Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë
TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një njoftim urgjent për evakuimin e banorëve të tri fshatrave të tjerë në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.
Përmes një njoftimi urgjent për evakuim, Ministria e Mbrojtjes kërkon që banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.
Ndërkohë, sipas MM-së fshati Skënderbegas është evakuuar.
Më herët sot, MM dha urdhër për evakuimin e banorëve në tre fshatra të tjera të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.
Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
/m.m/j.p/
The post Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.