KIEV – Zelensky: Putin po luan për të fituar kohë
KIEV, 11 gusht /ATSH-DPA/ – Përpara samitit SHBA-Rusi mbi Ukrainën në Alaska, të premten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Moskën se po luan për të fituar kohë.
“Fola me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney. Jam mirënjohës për mbështetjen e Kanadasë për Ukrainën dhe popullin tonë”, shkroi Zelensky në X.
“Ndava pikëpamjen e Ukrainës mbi qëllimet dhe planet e vërteta të Rusisë. Ne e shohim në të njëjtën mënyrë dhe është e qartë se rusët thjesht po duan të blejnë kohë, jo t’i japin fund luftës”, theksoi ai.
“Situata në fushën e betejës dhe sulmet e liga të Rusisë ndaj infrastrukturës civile dhe njerëzve të zakonshëm e vërtetojnë qartë këtë”, shtoi presidenti ukrainas.
“Ne ramë dakord që asnjë vendim në lidhje me të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e popullit tonë nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e Ukrainës. Ashtu siç nuk mund të ketë vendime pa garanci të qarta sigurie. Derisa të arrihet kjo, sanksionet kundër Rusisë duhet të mbeten në fuqi dhe të forcohen vazhdimisht”, tha ai.
Në një bisedë tjetër me presidentin lituanez Gitanas Nauseda, Zelensky raportoi se të dyja palët ranë dakord që së pari duhet të ketë një armëpushim përpara se të fillojë kërkimi i një zgjidhjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Ne ndajmë të njëjtin qëndrim: së pari, duhet të ketë një armëpushim dhe më pas kërkimi i një zgjidhjeje diplomatike që do të bëjë të mundur përfundimin e luftës me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Pa garanci të qarta sigurie, çdo marrëveshje tjetër do t’i jepte Rusisë vetëm mundësinë për të rivendosur forcat e saj”, shtoi ai.
Zelensky theksoi edhe një herë se asnjë vendim për të ardhmen e vendit dhe sigurinë e ukrainasve nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e Ukrainës./ a.jor.
The post KIEV – Zelensky: Putin po luan për të fituar kohë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.