Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale
Komuna e Kryeqytetit ka bërë të ditur se rreth orës 18:30, një kamion i peshave të rënda dhe me lartësi mbi kufirin e lejuar, ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtegun e biçikletave dhe automjeteve në tunelin te Kurrizi.
Tuneli ka kufizim të qarkullimit për mjete me lartësi deri në 3.2 metra, ndërsa hyrja e këtij kamioni ka shkaktuar disa pasoja të konsiderueshme:
Shkelje të rregullave të trafikut rrugor;
Rrezikim të sigurisë publike, sidomos për këmbësorët dhe çiklistët që frekuentojnë këtë zonë të dedikuar;
Dëmtim të pronës publike komunale, përfshirë pajisjet e ventilimit dhe ato përcjellëse të instaluara rishtazi gjatë këtij viti.
Kryeqyteti e ka dënuar ashpër këtë veprim të papërgjegjshëm dhe ka njoftuar se rasti i është përcjellë menjëherë autoriteteve përkatëse për hetim dhe trajtim të mëtejmë ligjor.
Në reagimin zyrtar thuhet se: “Tuneli është i destinuar për qarkullim të kontrolluar të automjeteve dhe kamionëve me lartësi deri në 3.2 metra. Çdo tejkalim i këtij kufiri përbën shkelje ligjore dhe rrezik të drejtpërdrejtë për infrastrukturën dhe sigurinë publike.”
Komuna ka publikuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes, duke paralajmëruar se do të ndjekë penalisht çdo rast të ngjashëm në të ardhmen.
The post Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale appeared first on Telegrafi.