KOMENT – Parisi dhe Riadi mbajnë premtimin për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë
NJU JORK, 5 gusht /ATSH/ – Pas dekadash mosveprimi dhe negociatash të ngrira, çështja e një shteti të pavarur palestinez që jeton në paqe me Izraelin u rikthye në qendër të vëmendjes në një konferencë të nivelit të lartë të OKB-së, ndërkohë që Franca dhe Arabia Saudite, të cilat udhëhoqën përpjekjet, janë të vendosura të ruajnë vrullin, sipas AP.
Por, pengesat për një zgjidhje me dy shtete që do ta shihte Izraelin të jetonte krah për krah me një Palestinë të pavarur janë shumë të larta.
Lufta në Gaza, pjesë thelbësore e një shteti palestinez, vazhdon me dhunë në rritje në Bregun Perëndimor. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij e krahut të djathtë kundërshtojnë me forcë një shtet të pavarur palestinez, të cilin udhëheqësi izraelit thotë se do të ishte një shpërblim për terrorizmin, pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër vendit të tij.
Megjithatë, pas tetë dekadash konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve, presioni po rritet për një zgjidhje me dy shtete, siç demonstroi konferenca e nivelit të lartë të OKB-së javën e kaluar, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, edhe pse u bojkotua nga Izraeli dhe aleati i tij i ngushtë, SHBA.
Konferenca ilustroi se shumë veta besojnë se një zgjidhje politike është e mundur.
Ambasadori francez në OKB, Jerome Bonnafont, pranoi në një intervistë për ”Associated Press” se pa një armëpushim në Gaza dhe ndihmë humanitare masive për mbi dy milionë palestinezë që po shkojnë drejt urisë, “do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të ecet përpara për të përcaktuar një mënyrë të re të administrimit të Gazës si pjesë e Palestinës”.
Por, konferenca tregoi se shumica e 193 vendeve anëtare të OKB-së janë “të bindura se ekziston mundësia e një zgjidhjeje politike”, tha ai, dhe kjo është “ajo që ndjekja e saj do të vazhdojë të promovojë”.
Nga 160 vende që morën pjesë, 125 folën në mbështetje të një zgjidhjeje me dy shtete.
Një shtet i pavarur i Palestinës njihet nga mbi 145 vende dhe nga takimi dolën premtime të reja njohjeje nga tre nga shtatë anëtarët e G7-s, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
Një deklaratë nga shtatë vende të tjera, përfshirë Australinë, Zelandën e Re, Finlandën dhe Portugalinë, shprehu “konsideratë pozitive” për të ndjekur shembullin.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot dhe ministri i Jashtëm saudit Princi Faisal bin Farham janë të vendosur të mos e lënë vëmendjen të zbehet.
Ata po planifikojnë “një ngjarje” gjatë takimit vjetor të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme, e cila fillon më 23 shtator, kur premtimet e reja pritet të shpallen zyrtarisht.
Konferenca prodhoi edhe të ashtuquajturën “Deklarata e Nju Jorkut” me shtatë faqe.
Ministrat e Jashtëm francezë dhe sauditë ia dërguan deklaratën, me një aneks të gjatë rekomandimesh nga grupet e punës, të 193 anëtarëve të OKB-së dhe u kërkuan atyre ta miratonin atë deri në fillim të shtatorit, para mbledhjes së liderëve botërorë.
Deklarata, e cila u miratua gjithashtu nga Bashkimi Evropian dhe Liga Arabe, i kërkon Izraelit të angazhohet për një shtet palestinez dhe kërkon njohje të mëtejshme si “një komponent thelbësor dhe i domosdoshëm i arritjes së zgjidhjes me dy shtete”.
Për herë të parë, 22 vendet anëtare të Ligës Arabe dënuan “sulmet e kryera nga Hamasi kundër civilëve” në Izraelin jugor më 7 tetor dhe ranë dakord që “Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gaza dhe t’ia dorëzojë armët e tij Autoritetit Palestinez”.
Takimi u dha shteteve me peshë, përfshirë Francën, BM dhe Kanadanë, mundësinë “për të sinjalizuar pakënaqësinë e tyre me politikën izraelite./ a.jor.
The post KOMENT – Parisi dhe Riadi mbajnë premtimin për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.