PORTUGALI – Sërish një viktimë nga zjarret, ndërsa Spanja merr frymë e lehtësuar nga vala e të nxehtit
LISBONË, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Një person i katërt ka vdekur në Portugali duke u përpjekur të shuajë zjarret masive pyjore që kanë përfshirë pjesë të vendit, raportoi sot kanali shtetëror televiziv RTP.
”Zjarrfikësi pësoi djegie të rënda pranë qytetit të vogël Sabugal, në Portugalinë lindore dhe vdiq sot në një spital në Porto”, tha RTP.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 1 400 zjarrfikës po përpiqen të shuajnë zjarret në Portugali.
Përpjekjet po vazhdojnë të marrin nën kontroll zjarret në qytetin Arganil.
Ndërkohë, autoritetet në Spanjën fqinje ndihen më të lehtësuar pasi vala e të nxehtit është ulur dhe reshje të shumta shiu ranë në disa zona në vend.
“Situata në vend është normale”, tha drejtoresha e përgjithshme e Mbrojtjes Civile, Virginia Barcones, në kanalin shtetëror të televizionit spanjoll RTVE.
Vlerësimet paraprake të Sistemit Evropian për Informacionin mbi zjarret pyjore (EFFIS) thane sot se më shumë se 4 000 kilometra katrorë tokë pyjore është djegur në Spanjë që nga fillimi i vitit, më shumë se sa është regjistruar ndonjëherë në një vit të tërë.
Në Portugali, një sipërfaqe prej pothuajse 2 800 kilometra katrorë është djegur, sipas EFFIS-it./ /Ad.Ab./
The post PORTUGALI – Sërish një viktimë nga zjarret, ndërsa Spanja merr frymë e lehtësuar nga vala e të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.