Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Notuan drejt lirisë/ Përkujtimi i guximit të të rinjve që sfiduan komunizmin

By: Rovena
10 August 2025 at 12:43

Përmes notit në një distancë rreth 5 km deri në derdhje të Bunës, disa qytetarë përkujtuan dhjetëra djem dhe vajza që rreth 4 dekada më parë notuan nën presionin e armëve, duke sfiduar komunizmin e duke kaluar kufirin me not.

Për organizatorin ky demostrim është mirënjohje dhe respekt për ata që treguan se liria fitohet edhe në periudhat më të errëta.

Pjesëmarrësit nuk ishin vetëm nga Shkodra, por edhe nga qytete të tjera, thonë se e pritën me kënaqësi ftesën për të kujtuar të kaluarën që nuk duhet harruar.

Të izoluar dhe në kushte të vështira, dhjetëra djem e vajza morën guximin që përmes ujit të kalonin në Mal të Zi. Disa prej tyre arritën të arratiseshin, ndërsa të tjerë mbetën të vrarë nga regjimi i kohës. Ky është viti i dytë që organizohet një aktivitet i tillë përkujtues nën moton “Noto drejt Lirisë”./abcnews.al

Shiste kokainë dhe kanabis në zonën e Livadhit/ Pranga 28-vjeçarit në Vlorë

By: Rovena
10 August 2025 at 12:39

Vihet në pranga një 28-vjeçar në Vlorë, që shiste kokainë dhe kanabis në zonën e Livadhit. Sekuestrohen sasi lëndësh narkotike, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit fizik dhe të dhomës ku ky shtetas ishte akomoduar, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: sasi me lëndë narkotike kokainë në rreth 120 doza; sasi me lëndë narkotike kanabis në rreth 65 doza; një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas e përgatiste lëndën narkotike në doza në dhomën ku ishte akomoduar e më pas e shiste atë në zonat turistike të vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Kundër pushtimit të Gazës/ Mijëra njerëz nga Tel Avivi, në Stamboll e Kili kundër planit të Izraelit

By: Rovena
10 August 2025 at 12:30

Nga Tel Avivi në Stamboll e në Kili, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër planit izraelit për pushtimin e qytetit të Gazës.

Mijëra protestues marshuan nëpër Tel Aviv të shtunën në atë që ishte një nga tubimet më të mëdha në qytet që nga fillimi i luftës.

Të afërmit dhe mbështetësit e pengjeve izraelite që mbahen në Rripin e Gazës morën pjesë në tubim duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës.

Ata theksuan se nuk janë dakord me vendimet e qeverisë izraelite dhe madje e fajësojnë për të gjitha tragjeditë që ndodhën në tetor të vitit 2023, kur Hamasi sulmoi dhe mori peng familjarët e tyre.

Edhe në Stamboll u mblodhën qindra njerëz në mbështetje të palestinezëve dhe kundër planit izraelit për të zgjeruar ofensivën në enklavë.

Protestuesit kërkuan që Izraeli të mbahet përgjegjës për luftën 22-mujore që vrau mbi 61,300 njerëz në enklavë.

Bilal Erdogan, djali i presidentit turk dhe kreu i njërës prej organizatave që thirrën protestën, ishte midis atyre që u bënë thirrje njerëzve të dilnin në rrugët e kryeqytetit turk për të protestuar.

Ndërkohë numri i të arrestuarve nga protesta në Londër Policia ka shkuar në 466. Sipas aktivistëve ky është numri më i lartë i arrestimeve i kryer ndonjëherë në një protesta të vetme në kryeqytetin britanik.

Të shtunën  qindra njerëz u mblodhën në Sheshin e Parlamentit në Londër, duke denoncuar luftën e Izraelit në Gaza dhe duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër gjenocidit dhe në mbështetje të grupimit “Palestine Action”, grupim pro palestinez që qeveria britanike ka vendosur ta ndalojë.

Edhe në Kili qindra qytetarë dolën në rrugë për të treguar mbështetje dhe solidaritet me popullin palestinez.

Ata bënë thirrje për një Palestinë të lirë dhe kërkuan që t’i jepet fund vrasjes së fëmijëve në Gaza./abcnews.al

Sulme dhe negociata/ Në prag të takimit me Trump, Putin raketa drejt Ukrainës

By: Rovena
10 August 2025 at 12:26

Sulmet ruse në Ukrainë nuk janë ndalur edhe pse këto ditë janë vendimtare për negociatat e paqes, me një takim mes Vladimir Putin dhe Donald Trump që pritet të mbahet ditën e premte më 15 gusht.

Pesë persona janë vrarë në rajonet e Zaporizhzhia dhe Donetsk. Tre nga viktimat ishin në Zaporizhzhia dhe të tjerat nga bombardimet në rrethet Vasylivka dhe Polohivka. Një 69-vjeçar u plagos gjithashtu nga sulmet.

Gjithashtu të paktën shtatë persona u plagosën në Kharkiv pas një serie sulmesh me dronë rusë.

Një nga sulmet goditi një dyqan në Kharkiv, duke plagosur tre gra, një burrë dhe një vajzë 17-vjeçare.

Zhvillimet më të fundit vijnë teksa për të arritur paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar shkëmbim territoresh mes dy vendesh.

Kjo është kundërshtuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që e ka quajtur një kusht të tillë shpërblim për pushtuesin.

Europa ka dalë krah Ukrainës me një deklaratë, duke theksuar se bisedimet e paqes duhet të përfshijnë patjetër Kievin. Liderët e Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, BE dhe Finlandës përsëritën nevojën për garanci të forta sigurie dhe kundërshton idenë se Ukraina duhet të bëjë lëshime territoriale.

Deri më tani nuk është konfirmuar se Ukraina do të marrë pjesë në bisedimet mes Trump dhe Putin që do të mbahen në Alaska. Megjithatë disa zyrtarë amerikanë i thanë NBC News se administrate e Trump po shqyrton mundësinë e një ftese ndaj Zelenskyt për të marrë pjesë në takim.

Sipas burimeve për median amerikane Donald Trump mbetet i hapur për një takim trepalësh, por aktualisht Shtëpia e Bardhë po përqendrohet në planifikimin e takimit dypalësh të kërkuar nga kreu i Kremlinit./abcnews.al

 

Irani arreston 20 të dyshuar për spiunazh për Izraelin

By: Rovena
10 August 2025 at 11:53

Irani i ka arrestuar 20 njerëz për të cilët dyshon se janë operativë të agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, gjatë muajve të fundit, njoftoi të shtunën gjyqësori iranian.

Të mërkurën, Irani ekzekutoi një shkencëtar bërthamor me emrin Rouzbeh Vadi, i cili u dënua për spiunazh për Izraelin dhe për ndarjen e të dhënave me një tjetër shkencëtar bërthamor, i vrarë gjatë sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit në qershor, raportuan mediat shtetërore.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangiri, u tha gazetarëve në Teheran të shtunën se akuzat ndaj disa prej 20 të arrestuarve janë hedhur poshtë dhe ata janë liruar, por nuk tregoi sa prej tyre saktësisht.

“Gjyqësori nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj spiunëve dhe agjentëve të regjimit sionist, dhe me vendime të forta do t’i bëjë shembull për të gjithë”, citohet të ketë thënë Jahangiri nga mediat iraniane.

Ai tha se hollësitë e plota do të bëhen të ditura sapo të përfundojnë hetimet.

Ekzekutimi i iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin është rritur ndjeshëm këtë vit, pasi në muajt e fundit janë kryer të paktën tetë ekzekutime.

Izraeli kreu 12 ditë sulme ajrore ndaj Iranit në qershor, duke shënjestruar gjeneralët më të lartë, shkencëtarët bërthamorë, objektet bërthamore, si dhe lagjet e banuara.

Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash dhe dronësh ndaj Izraelit.

Grupi për të drejtat e njeriut, HRANA, raportoi për 1.190 viktima iraniane gjatë 12 ditëve të sulmeve izraelite, përfshirë 436 civilë dhe 435 pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Autoritetet izraelite thanë se 28 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmit hakmarrës të Iranit./REL

Shqipëria “përpihet” nga flakët/ Në 24 orë 38 vatra zjarri

By: Rovena
10 August 2025 at 11:36

Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga një valë zjarresh masive, Ministrinë e Mbrojtjes raporton për 38 vatra të evidentuara në disa qarqe të Shqipërisë.

Prej tyre, 31 janë shuar, ndërsa 7 vijojnë të jenë aktive, duke paraqitur rrezik serioz për jetën e banorëve dhe mjedisin. Situata më problematike paraqitet në Qarkun e Vlorës, ku për shkak të përmasave të flakëve dhe terrenit të vështirë, është kërkuar edhe ndërhyrje ajrore.

Autoritetet janë në gadishmëri të lartë, me mbi 700 forca operacionale dhe mbështetje ndërkombëtare nga avionët Canadair të Kroacisë dhe Italisë.

Qarku Vlorë – Në bashkinë Finiq, forcat kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë ende, për shkak të situatës. Për të siguruar jetën e banorëve, u evakuuan 15 familje nga fshati Velahovë dhe 36 familje nga fshati Livinë, pa probleme apo lëndime. Në mbështetje shkuan edhe 3 autoambulanca të Urgjencës Mjekësore. Ditën e sotme situata vazhdon të jetë problematike. Konkretisht: vatra mbi fshatin Hardhasov në bazë dhe të erës është problematike për në drejtim jugor për në Navaricë si dhe në drejtimin perëndimor të fshatrave Fitore dhe Krane. Në vatrën e zjarrit mbi fshatin Bistricë po operohet me mjete nga MZSH dhe efektivë të FA. Gjithashtu vazhdon me intensitet puna për shuarjen e vatrës mbi fshatin Dhrovjan dhe Krongj. Vatrat e sipërpërmendura kanë shtrirje të madhe dhe në terren të thyer, çka pengon operimin me mjete. Për këto arsye u kërkua edhe mbështetje nga ajri me helikopter. Momentalisht në terren po  operojnë: 37 forca zjarrfikëse me 6  automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë; 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare; 28 efektivë  me 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë dhe 1 autobot, 60 trupa dhe 1 helikopter i FA. Në terren në fshatin Dhrovjan po operon edhe avioni kroat Canadair.

*Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e Lucës, ku rrezikohen sipërfaqe pyjore me bredh dhe shkurre. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka. Ditën e sotme do kryhet ndërhyrje me inspektorët e AdZM. Në fshatin Bolenë, Njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, ku vatra e zjarrit po zhvillohet në pyll me pisha. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH së Himarës me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe forcat e MZSH së Vlorës me 1 mjet zjarrfikës, banorë të zonës etj. Në mbështetje të strukturave vendore, në terren kanë shkuar edhe 20 efektivë nga FA.

Qarku Lezhë – Fshatin Malaj i Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është aktiv në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre, në lagjen “Vjollcë”. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe sot do të punohet me 2  mjete zjarrfikëse, 6 Forca nga MZSH,  6 Forca nga shërbimi pyjor,  5 nga njësia administrative dhe 2 forca vullnetare.

Qarku Dibër – Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 forca të MZSH dhe 1 mjet, për të mos patur zhvillime nga zjarri aktiv brenda vatrës ku akoma po digjen trungje.

Qarku Berat – Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri është nën kontroll që prej mbrëmjes së djeshme dhe ditën e sotme janë angazhuar 15 forca zjarrfikëse të MZSH Poliçan.

Qarku Shkodër – Fshatin Zagore, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe  po punohet në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 66 automjete zjarrfikëse dhe 760 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe  3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia.

Ndikim i paligjshëm ndaj funksionarëve publikë/ Ekstradohet nga Itali shqiptari i shpallur në kërkim

By: Rovena
10 August 2025 at 11:21

Ekstradohet nga Italia një 32-vjeçar shqiptar i kërkuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

32-vjeçari E. C., alias E. Gj, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në prill 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në përfundim të procedurave në Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasi E. C., alias E. Gj, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./abcnews.al

Shkodër/ 61-vjeçari përplas policin në vizat e bardha

By: Rovena
10 August 2025 at 11:16

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin në lagjen “Partizani”, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. N, 61 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Procedimi nisi pasi ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, ka përplasur shtetasin P. K., 60 vjeç, punonjës policie, i cili ishte duke kaluar në vijat e bardha duke shkuar për të marrë shërbimin. Si pasojë shtetasi P. K., ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për trajtim mjekësor më të specializuar, jashtë rrezikut për jetën.

Turqia: Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën

By: Rovena
10 August 2025 at 10:46

Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.

Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e dënuan planin e Izraelit të premten.

Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.

Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) ishte thirrur në një mbledhje urgjente.

Fidan tha se politika e Izraelit synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre përmes urisë dhe ta pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar vendet nuk e kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen e Izraelit.

Izraeli e mohon se synon shkaktimin e krizës së urisë në Gazë dhe thotë se grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – mund t’i japë fund luftës duke u dorëzuar.

“Ajo që po ndodh sot është një zhvillim shumë i rrezikshëm… jo vetëm për popullin palestinez apo vendet fqinje”, tha Abdelatty, duke shtuar se planet e Izraelit janë “të papranueshme”.

Abdelatty tha se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës dhe iu referua një deklarate të publikuar të shtunën nga Komiteti Ministror i OIC, i cili dënoi planin e Izraelit.

Komiteti i OIC-it tha se plani i Izraelit përbën “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të forcuar pushtimin e paligjshëm”, duke paralajmëruar se ai do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”.

Ekipet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej muajsh për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

OIC u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar” planin e Izraelit për Qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht përgjegjësinë e menjëhershme për atë që e quajti shkelje të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli./REL

Aksidenti me katër të plagosur në Fier/ Tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, policia arreston shoferin

By: Rovena
10 August 2025 at 10:25

Policia e Fieri ka dhënë informacione të tjera në lidhje me aksidentin rrugor, të ndodhur në datë 08.08.2025, në vendin e quajtur “Qafa a Koshovicës”, ku mbetën të dëmtuar katër persona.

Sipas asaj që informon policia shkak i aksidentit është bërë ndërprerja e rrugës nga automjeti që drejtohej nga shtetasi M. A., i cili është larguar nga vendngjarja.

“Në përfundim të veprimeve procedurale specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. A., 45 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit””, njoftojnë blutë e Fierit./abcnews.al

Autori i një sërë vjedhjesh/ Arrestohet “skifteri” në Lezhë, në kërkim bashkëpunëtori

By: Rovena
10 August 2025 at 10:17

Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Lezhës, pasi është autor i një sërë vjedhjesh.

Gjatë kontrollit fizik, 25-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. D. është autor i: disa vjedhjeve me thyerje të automjeteve dhe banesave; tentativave për vjedhje në lokale në lagjet dhe zonat përreth Lezhës; disa vjedhjeve në bar-lokale, restorante, agjenci udhëtimi dhe supermarkete në zonën e Laçit”, njofton policia.

Në kërkim është shpallur edhe 26-vjeshpallur edhe 26-vjeçari M. D., banues në Kurbini dyshuar si bashkëpunëtor në këto vepra penale.

Gjithashtu, po punohet për dokumentimin e veprave të tjera penale të dyshuara të kryera nga këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

“Rilindja urbane do të zgjasë 4 vjet”, Rama: Do të marrim masa radikale edhe për plazhet

By: Rovena
10 August 2025 at 10:12

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, prezantoi “Rilindjen Urbane 2.0” si një program katërvjeçar që do të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një aksion të përkohshëm veror.

Ai iu përgjigj kritikave mbi kohën e nisjes së ndërhyrjeve, duke theksuar se procesi nuk mund të shtyhej për në dimër. Rama kritikoi gjithashtu një pjesë të industrisë turistike për mungesë vizioni afatgjatë, duke paralajmëruar masa të forta për rregullimin e plazheve dhe një “shkundje” të thellë të bashkive për të ngritur nivelin e pushtetit vendor.

“Rilindja urbane 2.0 është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër. Jo se kishim turistë nëpër këmbë, çështja e turistëve lidhet me dy apo tre gjera të tjera për të cilat do të llafosemi në shtator, duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendon fare strategjikisht, por vetëm ‘kap ca të kapësh sot’, dhe po i bën gropën vetes nesër, pasi ato investime që po bën nuk do t’i shlyejë nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri. Do të flasim edhe për plazhet, kur kemi bërë hap këtë vit, por të pamjaftueshem. Do të marrim masa radikale edhe për plazhet, por ama shkundja e bashkive sot është domosdoshmëri dhe që pushteti vendor të ngrihet në një moment tjetër”, tha Rama./abcnews.al

Finiqi nën “pushtetin” e zjarrit, situata vijon të përkeqësohet me ritme alarmante

By: Rovena
10 August 2025 at 10:12

Dita e gjashtë sot që disa fshatra në bashkinë Finiq vijojnë të jenë nën pushtetin e zjarrit. Edhe sot situata vijon të përkeqësohet me ritme alarmante.

Zjarri nisi në mal në Dhrovjan dhe ka kaluar fshat pas fshati duke lënë pas gjurmë të dukshme nga djegia. Mbrëmjen e së shtunës dhe gjatë gjithë natës të së dielës është luftuar në fshatrat Livinë, Krongj, Velahovë, dhe sot edhe në fshatin Ardhasovë.

Në fshatin Krongj është djegur vetëm Kisha e fshatit, ndërsa janë evakuar banorët. Ndlrsa  në fshatin Livinë dhe Velahovë janë djegur disa shtëpi.

Zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak edhe të erës dhe temperaturave të larta.  Forcat zjarrfikëse të Finiqit, Sarandës, Konispolit dhe Delvinës, ndodhen në terren dhe po punojnë në kushte tepër të vështira për të vënë nën kontroll vatrat aktive, ndërsa është kërkuar ndërhyrje shtesë nga forcat qendrore dhe tjetër ndihmë nga ajri./abcnews.al

“Ai që ndërton pa leje nuk do e gëzojë”, Rama u përgjigjet qytetarëve: Reformime në IMT

By: Rovena
10 August 2025 at 10:05

Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama u ndal te nevoja për një bashkëpunim më efektiv mes qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar rëndësinë e platformës në e-Albania si mjet për denoncime dhe bashkëpunim.

Ai paralajmëroi se çdo institucion që nuk reagon brenda 24 orëve mund të denoncohet për papërgjegjësi, ndërsa njoftoi reformimin e strukturës së Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Rama theksoi se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe paralajmëroi masa të rrepta ndaj shkelësve të ligjit.

“Keni një platformë të cilën e keni në e-Albania, ku atje mund të punojmë dhe të bashkëpunojmë. Në3 rastet se brenda 24 orëve nuk ka reagim atëherë keni të drejtën që të denonconi edhe institucionet përkatëse për papërgjegjësi. IMT e bashkive do të reformohet do të ndryshojë struktura. Nuk do të jetë më drejto i IMT-je dhe kjo as që diskutohet. Më e rëndësishmja është një adresë ku robi përcillet me prova dhe fakte dhe jo nga Facebook. Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, nuk do e gëzojë dot, ose do e marrë shteti ose do hidhet në tokë, kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë”, tha Rama./abcnews.al

“Kjo është vetëm faza e parë”, Rama për Rilindjen urbane 2.0: Të krijojmë hapësira komunitare cilësore

By: Rovena
10 August 2025 at 10:01

Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, ka folur për ndërhyrjet urbanistike të kohëve të fundit, duke theksuar se shumica prej tyre janë “çmontuese” dhe jo aq të mëdha sa mund të duken.

Ai e cilësoi këtë proces si fazën e parë të një “Rilindjeje 2.0”, me synimin për të krijuar hapësira komunitare më cilësore. Rama gjithashtu deklaroi se qytetarët do të kenë jo vetëm detyrime, por edhe të drejta në kuadër të këtij transformimi, ndërsa theksoi rëndësinë e drejtësisë së re, larg ndikimeve politike të së kaluarës.

“”Bëhet fjalë për ndërtime të cmontueshme dhe ka mirëkuptim të madh dhe po i cmontojnë. Ka edhe raste kur kjo nuk ndodh. Ky nuk është sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës, po përgatisim një rregullore kombëtare që do të vendosdë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë për. Do  të ketë të gjithë hapësirën edhe për njësitë tregtare por pa kaëpërcyer kufirin që është i komunitetit. Në fund kam edhe elementin e teknologjisë. Shqipëria ka bërë progress të jashtëzakonshëm dhe para pak ditësh, një nga institutet më prestigjioze në botë të qeverisjes, të matjes së parametrave të qeverisjes, e përcaktoi Shqipërinë si një nga yjet në ngjitje të hapësirës evropiane së bashku me 4 vende të tjera për reformat dhe transformimin. Shqipëria është dicka krejt tjetër, e tregojnë shumë gjëra. Teknologjia do të na ndihmojë në këtë fazë, që sic kemi kaluar te faza ku të gjithë ngrini  llaç e ngrinin mure, kalojmë te faza që s’do të ketë më. Teknologjia do të na çlirojë nga ky fenomen duke e reduktuar në maksimum. Pjesa dërrmuese e këtyre ndërhyrje janë të çmontuese. Nuk janë aq shumë sa ç’duket. Do të ecim me shpejtësi dhe kjo nuk është gjë të tjetër vetëm se faza e parë e një rilindje të re, Rilindjes 2.0. Për të krijuar hapësira komunitare cilësore. Do u japim disa detyrime për punët për të cilat do të kenë edhe disa të drejta. Si cilat do të kenë edhe disa të drejta. Siç funksionon edhe në çdo vend tjetër. Fatmirësisht ne sot kemi drejtësi dhe nuk është më ajo drejtësia e mëparshme ku e udhëhiqte drejtuesi i partisë. Kur ka fakte dhe prova secili duhet që të ballafaqohet me drejtësinë”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Administrata Trump rrit presionin ndaj Harvardit: Nis hetimi për kërkimet e financuara nga shteti

By: Rovena
10 August 2025 at 09:20

Faza më e fundit e administratës Trump kundër Universitetit të Harvardit përfshin një shqyrtim të plotë të programeve kërkimore të financuara nga shteti, si dhe një kërcënim për t’i hequr institucionit portofolin fitimprurës të patentave.

Në një letër drejtuar presidentit të Harvardit, Alan Garber, dhe të publikuar online të premten, sekretari i Tregtisë në administratën Trump, Howard Lutnick, e akuzon Harvardin për shkelje të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale që lidhen me programet kërkimore të financuara nga qeveria dhe patentat përkatëse.

Lutnick njoftoi gjithashtu se Departamenti i Tregtisë ka nisur një proces të njohur si “march-in” në bazë të Ligjit federal Bayh-Dole, i cili i jep qeverisë të drejtën të marrë në zotërim patentat ose të japë licenca për to. “Departamenti e vlerëson jashtëzakonisht shumë kontributin shkencor dhe teknologjik që vjen nga partneritetet e qeverisë me institucione si Harvard,” shkroi ai në letër.

Sipas tij, kjo mbart një “përgjegjësi të rëndësishme” për Harvardin, për të siguruar që prona intelektuale e krijuar me fonde federale të shfrytëzohet për përfitimin maksimal të popullit amerikan./abcnews.al

David Lammy dhe JD Vance diskutojnë planin për paqe në Ukrainë

By: Rovena
10 August 2025 at 08:59

Të shtunën, më 9 gusht, në Britani u mbajt një takim mes sekretarit të Jashtëm britanik David Lammy, nënpresidentit amerikan JD Vance dhe përfaqësuesve nga Ukraina dhe disa vende evropiane, për të diskutuar rrugët drejt paqes në Ukrainë. Takimi erdhi pak ditë para samitit të paralajmëruar mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë.

Deklaratat e Trump, sipas të cilave një zgjidhje e mundshme përfshin “shkëmbim territori”, u kundërshtuan ashpër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili theksoi se “çdo vendim pa Ukrainën është kundër paqes”.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump mund të pranojë një takim trepalësh me Zelenskyyn dhe Putinin, por aktualisht po planifikohet një takim dypalësh me presidentin rus. Lajmi ka ngjallur shqetësime se Ukraina mund të anashkalohet në procesin e negociatave.

Liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Finlandës dhe BE-së publikuan një deklaratë të përbashkët ku theksojnë se paqja nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Ukrainës dhe se do të vazhdojnë ta mbështesin atë si ushtarakisht, ashtu edhe diplomatikisht.

Putin pritet t’i kërkojë Trump njohjen e kontrollit rus mbi Donbasin dhe Krimenë

By: Rovena
10 August 2025 at 08:34

Sipas burimeve jozyrtare, në samitin që pritet të mbahet në mes të gushtit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Donald Trump, Moska do të formalizojë kërkesat për njohjen ndërkombëtare të kontrollit rus mbi rajonet lindore të Ukrainës. Kërkesat përfshijnë aneksimin e plotë të Donetskut ku aktualisht Rusia kontrollon rreth dy të tretat e territorit dhe Luganskut, i cili është pothuajse tërësisht nën pushtim. Ndërkohë, kufijtë në rajonet jugore të Zaporizhzhias dhe Khersonit pritet të mbeten në vijën aktuale të frontit.

Në negociatat e mëparshme, Rusia kishte pretenduar aneksimin e plotë të këtyre rajoneve, të cilat u shpallën si pjesë e saj nëpërmjet referendumeve të diskutueshme në vjeshtën e vitit 2022. Moska do të kërkojë gjithashtu edhe njohjen e sovranitetit mbi Krimenë, e aneksuar në vitin 2014. Nëse këto kërkesa do të përmbusheshin, Rusia do të merrte nën kontroll afërsisht një të pestën e territorit zyrtar të Ukrainës.

Këto lëvizje pasqyrojnë një realitet të ri në fushëbetejë, ku luftimet janë ngurtësuar në një status quo të përgjakshme. Forcat ruse nuk kanë arritur të bëjnë përparime të mëdha, por kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në radhët ukrainase, me Kiev-in që vuan për të zëvendësuar të rënët me rekrutë të rinj. Strategjia ruse ka kaluar nga ofensivat në shkallë të gjerë në një seri sulmesh të vogla, por të qëndrueshme, që synojnë pikat më të dobëta të mbrojtjes ukrainase.

Megjithatë epërsinë taktike në disa sektorë, analistët nuk besojnë se Rusia do të mund të marrë nën kontroll të gjithë Donetskun brenda verës. Avancimet janë të ngadalta në korrik, Rusia pushtoi rreth 564 kilometra katrorë, shifër e ngjashme me muajin paraardhës dhe më e lartë se në maj. Në nëntor 2024, ushtria ruse kishte shënuar një rritje të ndjeshme, duke marrë 730 kilometra katrorë rekord që prej pranverës së vitit 2022.

Aktualisht, Ukraina mban një pozitë më të favorshme vetëm në rajonin e Sumyt, ku avancimi rus është ndalur nga brigadat elitare ukrainase. “Kordoni mbrojtës” i shpallur nga Kremlini në këtë zonë është i brishtë, duke ngritur dyshime se kjo ishte një manovër për të tërhequr trupat ukrainase larg nga Donbasi objektivi kryesor strategjik i Rusisë.

Një situatë kritike po zhvillohet në Pokrovsk, qytet strategjik në Donetsk, që është pothuajse i rrethuar. Njësitë ruse po sulmojnë nga ndërtesat e betonit të epokës sovjetike të shndërruara në fortifikata. Fati i qytetit mund të ndikojë seriozisht në linjat e komunikimit dhe mbrojtjes në rajon, përfshirë edhe qytetin kyç të Kramatorskut. Ekziston frika se një përparim rus në Pokrovsk do t’i jepte Putinit një fitore simbolike për t’u shfaqur në samitin me Trump-in.

Ndërkohë, Rusia po ushtron gjithnjë e më shumë presion në rajonet e Dnipropetrovskut dhe në kufirin mes Kharkivit dhe Luganskut. Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe frontit jugor, në Zaporizhzhia dhe Kherson. Megjithatë, një ofensivë e madhe në Kherson do të kërkonte kalimin e lumit Dnipro, duke ekspozuar trupat ndaj zjarrit të artilerisë ukrainase. Edhe në Zaporizhzhia, ku terreni i hapur është i favorshëm për tanket, forcat ukrainase kanë ndërtuar një sistem të gjerë bunkerësh mbrojtës.

Një ofensivë ruse në këtë sektor mund të vërë në presion serioz komandën e Kievit, e cila tashmë përballet me tre fronte aktive që ndodhen mbi 300 kilometra larg njëra-tjetrës.

Ndërsa Moska vazhdon të mobilizojë vullnetarë dhe të ruajë forcat e saj të blinduara për operacione të mundshme befasuese, Ukraina përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore dhe ndihmës ushtarake. Mbështetja nga SHBA është tkurrur ndjeshëm, ndërsa vendet evropiane nuk po arrijnë ta kompensojnë këtë deficit. Megjithatë, Kievi nuk jep shenja dorëzimi. Ka spekulime se mund të jetë në përgatitje e sipër për një sulm të ri në territorin rus të ngjashëm me operacionin në Kursk vitin e kaluar për të dëshmuar vullnetin për rezistencë të vazhdueshme.

❌
❌