TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në një kohë kur Shqipëria përballet me situatën e zjarreve, kryeministri Edi Rama komentoi edhe disa prej reagimeve që vijnë lidhur me masat e marra për përballimin e tyre.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momentet tragjike nga përballja me zjarret në Patra, Greqi, duke iu përgjigjur siç tha ai “të gjithë atyre që flasin nga urrejtja apo nga sëkëlldia për avionë e për roja pylli”.
Kryeministri kujtoi se “Greqia ka 77 avionë zjarrfikës, por lufta me zjarret sot është ku e ku më e komplikuar sesa duket kur do të fajësosh qeverinë pse s’ka avionë”.
Rama bëri thirrje për t’u ruajtur nga “piromanët verbalë të këtij vendi, humbës kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur”.
Kryeministri ndau edhe shpjegimin mjekësor për piromaninë, ndërsa u shpreh se “piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal”.
Më poshtë reagimi i Kryeministrit Rama në rrjetet sociale:
“Ruhuni nga piromanët verbalë
Kjo video është një moment tragjik i këtyre ditëve nga përballja e vendit fqinj me zjarret.
Po e postoj për të gjithë ata që flasin nga urrejtja apo nga sëkëlldia për avionë e për roje pylli, sepse ky vendi fqinj ka 77 avionë zjarrfikës por lufta me zjarret sot është ku e ku më e komplikuar se sa duket kur do të fajësosh qeverinë pse s’ka avionë.
Ndërkohë sipas ChatGPT:
Në terma mjekësorë, piromania (zjarrvënia) është një çrregullim i kontrollit të impulseve, ku personi ndien një shtysë të fortë për të ndezur zjarre dhe përjeton një ndjenjë kënaqësie ose çlirimi pas këtij veprimi.
Një piroman është një person që, me dashje dhe shpesh për kënaqësi ose impulse personale, i vë zjarr ndërtesave, pyjeve, automjeteve apo pronave të tjera. Në shumicën e vendeve piromania trajtohet si një çrregullim psikologjik që shpesh kërkon trajtim, por edhe si një krim që ndëshkohet rëndë nga ligji.
E pyetur për piromaninë verbale ChatGPT shpjegon:
Piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal. Ai përdor deklarata të ngarkuara emocionalisht, insinuata, dhe narrativa konspirative si “stimulues ndezës”, duke shkaktuar reaksione të forta në publik.
Ky fenomen mund të shihet si një variant metaforik i piromanisë klasike, ku objekti i shkatërrimit nuk është materiali fizik, por kapitali social dhe besimi publik. Në rastin specifik të akuzave për zjarret, piromani verbal instrumentalizon fatkeqësitë natyrore si “material djegës” diskursiv, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe histerie kolektive, pavarësisht mungesës së provave faktike.
Ruhuni nga piromanët verbalë të këtij vendi, humbës kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur”.
/m.m/j.p/
The post Rama: Ruhuni nga piromanët verbalë, humbës kronikë që flasin nga urrejtja për avionë e për roja pylli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.