Kryetari Ilir Ferati promovon Istogun si destinacion turistik dhe investiv: Thesar i paqes dhe mundësive
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka promovuar Istogun si një nga destinacionet më të veçanta në Kosovë, duke e përshkruar si një vend që bashkon bukurinë natyrore, qetësinë shpirtërore dhe mikpritjen tradicionale me potencialin për zhvillim të qëndrueshëm dhe investime.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Ferati ka portretizuar Istogun si “një thesar për ata që kërkojnë paqe, frymëzim dhe jetë të shëndetshme”, të vendosur në zemër të Rrafshit të Dukagjinit, buzë maleve të Moknës dhe të Lugut të Butë.
Ai ka theksuar se në çdo stinë, Istogu ofron përjetime unike: pranverën e gjelbëruar si një poezi natyrore, verën freskuese në bjeshkë, vjeshtën plot ngjyra të ngrohta dhe dimrin e bardhë e mikpritës.
Ferati veçoi edhe banorët e Istogut si element kyç të vlerave të kësaj komune – të qetë, punëtorë dhe mikpritës, në harmoni me natyrën.
“Istogu është vendi ku mund të ecësh nëpër shtigje alpine, të pushosh pranë burimeve të freskëta, të shijosh një drekë me specialitetin tonë – peshkun, dhe të kuptosh se jetesa e shëndetshme këtu nuk është luks, por përditshmëri”, ka shkruar ai.
Ferati shtoi gjithashtu mundësitë për investime dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në komunën që ai drejton, duke theksuar rëndësinë e politikave të mençura dhe vizionit afatgjatë për të ruajtur natyrën dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Në fund, Ferati ka ftuar ata që i duan bukuritë natyrore të vizitojnë Istogun dhe të përjetojnë nga afër qetësinë, aventurën dhe mundësitë që ofron ky vend.
“Istogu është vendi ku natyra, qetësia dhe zhvillimi ecin dorë për dore”./Telegrafi/
The post Kryetari Ilir Ferati promovon Istogun si destinacion turistik dhe investiv: Thesar i paqes dhe mundësive appeared first on Telegrafi.