SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi
TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.
E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.
“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.
Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.
“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.
Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.
“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.
Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.
Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.
Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.
Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.
Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.
/m.q/r.e/
The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.