa kaluar limitin e 30 m3 për çdo familje.

Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi; Sigurimin e jetës së oficerit ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit dhe të familjarëve të tyre, në rastet kur vendi pritës konsiderohet vend me rrezikshmëri të lartë. Sigurimi i jetës do të paguhet për sa kohë vazhdon situata e rrezikshmërisë së lartë.

Prokurimi i fondeve për mbulimin e këtyre shpenzimeve i nënshtrohet legjislacionit në fuqi. Rrezikshmëri e lartë, për efekt sigurimi, sipas këtij vendimi, konsiderohen situatat, kur në shtetin pritës shpallet gjendja e luftës ose e jashtëzakonshme; në shtetin pritës mbizotërojnë situata të përkeqësuara të sigurisë dhe të rendit publik, të cilat vlerësohen të rrezikshme për jetën. Sigurimin e shëndetit gjatë udhëtimit./Gazeta Panorama

The post Vendimi i qeverisë/ Trajtim financiar për oficerët që punojnë në ambasadat jashtë vendit, ja përfitimet appeared first on Albeu.com.

Tre vite burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

By: V K
1 August 2025 at 09:06

Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh me deri katër vjet burg, ndërsa nëse një sakrilegj i tillë kryhet nga “subjekti juridik”, mund të jepet në masë plotësuese, përveç gjobës, edhe “ndalimi për të kryer veprimtarinë” deri në pesë vjet, një nen ky që, me gjasa, mundet të përdoret për të goditur mediat dhe gazetarët për çdo gjë kritike që ato mund të thonë.

Neni 236 i dokumentit kontrovers të prezantuar nga qeveria shqiptare si një projetligj për ndryshimin tërësor të Kodit Penal të vendit, parashikon masat e dënimit për një vepër penale të titulluar “Përdhosja e Republikës dhe e simboleve të saj”.

Por ndërsa neni përkatës në kodin aktual i referohet vetëm flamurit apo simboleve të vendosura në institucionet shtetërore, kodi i ri penal konsideron në të njëjtin status me flamurin presidentin, kuvendin, këshillin e ministrave, gjykatën kushtetuese ose sistemin gjyqësor, forcat e armatosura apo dëshmorët e atdheut.

Dhe për më tepër, projekti i ri duket se jep masë ndëshkimi më të lartë për institucione të tilla se sa për “përdhosjen” e vetë flamurit.

“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet”, shkruhet në projektin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

“Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë”, shkruhet më tej në këtë nen.

Ndryshe nga propozimi i ri, kodi aktual penal në nenin 268 parashikon si “poshtërim” të republikës vetëm rastet e dëmtimit të flamurit ose të stemës kur këto janë të vendosura në institucionet shtetërore.

Edhe në këtë rast, kodi aktual penal parashikon gjobë ose burgim deri në tre muaj, masa dënimi këto shumë më të ulëta se sa burgimi deri në tre vjet i parashikuar nga kodi i ri.

“Përdhosja” është një vepër penale e parashikuar në kapitullin e dytë të kodit të propozuar, i cili mban titullin “veprat penale kundër rendit kushtetues”.

Ky kapitull dënon kryengritjet, atentatet ndaj udhëheqësve të shtetit, komplotet, partitë antikueshtetuese, tentativat për rrëzim me dhunë të rendit kushtetues, shkrimet, që gjykohen si “antikushtetuese” e të tjera.

Mes këtyre krimeve serioze, duket se bën pjesë edhe “përçmimi”, “tallja” apo “përbuzja” e këtyre “institucioneve”.

Në kundërshtim me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Dokumenti bazë që udhëheq hartimin e legjislacionit në kontinentin evropian, tashmë prej shumë dekadash është Karta Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe vendimet dhe arsyetimet që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka bërë kësaj karte.

Shqipëria, Kodi Penal i së cilës u miratua në vitin 1995, u detyrua, me hir apo me pahir, që të ndryshojë politikën e saj penale në përputhje me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kështu, përgjatë tre dekadave të fundit, nga Kodi Penal i vitit 1995, i cili u hartua në thelb nga të njëjtët juristë që ishin edukuar në sistemin e padrejtësisë së regjimit totalitar komunist, u hoqën apo u ndryshuan shumë nene.

Nenet e para që ikën ishin ato që parashikonin dënim me vdekje dhe që u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese menjëherë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1998. Pastaj, në vitin 2001, u shfuqizua si vepër penale homoseksualiteti ndërsa në vitin 2012, vepra penale “Shpifja ndaj presidentit të Republikës”, e vetmja mbrojtje ekstra për kreun e shtetit kundret qytetarëve të tjerë, u shfuqizua si pjesë e pajtimit të politikës penale të vendit me nenin 10 të Kartës, Liria e Shprehjes.

Aktualisht, Bashkimi Evropian, në një numër dokumentesh, kërkon mes të tjerash, shfuqizimin nga Shqipëria të neneve aktuale të kodit penal që parashikojnë si kundravajtje penale “shpifjen” dhe “fyerjen”.

Përkundrejt të gjitha këtyre ndryshimeve, hartuesit e projektit për kod të ri penal duket sikur kanë punuar të izoluar nga bota dhe kanë hartuar një dokument pa shumë lidhje me kontekstin global.

Në shumë drejtime duket sikur kodi penal synon të drejtojë Shqipërinë për nga e shkuara totalitare komuniste dhe jo për nga Bashkimi Evropian.

Politika tmerrësisht e ashpër penale është ajo që i ka rënë në sy disa prej kritikëve të projektit, si Prokurorit të Përgjithsëm Olsian Çela apo kryetari i Dhomës së Avokatëve Maksim Haxhia, i cili e konsideroi atë si “inkuizitor”.

Por ashpërsimi i penaliteteve për shpifjen dhe fyerjen, për të cilat sakaq BE dhe OSBE kanë kërkuar shfuqizim, si dhe përshkallëzimi i dënimeve për këto kundravajtje penale kur personat e prekur janë zyrtarë të lartë është ana tjetër që sugjeron se sa jashtë realitetit kanë qenë hartuesit e këtij dokumenti të cilin qeveria e ka hedhur për konsultim publik.

Gjuha amorfe e përdorur në të gjithë dokumentin, është një aspekt tjetër i vënë në dukje ndërsa klasifikimi i drejtuesve politikë të shtetit si më vete nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe barazimi i institucionit me politikanin, parashikimi si rrethanë rënduese të “shpifjes” apo “fyerjes” kur pala e prekur është politikan, janë disa çudira të cilat vështirë se do t’i mbijetojnë ballafaqimit të këtij kodi me kushtetutën dhe me kartën evropiane të të drejtave të njeriut, në rast se ai miratohet.

Por ajo që do të ndodhë është që vendi do të shkojë dekada pas, ndërsa gjykatat do të duhet të rikthehen te shqyrtimi i gjërave elementare, për shembull, parimit që udhëhqësit politikë duhet të kenë shkallë më të lartë tolerance ndaj kritikave, talljeve apo fyerjeve se sa qytetarët e zakonshëm.

Mbi të gjitha, klasifikimi i talljes së “institucioneve” si vepër penale kundër rendit kushtetues dhe parashikimi i dënimit me 1 deri në 4 vite burg kur kjo bëhet përmes medias, kjo ngjan sikur ka dalë nga gjuha amorfe e regjimeve totalitare./ Gjergj Erebara, BIRN

 

 

The post Tre vite burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit” appeared first on Albeu.com.

Priti penallti dhe shënoi atë vendimtare ndaj Anderlehtit/ Heroi Etrit Berisha: Unë jetoj për ndeshje të tilla

By: V K
1 August 2025 at 08:40

Portieri shqiptar Etrit Berisha, vazhdon të jetë vendimtar për ekipin e Haken në Suedi, teksa e ka ndihmuar të kalojë në turin tjetër të Ligës së Europës, duke eliminuar me penallti Anderlehtin.

Berisha priti një penallti dhe pastaj shënoi atë vendimtaren për t’i siguruar ekipit të tij kalimin e turit.

“Ndjehesha mirë para se të gjuaja, pasi kisha pritur një penallti më parë. Ndjehesha i sigurt dhe unë jetoj për ndeshje si kjo”, tha Berisha pas sfidës.

“Ne kishim një pjesë të parë me të vërtetë të mirë dhe ndoshta duhej të kishim shënuar më shumë se një gol. Kemi fituar një ndeshje të rëndësishme ndaj një ekipi të madh, pas një ndeshje të tmerrshme ndaj Djurgarden. Ishte një hakmarrje e mirë kjo që morëm sot”, ishin fjalët e Berishës pas ndeshjes duke kujtuar humbjen 1-6 në kampionat në fundjavë.

The post Priti penallti dhe shënoi atë vendimtare ndaj Anderlehtit/ Heroi Etrit Berisha: Unë jetoj për ndeshje të tilla appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 1 Gusht 2025/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
1 August 2025 at 08:19

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan, do të blihet sot me 84.2 lekë dhe do shitet me 85.5 lekë.

 

 

Ndërkohë monedha evropiane euro, do blihet me 96.7 lekë dhe do shitet me 97.7 lekë.

Franga zvicerane, sot në tregun shqiptar do blihet me 103.5 lekë dhe do shitet me 104.8 lekë.

Ndërsa paundi britanik, do blihet me 111.4 lekë dhe do shitet me 113 lekë.

 

The post Këmbimi valutor 1 Gusht 2025/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Bonusi i bebes/ Kryeministri Rama: Më tepër se 237 mijë fëmijë e kanë përfituar nga viti 2019

By: V K
1 August 2025 at 08:17

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, rikujtoi vlerat që përfitohen sipas rendit të lindjes: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë.

Që prej nisjes së skemës së bonusit të bebes në janar të vitit 2019, mbi 237 mijë fëmijë në Shqipëri kanë përfituar këtë ndihmë financiare, bëri me dije kryeministri Edi Rama.

“Mirëmëngjes dhe me njoftimin e këndshëm se më shumë se 237 MIJË fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019, duke mbështetur familjet e reja me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 për fëmijën e dytë dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

 

Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të mbështetur lindjet dhe për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve të reja.

The post Bonusi i bebes/ Kryeministri Rama: Më tepër se 237 mijë fëmijë e kanë përfituar nga viti 2019 appeared first on Albeu.com.

SHBA vendos tarifa të reja doganore për importet! Lista e plotë e shteteve që bëri publike presidenti Trump

By: V K
1 August 2025 at 07:56

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur tarifa të reja të rritura për importet nga një sërë partnerësh tregtarë, si pjesë e përpjekjeve për të ulur deficitin tregtar dhe për të rritur të ardhurat kombëtare.

Lajmi u bë i ditur nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan Donald Trump, nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që parashikon vendosjen e tarifave doganore më të larta, për një gamë të gjerë produktesh që vijnë nga dhjetëra vende të botës.

Ky veprim, sipas Shtëpisë së Bardhë, ka për qëllim “ristrukturimin e tregtisë globale në favor të punëtorëve amerikanë.”

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, në orën 00:01 me orën lokale të Uashingtonit, dhe jo më 1 gusht siç ishte parashikuar fillimisht.

Sipas informacionit zyrtar, tarifa minimale për importet nga shumica e vendeve, përveç atyre të përjashtuara më poshtë, është vendosur në 10%.

Ndërkohë, mallrat që dyshohet se kalojnë në vendet e treta për të shmangur tarifat më të larta do të përballen me tarifa shtesë ndëshkuese.

Ndër vendet që kanë nënshkruar marrëveshje tregtare me SHBA-në brenda afatit janë Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut, për të cilat do të aplikohet një tarifë prej 15%. Mbretëria e Bashkuar, ku produktet do të tarifohen me 10%.

Ndërkohë, disa ekonomi si Kina, Kanadaja dhe Meksika janë subjekt i rregullave të veçanta tregtare dhe trajtohen në bazë të dispozitave specifike që nuk përfshihen në këtë urdhër të ri.

 

The post SHBA vendos tarifa të reja doganore për importet! Lista e plotë e shteteve që bëri publike presidenti Trump appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 1 Gusht 2025/ Kthjellime dhe vranësira, si do të variojnë temperaturat gjatë ditës

By: V K
1 August 2025 at 07:18

Këtë të premte, moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare.

Sipas parashikimit të Shërbimit Metereologjik Ushtarak, në zonat malore temperaturat do të ngjiten deri në 28 gradë Celsius, ndërsa në vendet bregdetare dhe zonat e ulëta, temperaturat maksimale do të jenë 34 gradë.

Era e lehtë me drejtim kryesor nga kuadrati i Veriut me shpejtësi mesatare 6 m/s, në bregdet dhe lugina hera-herës do të arrijë deri 10m/s

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

The post Parashikimi i motit 1 Gusht 2025/ Kthjellime dhe vranësira, si do të variojnë temperaturat gjatë ditës appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 31 July 2025Main stream

Operacioni “Pandora”/ Oficeri gjerman: Shmangëm një mashtrim 10 mln euro

By: V K
31 July 2025 at 15:58

Një operacion ndërkombëtar i koduar “PANDORA” kundër skemës së mashtrimit me “call center”, është zhvilluar nga SPAK, policia shqiptare dhe ajo gjermane.

Oficeri i policisë gjermane Oliver Hoffman, tha se operacioni nisi në prill të vitit të shkuar dhe u mundësua në sajë të përgjimeve intensive dhe u bë e mundur shmangia e një humbjeje prej 10 mln eurosh përmes kësaj skeme mashtrimi.

“Kemi 18 muaj që hetojmë për këtë operacion, ne filluam të përgjonim live 20 telefonata mashtruese. Krijuam një qendër kundër thirrjes për të shmangur një humbje mbi 10 milionë eurosh. Zhvilluam edhe hetime komplekse për të lokalizuar qendrat e thirrjeve, telefonatat vinin nga Shqipëria por dhe Kosova, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Libani”, tha oficeri gjerman.

Hoffman, u shpreh se hetimet e përbashkëta treguan për një grup kriminal që vepronin nga Tirana, me persona të përfshirë nga mosha 21 deri 36 vjeç.

Ai nënvijëzoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare në finalizimin me sukses të këtij operacioni, duke theksuar se provat që sekuestroi SPAK në prill të vitit te kaluar ishin tepër të rëndësishme për të arritur në këtë rezultat.

The post Operacioni “Pandora”/ Oficeri gjerman: Shmangëm një mashtrim 10 mln euro appeared first on Albeu.com.

Operacioni “Pandora”/ SPAK zbërthen skemën e mashtrimit me Call Center/ Prokurori Ened Nakuçi: U arrestuan 6 persona…

By: V K
31 July 2025 at 15:46

Në kuadër të operacionit të koduar “Pandora”, ka çuar në goditjen e një skeme të sofistikuar kriminale që vepronte përmes call center-ave të rremë në Tiranë, duke mashtruar qytetarë gjermanë me miliona euro.

Hetimet kanë zbuluar një grup të strukturuar kriminal, mshtronin persona që kishin humbur investimet në platformat Forex.

Në një deklaratë për mediat, prokurori i SPAK, Ened Nakuçi, tha: “Nën drejtimin e SPAK, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit Kibernetik, Policinë e Shtetit, BKH-në dhe Policinë Gjermane, janë ekzekutuar masat e sigurisë për autorët e dyshuar të krimit kompjuterik në call center-a në Shqipëri, në kuadër të një procedimi penal ndërkombëtar”.

Sipas tij, hetimet nisën në dhjetor të vitit 2023 nga autoritetet gjermane, të cilat regjistruan një procedim penal pas indicieve për veprimtari të paligjshme që kishte lidhje me Shqipërinë.

“Grupi kriminal vepronte përmes call center-ave në Tiranë, duke u paraqitur si oficerë policie të rremë. Ata telefononin qytetarë gjermanë që kishin humbur investimet në Forex dhe i bindnin se mund t’i rimerrnin paratë e humbura, kundrejt pagesave të mëtejshme apo dhënies së të dhënave personale”,-u shpreh Nakuçi.

Provat e mbledhura pas kontrollit në një prej call center-ave në Tiranë, kanë qenë vendimtare për zbardhjen e skemës.

Sipas prokurorit, hetimet treguan qartë strukturimin dhe organizimin e grupit në funksione të ndara dhe me role të përcaktuara, tipike për një organizatë kriminale.

Eneid Nakuçi, theksoi se janë arrestuar 5 persona, ndërsa 3 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

“Gjykata ka vendosur masat e sigurisë ‘arrest me burg’ për 5 shtetas dhe ‘arrest në shtëpi’ për 3 të tjerë. Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj mashtrimeve ndërkombëtare që kryhen përmes teknologjisë dhe që cënojnë sigurinë dhe besimin e qytetarëve europianë”,- theksoi Nakuçi.

The post Operacioni “Pandora”/ SPAK zbërthen skemën e mashtrimit me Call Center/ Prokurori Ened Nakuçi: U arrestuan 6 persona… appeared first on Albeu.com.

Doni të shihni ndeshjet e Botërorit 2026 në SHBA? Ambasada Amerikane në Tiranë bën njoftimin për futbolldashësit

By: V K
31 July 2025 at 15:15

Botërori 2026 do të zhvillohet në 3 shtete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Një event që pritet me shumë interes nga shumë futbolldashës nga mbarë bota.

Nisur nga interesi që mund të kenë edhe qytetarët shqiptarë, Ambasada Amerikane në Tiranë, ka publikur një link për të aplikuar për vizë, për ata që dëshirojnë në jenë pjesë në ndeshjet që zhvillohen në SHBA.

Postimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë:

Kampionati Botëror i Futbollit FIFA 2026 do të jetë më i madhi deri më sot, me ndeshje në 11 qytete të Shteteve të Bashkuara. Ne nxisim të gjithë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për vizë amerikane të aplikojnë TANI! Vizitoni faqen travel.state.gov (nën seksionin “U.S. Visas”) për informacion mbi kërkesat për vizë. MOS PRISNI!

 

The post Doni të shihni ndeshjet e Botërorit 2026 në SHBA? Ambasada Amerikane në Tiranë bën njoftimin për futbolldashësit appeared first on Albeu.com.

Mbappe merr fanellën e Modriç, ndryshimi i numrit që fsheh shumë më shumë

By: V K
31 July 2025 at 15:01

Është thjesht një numër. Vetëm një numër tjetër mbi shpinën e tij. Nga 9 në 10. Por në të njëjtën kohë, në një sport si futbolli dhe në një ekip si Reali, ku gjithçka është e mbushur me simbolikë, fakti që Mbappe e ka trashëguar atë numër nga Luka Modriç, nuk është një arritje e vogël. Dhe nuk është për shumë arsye.

Kryesorja ka të bëjë me aspektet sportive dhe përgjegjësinë në rritje që bie mbi francezin. Pas një viti të parë adaptimi, ai ka marrë një mesazh të qartë nga Madridi: është lideri i ekipit. Dhe si lider, duhet të përmbushë një sërë objektivash që francezi duhet t’i ketë vendosur në mendje deri tani.

Njëri prej tyre, pa dyshim, është fitimi i titujve. Tituj individualë, por mbi të gjitha tituj kolektivë, pasi këto nuk ishin të mundura sezonin e kaluar.

Liga e Kampioneve është perla në kurorë, e cila është në krye të listës së prioriteteve të Realit çdo vit. Për më tepër, është titulli i madh që i mungon Mbapesë.

Kjo do ta implikonte drejtpërdrejt atë në garën për “Topin e Artë”, çmimin tjetër të madh që i mungon dhe, pa të cilin, ai nuk mund të konsiderohet si një nga “të zgjedhurit”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Mbappe ka përpara dhe Kupën e Botës, në të cilën Franca është gjithmonë pretendente.

Kjo është arsyeja pse ndoshta gjesti i vogël i kalimit nga 9 në 10 mund të bëhet fillimi i gjithçkaje, si për mire, nëse rruga shkon mirë për francezin, ashtu edhe për keq, nëse nuk arrin majën dhe mbetet pa diçka.

The post Mbappe merr fanellën e Modriç, ndryshimi i numrit që fsheh shumë më shumë appeared first on Albeu.com.

Zjarret në vend/ Ministri Hoxha: Kemi proceduar 120 persona për zjarrvënie

By: V K
31 July 2025 at 14:47

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka deklaruar se 2025 është nga vitet më të vështira përsa i përket përballjes me zjarret në vend, duke theksuar se faktori njerëzor ka qenë shkaku kryesor i situatave të krijuara.

Hoxha bëri të ditur se deri më tani, janë regjistruar 59 zjarre të mëdha dhe 961 zjarre të vogla.

Gjithashtu, ministri bëri me dije se 21 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, janë arrestuar dhe se këta të fundit duhet të përballen me drejtësinë.

Po ashtu, ai theksoi se policia ka proceduar 120 persona të tjerë për zjarrvënie të që

“Shumica e zjarreve janë të qëllimshme. Ky ka qenë ndër vitet më të vështira sa i përket zjarreve. Deri sot, vendi ka pasur 59 zjarre të mëdha, 961 ishin zjarre të vogla, si prsh në banesa ose kullota. Përballë kësaj situate reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate, ne nuk kemi humbje jete dhe është ndaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturë kritike. Por, 2 efektivë janë lënduar, në një akt heroik. Punonjësi i policisë Agim Troci, shef i komisariatit Delvinë është jashtë rrezikut për jetën, që u plagos, teksa ndërhyri në një zjarr në një banesë.

Sa u përket zjarreve, kemi të bëjmë më tepër me faktorin njerëzor, ndonjëherë ka zjarrvënës të qëllimshëm, por edhe zjarrvenie pa dashje. 120 persona janë proceduar në total për zjarrvenie dhe 21 janë arrestuar. Kjo vepër penale, që lidhet me zjarrvënien e qëllimshme, duhet të ashpërsohet në dënim. Ata që rrezikojnë jetën e natyrën, do mbajnë përgjegjësi. Parashikimet janë që edhe gushti do jetë i vështirë për ne, ndaj përgjegjësia është e madhe”, tha Hoxha.

The post Zjarret në vend/ Ministri Hoxha: Kemi proceduar 120 persona për zjarrvënie appeared first on Albeu.com.

Vrasja e Kozeta Teços në Pogradec, Gjykata e Korçës cakton “arrest në burg” për autorin Ilirjan Selmani

By: V K
31 July 2025 at 14:18

 

Këtë të enjte, Ilirjan Selmani, autori i dyshuar i vrasjes së 52 vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, doli para togave gjykatës, që i caktoi masën “arrest me burg”.

Autori 31-vjeçar, dyshohet se i mori jetën 52-vjeçares dhe më pas i dogji banesën në mënyrë që të fshinte provat.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Ilirjan Selmani, pranoi disa episode, por jo që ta ketë kryer ai krimin.

Por, policia dhe prokuroria e Korçës ka grumbulluar prova të mjaftueshme, të cilat dokumentojnë të gjithë dinamikën nga momenti i kryerjes së krimit, deri në largimin e autorit nga banesa e 52-vjeçares.

Nga hetimet rezulton që autori i krimit, mbrëmjen e së dielës, ashtu si çdo natë tjetër, e kishte kaluar në shtëpinë e Teços, me të cilën kishte një lidhje prej disa vitesh.

Dyshohet se mes çiftit të ketë pasur një grindje të çastit, e cila ka degraduar në dhunë fizike të Selmanit ndaj 52 vjeçares dhe në fund përfundoi me vrasjen e partneres dhe djegien e banesës.

Njoftimi:

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 31.07.2025 ora 12.00 seanca me objekt: “Vleftësim arrestimi në flagrancë, caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit I.S i dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas.

The post Vrasja e Kozeta Teços në Pogradec, Gjykata e Korçës cakton “arrest në burg” për autorin Ilirjan Selmani appeared first on Albeu.com.

Tronditëse në Arabinë Saudite, plagosen 23 persona pasi pajisja-lodër ndahet në dy pjesë (VIDEO)

By: V K
31 July 2025 at 13:48

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një park argëtimi në Arabinë Saudite, ku të paktën 23 persona kanë mbetur të plagosur pas një defekti të rëndë teknik në një nga pajisjet e parkut.

Aksidenti ka ndodhur në Green Mountain Park, në zonën Hada pranë qytetit Taif.
Sipas mediave saudite, gjatë funksionimit të një loje shumë të frekuentuar, shtylla qendrore e pajisjes është këputur në mes, duke shkaktuar rrëzimin e saj me gjithë vizitorët që ndodheshin mbi të.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë momentet dramatike ku njerëzit po shijonin lojën para se ajo të shembej papritur.

Disa prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, raportoi gazeta saudite Okaz, e cila citoi burime nga autoritetet vendase.

Autoritetet janë duke hetuar shkaqet e aksidentit, ndërsa ndihma e parë u dha menjëherë nga ekipet emergjente në vendngjarje.

 

عاجل 🔴
مصادر تؤكد :

تشكيل لجنة من جميع القطاعات للتحقيق في سقوط اللعبة الكهربائية بـ #الطائف وإغلاق المنتزه وفصل التيار الكهربائي عنه.#الجبل_الاخضر #الهدا
pic.twitter.com/RGooVZx50T

— عارف العضيلة (@msader16) July 31, 2025

The post Tronditëse në Arabinë Saudite, plagosen 23 persona pasi pajisja-lodër ndahet në dy pjesë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë/ Sali Berisha denoncon emërimin e Perlat Çullhajt në Ministrinë e Brendshme: 3 milionë euro pasuri që në 2015, është bashkëpunëtor me…

By: V K
31 July 2025 at 13:25

Këtë të enjte, në një deklaratë, kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ndaj emërimit të Perlat Çullhajt në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar këtë veprim si një dëshmi të kapjes së shtetit nga kartelët e drogës.

Berisha thekson se Çullhaj, i shkarkuar nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me trafikantë droge, është rikthyer në një pozicion kyç në Ministrinë e Brendshme, duke thelluar sipas tij “kanabizimin e vendit”.

Ai përmend lidhjet e Çullhajt me figura të njohura të krimit të organizuar si Saimir Tahiri dhe Emiljano Shullazi, dhe akuzon qeverinë për emërime që favorizojnë interesat kriminale në strukturat shtetërore.

“Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin. Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015. Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë”, tha Berisha..

Ai paralajmëron se; “droga dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, duke kontrolluar poste, aktivitetet dhe emërimet në shtet”.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Mësoj këto ditë se në sektorin shkencor të Ministrisë së Brendshme, që është shumë i rëndësishëm si sektor, është emëruar një nga narkosit më të damkosur të Shqipërisë, është emëruar Perlat Çullhaj.

Ky trafikant i shkarkuar, i nxjerrë nga Policia e Shtetit në vitin 2010 për bashkëpunim me drogën, trafiqet, për prishje të provave dhe një seri veprash të tjera penale.

Perlat Çullhaj është bashkëpunëtor me Saimir Tahirin.

Është milioner me 3 milionë euro që në vitin 2015.

Është një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë.

Perlat Çullhaj është gjetur me një impiant të madh kanabisi në Manskuri, në të cilin kishte 40 gjer në 50 punëtorë dhe që u liruan që të gjithë pas arrestimit dhe 12 ton kanabis që u gjetën aty, u zhdukën si të paqena.

Ish-bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit, njeriu që me Boge Bodinin, e shndërroi Durrësin në protektorat të plotë të krimit.

Ky delinkuent merr detyrën e drejtorit të analizës shkencore, jashtëzakonisht e rëndësishme në Ministrinë e Rendit, detyrë që i lejon atij të prishë çdo provë, të sajojë çdo mashtrim.

Pra, ky fakt dëshmon se në këtë vend forca e drogës dhe e karteleve është e jashtëzakonshme.

Ajo dikton të gjithë nomenklaturën e narkoshtetit, postet, aktivitetet dhe emërimet.

Lartësimi i Perlat Çullhajt, i cili edhe gjatë këtyre periudhave ka pasur raste që është shmangur, por rikthimi i tij në një post kaq të rëndësishëm në ministri është i njëjtë me uzurpimin e Këshillit Shkencor Kombëtar nga Edi Rama.

Natyrisht në kuptimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Aq sa ka të bëjë Edi Rama me shkencën, aq ka të bëjë Perlat Çullhaj me analizat shkencore në laboratorët e ministrisë.

Dënoj me forcën më të madhe këtë emërim të ministrit, edhe ai me 3-4 mbiemra, se këta problemin e kanë me mbiemrin, betejën e kanë me mbiemrin e vet, nuk dinë si ta fshehin, Ervin Hoxha alias Kokolari, sipas interesit përdor herë njërin, herë tjetrin.

Por rikthimi i tij është një mbisundim tjetër i karteleve të drogës.

Pas Ilir Prodës, Ilir Matriksit, tani ata plotësojnë të gjithë organigramën e ministrisë.

The post Një nga arkitektët kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë/ Sali Berisha denoncon emërimin e Perlat Çullhajt në Ministrinë e Brendshme: 3 milionë euro pasuri që në 2015, është bashkëpunëtor me… appeared first on Albeu.com.

Kontrollet në banesa e biznese, Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Arbër Veliajt

By: V K
31 July 2025 at 12:57

Këtë të enjte, Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar ankimimin e Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK që u kryen në dhjetor të 2024 në shtëpitë e tij dhe në ambientet e bizneseve.

Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, vendosi të mos pranojë ankimimin e paraqitur nga Arbër Veliaj dhe shoqëria “G.” sh.p.k., kundër vendimit nr. 730, datë 20.12.2024 të Shkallës së Parë të GJKKO-së.

Ky vendim vjen pas prishjes së vendimit të mëparshëm të Apelit të Posaçëm (nr. 51, datë 28.02.2025), nga Gjykata e Lartë, e cila kishte urdhëruar rikthimin e çështjes për rishqyrtim.

Sipas Apelit, vendimi i sotëm u mor në përputhje me legjislacionin dhe palët kanë të drejtën të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë.

The post Kontrollet në banesa e biznese, Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Arbër Veliajt appeared first on Albeu.com.

Altin Dumani: Dosja e Veliajt është ndarë në një fraksion tjetër, po hetohen disa fakte penale

By: V K
31 July 2025 at 12:36

Ditën e sotme, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, u shpreh se nuk i përgjigjet 7 pyetjeve të drejtuara nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Kreui i SPAK, tha se dosja e Veliajt është ndarë në fraksion tjetër.

Ai shtoi se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, po heton disa fakte penale.

“Nuk i përgjigjemi të pandehurve, vetëm në rrugë ligjore kur ka pretendime, kur sillen memo nga avokatet, kjo është forma proceduriale.

Dosja “Veliaj” është ndarë edhe në një fraksion tjetër dhe po hetohen disa fakte penale”, tha Dumani.

The post Altin Dumani: Dosja e Veliajt është ndarë në një fraksion tjetër, po hetohen disa fakte penale appeared first on Albeu.com.

Kodi i ri Penal/ Dumani: Nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kryeprokurorit Çela bie dakord

By: V K
31 July 2025 at 11:57

Gjatë takimit me dyer të mbyllura me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani ka komentuar edhe Kodin e ri Penal. Ai u shpreh se debati për draftin është i pritshëm, si në nivel profesional ashtu edhe në atë shoqëror.

Sipas tij debati që duhet të ishte bërë në lidhje me këtë temë qëndron në nevojën që ekzistonte apo jo për të.

“A ishte i nevojshëm një kod i ri? Ky ishte debati që duhet të ishte bërë. Apo mund të bëheshin ndryshime në kodin aktual”, mësohet të jetë shprehur Dumani gjatë takimit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se Dumani theksoi se mendon që ka nevojë për ndryshime në kodin aktual, por theksoi se diskutimi duhet të fillonte në këtë mënyrë, pra nëse kishte nevojë për një kod të ri.

Dumani tregoi gjithashtu se SPAK nuk është përfshirë në hartimin e këtij drafti dhe se ky i fundit nuk u është vendosur në dispozicion, ndërsa sqaroi se në momentin që kjo do të ndodhë do të ketë edhe një dhënie mendimi.

Ai shtoi se ka ndjekur edhe reagimin e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela në lidhje me draftin dhe u shpreh se në disa aspekte ndante të njëjtat mendime me të.

Kujtojmë se Çela u tregua kritik ndaj draftit të Kodit të ri Penal duke thënë mes të tjerash se në të përfshihen nene të paqarta dhe se ky kod do të krijojë konfuzion.

The post Kodi i ri Penal/ Dumani: Nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kryeprokurorit Çela bie dakord appeared first on Albeu.com.

Altin Dumani takim me gazetarët për krimin zgjedhor: 193 materiale të paraqitura në prokurori

By: V K
31 July 2025 at 11:37

Ditën e sotme, kreu i SPAK Altin Dumani, po zhvillon një takim me dyer të mbyllura me gazetarët. Raportohet se në fokus të takimit është tema e krimit zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Gjithashtu, raportohet se kryeprokurori i posaçëm ka zbuluar se strategjia e SPAK ka dhënë efekt parandalues, ndërsa tha se në total ka pasur 193 materiale të administruara nga prokuroria, nga 56 subjekte kallëzuese.

Në këto subjekte përfshihen parti politike, policia e shtetit, si edhe çështje të nisura nga vetë SPAK.

Dumani ka zbuluar se ka pasur 43 procedime penale të regjistruara, ndërsa mbeten në hetim 39 procedime.

Ka pasur 17 vendime për kontrolle banesash, zyrash apo kontrolle personale, të cilat sipas Dumanit kanë dhënë rezultate të kënaqshme pasi janë gjetur prova të qenësishme.

Nga 43 vendime mosfillimi, vetëm 3 prej tyre janë ankimuar në gjykatë, por edhe këto të fundit janë rrëzuar nga gjykata duke i dhënë të drejtë SPAK.

Mësohet se pjesa më e madhe e kallëzimeve të bëra nga subjketet politike lidhet me asfaltin elektoral dhe punëimet në kundërshtim me ligjin, të cilat janë hetuar dhe janë mosfilluar.

The post Altin Dumani takim me gazetarët për krimin zgjedhor: 193 materiale të paraqitura në prokurori appeared first on Albeu.com.

Daljet e reja në pension/ ISSH: Mungesa e librezës nuk ju penalizon, si të përfitoni dhe dokumentacioni që ju nevojitet

By: V K
31 July 2025 at 11:29

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që aplikojnë për pension, edhe në rastet kur nuk disponojnë libreza pune, mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore, për sa kohë deklarojnë saktë periudhat e punës dhe dokumentacionin shoqërues përkatës. Sipas njoftimit zyrtar të ISSH, aplikuesit duhet të plotësojnë me kujdes formularin online të aplikimit, konkretisht Seksionin III, B 1, ku kërkohet të deklarohen periudhat e punës dhe institucionet ose ndërmarrjet ku ka qenë i punësuar individi gjatë viteve të sigurimit.

Gjithashtu, dokumente të rëndësishme si certifikata familjare, certifikata e martesës (në rastet kur të dhënat janë të sakta nga kërkuesit), vërtetimi për periudhën e shërbimit ushtarak për meshkujt, si dhe vërtetimet për pagat kontributive, mund të sigurohen drejtpërdrejt nga ISSH, pa qenë nevoja që qytetari t’i sigurojë vetë.

Ky shërbim i digjitalizuar synon të ulë barrën administrative mbi qytetarët dhe të përshpejtojë procesin e verifikimit të të dhënave.

Për më shumë informacion mbi procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm, ISSH fton qytetarët të drejtohen në rrugë elektronike përmes ëëë.issh.gov.al, ose të komunikojnë në e-mailin zyrtar.

Një ndër risitë më pozitive të viteve të fundit është rritja e aksesit online në të dhënat e sigurimeve shoqërore.

Çdo qytetar mund të kontrollojë llogarinë e tij të kontributeve përmes e-Albania, duke parë vit pas viti të dhënat mbi pagat dhe kontributet e derdhura nga punëdhënësit.

Kjo transparencë ndihmon në përgatitjen më të mirë të aplikimeve për pension, por edhe në parandalimin e abuzimeve me të dhënat ose mungesën e kontributeve të deklaruara.

ISSH këshillon që qytetarët të nisin përgatitjen për aplikimin për pension të paktën 3 muaj para mbushjes së moshës ligjore, për të shmangur vonesat dhe për të siguruar që të gjitha periudhat e punës janë të dokumentuara saktë.

Qasja proaktive, digjitalizimi i proceseve dhe reforma e re e paralajmëruar pritet të përmirësojnë ndjeshëm përvojën e përfitimit të pensionit në Shqipëri.

REFORMA E PENSIONEVE

Reforma e pensioneve në Shqipëri është duke u rishikuar dhe përditësuar me asistencën teknike dhe financiare të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të përpjekjeve për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të skemës.

Qëllimi kryesor i reformës është të rishikojë kriteret e përfitimit, të zgjerojë mbulimin formal dhe të zvogëlojë hendekun midis kontributeve dhe përfitimeve.

Ndër risitë që po shqyrtohen janë: skemat suplementare të pensioneve me bazë individuale, rritja e transparencës në llogaritjen e përfitimeve, incentivat për formalizimin e tregut të punës dhe përfshirjen e vetëpunësuarve, si dhe skema të veçanta për sektorët informalë dhe emigrantët që rikthehen.

Reforma synon jo vetëm të mbrojë pensionistët aktualë, por edhe të krijojë një sistem të besueshëm dhe të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Ajo është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian dhe të përafrimit me standardet sociale ndërkombëtare.

SI TË APLIKONI PËR PENSION PLEQËRIE NË E-ALBANIA?

Identifikohuni si “Qytetar” në portalin e-Albania

Shënoni NID (Numrin e Identifikimit) dhe Kodit të Përhershëm

Në telefonin tuaj do të vijë Kodi i Përkohshëm, që duhet të shënohet në kutinë përkatëse

Klikoni butonin “Hyr”

Zgjidhni shërbimin:

“Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”

Klikoni butonin “Përdor”

Plotësoni të dhënat personale në Seksionin I

Përzgjidhni llojin/llojet e pensionit në Seksionin II

Përzgjidhni pension pleqërie (neni 31)

Plotësoni formularin elektronik me të dhënat mbi periudhat e punësimit, marrëdhëniet financiare, etj.

Klikoni “Dërgo” në fund të formularit

Nëse dispononi dokumente origjinale, duhet t’i bashkëlidhni gjatë aplikimit, dhe/ ose t’i dërgoni nëpërmjet shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore ku keni vendbanimin.

Zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve, duhet të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj

Në formularin e aplikimit është edhe rubrika “Shënime”, në të cilën ju mund të jepni informacione që i konsideroni të vlefshme për përfitimin e pensionit. Për çdo pyetje apo paqartësi mbi përdorimin e shërbimit, ju mund të kontaktoni në e-mailin zyrtar të ISSH: kontakt@issh.gov.al ose në adresën: helpdesk@e-albania.al

DOKUMENTACIONI PËR PENSION PLEQËRIE:

Librezë pune apo vërtetime mbi periudhat e punës (nëse keni).

Diplomë e Shkollës së Lartë (nëse e keni kryer shkollën e lartë).

Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë (nëse i jeni drejtuar Gjykatës për këtë çështje).

Kopje e librezës së energjisë elektrike (nëse kërkoni edhe kompensim energjie).

Çdo dokument tjetër që i shërben vërtetimit të periudhave të sigurimit.

The post Daljet e reja në pension/ ISSH: Mungesa e librezës nuk ju penalizon, si të përfitoni dhe dokumentacioni që ju nevojitet appeared first on Albeu.com.

❌
❌