Netanyahu po bën gabimin strategjik që do ta armiqësojë botën
Izraelitët po bëjnë të njëjtin gabim që bëri Amerika në Irak dy dekada më parë.
Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Duke kërkuar të pushtojë të gjithë Gazën, Benjamin Netanyahu po e çon luftën deri në përfundimin e saj logjik. Hamasi ishte përgjegjës për 7 tetorin; Izraeli nuk do të jetë kurrë i sigurt derisa Hamasi të zhduket, dhe duke qenë se Hamasi kontrollon Gazën, pse të mos e shkulë atë nga çdo centimetër i territorit?
Por, izraelitët po hyjnë pa një plan daljeje, me ëndrrën e çmendur për të ndërtuar një administratë civile miqësore, duke përsëritur saktësisht të njëjtat gabime që bëmë në Irak. Netanyahu mendon se mund të shkatërrojë frymën revolucionare palestineze të cilën lufta ka gjasa ta ketë intensifikuar. Për një njeri të fiksuar pas botës së lashtë, ai ka njohuri të vakët të historisë.
Ai gjithashtu ka përçarë ushtrinë e vet. Ka armiqësuar familjet e pengjeve që kanë frikë se të afërmit e tyre mund të vdesin. Dhe, më në fund, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, ai do ta izolojë Izraelin nga opinioni botëror. Edhe në Amerikë, e vetmja fuqi serioze që e mbështet, durimi dhe ndërgjegjja janë nën presion të madh.
Gaza është bërë testi moral i kohës sonë, dhe qeveritë evropiane dyshojnë se kanë dështuar. Kujdesi i tyre fillestar ishte i kuptueshëm. Ata nuk donin ta dënonin Netanyahun, nga frika se kjo do t’u jepte guxim antisemitëve vendas dhe mbështetësve të tyre – e aq më pak Hamasit, përfituesit kryesor nëse do të njihnim shtetin palestinez. Gazetarët, përfshirë edhe mua, hezitonin të përsërisnin statistikat e vdekjeve që mund të ishin fryrë nga një regjim kriminal.
Por, tani është e pamundur të injorosh provat e vuajtjes njerëzore ose farsën e narrativës zyrtare izraelite që thotë se askush nuk po vuan nga uria, ose, nëse po, kjo është kështu sepse Hamasi ka vjedhur gjithë ushqimin. Pretendimi i fundit u hodh poshtë së fundmi nga zyrtarë ushtarakë izraelitë – jo aleatë natyrorë të Palestine Action – dhe Netanyahu gjendet i sfiduar nga një koalicion shumëngjyrësh që përfshin Kombet e Bashkuara, Gjermaninë, Kinën, një ish-kryeministër izraelit, disa ish-krerë të sigurisë, Papa dhe Piers Morgan (sublimja dhe qesharakja të bashkuara më në fund).
Thuhet se Bibi është grindur me gjeneralin Eyal Zamir, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura. Duket se izraelitët e djathtë janë më të gatshëm të marrin një qëndrim kundër Netanyahut sesa diplomatët e huaj të pasigurt. Nëse Zamiri është antisemit, atëherë Papa nuk është katolik.
Në Shtetet e Bashkuara, New York Times, deri më tani i butë ndaj operacionit në Gazë, është bërë një forum për zërat kundërshtarë, dhe Zohran Mamdani, kandidati pro-Gazë për kryetar bashkie të Nju-Jorkut, kryeson mes votuesve hebrenj. Liberalët po rishikojnë aleancat e tyre historike; ka pakënaqësi edhe në të djathtën fetare. Ungjillorët gjithmonë do ta duan Izraelin: është vendlindja e Jezusit. Por, po rritet shqetësimi se Izraeli mund të mos jetë aq i mirë me të krishterët.
Në korrik, kolonët kryen një sulm zjarrvënës në qytetin e fundit me shumicë të krishterë në Bregun Perëndimor. Po atë muaj, kisha e vetme katolike në Gazë u godit nga zjarri i tankeve izraelite, duke vrarë tre persona (Netanyahu kërkoi falje për atë që duket si një aksident i vërtetë). “Shkatërrimi i një kishe, xhamie apo sinagoge është krim kundër njerëzimit dhe Zotit”, shkroi ambasadori amerikan Mike Huckabee, një sionist i krishterë. Senatori Lindsey Graham, gjithashtu nga ai rreth, tha: “Më shqetëson ajo që po ndodh në Bregun Perëndimor”.
Një cinik mund të ketë vënë re më shumë shqetësim për dëmtimin e pronës së krishterë sesa ka pasur ndonjëherë për shkatërrimin e spitaleve myslimane, një standard i dyfishtë po aq i vjetër sa mëkati. Pse Britania hapi dyert e saj pothuajse për këdo me pasaportë ukrainase, ndërsa ngurron të pranojë fëmijë nga Gaza? Për shkak të preferencës etnike. Nga ana tjetër, Izraeli mund të argumentojë se është një shoqëri multi-fetare që po bën më të mirën për të mbrojtur komunitetin druze në Siri, ndërsa Palestina ka kaq pak kisha për një arsye të errët. Të krishterët gëzojnë shumë më tepër të drejta nën Izrael sesa do të kishin nën Hamas.
Megjithatë, raportet për mizoritë gjatë luftës civile në Irak i zgjuan të krishterët amerikanë ndaj gjendjes së rrezikshme të besimit të tyre në Lindjen e Mesme, të reduktuar në një popullsi të vogël, e varur nga një moskokëçarje dashamirëse brenda një mozaiku të rrënuar etnik. Netanyahu rrezikon të prishë atë rend të brishtë, ndërsa koalicioni i tij qeverisës imagjinon një “Izrael të Madh” që nënkupton shovinizëm kulturor. Regjimi po e tepron, duke e kthyer çështjen e të drejtave civile për sionizmin (hebrenjtë kanë nevojë për një atdhe) në një përpjekje të pafundme ushtarake, shumë të diskutueshme dhe të kushtueshme.
Nëse Trumpi heziton të financojë mbrojtjen e Ukrainës, pse do ta bënte këtë për Izraelin? Komprometimi i interesave dhe reputacioni i Amerikës ka nisur tashmë me programin e shpërndarjes së ushqimit të mbështetur nga ShBA-ja – duke u akuzuar për paaftësi të madhe, madje edhe për rastet kur ushtarët kanë qëlluar mbi civilët.
Lidhja e Trumpit me Izraelin është e sinqertë. Është personale, është filozofike. Besimi i Netanyahut se kombet kanë të drejtë të mbrojnë veten është një version sionist i MAGA-s. Një nga veprimet e para të administratës ishte heqja e sanksioneve ndaj kolonëve. Brenda pak muajsh, kolonët rrahën për vdekje një qytetar amerikan në Bregun Perëndimor; një tjetër vdiq pas një sulmi zjarrvënës.
Presidenti nuk është moralist, por ka një instinkt të shëndetshëm moral, prandaj kur u pyet nëse palestinezët po vuajnë nga uria, ai tha: “Po, ndoshta po” – i ndikuar, mesa duket, nga Keir Starmer. Netanyahu kërkoi një bisedë; sipas raporteve, Trumpit nuk i pëlqeu të dëgjonte leksione për “lajme të rreme” dhe bërtiti në telefon se uria është reale.
Lavdi komandantit. Vërejtja e tij për gazetarët se “ne në thelb kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe kaq fort saqë nuk e dinë më se çfarë po bëjnë”, mbetet shprehja më e mirë e frustrimit global që kam dëgjuar ndonjëherë, e denjë për t’u gdhendur në Malin Sinai. Dhe, nëse Trumpi është ndonjë lloj liberali “delikat”, ndoshta Papa është luteran.
Trumpizmi bazohet në një ripozicionim strategjik: ta nxjerrë Amerikën nga vendet ku nuk ka nevojë të jetë dhe t’ua lërë aleatëve të fortë boshllëkun për të mbushur. Por, Netanyahu po i imponon atij problemin më të pazgjidhshëm e më të kushtueshëm nga të gjithë: një krizë humanitare të cilën ai do ta përkeqësojë nëse qyteti i Gazës është stacioni i ardhshëm.
A do ta tolerojë vërtet Trumpi një përshkallëzim të tillë? A do t’ia falë elektorati i tij – që po përballet gjithnjë e më shumë me ndërgjegjen e krishterë – pasojat e përgjakshme? Izraelitët gjithmonë u kanë thënë palestinezëve se, nëse nuk duan të vriten, thjesht duhet të mblidhen dhe të ikin. Por, ndërsa lufta po përfundon marshimin e saj të tmerrshëm drejt Detit Mesdhe, lind pyetja: ku pritet të shkojnë ata? Ka dhoma të kufizuara në jahtin e Gretës! /Telegrafi/
The post Netanyahu po bën gabimin strategjik që do ta armiqësojë botën appeared first on Telegrafi.