GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite
GAZË, 14 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën 89 palestinezë janë vrarë në sulme të ndryshme izraelite në Rripin e Gazës, thanë sot burimet mjekësore.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi gjithashtu dhjetëra vdekje në zonën e sulmuar që në orët e para të mëngjesit. Rreth gjysma e viktimave thuhet se janë regjistruar në Qytetin e Gazës.
Shtatë persona u vranë në veriperëndim të Qytetit të Gazës – në vendin e shpërndarjeje së ndihmës humanitare.
Shtatë persona të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, vdiqën pas një sulmi ajror në Qytetin e Gazës.
Një person tjetër thuhet se u vra në një sulm me dron në Rripin verior të Gazës.
Sulmet vijnë ndërsa forcat izraelite përgatiten të nisin një operacion për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.
Plani ka shkaktuar një protestë ndërkombëtare, me udhëheqësit që paralajmërojnë për pasoja shkatërruese humanitare për territorin e shkatërruar nga lufta.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria nuk ishte në dijeni të ndonjë viktime të shkaktuar nga zjarri i ushtrisë në zonën e korridorit Netzarim.
Fillimisht nuk ishin të disponueshme detaje të mëtejshme mbi sulmet e tjera.
Sulme të shumta ajrore izraelite u raportuan gjatë mëngjesit të djeshëm, veçanërisht në Qytetin e Gazës, ku u goditën disa ndërtesa.
Banorët shprehën shqetësim se sulmet mund të ishin një përgatitje për ofensivën e premtuar tokësore.
Incidente vdekjeprurëse janë raportuar vazhdimisht pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave – të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë private e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.
GHF filloi operacionet në brezin bregdetar të bllokuar në maj – pas një ndalese gati tre-mujore izraelite për shpërndarjen e ndihmave.
Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi dhe grupe të tjera militante islamike palestineze kryen një sulm në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1 200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje në Gaza.
“Që atëherë, më shumë se 61 700 palestinezë janë vrarë në territor”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Shifrat, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara i konsiderojnë shifrat kryesisht të besueshme.
Ministria tha se mbi 1 850 njerëz janë vrarë ndërsa përpiqeshin të mblidhnin ndihma gjatë luftës.
Në shumë raste, civilët duhet të kalojnë zonat aktive të luftimeve për të arritur në pikat e shpërndarjes. //a.i/
The post GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.