Përditësimi më i fundit i ChatGPT, OpenAI: Ende nuk mund të kryejë punët e njerëzve
OpenAI ka deklaruar se ka bërë një “hap të rëndësishëm” drejt inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI) me lançimin e përditësimit më të fundit të ChatGPT, por ka pranuar se ende mungojnë “shumë gjëra” për të krijuar një sistem që mund të bëjë punët e njerëzve.
Startup-i tha se modeli GPT-5, teknologjia bazë që do të fuqizojë chatbot-in revolucionar të inteligjencës artificiale, përfaqëson një përmirësim të madh krahasuar me versionet e mëparshme, veçanërisht në fusha si programimi dhe shkrimi krijues – dhe gjithashtu është shumë më pak “servil” në përgjigje.
Përditësimi do të jetë menjëherë i disponueshëm për të gjithë 700 milion përdoruesit javorë të ChatGPT.
Sam Altman, CEO i OpenAI, e quajti modelin “një hap të rëndësishëm përpara” drejt arritjes së gjendjes teorike të AGI, të cilën kompania e përkufizon si një sistem shumë autonom që i tejkalon njerëzit në shumicën e punëve ekonomikisht të vlefshme – pra, mund të bëjë punët e tyre.
Megjithatë, Altman pranoi se GPT-5 nuk e ka arritur ende këtë objektiv. “I mungon diçka shumë e rëndësishme, madje shumë gjëra të rëndësishme,” tha ai, duke iu referuar pamundësisë së modelit për të “mësuar vazhdimisht”.
Ai shtoi se GPT-5 është “inteligjent në përgjithësi” dhe “një hap i rëndësishëm drejt AGI-së”, por ende nuk ka arritur sipas përkufizimit që i japin shumica e njerëzve. “Mënyra si e përkufizojmë shumica prej nesh AGI-në ende lë mangësi shumë të rëndësishme… Një nga më të mëdhatë është se ky nuk është një model që mëson vazhdimisht nga gjërat që zbulon gjatë përdorimit, gjë që unë mendoj se duhet të ishte pjesë e AGI-së,” tha Altman, duke shtuar se megjithatë, ky ishte një “përmirësim i madh” krahasuar me versionet e mëparshme.
Aftësitë teorike të AGI-së dhe përpjekjet e kompanive të teknologjisë për ta arritur kanë çuar në parashikime nga drejtues të AI-së se punët “me kollare të bardhë” – nga avokatët te kontabilistët, mjekët dhe bankierët – mund të zhduken për shkak të përparimeve në teknologji. Dario Amodei, drejtuesi i zhvilluesit të AI Anthropic, ka paralajmëruar se kjo teknologji mund të zëvendësojë gjysmën e të gjitha punëve fillestare në zyrë brenda pesë viteve të ardhshme.
OpenAI tha se përmirësimet kryesore në GPT-5 përfshijnë: më pak gabime faktike ose “halucinacione”; kodim më të mirë të softuerit, duke i mundësuar krijimin e faqeve funksionale të internetit dhe aplikacioneve; aftësi të rritura për shkrim krijues; dhe në vend që të “refuzojë” menjëherë një kërkesë që shkel udhëzimet e sigurisë, modeli tani do të përpiqet të japë përgjigjen më të dobishme të mundshme brenda rregullave të sigurisë ose të paktën të shpjegojë pse nuk mund të ndihmojë.
Si paraardhësit e tij, GPT-5 mund të gjenerojë zë, imazh dhe tekst, si dhe të përgjigjet në të gjitha këto formate.
The post Përditësimi më i fundit i ChatGPT, OpenAI: Ende nuk mund të kryejë punët e njerëzve appeared first on iconstyle.al.