Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 28 August 2025Main stream

Punime në hekurudhën Durrës–Tiranë, sot dhe nesër bllokohet kalimi Fusha Sportive, Sukth

TIRANË, 28 gusht/ATSH/  Policia Bashkiake e Durrësit informoi sot se në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth do të  jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore.

Në një postim në rrjetet sociale, Policia Bashkiake Durrës njofton të gjithë drejtuesit e automjeteve të njësisë administrative Sukth, Manëz, Ishëm , të cilët përdorin segmentin rrugor Sukth- Kullë dhe anasjelltas Kullë- Sukth, në kilometrazhin 10+418 se sot dhe nesër nga ora 00:00 deri në 04:00, në kuadër të rikonstruksionit të linjës hekurudhore Durrës–Tiranë Terminali Publik i Transportit (TPT) si dhe ndërtimit të linjës së re hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (ANR), do të kryhen punime që do të ndikojnë në qarkullimin rrugor në kalimin hekurudhor Fusha Sportive, Sukth.

Gjatë këtij orari, ky kalim do të jetë totalisht i bllokuar nga të dyja anët për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturën hekurudhore nga punimet e kryera nga kompania.

Policia Bashkiake Durrës I bën apel qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë segment rrugor gjatë orareve të sipërpërmendura dhe të ndjekin rrugë alternative.

Shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë në terren për të mbikëqyrur dhe kontrolluar trafikun.

/k.s/j.p//

The post Punime në hekurudhën Durrës–Tiranë, sot dhe nesër bllokohet kalimi Fusha Sportive, Sukth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Shqipëria do të mbetet avokate dhe mbrojtëse e Kosovës

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim luftëtarët e parë për çlirimin e Kosovës, të stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, familjarë të martirëve dhe ish-pedagogët ushtarakë që kryen trajnimet e asaj kohe.

Kreu i Shtetit vlerësoi guximin dhe sakrificën e tyre dhe, po ashtu, rolin e ushtarakëve të Shqipërisë në përgatitjen politike, logjistike dhe ushtarake.

Duke i cilësuar ata si “njerëz që kanë shkruar një faqe të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar”, Presidenti Begaj u shpreh se akti i vitit 1991 duhet vlerësuar për rëndësinë historike si dhe të mësohet në shkolla për të mos mbetur në harresë.

Presidenti Begaj theksoi se nga ky moment, nga kjo sakrificë nisi udha drejt luftës për çlirimin e Kosovës dhe se vepra e të gjithë atyre që guxuan dhe sakrifikuan nuk do të harrohet kurrë.

“Ngjarjet e tetor-nëntorit të ‘91-shit janë fillimi i flakës së madhe të çlirimit të Kosovës. Ishte një sakrificë, sakrificë, së pari, e atyre njerëzve që dolën vullnetarë dhe erdhën për t’u stërvitur në Shqipëri, sakrificë e atyre pedagogëve që i mësuan, trajnuan, i stërvitën, të cilët nuk e dinin se si do të shkonte Shqipëria dhe kur askush nuk e imagjinonte që në ’99-ën ne do të kishim një Kosovë të çliruar”.

Ndërsa nderoi figurën e martirëve të këtij grupi të përgatitur në Tiranë, mes të cilëve ishte dhe Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj. Presidenti Begaj i siguroi pjesëmarrësit në takim për angazhimin e tij në vlerësimin e veprës së ish-luftëtarëve.

“Unë ju siguroj që ju do të keni gjithmonë vëmendjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, UÇK-ja do të jetë patjetër në vëmendjen e shtetit shqiptar”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të mbetet një avokate dhe mbrojtëse e Kosovës në çfarëdo lloj rrethane dhe situate, ndërsa kërkoi që dhe Kosova të dëshmojë pjekurinë e duhur për të ecur përpara.

“Vetë shteti i Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për interesat e brendshme të Kosovës. Tani jemi në një situatë që shpresoj të tejkalohet ngërçi institucional për formimin e institucioneve të reja, pasi Kosova e ka shumë të nevojshme, shumë të domosdoshme për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare që është e aftë të bëjë shtetformim dhe të jetë një partner i besueshëm për ata të cilët kontribuuan për shtetin e Kosovës, që janë partnerët tanë strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, nënvizoi Begaj.

Gjatë bashkëbisedimit, ish-luftëtarët sollën përjetimet e atyre viteve dhe vuajtjet që pasuan nga torturat në burgjet jugosllave apo gjatë luftës së UÇK-së, si dhe i përcollën Kreut të Shtetit mirënjohjen për mbështetjen nga Shqipëria, si dhe për pritjen e rezervuar sot në Institucionit e Presidentit të Republikës.

/k.s/j.p/

The post Begaj: Shqipëria do të mbetet avokate dhe mbrojtëse e Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: 11 mijë studentë të rinj në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi sot se “UT mban edhe këtë vit peshën kryesore, ndërsa pret rreth 11 mijë studentë të rinj”.

Në një konferencë për shtyp një ditë përpara regjistrimit të studentëve për vitin e ri akademik, Hoxha tha se “këtë vit  500 maturantë më shumë do t’i drejtohen bankave të universiteteve dhe në veçanti UT e kanë zgjedhur më shumë të rinj nga viti i kaluar”.

Sipas tij, kjo është shenjë ë mirë për të rinjtë që tregon se ata i drejtohen bankave të universitetit dhe është një tregues kanë besim më shumë tek universitetet në vend në krahasim me vitin e kaluar që i drejtoheshin universiteteve jashtë vendit”.

“Universiteti i Tiranës padyshim që mban peshën kryesore të arsimit të lartë. Ne së bashku më të 3 ciklet e studimit presim mbi 11 mijë studentë. Për vitin akademik 2024-2025 kishim mbi 22 mijë studentë që tregon se pesha specifike e këtij institucioni të lartë vazhdon të jetë ajo që rëndon më shumë dhe që garanton të rinjtë shqiptarë që programet që zhvillohen në këtë universitetet janë programe të konsoliduara madje më traditë dhe të koordinuara me të gjitha zhvillimet e kohës duke u foksuar në ndërkombëtarizimin e tyre”, theksoi Hoxha.

“Nga rreth 20.200 maturantë në shkallë vendi, 60% kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar janë 160 studentë më shumë që kanë preferuar këtë institucion. Ky është një tregues i qartë se studentët shqiptarë po e shohin gjithnjë e më shumë të ardhmen e tyre akademike te Universiteti i Tiranës. Programet tona janë të konsoliduara dhe të përditësuara me zhvillimet e kohës, duke garantuar arsim cilësor dhe mundësi të reja profesionale”, theksoi Hoxha.

Rektori Hoxha u shpreh se “të gjitha këto arritje që ka arsimi i lartë dhe në veçanti Universiteti i Tiranës rrisin vetëbesimin tek të rinjtë për të ndjekur studimet tek universitet tona”.

Hoxha foli edhe për degët që janë më të kërkuara nga të rinjtë në UT dhe ato më pak të preferuara.

“Ne kemi disa programe që janë të konsoliduara në disa fakultete që kanë edhe rritje si është Drejtësia, Ekonomia, Shkencat Sociale, Histori, Filologji. Gjithashtu, interes i lartë po vërehet në shkencat e natyrës dhe teknologjinë e informacionit, të cilat ofrojnë perspektivë të gjerë punësimi dhe kërkim të aplikuar. Megjithatë, sfidë mbeten programet e mësuesisë, ku interesi është më i ulët, duke reflektuar një prirje të maturantëve për të zgjedhur fusha të tjera më të lidhura me tregun e punës. Por kemi disa programe që vuajnë kryesisht ato të mësuesisë dhe disa programe të Shkencave të Natyrës, të cilat përzgjidhen nga një numër i madh studentësh dhe për to ka politika për ti mbështetur ata në vazhdimin e studimeve”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha u ndal edhe tek dhënia e bursave.

“UT ka vite që ka mijëra studentë që marrin bursa. 2668 studentë këtë vit përfitojnë bursën me 100 mijë lekë të vjetra dhe janë 60 studentë nga programet që kanë interes kombëtar, të cilët pëfitojnë 400 mijë lekë të vjetra dhe sipas politikave që janë vendosur studentët e ekselencës nuk paguajnë tarifë shkollimi dhe studentë nën notën 9 paguajnë gjysmën e tarifës së studimit”, sqaroi Hoxha.

Sa i përket procesit të  regjistrimit, Hoxha tha se “për këtë vit zhvillohet në dy raunde: i pari me 7 faza dhe i dyti me 5 faza, me fazën e parë që nis që nesër. Paralelisht, Universiteti i Tiranës po forcon hapjen e tij ndërkombëtare. Ai është pjesë e 12 rrjeteve evropiane të arsimit të lartë dhe së fundmi është bashkuar në një aleancë me 8 universitete prestigjioze të Europës, duke ofruar mbi 20 programe në gjuhë të huaj dhe diploma të dyfishta në bashkëpunim me pesë universitete partnere”.

 

Rektori Hoxha u shpreh se Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër edhe trajnimin e mësueseve të ciklit parauniversitar, të drejtueseve dhe roleve të tjera që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies.

“Për herë të parë në mënyrë të konsoliduar Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër të trajnojmë mësuesit e shkollave parauniversitsare, drejtuesit e tyre dhe të gjithë ata që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies. Është një ndërmarrje e rëndësishme që ecën prej dy vitesh. Kjo ka bërë një ndërthurje dhe një lidhje me të mirë më universitetin dhe ciklin parauniversitar duke njohur më mirë njëri-tjetrin se çfarë ofrojmë nëpërmjet programeve universitare dhe parauniversitare dhe reformat që bëhen në arsim duhet të jenë të integruara pasi nxënësi kthehet në student dhe pastaj në tregun e punës”, u shpreh Hoxha.

Në lidhje me debatin për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, Hoxha u shpreh se nuk është koha për një ligj të ri, por për një rishikim të tij pas një analize të plotë.

“Ligjet nuk duhen shfuqizuar, por përmirësuar. Ligji për arsimin e lartë ka treguar se i ka rezistuar kohës dhe i është përgjigjur qëllimit për të cilin është miratuar, por pas 10 vitesh zbatim ka ardhur koha për amendime që t’i përgjigjen realitetit të ri të arsimit dhe zhvillimeve që ka përjetuar Shqipëria”, tha Hoxha.

/k.s/j.p/

The post Hoxha: 11 mijë studentë të rinj në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndryshimet e reja ligjore, përafrim 100% me direktivat e BE-së për trajtimin e mbetjeve

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve merr përsipër të përafrojë direktivat e BE-së 100% me legjislacionin shqiptar”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi për reformën në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve përmes një pakete të dedikuar ndërhyrjesh ligjore dhe investimesh, Kryeministri Edi Rama tha se “një tjetër nevojë e krijuar është rishikimi i strategjisë kombëtare dhe i masterplanit për investimet për ndarjen në burim, për riciklimin, për tarifat sipas standardeve të BE-së”.

“Këto janë pikat kyçe të hapave që do ndërmarrim në aspektin ligjor dhe në aspektin e masave me akte nënligjore në mënyrë që të ecim edhe falë një tjetër projektligji, atij për menaxhimin e integruar të mbetjeve për të harmonizuar legjislacionin tonë me kapitullin e  27 që përmbledh legjislacioni europian për të fuqizuar sistemin kombëtar me ndarjen e qartë të përgjegjësive mes institucioneve, bashkive, privatëve për të përcaktuar hierarkinë nga parandalimi tek ripërdorimi, riciklimi, rekuperimi ,asgjësimi për të futur edhe instrumentet ekonomikë të munguar dhe për të krijuar fondin e ekonomisë së mbetjeve dhe kështu me radhë”, nënvizoi Rama.

Por, vijoi Rama, kryefjala e këtij procesi është nga njëra anë marrja në zotërim e përgjegjësisë për trajtimin e mbetjeve si një përgjegjësi e përbashkët kombëtare dhe nga ana tjetër marrja e përgjegjësisë në të gjitha nivelet për gjithë procesin e riciklimit të mbetjeve deri në asgjësimin e tyre për të gjithë ato kategori që thashë.

Kryeministri Rama theksoi se “pa këto dy hapa rruga jonë për sa i përket kapitullit të negociatave lidhur me mjedisin është një rrugë që nuk ka dalje”.

“Natyrisht ka edhe hapa të tjerë, por këto dy hapa janë kryesore dhe janë themelore. Duke filluar nga vendosja në kornizën ligjore dhe duke vazhduar me të gjitha fazat dhe me të gjitha përgjegjësitë e implementimit”, tha Rama.

/k.s/j.p/

 

The post Rama: Ndryshimet e reja ligjore, përafrim 100% me direktivat e BE-së për trajtimin e mbetjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Histori dhe traditë, monumentet natyrore të Elbasanit tërheqin turistë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Elbasani nuk është vetëm një qytet me histori shekullore, por edhe një vend ku natyra dhe kultura bashkëjetojnë në mënyrë magjike.

Zonat e veçanta si Kroi i Kalit, Burimi i Bankës, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës, Ulliri i Qejfit, Parku Rinia, Rrapi i Mansit, Rrapet e Bushekut, Rrapi i Bezistanit, Selvia e Seltës e Kodra e Krastës nuk janë thjesht monumente natyrore, ato janë dëshmi të historisë dhe traditës, që ftojnë çdo vizitor të ndalojë, të shohë dhe të prekë të shkuarën.

Jo shumë larg qendrës së qytetit ndodhet Rrapi i Mansit, emri i tij lidhet me itinerarin e rrugës Egnatia (shekulli II-IV), që kalonte në luginën midis Teqes së Madhe dhe Krastës. Historikisht, kjo zonë ka shërbyer si vend çlodhjeje dhe festimesh, veçanërisht gjatë Ditës së Verës.

Sot, rrapi ka humbur pak nga madhësia origjinale, por mendohet të jetë mbi 605 vjeçar.

Rrapi i Bezistanit, pranë Portës së Kalasë, është një tjetër atraksion që nuk mund të humbasë asnjë vizitor. Ai lidhet me tregun e mbyllur të shekullit XVII, Bezistanin, një bërthamë tregtare dhe kulturore e qytetit.

Përmasat e tij tregojnë se rrapi ka mbi 500 vjet jetë, dhe çdo turist që ndalet aty e kap pamjen e tij me aparatin fotografik, duke krijuar kujtime të paharrueshme. Për të rritur interesin dhe për të informuar vizitorët, Bashkia e Elbasanit organizon guida turistike të rregullta, që përshkruajnë historinë dhe legjendat e këtij monumenti natyror.

Ndërkohë, pranë Rrapit të Bezistanit ndodhet edhe Bazilika e Elbasanit, një tjetër pikë historike që shton interesin e turistëve. Kombinimi i monumentit natyror me atë historik e bën përvojën më të paharrueshme.

Në një ditë të qetë vere, Ajsel, një turiste nga Gjermania, që ndodhej në vizitë në Elbasan, pohon se “kur e pashë rrapin dhe bazilikën njëkohësisht, ndjeva sikur isha zhytur në histori”.

Aparati fotografik nuk ndalonte, ndërsa ajo përpiqej të kapte çdo detaj të rrënjëve të thella dhe mureve të vjetra të bazilikës.

Rrapi i Vojvodës, në dalje të qytetit, është një tjetër monument natyror me histori të pasur, që ka shërbyer si pikë referimi dhe vend takimi për karvanet dhe vizitorët që hynin dhe dilnin nga qyteti. Përmasat e tij tregojnë se ka një moshë rreth 700 vjeçare, duke e bërë atë një dëshmi të gjallë të historisë së Elbasanit.

Vizita tek rrapet e Elbasanit nuk është thjesht një shëtitje mes gjelbërimit; është një udhëtim në kohë. Çdo degë, çdo rrënjë, çdo hijeshi e rrapit flet për shekuj të tërë histori, tregime dhe ngjarje që kanë formësuar qytetin.

Rrapi i Bezistanit në qendër të qytetit, me guidat turistike dhe bazilikën përballë, është pika ku rrëfimi i së shkuarës takon përjetimin e së tashmes, duke lënë një kujtim në syrin dhe zemrën e çdo vizitori.

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Histori dhe traditë, monumentet natyrore të Elbasanit tërheqin turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria e bukur, Rama ndan pamje nga mbrëmja në Berat

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Mbrëmjet në Berat në këto ditë të fundit të muajit gusht janë të mbushura me gjallërinë e turistëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, ndau sot pamje nga mbrëmja në Berat.

Berati mbetet tërheqës për vizitorët e huaj dhe ata vendas jo vetëm për bukuritë historike, por edhe për ofertat e pasura të agroturizmit dhe përvojat autentike që ofron.

Vitet e fundit përveç vizitave në monumentet historike, apo turizmit të aventurës, turistët mund të marrin pjesë në degustime vere, ekspozita artizanale dhe ngjarje folklorike që sjellin në jetë traditat e pasura të rajonit.

Ndër atraksionet më të vizituara vijojnë të jenë Kalaja, lagjet muzeale “Goricë” dhe “Mangalem”, kantinat e qytetit, muzeu “Onufri” dhe ai Etnografik etj.

/k.s/r.e//a.f/

The post Shqipëria e bukur, Rama ndan pamje nga mbrëmja në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Aksion pastrimi për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Në zonat e mbrojtura të vendit, si parqet kombëtare, edhe në ato natyrore vijon nisma “Male të Pastra”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga pastrimi i këtyre zonave të mbrojtura, që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

“Nisma “Male të Pastra” angazhoi stafin e zonave të mbrojtura, komunitete e vullnetarë në një aksion pastrimi për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara”, tha Rama.

Aksioni i pastrimit “Male të Pastra” ka angazhuar qindra vullnetarë, të cilët larguan qindra kilogramë mbetje nga parqet kombëtare.

Këtë vit fushata do të shtrihet në Parqet Kombëtare të Dajtit, Tomorit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenik, Korab-Koritnik si dhe në Alpet Shqiptare.

/r.e/

The post Rama: Aksion pastrimi për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i inspektorëve, IMT: Distancohemi, u shkarkuan nga detyra

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po zhvillojnë një operacion për ndalimin e disa inspektorëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë.

Në medie njoftohet se janë katër inspektorë të ndaluar. Ata dyshohet se kanë shkelur ligjin, duke marrë para nga një subjekt për të mos hequr tendat dhe strukturat metalike të lokalit.

Vetë Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Tiranë reagoi lidhur me inspektorët e ndaluar, duke i shkarkuar nga puna.

Në një postim në rrjetet sociale, IMT Tiranë theksoi se e dënon me vendosmëri këtë rast si dhe i ka shkarkuar nga detyra këta punonjës.

“Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast. Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra”, theksoi IMT.

IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.

/k.s/r.e//a.f/

The post Arrestimi i inspektorëve, IMT: Distancohemi, u shkarkuan nga detyra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Locked In”, koncerti me muzikë elektronike ndez atmosferën në Vlorë

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Artdashësit vlonjatë, por edhe turistët e shumtë vendas e të huaj, shijuan mbrëmjen e djeshme rimet e muzikës elektronike.

Për rreth katër orë artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë ndezën atmosferën në Lungomare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ky koncert.

“Kështu dukej Vlora mbrëmë me Locked In – mijëra të rinj, qytetarë dhe turistë përjetuan në Lungomare muzikën e mirë dhe energjinë pa fund”, shkruan Kumbaro.

Në koncert performuan emra të njohur si Burak Jeter, Kristian Marki, Stefi Deriko dhe Abelo Mania.

Ky koncert i organizuar nga bashkia e Vlorës kishte për synim gjallërimin e jetës artistike të qytetit bregdetar gjatë sezonit veror.

/k.s/r.e/

The post “Locked In”, koncerti me muzikë elektronike ndez atmosferën në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIA: 1354 operacione për shuarjen e 193 zjarreve masive

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Në të gjithë gjithë vendin gjatë kësaj vere janë kryer 1354 operacione për shuarjen e 193 zjarreve masive.

Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot disa të dhëna lidhur me angazhimet në terren nga ajri dhe toka të forcave operacionale në javët e vështira të luftës ndaj zjarreve.

“Në operacionet për shuarjen e flakëve në të gjithë Shqipërinë morën pjesë mbi 10 mijë forca operacionale dhe 532 mjete tokësore nga FA, Policia e Shtetit, AdZM dhe vullnetarë”, theksoi MIA.

Sipas MIA-s, nga ajri helikopterët e FA morën pjesë në 120 operacione së bashku me Mekanizmin e Mbrojtjes Europiane që dha ndihmesën e tij nëpërmjet pjesëmarrjes së shteteve si Italia, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu u angazhuan 127 mjete të Forcave të Armatosura, 178 MZSH, 83 mjete të Emergjencave Civile lokale, 113 mjete të Policisë së Shtetit dhe 10 të Administratave të Zonave të Mbrojtura.

Gjatë ditës së sotme u zhvillua ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit në përballjen me zjarret. Kryeministri Edi Rama dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes Publike dhe Vlerësimit Profesional disa prej heronjve në betejën ndaj zjarreve.

1 nga 5

/k.s/r.e//a.f/

The post MIA: 1354 operacione për shuarjen e 193 zjarreve masive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut, lehtëson trafikun e mjeteve drejt Tiranës

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut, në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e përditshme për ndërtimin e kësaj ure brenda parametrave të duhur.

“Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut në hyrje të Shkodrës, një vepër e rëndësishme që do të lehtësojë trafikun për mjetet që do të lëvizin në drejtim të Tiranës, ndërkohë që edhe ura e vjetër do të vijojë të funksionojë dhe do të shërbejë për mjetet që lëvizin në drejtim të Shkodrës”, shkruan Rama.

E inauguruar më 4 shkurt të vitit 1914, Ura e Bahçallëkut, lidh qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të tij, që shtrihet përtej rrugëtimit të Drinit e të Kirit për në Bunë.

Njëkohësisht ura mundëson komunikimin e qytetit me pjesën tjetër vendit, duke shërbyer si arterie e qenësishme komunikimi të një prej qendrave më të rëndësishme historike, ekonomike dhe kulturore.

Ura e Bahçallëkut është ndërtuar në vitin 1914 me projektues austriak, konstruksioni i së cilës ka ardhur deri në ditët tona.

/k.s/a.f/r.e/

The post Rama: Vijon puna për ndërtimin e Urës së re të Bahçallëkut, lehtëson trafikun e mjeteve drejt Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tiranë, punonjësit e policisë i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Punonjësit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi iu bashkuan sot nismës për dhurimin e gjakut, për të ndihmuar qytetarët që kanë nevojë.

Me bindjen se çdo dhurim gjaku është një jetë e shpëtuar, efektivë të policisë dhanë kontributin e tyre human, duke treguar se misioni i policisë nuk kufizohet vetëm te garantimi i rendit dhe i sigurisë publike, por edhe te mbështetja e qytetarëve në raste nevoje.

Policia e Tiranës do të vijojë të mbështesë dhe të inkurajojë iniciativa të tilla, që forcojnë lidhjen e saj me komunitetin.

Këtë vit, motoja e përzgjedhur është: “Dhuro gjak, dhuro shpresë: së bashku shpëtojmë jetë”.

Objektivat e fushatës për 2025-n janë rritja e ndërgjegjësimit të publikut për nevojën kritike për dhurimin e gjakut dhe plazmës dhe ndikimin që ato kanë në jetën e pacientëve, inkurajimi i dhuruesve të rinj dhe ekzistues që të japin gjak rregullisht, nxjerrja në pah e ndikimit pozitiv të dhuruesve të gjakut në shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve nëpërmjet dhurimit të gjakut.

/k.s/r.e/a.f/

The post Tiranë, punonjësit e policisë i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKTK inspektim në qytetin antik të Rabies, rëndësi e veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në jugperëndim të fshatit Rabie, në njësinë administrative Luftinjë, bashkia Memaliaj, ndodhen rrënojat e qytetit antik të Rabies.

Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, zhvilluan një inspektim në terren në kuadër të verifikimit të interesit kulturor për qytetin antik të Rabies.

Sipas ITKT-së, ky qytet antik, i datuar në shekullin IV para Krishtit, i njohur si një fortifikim mbrojtës i kufijve juglindorë të Bylinëve, ka një rëndësi të veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit tonë.

Gjatë inspektimit në terren u realizua vëzhgimi i sipërfaqes së kodrës ku shtrihet siti; dokumentimi fotografik i mureve rrethuese dhe strukturave të dukshme; marrja e pikave koordinative për përcaktimin e shtrirjes së qytetit; vëzhgimi i territorit përreth dhe vlerësim i zonës mbrojtëse.

Ky qytet antik ndodhet në majën më të lartë të kodrës shkëmbore në lartësinë 880 metra midis fshatit Rabie dhe luginës së përroit të Luftinjës (degë e lumit Vjosë). Ky vendbanim sipas të dhënave historike daton që në epokën e hekurit.

/k.s//a.f//r.e/

The post IKTK inspektim në qytetin antik të Rabies, rëndësi e veçantë për arkeologjinë dhe historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër: Kushte më të mira për 700 nxënës dhe 60 mësues

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër po rindërtohet me standardet më të mira.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet që po kryhen në këtë shkollë, e cila pritet të hapë dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor.

“Shkolla Ndre Mjeda” po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor dhe zgjerimi kapacitetesh, për të patur mësim me një turn, me klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, hapësira rekreative, palestër e terrene sportive dhe akses për çdo nxënës”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu informoi se “pas përfundimit të punimeve, “Ndre Mjeda” do të presë rreth 700 nxënës dhe 60 mësues, duke ofruar standarde të larta jo vetëm në procesin mësimor, por edhe mundësi për zhvillim kulturor, sportiv dhe krijues të nxënësve”.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

MAS vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër ka dedikuar 7 milionë euro.  Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.

/k.s//a.f/

The post Manastirliu në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër: Kushte më të mira për 700 nxënës dhe 60 mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS: Testimi për arkitekturën më 20 gusht, rregullat që duhet të respektojnë maturantët

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Testimi për degën e Arkitekturës do të zhvillohet më 20 gusht në orën 12:00 tek Pallati i Kongrseve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit bëri të ditur sot se hyrja e maturantëve bëhet nga ora 10:00- 12:00 në Pallatin e Kongreseve.

Në sallën e testimit, kandidati qëndron në vendin që i caktohet. Ky vend është i pandryshueshëm gjatë gjithë testimit. Mbi tavolinë kandidati vendos dokumentin e identitetit (kartë identiteti ose pasaportë). Në rast konstatimi të një personi të futur për një tjetër me dokumente identifikuese të testit, kandidati humbet përgjithmonë të drejtën për pranimi në një nga degët që ofron FAU, Universiteti Politeknik i Tiranës.

Testimi është individual. Nuk lejohet asnjë komunikim mes njeri–tjetrit. Pas dhënies së testit nuk lejohet asnjë sqarim lidhur me përmbajtjen ose me zgjidhjen e tij. Gjithçka të nevojshme kandidati do ta gjejë në test nëpërmjet formimit të pyetjeve të tij.

Përmbajtja e testit nuk duhet të kopjohet, fotografohet ose riprodhohet. Në rast konstatimi të kopjimit, kandidati humbet përgjithmonë të drejtën për pranimi në një nga degët e UPT.

Ndalohet kategorikisht të bëhen shënime ose shenja të çfarëdo natyre në fletën e përgjigjeve të testit (çelesin e pergjigjeve) ose mbi barkodin e sekretimit. Kur shënimi vlerësohet si shenjë dalluese, Komisioni i Vlerësimit e s’kualifikon testin.

Nuk lejohet kategorikisht përdorimi i telefonave celularë, mjeteve audio-vizuale, aparateve fotografike etj. Pjesëmarrësit në konkurs nuk kanë nevojë të marrin me vete asnjë mjet për të shkruar apo vizatuar.

Largimi nga testimi lejohet vetëm, pasi të jenë kryer proceduat e verifikimit të kandidatit dhe sekretimi i dokumentacionit të tij. Kandidati që përfundon testimin detyrimisht duhet të dorëzojë testin me sekretimin bashkëngjitur dhe të nënshkruajë në një listë përkatëse.

Sipas MAS, shkelja e rregullave të mësipërme, çon në s’kualifikimin e kandidatit.

Asnjë aplikant tjetër nuk do të lejohet të marrë pjesë në testin e pranimit nëse nuk është regjistruar më parë dhe nuk ka emrin në listë.

/k.s//a.f/

The post MAS: Testimi për arkitekturën më 20 gusht, rregullat që duhet të respektojnë maturantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Porti i Durrësit, 33 327 udhëtarë kanë hyrë dhe dalë nga 14-17 gusht

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Fundjava që lamë pas ka shënuar një fluks të lartë të hyrje-daljeve, ku nëpërmjet Portit të Durrësit, pikës kufitare detare kryesore në vend kanë lundruar në total 33 327  udhëtarë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur sot se nga 14-17 gusht 2025, në Terminalin e Trageteve në Portin e Durrësit janë regjistruar 10 891 pasagjerë që kanë hyrë në vendin tonë dhe 2,881 automjete.

Ndërsa kanë dalë nga vendi ynë një numër më i lartë prej 22 436 udhëtarë, dhe 6 001 automjete.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy javët e para të muajit gusht, përmes Portit të Durrësit kanë lëvizur gjithsej 117 006 udhëtarë dhe 31 602 automjete, shifra që konfirmojnë intensitetin e qarkullimit dhe rolin kyç të këtij porti në lëvizjen sezonale të qytetarëve, sidomos atyre që kthehen nga emigracioni për pushime në atdhe.

Ndërkohë në Terminalin e Trageteve vijon zbatimi i  planit të masave në funksion të fluksit të shtuar të udhëtarëve, ku falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve portuale, doganore, operatorëve privatë dhe sigurisë, operacionet u zhvilluan normalisht, me përqendrim të veçantë në përpunim efikas dhe pa vonesa të udhëtarëve.

1 nga 2

/k.s//a.f/

The post Porti i Durrësit, 33 327 udhëtarë kanë hyrë dhe dalë nga 14-17 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punimet në gjimnazin “Kolë Idromeno”, Manastirliu: 7 milionë euro për infrastrukturën shkollore në Shkodër

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Nxënësit e shkollës “Kolë Idromeno” në Shkodër shumë shpejt do të mësojnë në ambiente të reja, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore.

Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ky institucion arsimor po i nënshtrohet një transformimi të plotë, që përfshin rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, laboratorëve dhe terreneve sportive, rinovimin e instalimeve elektrike, hidraulike, sistemit të kondicionimit, aksesueshmërisë për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe mobilim të ri, të përshtatur me imazhin modern të shkollës.

Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë përpara fillimit të vitit shkollor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci inspektuan nga afër punimet në këtë institucion arsimor, teksa nënvizoi angazhimin e qeverisë për të ofruar kushte bashkëkohore në çdo institucion arsimor.

“Shumë shpejt shkolla do të jetë gati për nxënësit dhe mësuesit me klasa moderne, laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, terrene sportive, akses për nxënësit me aftësi ndryshe, e ndërtuar sipas të gjitha standardeve europiane”, tha Manastirliu.

Sipas saj, në Shkodër kantieret e ndërtimit të shkollave po ecin shumë mirë.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër janë dedikuar 7 milionë euro, ndërsa paralelisht po punojmë ti pajisim shkollat edhe me laboratorë shkencorë dhe inteligjentë, duke u ofruar nxënësve mundësinë të zhvillojnë aftësi digjitale të avancuara”.

“Shkolla “Kolë Idromeno” është pjesë e projektit të SmartLab-eve, pasi fillojmë fazën tjetër ku 654 SmartLab do të investohen për shkollat ku për herë të parë përfshihen edhe gjimnazet ku nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre në drejtim të aftësive digjitale”, theksoi Manastirliu duke shtuar se e meriton Shkodra, e meritojnë qytetarët, e meritojnë mësuesit dhe nxënësit të kenë kushte bashkëkohore.

Kryebashkiaku Beci u shpreh se “sot ka një motiv shumë më të madh për të gjithë këtë brez që po vjen”.

“Jemi shumë entuziastë për mënyrën e punimeve që po kryhen në shkollë”, tha një mësues.

Një tjetër mësuese u shpreh se “ky investim do të jetë edhe një motivim për të gjithë nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës, për të rritur më lart emrin e gjimnazit “Kolë Idromeno”.

Gjimnazi “Kolë Idromeno” është një nga disa institucione arsimore në qarkun e Shkodrës ku është investuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.

Në rang kombëtar, 40 objekte të reja mësimore e sportive, përfshirë 22 shkolla të reja dhe 18 palestra dhe terrene sportive do t’i nënshtrohen procesit të rindërtimit dhe rikonstruksionit.

/k.s//a.f/

The post Punimet në gjimnazin “Kolë Idromeno”, Manastirliu: 7 milionë euro për infrastrukturën shkollore në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Gonxhja: Një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Vuno, Himarë do të ngrihet së shpejti Muzeu i Arbëreshëve,  një projekt që sjell në atdhe kujtesën, kulturën dhe shpirtin e një komuniteti që ka ruajtur gjuhën dhe traditat për më shumë se pesë shekuj larg Shqipërisë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja inspektoi hapësirën ku do të ngrihet Muzeu i Arbëreshëve.

“Ky muze nuk do të jetë vetëm një godinë, por një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve, ku rrëfimet e të parëve tanë do të marrin jetë përmes ekspozitave, kujtimeve dhe dialogut kulturor”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

“Ky muze do të lidhë historinë e diasporës më të vjetër shqiptare me brezat e sotëm, duke forcuar bashkëpunimin shpirtëror e kulturor me komunitetet arbëreshe në Itali”, theksoi Gonxhja.

I vendosur simbolikisht në zemër të qendrës historike të Vunoit, pranë kishave të Shën Spiridhonit dhe Shën Mëhillit, projekti parashikon gjithashtu restaurimin e këtyre monumenteve të çmuara.

“Ky restaurim i kishave si dh ngritja e muzeut do ta kthejnë zonën në një ansambël mozaik të gjallë ku trashëgimia shpirtërore ndërthuret me muzealizimin bashkëkohor, rijetëzimin arkitekturor të lagjes e itinerareve”, tha Gonxhja.

Gonxhja vuri në dukje se “ky është një hap i madh për gjallërimin e Vunoit, për forcimin e identitetit kulturor shqiptar dhe për pasurimin e turizmit historik e kulturor përtej sezonit të plazhit dhe zhvillimit të programeve të ndryshme edukative e kulturore, por edhe të angazhimit të komunitetit”.

Ky muze, sipas ministrit Gonxhja është një ftesë për të gjithë, vendas, vizitorë dhe diasporë që të ndihen pjesë e një historie që na bashkon e na bën krenarë.

Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish-shkollën 8-vjeçare në Vuno, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshësh, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.

Muzeu do të shërbejë gjtihashtu si një  pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno.

/k.s//a.f/

The post Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, Gonxhja: Një urë e gjallë mes brezave dhe brigjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 30 infermierë u punësuan përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, garantohet transparenca

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” u përzgjodhën edhe 30 infermierë, të cilët tashmë janë në shërbim të qytetarëve në qendrat shëndetësore dhe spitalet e vendit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në një postim në rrjetet sociale se “përmes këtij portali garantojmë transparencë dhe punësim mbi bazën e meritës, duke i shtuar sistemit shëndetësor profesionistë të rinj dhe të përkushtuar”.

“Në thirrjen e 10-të u përzgjodhën 30 infermierë, mes tyre Emanuela, Jurgeni, Liridona dhe Fatjoni. Urojmë suksese të gjithë të rinjve që i janë bashkuar bluzave të bardha, për të dhënë kontributin e tyre me përkushtim, humanizëm dhe dinjitet”, tha Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu infermierja Emanuela Maçi tha se konkurrova në portal dhe fitova vendin si infiermiere në qendrën shëndetësore numër 3″.

“Konkurrova në portal procesi ishte i saktë dhe transparent fitova vendin definitiv në QSUT”, tha Jurgen Loka.

Liridona Daja, u shpreh se “konkurrova në portal prita deri sa të bëheshin thirrjet pranova vendin në Dajt për infermiere definitive”.

Ndërsa Fation Bajraktari tha se “deri dje isha infermier provizor pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sot nëpërmjet portalit u emërova defenitiv. Procesi ishte shumë i thjeshtë dhe transparent”.

Portali “Infermierë për Shqipërinë”, për punësimin e profesionistëve të shëndetësisë, është një prej mekanizmave që garanton transparencë në punësimet në shëndetësi.

Ky portal ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar më tej në këtë fushë, për të kontribuar në shëndetin e komunitetit.

Procesi i testimit të kandidatëve në platformën “Infermierë për Shqipërinë” është transparent në të gjitha fazat e tij, që nga regjistrimi, testimi, procesi i ankimimit, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve dhe përzgjedhjes së vendeve të reja të punës me bazë merite, në bazë të pikëve të marra nga secili kandidat nga të gjitha fazat e konkurrimit.

/k.s//a.f/

 

 

The post Koçiu: 30 infermierë u punësuan përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, garantohet transparenca appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKAP: Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin e testimit të informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar informoi sot se maturantët që po kryejnë testimin e informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin.

Në një postim në rrjetet sociale AKAP tha se “maturantët mund të paraqesin  ankesën me shkrim, pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, brenda 1 (një) dite kalendarike nga shpallja e rezultatit të testimit të informatizuar”.

“QSHA-ja do të shqyrtojë ankesën dhe kthen përgjigje brenda 1 (një) dite nga paraqitja e ankesës”, tha AKAP.

Maturantët që kanë preferuar të ndjekin studimet për Mjekësi të Përgjithshme nga sot kanë nisur t’i nënshtrohen testimit të informatizuar, që do të jetë deri më 22 gusht.

Këtë vit kanë aplikuar 1202 kandidatë kanë aplikuar, ndërkohë që do të përzgjidhen 436 studentë, pasi pjesa tjetër i përket kuotave të trevave.

/k.s//a.f/

The post AKAP: Maturantët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatin e testimit të informatizuar për Mjekësi të Përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌