Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

BERLIN – Gjermania intensifikon kontrollet kufitare dhe premton riatdhesime

BERLIN, 7 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tha se vendi do të zgjerojë kontrollet aktuale kufitare dhe do të kërkojë të dëbojë më shumë njerëz që nuk janë të autorizuar ligjërisht të qëndrojnë në Gjermani.

“Ne do të vazhdojmë të ruajmë kontrollet kufitare”, tha Dobrindt për podkastin “Table.Today”.

Ai shtoi se nuk do të ketë vetëm kontrolle, por edhe kthime mbrapsht.

Gjermania intensifikoi kontrollet kufitare, të cilat më parë ishin sporadike, në kufijtë e saj të jashtëm më 8 maj, me një urdhër të lëshuar nga Dobrindt menjëherë pasi qeveria e re e koalicionit e udhëhequr nga konservatorët mori detyrën.

Ai gjithashtu urdhëroi që migrantët e parregullt të kthehen mbrapsht në kufi edhe nëse ata aplikojnë për azil, një politikë e diskutueshme në Gjermani.

Ky veprim ka tërhequr kritika të forta nga disa vende fqinje.

Gjermania është pjesë e zonës Schengen, e cila është projektuar për të pasur kufij të hapur.

“Ne po punojmë për të organizuar fluturime shtesë dëbimi në Afganistan dhe gjithashtu në Siri”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ai deklaroi se kjo ishte “absolutisht e nevojshme” për të siguruar që njerëzit – përfshirë kriminelët – që nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë në Gjermani të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.

Në mesin e korrikut, qeveria deportoi 81 afganë në Afganistan me një aeroplan çarter.

Ky ishte vetëm fluturimi i dytë i tillë që kur talebanët islamikë rimorën pushtetin në gusht 2021./   /os/

 

The post BERLIN – Gjermania intensifikon kontrollet kufitare dhe premton riatdhesime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Kushtet për një takim me Zelenskyn nuk janë vendosur, takimi me Trump ndoshta në EBA

MOSKË, 7 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se “kushtet” për një takim ballë për ballë me Volodymyr Zelenskyn nuk janë vendosur, ndërsa homologu i tij ukrainas këmbëngul për një samit të tillë.

“Nuk kam asgjë kundër kësaj në përgjithësi; është e mundur, por duhet të përmbushen kushte të caktuara që kjo të ndodhë. Fatkeqësisht, ne jemi ende larg këtyre kushteve”, tha Putin, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Ai shtoi se takimi i tij me presidentin amerikan, Donald Trump, i planifikuar për ditët në vijim sipas Kremlinit, mund të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Kemi shumë miq që janë të gatshëm të na ndihmojnë të organizojmë këto lloj ngjarjesh. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Mendoj se do të vendosim, por ky do të ishte një nga vendet e përshtatshme”, u tha Vladimir Putin gazetarëve së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, të cilin e priti në Kremlin./ /os/

The post RUSI – Putin: Kushtet për një takim me Zelenskyn nuk janë vendosur, takimi me Trump ndoshta në EBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Familjet e pengjeve izraelite lundrojnë drejt Gazës me mesazhe shprese

TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-DPA/ – Të afërmit e pengjeve izraelite të mbajtura në Rripin e Gazës u nisën me një anije nga qyteti bregdetar i Ashkelonit për të dërguar mesazhe mbështetjeje për të dashurit e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e tyre të vështirë.

”50 janë pengjet që mbahen ende robër në Rripin e Gazës”, shkroi Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura në X.

Të afërmit do të udhëtojnë për rreth dy orë deri në një pikë pranë territorit të izoluar palestinez, raportoi portali izraelit i lajmeve ”Ynet”.

Prej andej, ata synojnë t’u dërgojnë mesazhe shprese familjeve të tyre.

Videot e fundit të publikuara nga organizata ekstremiste palestineze Hamas, që përshkruajnë dy pengje të dobësuara, kanë rritur shqetësimet për shëndetin e tyre dhe kanë intensifikuar thirrjet për t’i dhënë fund luftës.

Gjatë largimit të tyre, anëtarët e forumit kritikuan planin e udhëheqjes izraelite për të marrë plotësisht kontrollin e Rripit të Gazës, duke thënë se kjo do të rrezikonte jetën e pengjeve.

Plani mund të miratohet të enjten në mbrëmje./   /os/

 

The post TEL AVIV – Familjet e pengjeve izraelite lundrojnë drejt Gazës me mesazhe shprese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Jubile i artë për Charlize Theron

LOS ANXHELES, 7 gusht /ATSH-ANSA/ – Ylli i kinemasë, Charlize Theron mbush sot 50 vjeç dhe nuk mund të ishte më e lumtur se kaq.

“I thashë mamasë se mezi po e prisja këtë ditë ndërsa ajo më tha se do të jem më mirë kur të mbush 70 vjeçe!’, thekson aktorja hollivudiane.

“Ndihem padyshim me fat dhe e bekuar me gjene të shkëlqyera. Mendoj se do të jem mirë që këtej e tutje”, shton ajo.

Nëna e saj ishte një fanse e filmave të Chuck Norris dhe Charles Bronson, dhe babai i aktores preferonte shumë filmat Mad Max.

Gerda dhe Charles Jacobus Theron e kishin atë si fëmijën e tyre të vetëm në Benoni, Afrikën e Jugut, dhe e rritën në fermën familjare jashtë qytetit.

E regjistruar në kurse vallëzimi që në moshë të re, Charlize filloi karrierën e saj si balerinë.

Ajo kërkoi punë fillimisht në Evropë dhe më pas në Nju Jork.

Ishte nëna e saj Gerda ajo që i bleu biletën e parë për në Los Anxheles.

“Si fëmijë, kryesisht shikoja filma aksioni. Më pas shtova disa drama si ‘Kramer vs Kramer”, thotë ajo.

Kështu lindi një yll pa paragjykime gjinore, e aftë të ishte intensive dhe shkatërruese, ironike dhe sensuale.

Fama erdhi në vitin 1997 me ”Devil’s Advocate”, në të cilin ajo luajti gruan naive të Keanu Reeves, një praktikante avokate në studion ligjore të djallit Al Pacino.

Në vitin 1999, ajo luajti të dashurën e bukur të Paul Rudd, Candy, në ”The Cider House Rules”, dhe më pas luajti një paciente me diagnozën e kancerit në ”Sweet November”, përsëri me Reeves.

Zbulimi i saj erdhi në vitin 2004 me ”Monster”, në të cilin ajo luajti një prostitutë të shndërruar në vrasëse seriale pas viteve të abuzimit dhe dhunës.

Një rol për të cilin ajo nuk kishte asnjë hezitim për ta transformuar rrënjësisht fytyrën e saj, duke i fituar asaj çmimin Oskar si ‘’Aktorja më e Mirë’’.

Pasuan role të tjera sfiduese, si ‘’North Country’’ (2005), ku ajo luan një grua në vështirësi financiare që vuante ngacmimet në punë dhe në Bombshell (2019), rreth rastit të ngacmimit seksual që përfshin Roger Ailes, drejtorin e fuqishëm ekzekutiv të Fox News.

Charlize Theron është ambasadore e OKB-së për luftën kundër dhunës ndaj grave.

Ndërkohë, Theron fitoi gjithashtu titullin e mbretëreshës së filmave aksion nga ”Fury Road” (2015) te ”Atomic Blonde” (2017), ”Fast & Furious” dhe ”The Old Guard”./   /os/

 

The post KINEMA – Jubile i artë për Charlize Theron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Kremlini: Kemi filluar përgatitjet për samitin Trump-Putin

MOSKË, 7 gusht /ATSH-DPA/ – Kremlini konfirmoi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të takohen dhe se po bëhen përgatitje për një samit në ditët në vijim.

Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, konfirmoi takimin.

Trump dëshiron të takohet me Putinin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, sipas burimeve qeveritare gjermane pas një takimi midis presidentit të SHBA-së dhe udhëheqësve evropianë, përfshirë kancelarin Friedrich Merz.

Të mërkurën, Trump tha se ”Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të takohen shumë shpejt për të diskutuar përfundimin e luftës midis dy vendeve fqinje”.

I dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë në Kremlin të mërkurën dhe Ushakov e përshkroi vizitën si “të dobishme dhe konstruktive”./  /os/

 

The post MOSKË – Kremlini: Kemi filluar përgatitjet për samitin Trump-Putin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Spanja heq dorë nga planet për të blerë avionë F-35 nga SHBA-ja

MADRID, 7 gusht /ATSH-AA/ – Gazeta spanjolle “El Pais” ka njoftuar se Spanja ka hequr dorë nga plani i saj për të blerë avionë F-35 nga SHBA-ja dhe në vend të kësaj po kërkon alternativa nga Evropa.

Sipas gazetës, e cila citon burime qeveritare spanjolle, Spanja ka hequr dorë nga planet për të blerë F-35 nga SHBA-ja. Spanja ka pezulluar për një kohë të pacaktuar negociatat me Lockheed Martin me seli në SHBA, prodhuesin e F-35.

Ndërkohë, Spanja është drejtuar drejt alternativave evropiane si “Eurofighter” dhe po i vlerëson ato.

Qeveria spanjolle miratoi një plan shpenzimesh për mbrojtjen prej 12,126 miliardë dollarësh në prill dhe u zotua të ndajë dy për qind të Produktit të saj të Brendshëm Bruto për mbrojtje dhe siguri.

Megjithatë, vendimi i Madridit për të kanalizuar 85 për qind të këtyre fondeve për sistemet ushtarake të prodhuara në Evropë ka rënë ndesh me prioritetet e mbrojtjes kombëtare për blerjen e avionëve F-35 të prodhuara në SHBA./  /os/

The post MADRID – Spanja heq dorë nga planet për të blerë avionë F-35 nga SHBA-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 August 2025Main stream

FOKUS – BYD tejkalon edhe shitjet e ”Tesla”-s

BERLIN, 6 gusht /ATSH-AA/ – Sipas Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Automjeteve (SMMT) dhe autoritetit gjerman KBA, gjiganti amerikan i automjeteve elektrike ”Tesla” gjatë muajit korrik pësoi një rënie të mprehtë të shitjeve në dy tregjet më të mëdha të automobila ve në Evropë.

Sipas të dhënave të publikuara, regjistrimet e automjeteve të reja ranë me rreth 60 për qind në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbi 55,1 për qind në Gjermani.

Kompania shiti vetëm 987 njësi në Mbretërinë e Bashkuar, nga rreth 2 462 që kishte shitur një vit më parë, si dhe 1 110 njësi në Gjermani.

Ndërkohë, gjiganti kinez i automjeteve elektrike BYD në korrik u ngjit fuqishëm në të dy tregjet.

Shitjet në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 390 për qind, duke arritur në 3 184 njësi, ndërsa në Gjermani regjistrimet e kompanisë kineze u rritën pothuajse pesëfish, respektivisht në 1 126 njësi.

Pavarësisht rritjes së përgjithshme të tregut të automjeteve elektrike, me shitjet e automjeteve elektrike me bateri në Gjermani që u rritën me 58 për qind në 48 614 njësi dhe tregun e Mbretërisë së Bashkuar që u zgjerua me 9,1 për qind, ”Tesla” humbi ndjeshëm terren në rajon.

Të dhënat më të fundit konfirmojnë një rënie rajonale të shitjeve të kompanisë së Elon Musk, e cila po përballet me konkurrencë të ashpër, veçanërisht nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike, si dhe me dëme në imazhin e markës për shkak të komenteve përçarëse të Muskut dhe lidhjeve të tij me administratën e presidentit Donald Trump.

Kundërpërgjigja ndaj kësaj mund të ndihet më fuqishëm në Evropë, gjë që dëshmohet nga rënia e ndjeshme e shitjeve të kompanisë Tesla në rajon në gjysmën e parë të vitit.

Të dhënat nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave treguan një rënie prej 43,7 për qind nga viti në vit në gjashtëmujorin e parë të vitit.

”Tesla” gjithashtu humbi pjesë të tregut në Evropë për të gjashtin muaj radhazi në muajin qershor.   /os/

The post FOKUS – BYD tejkalon edhe shitjet e ”Tesla”-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Lapid: Pushtimi i Gazës ide e tmerrshme, Izraeli nuk e do atë

TEL AVIV, 6 gusht /ATSH-ANSA/ – I thashë kryeministrit Netanyahu se pushtimi i Gazës është një ide e tmerrshme, deklaroi sot udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid pas takimit me kryeministrin Benyamin Netanyahu.

‘’Nuk mund të ndërmerret një veprim i tillë pa mbështetjen e shumicës së popullsisë. Populli i Izraelit nuk është i interesuar në këtë luftë’’, mësohet t’i ketë thënë ai Netanyahut.

‘’Ne do të paguajmë një çmim shumë të lartë nëse kjo gjë ndodh”, theksoi udhëheqësi i opozitës Yair Lapid pas takimit me Netanyahun./   /os/

The post TEL AVIV – Lapid: Pushtimi i Gazës ide e tmerrshme, Izraeli nuk e do atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Witkoff mbërrin në Moskë për bisedime mbi luftën në Ukrainë

MOSKË, 6 gusht /ATSH-DPA/ – I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë për bisedime me udhëheqjen ruse, raportuan agjencive ruse të lajmeve.

Vizita e Witkoff vjen pak para afatit të caktuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për udhëheqjen e Moskës për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, përndryshe, Trump ka kërcënuar me sanksione kundër Rusisë dhe vendeve që blejnë naftë ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin deri më tani nuk ka treguar shenja të tërheqjes. Megjithatë, ai ka arritur vazhdimisht ta bindë Witkoff se Rusia është vërtet e gatshme të negociojë.

Kjo është vizita e pestë e Witkoff në Moskë këtë vit.

Rusia nisi një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës fqinje në shkurt 2022./   /os/

The post RUSI – Witkoff mbërrin në Moskë për bisedime mbi luftën në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Japonia lutet në heshtje në 80-vjetorin e bombës atomike

HIROSHIMA, 6 gusht /ATSH/ – Një lutje e heshtur u mbajt në Japoni sot në mëngjes, ndërsa shënoi 80-vjetorin që kur Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë atomike në qytetin e Hiroshimës.

Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba mori pjesë në ceremoni, së bashku me zyrtarë nga e gjithë bota dhe kryetarin e bashkisë së qytetit Kazumi Matsui.

Matsui paralajmëroi për një “trend global në përshpejtim drejt ndërtimit ushtarak… dhe idesë se armët bërthamore janë thelbësore për mbrojtjen kombëtare” duke thënë se kjo ishte një “shpërfillje flagrante e mësimeve që bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte nxjerrë nga tragjeditë e historisë”.

Lufta e Dytë Botërore përfundoi me dorëzimin e Japonisë pas hedhjes së bombave në Hiroshima dhe Nagasaki.

Bombat vranë më shumë se 200 000 njerëz – disa nga shpërthimi i menjëhershëm dhe të tjerë nga sëmundja e rrezatimit dhe djegiet.

Kjo ngjarje vazhdon t’i përndjekë edhe sot të mbijetuarit.

“Babai im u dogj keq dhe u verbua nga shpërthimi. Lëkura e tij varej nga trupi – ai nuk mund të më mbante as dorën”, tha i mbijetuari i Hiroshimës, Shingo Naito.

Ai ishte gjashtë vjeç kur bomba goditi qytetin e tij, duke vrarë babanë dhe dy vëllezërit e motrat e tij më të vegjël.

Naito ndau historinë e tij me një grup studentësh në Hiroshima, të cilët po i shndërrojnë kujtimet e tij të tragjedisë në art.

Në vitin 2024, Nihon Hidankyo, një grup japonez i të mbijetuarve të bombës atomike, fitoi çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tyre për të çliruar botën nga armët bërthamore./ /os/

The post FOKUS – Japonia lutet në heshtje në 80-vjetorin e bombës atomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Danimarka, Norvegjia dhe Suedia blejnë armë amerikane për Kievin

BRUKSEL, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Danimarka, Norvegjia dhe Suedia kanë njoftuar një angazhim të përbashkët prej afërsisht 500 milionë dollarësh për të blerë armë amerikane si pjesë e programit të mbështetjes ushtarake të koordinuar nga NATO.

“Jam mirënjohës ndaj Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë për veprimin e tyre të shpejtë për të financuar një paketë mbështetjeje ushtarake amerikane për Ukrainën”, shkroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në X.

”Këto ndihma do të sigurojnë pajisje shpëtimtare dhe furnizime thelbësore në vijat e frontit, duke forcuar pozicionin e Ukrainës dhe duke e ndihmuar atë të pengojë agresionin në ndjekje të paqes së qëndrueshme”, theksoi Rutte./   /os/

 

The post FOKUS – Danimarka, Norvegjia dhe Suedia blejnë armë amerikane për Kievin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Përse macet janë një kryevepër biologjike?!

ROMË, 5 gusht /ATSH/ – Macet janë më shumë sesa thjesht të adhurueshme, shkruan faqja e internetit travly.com.

Trupat e tyre janë biologjikisht të perfeksionuara për mbijetesë, fshehtësi dhe saktësi. që nga kthetrat e tyre, shtylla kurrizore fleksibël, shikimi i tyre i jashtëzakonshëm natën dhe deri tek reflekset e shpejta, pra, çdo pjesë e një maceje është projektuar me një qëllim.

Aftësia e tyre për t’u ulur, për t’u ngjitur me lehtësi dhe për të lëvizur në heshtje pa u kuptuar i bën ato një nga gjuetaret më efikase në mbretërinë shtazore.

Mjaullima e tyre nuk është thjesht e lezetshme: studimet sugjerojnë se mund të ndihmojë në uljen e stresit.

Ajo që duket si një sy gjumë i ngadaltë pasdite ose një kërcim i gjallë është në të vërtetë rezultat i miliona viteve të rregullimit të imët evolucionar.

Shkencëtarët tani thonë se macet mund të jenë gjëja më e afërt me përsosmërinë që natyra ka krijuar./ /os/

The post SOFT NEWS – Përse macet janë një kryevepër biologjike?! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli duhet të mposhtë Hamasin dhe të lirojë pengjet

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli duhet ta “mposhtë plotësisht” Hamasin në Gaza për të siguruar lirimin e pengjeve, përpara një takimi të kabinetit të tij të sigurisë që synon konsolidimin e një faze të re të luftës në territorin e shkatërruar palestinez.

“Është e nevojshme të mposhtim plotësisht armikun në Gaza, të çlirojmë të gjitha sulmet tona dhe të sigurohemi që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin. Ne nuk do të braktisim asnjë nga këto misione”, theksoi Netanyahu gjatë një vizite në një bazë ushtarake.

Shtypi izraelit, duke cituar zyrtarë që flasin në kushte anonimiteti, parashikon unanimisht një përshkallëzim të mëtejshëm të operacioneve në Gaza.

“Netanyahu dëshiron që ushtria izraelite të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës”, përmbledh radioja publike ”Kan”.

Disa ministra konfirmuan se ai ”ka vendosur të zgjerojë luftimet në zonat ku mund të mbahen pengje”./   /os/

 

 

The post TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli duhet të mposhtë Hamasin dhe të lirojë pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MV – Davkova: Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për urrejtje racore dhe ofendime

SHKUP, 5 gusht /ATSH-MIA/ – Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për “trajnim” të fjalisë së urrejtjes, ofendimit dhe satanizimit me fjalë helmuese dhe vrasëse, deklaroi presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pas brohoritjeve fyese kundër shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit mes MV dhe Rumanisë.

”Pas aq humbjeve njerëzore në fushat sportive, duhet të themi qartë dhe zëshëm: Asnjëherë më, kudo që të jemi, me cilindo që garojmë, nuk do të lejojmë që fusha e sportit të shndërrohet në arenë gladiatorësh”, theksoi ajo.

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv disa tifozë të pandërgjegjshëm kanë  shprehur urrejtje jo vetëm ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarët, por ndaj të gjithëve, madje ndihemi të turpëruar”, thekson presidentja.

Në postim presidentja Davkova thekson se nuk e kemi nxjerrë mësimin pas ndeshjes midis Shkëndisë dhe kampionit të Uellsit TNS, të luajtur në mes të korrikut.

“Nga mesi i korrikut, në ndeshjen midis Shkëndisë dhe kampionit të Uellsit TNS, me fyerjet raciste ndaj futbollistit Aramide Ote, ne shokuam tërë botën sportive, por edhe më gjerë, e cila me të drejtë pyeti: Si është e mundur që një tifoz i pandërgjegjshëm ta thyejë emocionalisht një lojtar të nivelit të lartë futbolli deri në lot, duke përdorur gjuhë urrejtjeje mbi baza racore? Turpi ra mbi të gjithë, organizatorin, klubin, pjesëmarrësit, qytetin, vendin dhe sportin!, shkroi presidentja në rrjetin social Facebook./ /os/

The post MV – Davkova: Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e sportit për urrejtje racore dhe ofendime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMSTERDAM – Holanda i dorëzon Kievit armatime me vlerë 500 milionë euro

AMSTERDAM, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Holanda njoftoi se do të bëhej vendi i parë i NATO-s që do të blinte sisteme të mbrojtjes ajrore amerikane për t’i dërguar Ukrainës.

“Ukrainës i duhen më shumë mbrojtje ajrore dhe municione tani”, theksoi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans në një postim në X.

“Si aleate e NATO-s, Holanda do të ofrojë një paketë sistemesh armësh amerikane, duke përfshirë komponentë dhe raketa ‘Patriot’ me vlerë 500 milionë euro. Kjo do ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë veten dhe pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, shkroi ai.

Në korrik, presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se do të autorizonte shitjen e sistemeve të mbrojtjes raketore ”Patriot”, të prodhuara në SHBA, vendeve evropiane të NATO-s, të cilat nga ana tjetër do t’i furnizonin ato Ukrainës.

“Holanda është vendi i parë që ndjek marrëveshjen e armëve NATO-SHBA, e cila përfshin blerjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore për Ukrainën”, shkroi kryeministri Dick Schoof në X.

“Këto armë janë absolutisht të nevojshme. Ukraina vazhdon të luftojë çdo ditë për të mbrojtur veten nga agresioni rus, siç janë sulmet me dronë në shkallë të gjerë. Duke vepruar kështu, Ukraina po lufton gjithashtu për liri dhe siguri në Evropë”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili foli në telefon me Schoof  tha se ishte “sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e tyre të konsiderueshëm në forcimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës”./  /os/

The post AMSTERDAM – Holanda i dorëzon Kievit armatime me vlerë 500 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Konfliktet ushtarake po ndryshojnë aviacionin botëror

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ – Lart në qiell, linjat e njohura të udhëtimeve botërore ajrore po zhduken. Aty, ku dikur pilotët fluturonin në rrugë të drejtpërdrejta transkontinentale, tani ata po navigojnë në një qiell që duket si xham i thyer – miliona fluturime që po realizohen përmes korridoreve të mbipopulluara.

Në të njëjtën kohë, hapësira të mëdha ajrore, çuditërisht, mbeten bosh ose gumëzhijnë nga raketat dhe dronët.

Ky ndryshim nuk është i rastësishëm. Përhapja e luftërave, armiqësive rajonale dhe përshkallëzimeve ushtarake vitet e fundit i ka bërë qiejt e botës më të rrezikshëm dhe më të paparashikueshëm se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë.

Nga Rusia te Lindja e Mesme e deri në Afrikë, “zonat e ndalim-fluturimit” janë rritur, duke e futur aviacionin ndërkombëtar në krizë dhe duke e riformësuar ekonominë, sigurinë dhe fluturimet.

Kaosi ajror i Rusisë

Në fillim të korrikut të vitit 2025, kaosi përfshiu aeroportet në mbarë Rusinë. Vetëm gjatë fundjavës së 5 dhe 6 korrikut, mbi 2 000 fluturime u anuluan ose u shtyn pas një sërë sulmesh me dronë të kryer nga Ukraina, që shkaktuan mbylljen e një pjese të madhe të hapësirës ajrore ruse.

Në aeroportin Sheremtjevo të Moskës, pasagjerja Tatyana e përshkroi situatën si “një katastrofë”. Vendet e pritjes ishin të mbingarkuara, me njerëz të shtrirë në dysheme dhe shërbimet bazë, sikurse uji i pijes ishin të harxhuara.

“Nuk kishte ku të uleshe dhe njerëzit po flinin nëpër pllaka”, tha ajo.

Në Shën Petërburg, taksistët kërkonin deri në 80 000 rubla (1 025 dollarë) për udhëtimet drejt Moskës, pasi biletat e trenit u shitën të gjitha pas mbylljeve në aeroportin ”Pulkovo”.

Vetëm më 6 korrik, më shumë se 15 000 pasagjerë mbetën të bllokuar në ”Sheremetjevo”, ndërsa aeroportet më të vogla në Kaluga, Tambov dhe Pskov pezulluan të gjitha operacionet.

Zyrtarët rusë të mbrojtjes pretenduan se kishin rrëzuar deri në 120 dronë atë natë, disa prej të cilëve u rrëzuan vetëm disa kilometra larg Moskës. Autoritetet përmendën “ndërhyrje të jashtme” si arsye për mbylljet e përsëritura të hapësirës ajrore, që tani janë bërë gjë e zakonshme. Në Rusi aeroportet janë mbyllur mbi 600 herë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Të bllokuar në qiell

Por, nëse bllokimi në një aeroport është i tmerrshëm, imagjinoni nëse mbesni të bllokuar në qiell. Në qershor të këtij viti, pasi Irani lëshoi raketa drejt bazës amerikane ”Al Udeida” në Katar, shtetet përreth menjëherë mbyllën hapësirat e tyre ajrore. Një aeroplan i kompanisë Qantas, nga Perthi në Paris qëndroi 15 orë në ajër duke bërë ecejake përpara se të kthehej në Australi. Një tjetër u detyrua që të devijonte fluturimin për në Singapor.

Tensionet Indi-Pakistan në maj të vitit 2025 çuan në mbylljen e korridoreve kyç ajrore, duke detyruar që fluturimet mes Evropës dhe Azisë Juglindore të përshkonin rrugë më të gjata dhe më të shtrenjta. Kohëzgjatja e fluturimeve u shtua deri në dhjetë orë, ndërsa ndalesat e paparashikuara për furnizim me karburant në aeroporte të panjohura u bënë rutinë.

Të dhënat nga ”Flightradar24” tregojnë se pilotët tani përballen me “korridore super të ngarkuara” – rrugë të ngushta të mbushura me aeroplan dhe me zona, në të dyja anët, ku ka ndalesë fluturimi. Fluturimet në një trafik të tillë të rënduar rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve, ndërkohë që kontrollorët e trafikut ajror bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për ta menaxhuar situatën.

Mbi Detin e Kuq, Libinë, Sudanin, Sirinë dhe në disa pjesë të Afrikës Sub-Sahariane, fluturimet po devijohen gjithnjë e më shumë për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Kontrolli ajror në zonat e konfliktit shpesh është i çrregullt ose nuk ekziston fare, dhe pilotët detyrohen të koordinojnë devijimet në ajër duke përdorur kanale të vjetruara ose rrugë alternative komunikimi.

Pasojat mjedisore dhe ekonomike

Të gjitha këto devijime të fluturimeve kanë një kosto të madhe për mjedisin. Sipas një studimi të fundit të kryer nga Universiteti Reading në Mbretërinë e Bashkuar dhe Institut Pierre-Simon Laplace në Francë, shmangia e hapësirës ajrore ruse ka shkaktuar një rritje prej 8.2 milionë tonësh në emetimet e CO2 brenda një viti. Fluturimet që janë prekur nga ky devijim kanë djegur mesatarisht 13 për qind më shumë karburant, dhe rritja më e madhe është regjistruar në rrugët ajrore ndërmjet Evropës dhe Azisë si dhe Amerikës së Veriut dhe Azisë.

Një hulumtim tjetër, i kryer më 2024 nga Viktoriia Ivannikova, studiuese e njohur në fushën e aviacionit në Universitetin City të Dublinit, gjeti se fluturimet e devijuara nga Evropa drejt Azisë tani i kushtojnë linjave ajrore deri në 39 për qind më shumë për karburant dhe lëshojnë deri në 40 për qind më shumë dyoksid karboni – shifra të mëdha për një industri që tashmë po përballet me presion të madh për dekarbonizim.

Fituesit dhe humbësit në luftërat e qiellit

Transportuesit ajrorë kinezë kanë përfituar nga mundësia për të përdorur hapësirën ajrore ruse. Rrugët e tyre nga Evropa drejt Azisë janë më të shpejta dhe më të lira, duke rritur konkurrencën për kompanitë perëndimore që nuk kanë qasje në të njëjtat korridore.

”British Airways”, për shembull, u detyrua të anulonte linjën Londër-Pekin dhe njërën nga fluturimet ditore Londër-Hong Kong gjatë verës së vitit 2024 për shkak të humbjeve të mëdha financiare.

”Finnair”, kompania kryesore e Helsinkit, e ka humbur avantazhin e saj në lidhjen midis Evropës dhe Azisë. Një fluturim për në Shangai, që dikur zgjaste 9,1 orë me kompaninë ajrore kineze ”Juneyao”, tani zgjat 12 orë ose më shumë me ”Finnair”.

Edhe në Shtetet e Bashkuara, kompanitë ajrore po ndiejnë presionin. Kompania ”United Airlines”, për shembull, e ka zhvendosur itinerarin Delhi–Njuark nga një fluturim i drejtpërdrejtë 13-orësh në një udhëtim 15-orësh përmes Evropës dhe Lindjes së Mesme, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore ruse. Kjo përshtatshmëri, megjithëse është përgjigje ndaj vështirësive, është një dëshmi e qëndrueshmërisë së industrisë së aviacionit.

Kompania ”Air India” fillimisht e kapitalizoi këtë situatë, por më pas e humbi avantazhin pas kufizimeve në hapësirën ajrore nga Pakistani, pas sulmit terrorist në prill të këtij viti në Kashmirin e kontestuar.

Raketat në qiell

Në rajonet pranë zonave të luftës, qiejt më nuk janë vetëm domenë për aeroplanët komercialë. Aktiviteti ushtarak tani është edhe në rrugët civile. Në shkurt, Kina zhvilloi stërvitje detare ushtarake pa paralajmërim në Detin Tasman. Aeroplanët komercialë u detyruan të ndryshonin rrugën gjatë fluturimit pasi një pilot i ”Virgin Australia” mori gabimisht një paralajmërim në një frekuencë radioje të papërdorur.

Në dhjetor të vitit 2024, një sistem rus i mbrojtjes ajrore aksidentalisht rrëzoi një fluturim të AZAL nga Azerbajxhani pranë Aktaut në Kazakistan.

Tridhjetë e tetë nga 67 personat në bord humbën jetën./ (REL)  /os/

The post KOMENT – Konfliktet ushtarake po ndryshojnë aviacionin botëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Përplasja me një shpend detyron avionin për ulje emergjente

MADRID, 4 gusht /ATSH-ANSA/ – Një fluturim nga Madridi për në Paris u detyrua bënte ulje emergjente, pas një përplasjeje me një shpend të madh menjëherë pas ngritjes duke dëmtuar avionin dhe duke alarmuar pasagjerët.

”Airbus A321XLR”, i ri, në shërbim vetëm prej disa javësh, pësoi dëmtime në një nga motorët e tij dhe në pjesën e përparme, gjatë incidentit të së dielës pasdite.

Media raportoi se në bordin e fluturimit kishte 182 pasagjerë.

”Iberia” theksoi se ekuipazhi veproi menjëherë në përputhje me protokollet e sigurisë dhe nisi një kthim të sigurt në aeroportin e Madridit.

Videot e postuara në internet tregojnë pasagjerë që mbanin maska oksigjeni gjatë incidentit dhe një vrimë në pjesën e përparme të aeroplanit.

”Goditjet me shpendët janë relativisht të zakonshme”, tha kontrollori i trafikut ajror të Madridit, Juan Gómez, në një intervistë me kanalin televiziv RTVE të dielën në mbrëmje.

Ai tha se dëmi ishte më pak serioz nga sa duket në imazhe.

“Pjesa e përparme e aeroplanit është gjithmonë e bërë nga një material shumë i lehtë sepse përmban një radar moti të aftë për të zbuluar stuhitë që afrohen”, theksoi Gómez.

“Shpendët janë një rrezik i njohur dhe i kontrolluar në industrinë e aviacionit”, shkroi portali i specializuar ”Aviacionline”.

Aeroportet marrin masa të ndryshme për të zvogëluar praninë e tyre pranë pistave, por përplasjet nuk mund të shmangen gjithmonë.

Sipas portalit, certifikimi i motorëve reaktivë përfshin testime rigoroze për të siguruar besueshmërinë e tyre./  /os/

The post MADRID – Përplasja me një shpend detyron avionin për ulje emergjente appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Evropa Veriore goditet nga një valë të nxehti të papërjetuar më parë

STOKHOLM, 4 gusht /ATSH-ANSA/ – Vendet nordike po përjetojnë një vapë vërtet të paparë.

”The Guardian” raporton se një stacion meteorologjik në pjesën norvegjeze të Arktikut regjistroi temperatura mbi 30 gradë Celsius për 13 ditë në korrik, ndërsa Finlanda pati tre javë radhazi me të njëjtën temperaturë.

Shkencëtarët thonë se kjo është seria më e gjatë e regjistruar që nga viti 1961 dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm.

“Një valë vape vërtet e paparë është ende në kulmin e saj, me temperatura maksimale rreth 32-33°C”, tha Mika Rantanen, një klimatolog në Institutin Meteorologjik Finlandez, në një postim në mediat sociale.

“Rajonet e Arktikut kanë regjistruar gjithashtu tre javë temperatura mbi 25 gradë Celsius dhe mund të barazohen me rekordet e tyre të nxehtësisë së gushtit”, shtoi ai./   /os/

The post METEO – Evropa Veriore goditet nga një valë të nxehti të papërjetuar më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Tajani: Pro shtetit palestinez, por ai duhet të ndërtohet më parë

ANKONA, 4 gusht /ATSH-ANSA/ – Ne jemi “pro njohjes së shtetit palestinez”, por “njohja e diçkaje që nuk ekziston është jorealiste, ndërsa puna për ndërtimin e shtetit palestinez është konkrete”, deklaroi ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani në një takim në Ankona për të prezantuar masat e qeverisë për rajonin Marche.

“Ne jemi absolutisht pro njohjes së shtetit palestinez. Procesi, për sa na përket neve, ka kohë që ka filluar. Në të gjitha takimet që kemi zhvilluar me vendet e Gjirit, të gjitha vendet arabe, përfshirë Egjiptin, gjithmonë kemi thënë se Palestina, aktualisht e ndarë në dy pjesë: Bregu Perëndimor dhe Gaza, duhet të rindërtohet. Ne jemi gjithashtu të gatshëm të dërgojmë trupat tona në një mision të mundshëm të Kombeve të Bashkuara të udhëhequr nga arabët për të rindërtuar shtetin palestinez”, deklaroi ai.

“Ne gjithashtu besojmë fuqimisht në propozimet egjiptiane, të miratuara nga e gjithë bota arabe, për të ardhmen e Gazës pas armëpushimit”, theksoi Tajani.

“Asnjë palestinez nuk duhet të largohet nga Gaza: ata duhet të jetojnë në shtëpinë e tyre, në një shtet të ri. Ne kemi bashkëpunuar me vendet e Gjirit dhe Egjiptin për muaj të tërë për të arritur këtë qëllim. Ne do të marrim pjesë në konferencën e ardhshme që do të mbahet në Egjipt, ashtu siç morëm pjesë në të fundit të organizuar për të ardhmen e Gazës dhe rindërtimin e saj. Tani duhet të shtyjmë përpara për t’i dhënë fund bombardimeve. I kemi thënë qeverisë izraelite: jo më bombardime. I themi Hamasit: jo më përdorimin e popullit palestinez si mburoja njerëzore”, shtoi ai.

“Të gjitha pengjet duhet të lirohen: kemi parë imazhe tronditëse nga Gaza. Jo më vdekje, jo më viktima të pafajshme. Jo më të shtëna ndaj të krishterëve. Jo më sulme ndaj fshatrave të krishtera në Bregun Perëndimor. Të krishterët e pranishëm në Lindjen e Mesme janë një element stabiliteti dhe paqeje. Përpjekja për të eliminuar praninë e krishterë në Gaza ose në Bregun Perëndimor është një gabim i rëndë’’, theksoi ai./ /os/

The post ITALI – Tajani: Pro shtetit palestinez, por ai duhet të ndërtohet më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 600 zyrtarë izraelitë i kërkojnë Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH/ – Një grup prej rreth 600 zyrtarësh izraelitë të sigurisë, që kanë dale në pension, përfshirë ish-krerë të agjencive të shërbimit sekret, i kanë shkruar presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ushtruar presion mbi Izraelin që të përfundojë menjëherë luftën në Gaza, shkruan BBC.

“Është bindja jonë profesionale se Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin”, theksuan zyrtarët.

“Besueshmëria juaj me shumicën dërrmuese të izraelitëve rrit aftësinë tuaj për të drejtuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe qeverinë e tij në drejtimin e duhur: për t’i dhënë fund luftës, për të kthyer pengjet dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve”, shkruanin ata.

Apeli i tyre vjen në një kohë kur thuhet se Netanyahu po shtyn përpara zgjerimin e operacioneve ushtarake në Gaza, ndërsa bisedimet indirekte për armëpushim me Hamasin kanë ngecur.

Mundësia e një përshkallëzimi të ri në Gaza mund të zemërojë më tej aleatët e Izraelit, të cilët kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa raportet për palestinezë që vdesin nga uria ose kequshqyerja po tronditin botën.

Grupi kryesor që mbështet familjet e pengjeve dënoi idenë e një ofensive të re ushtarake, duke deklaruar se “Netanyahu po e çon Izraelin dhe pengjet drejt shkatërrimit”.

Ky qëndrim u shpreh në mënyrë të qartë në letrën drejtuar Trump nga ish-shefi i Mossadit, Tamir Pardo, ish-shefi i Shin Bet, Ami Ayalon, ish-kryeministri Ehud Barak dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Moshe Yaalon.

“Në fillim, kjo luftë ishte një luftë e drejtë, një luftë mbrojtëse, por kur arritëm të gjitha objektivat ushtarake, kjo luftë pushoi së qeni një luftë e drejtë”, thekson Ayalon.

“Ndalo luftën në Gaza! Në emër të CIS, grupit më të madh të Izraelit të ish-gjeneralëve të IDF-së dhe ekuivalentëve nga Mossadi, Shin Bet, ju nxisim të përfundoni luftën në Gaza. Ju e bëtë në Liban. Është koha ta bëjmë edhe në Gaza”, i shkruan ata presidentit të SHBA-së.

Izraeli përballet me një izolim ndërkombëtar në rritje, ndërsa shkatërrimi i përhapur në Gaza dhe vuajtjet e palestinezëve shkaktojnë zemërim.

Sondazhet në të gjithë botën sugjerojnë se opinioni publik është gjithnjë e më negativ ndaj Izraelit, duke ushtruar presion mbi udhëheqësit perëndimorë për të vepruar./  /os/

The post FOKUS – 600 zyrtarë izraelitë i kërkojnë Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌