Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 August 2025Main stream

Telefon, USB dhe uniforma ushtarake – çfarë u gjet në shtëpinë e të arrestuarit për sulmin ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan

24 August 2025 at 15:46

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 në Zveçan.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje shtesë rreth arrestimit të të dyshuarit Lj.M.

Sipas njoftimit i dyshuari i cili punon dhe qëndron në Serbi, është ndaluar pasi që kishte hyrë në Kosovë nga Serbia.

Arrestimi u bë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale.

“Sot, me datë 24 Gusht 2025, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacion se personi i dyshuar Lj. M, i cili dyshohet se ka marr pjesë aktive në rastin e sulmit ndaj KFOR-it dhe Policisë të datës 29.05.2023 para objektit të komunës në Zveçan, ka hyrë nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Në shtëpinë e të dyshuarit në komunën e Zveçanit janë zhvilluar bastisje me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, ku janë sekuestruar disa prova materiale.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një ‘maicë’ me mbishkrim nacionalist të cilën dyshohet se e ka pasur të veshur ditën kritike”, thuhet në komunikatë.

Policia thekson se masa e ndalimit është ndërmarrë për shkak të “peshës së veprave të kryera dhe rrezikut potencial për arratisje, pasi që i dyshuari punon dhe qëndron në Serbi, si dhe mundësinë për manipulimin apo zhdukjen e provave”.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa me vendim të Prokurorit Special është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Poashtu me vendim të prokurorit është inicuar rasti për veprat penale: ‘Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’, ‘Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm’”, thuhet në njoftim.

Hetimet ndaj të dyshuarit janë në zhvillim dhe pritet që Prokuroria Speciale të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. /Telegrafi/

The post Telefon, USB dhe uniforma ushtarake – çfarë u gjet në shtëpinë e të arrestuarit për sulmin ndaj KFOR-it e policisë në Zveçan appeared first on Telegrafi.

​Lista Serbe kthehet në garë, partitë politike me akuza të ndryshe për vendimin e PZAP-së

24 August 2025 at 15:37

Partitë politike kanë komentuar vendimin e sotëm të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Derisa Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se do ta shikojnë mundësinë për ankimim në Gjykatën Supreme, në Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë fajësuar Vetëvendosjen se e ka bërë të njëjtën lojë sikur në zgjedhjet e shkurtit për ta certifikuar këtë subjekt politik të serbëve.

PZAP ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me këtë vendim, PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

PZAP i ka kërkuar KQZ-së që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se do ta shikojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatën Supreme, këtë vendim të cilin e ka quajtur skandaloz të PZAP-së.

“Siç e pash ata kanë urdhëruar KQZ-në që të bëj certifikimin e Listës Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutija e PZAP-së për të marrë një vendim të tillë duke pasur parasysh që kanë 72 orë në dispozicion për ta marrë një vendim, lënë të kuptohet se ata kanë pas një presion mbi këtë institucion. Ata nuk janë bazuar në dokumentet që i ka ofruar KQZ dhe dokumente që kanë ardhur nga institucionet e sigurisë. Sigurisht që duhet shihet mundësia që ky vendim të apelohet, të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe që ne do të merremi me këtë gjatë ditës, por për mua është një vendim skandaloz dhe i bën përgjegjëse PZAP-në edhe për veprimtarinë kriminale të Listës Serbe”, tha ajo.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se përfaqësuesit e LVV-së në KQZ e kanë ditur që po bëjnë zhurmë për ta kaluar Listën Serbe.

“Nuk e kam parë vendimin e PZAP-së por iu kam thënë se kjo është lojë e Vetëvendosjes që e kanë luajtur edhe në zgjedhjet e shkurtit, e luajnë patriotin në momente të caktuar, ndërsa asnjëherë nuk kanë votuar kundër Listës Serbe , qoftë edhe për vendime të tjera. Ajo që më shqetëson për sa i përket vendimit të PZAP-së, është fakti që kanë miratuar një vendim të KQZ-së, i cili është i ndikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për të ia pamundësuar kandidatit të komunës së Deçanit për të marrë pjesë në këtë garë. Domethënë Ministra e Punëve të Jashtme në mënyrë të targetuar ka vepruar që përmes KQZ-së, duke i dërguar letra të interpretushme gabim për të pamundësuar kandidatit tonë për kryetar të Deçanit, Ramë Mushkolaj. Kjo për mua ka qen shqetësuese se sa i përket Listën Serbe e kanë ditë edhe ata përfaqësues të Vetëvendosjes që po bëjnë zhurmë për ta kaluar”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kritikoi KQZ-në për vendimin e fundit të PZAP-së.

“KQZ dhe Gjykata Kushtetuese janë bërë institucione që po sjellin vendime politike nëpërmjet mekanizmave të tjerë, që nuk do të duhej me qen”, tha ai.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj këto praktika kanë ndodhur edhe më herët.

“Në KQZ, kemi abstenuar ndaj këtij qëndrimi, ndërsa është ditur sepse duke u bazuar në praktikat e mëhershme që është tentuar që nuk ka dhënë drita jeshile për certifikim të kandidatëve të Listës Serbe, është kthyer vendimi dhe me automatizëm ata do të certifikohen. Nuk kemi çka të bëjmë duhet ta pranojmë këtë fakt. E kanë ditur të gjithë, politiken më të madhe e ka bërë LVV-ja duke e ditur që do të certifikohen njëjtë ka ndodhur edhe në mandatet e kaluara ajo është kthyer”, tha Kadrijaj.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të 21 gushtit të KQZ-së./KP/

The post ​Lista Serbe kthehet në garë, partitë politike me akuza të ndryshe për vendimin e PZAP-së appeared first on Telegrafi.

Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje

24 August 2025 at 15:34

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se i takon politikës që, brenda normave dhe parimeve kushtetuese, të gjejë rrugë për të dalë nga ngërçi politik.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se nuk e përjashton mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet brenda 30-ditësh dhe Gjykata Kushtetuese “të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore”.

Sipas Hasanit, i cili është profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, aktgjykimi i fundit i Kushtetueses lidhur me konstituimin e Kuvendit është i qartë, por shton se bazuar në sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje, afati 30-ditor i vendosur nuk do të respektohet.

“Nëse gjykojmë sjelljet e zotit [kreut të LVV-së, Albin] Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës”, thotë ai.

Hasani vlerëson se e vetmja mangësi e aktgjykimit të Kushtetueses është që aty nuk qartësohet sanksioni kushtetues. Si sanksion të mundshëm ai përmend decertifikimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, ose kur të identifikohen rastet e shkelësve të vendimeve të Kushtetueses, ata sipas tij, duhet të “eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit”.

Aktgjykimi i Kushtetueses – i publikuar i plotë më 18 gusht – u jep 30 ditë kohë deputetëve të përmbyllin procesin e konstituimit. Aty thuhet se kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe emri i një kandidati mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Profesor Hasani, a kanë shkaktuar paqartësi vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës?

Enver Hasani: Jo, askund nuk mund të fajësohet Gjykata Kushtetuese për paqartësi. Si ky aktgjykim, ashtu edhe ai i qershorit, janë të qartë. Problemi ka lindur dhe lind gjithmonë në terrenin politik. Kështu ka qenë edhe në të kaluarën. Dispozitat kushtetuese kanë qenë dhe mbeten të qarta, duke bërë dallim mes konstituimit (inaugurimit) të Kuvendit të Kosovës dhe punës së Kuvendit të Kosovës pas konstituimit, si organ kushtetutvënës, ligjvënës, mbikëqyrës, deliberativ dhe përfaqësues i popullit të Kosovës dhe i qytetarëve të saj.

Konstituimi është inaugurimi solemn i Kuvendit të Kosovës pas certifikimit të zgjedhjeve nacionale, ashtu siç e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në vitin 2014. Në këtë inaugurim solemn nuk mund të ketë grup tjetër parlamentar përveç atyre që dalin nga vullneti i lirë dhe kutitë e votimit. Vetëm pas inaugurimit mund të vijë deri te riformimi dhe riformatizimi i grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, edhe atëherë, ai rikonfigurim dhe riformatizim nuk mund të ndryshojë strukturën e organeve të Kuvendit të Kosovës dhe as ato që lidhen me punën e tij. Për këtë ekzistojnë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk lejojnë ndryshimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe të strukturës së Komisionit Qendror Zgjedhor si pasojë e fluktuimeve partiake që ndodhin natyrshëm në Kuvend dhe në terrenin politik. Çdo qasje ndryshe do ta zhvlerësonte kuptimin e zgjedhjeve nacionale.

Interpretimet ndryshe që janë bërë dhe i bëhen këtij dimensioni – pra inaugurimit të Kuvendit të Kosovës dhe natyrës së tij juridiko-kushtetuese – janë dashakeqe dhe vijnë nga njerëz që nuk kanë njohuri themelore për të drejtën kushtetuese dhe të drejtën parlamentare si pjesë e saj. Në këtë dashakeqësi, jo rrallë shohim shfaqje të çoroditura nga individë që dikur kanë qenë militantë të një partie, ndërsa sot janë kundër së njëjtës parti.

Kushtetuta, megjithatë, mbetet e njëjtë dhe nuk ka ndryshuar asgjë në konceptimin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës: ai duhet të bëhet patjetër, dhe mosinaugurimi i tij nuk mund të çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme të përgjithshme. Kjo është përgjegjësi e grupeve parlamentare, ashtu siç kanë dalë nga kutitë e votimit, dhe asnjëherë ndryshe.

Partia e parë fituese, që është gjithmonë fituese relative, sikurse edhe në vitin 2021, ka vetëm një privilegj: t’i prijë procesit në mënyrën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç interpretojnë ato nenet 66.1 dhe 67 të Kushtetutës dhe dispozitat relevante ligjore e nënligjore mbi inaugurimin e Kuvendit të Kosovës.

Mangësia e aktgjykimit, “qartësimi i sanksioneve kushtetuese”

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese a ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit?

Enver Hasani: Po. Aktgjykimi i fundit, pa asnjë dyshim, ofron saktësi për zhbllokimin e procesit të inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Partia e parë, ose koalicioni fitues i zgjedhjeve të shkurtit 2025, ka prerogativën kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Me këtë prerogativë vjen edhe përgjegjësia, që nënkupton se e drejta e dhënë kushtetuese nuk mund të abuzohet pafundësisht, sepse tashmë ekziston një afat 30-ditor brenda të cilit kjo e drejtë duhet të ushtrohet. Përveç kësaj, aktgjykimi i fundit ka treguar qartë edhe mënyrën e inaugurimit, duke e kufizuar të drejtën e propozimit të një kandidati vetëm në tri herë.

Çka i mungon vendimit të Kushtetueses?

Enver Hasani: Mendoj se i mungon qartësimi i sanksionit kushtetues. Në arsyetimin e saj, Gjykata, me stil të qartë profesional dhe elokuencë, ka treguar se Kushtetuta e Kosovës mund të shkelet edhe nga individë apo subjekte të tjera, të cilat më parë nuk kanë figuruar shprehimisht në tekstin e saj. Siç e dimë, deri më tani shkelje të tilla, me pasoja të qarta juridike, mund të ndodhnin vetëm nga presidenti i Republikës. Për këtë ekziston një praktikë e pasur gjyqësore, e cila prej kohësh studiohet dhe mësohet në katedrat e së drejtës kushtetuese në Kosovë dhe jashtë saj, përveçse është trajtuar gjerësisht edhe në literaturën akademike.

Meqë Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar mendimeve të Komisionit të Venecias, ka vënë në dukje se edhe individët mund të jenë shkelës të Kushtetutës në mënyrë autonome gjatë ushtrimit të detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore, atëherë është dashur dhe duhet të ndërtohen sanksione të qarta kushtetuese për shkelësit e tillë. Këto sanksione janë gjithmonë të ndryshme nga ato që shqiptohen në sferën penale, civile apo administrative.

E theksoj këtë sepse, për fat të keq, vazhdimisht ka njerëz që, në emër të profesionit, kërkojnë burgosjen e deputetëve për shkak të sjelljeve të tyre në procesin e inaugurimit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë kuptim, asnjëherë nuk mund të ndodhë burgosja e deputetëve të Kosovës për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Përgjegjësia penale e deputetëve lind vetëm nëse ata shkelin ligjin penal, e jo Kushtetutën e Kosovës. Kaq e thjeshtë është kjo.

Profesor, çfarë mund të jenë ato sanksione?

Enver Hasani: Po, sanksionet mund të jenë, ta zëmë, që krejt natyrshëm do t’i shkonte zotit (kryesuesit të seancës konstituive Avni) Dehari decertifikimi i tij dhe jo vetëm largimi nga posti i kryesuesit për shkak të moshës. Ose, kur mund të identifikohen rastet e shkelësve (të vendimeve të Kushtetueses), të eliminohen nga pozitat drejtuese, në këtë rast, në procesin e konstituimit.

A po i shmangë Kushtetuesja në vendimet e saj të fundit pasojat ndaj shkelësve të vendimeve të saj?

Enver Hasani: Sigurisht që deri më tani Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje dhe është mbështetur shumë në mirëbesimin e deputetëve për zbatimin e aktgjykimeve të saj. Pra, arsyeja pse Gjykata nuk po i vë në dukje pasojat juridiko-kushtetuese për individët që në mënyrë specifike pengojnë dhe rrënojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës lidhet, nga njëra anë, me frikën nga politika dhe reagimet e saj irracionale, dhe nga ana tjetër me mbështetjen në mirëbesimin e deputetëve se do t’i zbatojnë detyrimet e tyre kushtetuese të përcaktuara në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Profesor Hasani, e përmendët që Gjykata Kushtetuese ka vepruar me një lloj ndrojtjeje. Nga kush druhet gjykata?

Enver Hasani: Partia në pushtet – nëse merret parasysh arkivi ose rekordi i krejt partive politike në raport me institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ose mbi të gjitha, Gjykatën Kushtetuese – besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka një rekord absolut, dhe brutaliteti me të cilin ajo ka ftuar për linç ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është i pashembullt në jurisprudencën, jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të rajonit. Do të thosha se janë raste të rralla në praktikën e ish-vendeve komuniste. Mund të krahasohet me Bjellorusinë, me rastin e Gjykatës Kushtuese në Rusi. Në të tjerat, nuk mund të hasim në këso (situatash) që me kaq brutalitet, me goditje kaq brutale, me ftesë për linçim në mënyrë kaq primitive, siç shohim te Lëvizja Vetëvendosje. Tentime të tilla ka pasur edhe në vitin 2014 ndaj meje personalisht, ndaj personit tim, dhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, por zbatimi i tyre nuk ka shkuar me kaq vështirësi dhe me kaq komentime tërësisht joprofesionale.

Kërkesa e Osmanit “kishte për qëllim paralizimin e punës të Kushtetueses”

Ku çon kjo shmangie e pasojave nga Gjykata Kushtetuese?

Enver Hasani: Kjo shmangie çon në thellimin e ngërçit politik aktual, duke e bërë edhe më të vështirë zgjidhjen e tij – zgjidhje që është e pashmangshme, sepse asnjëherë individi, sado i fuqishëm politikisht, nuk mund të fitojë betejën me normat dhe parimet kushtetuese e ligjore dhe me mekanizmat shtetërorë që garantojnë zbatimin e tyre. Asnjëherë.

Presidentja Vjosa Osmani e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pasojat juridike për mosrespektimin e aftit 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit. Pavarësisht kësaj, a mund të pritet që Gjykata Kushtetuese ta japë një mendim dhe a mund të ndodhë kjo para se të kalojë afati aktual prej 30 ditësh, që përfundon më 18 shtator?

Enver Hasani: Kërkesa e zonjës Osmani ka qenë turpi më i madh që mund të bëjë një shef shteti. Ajo ka pasur vetëm një qëllim: paralizimin e punës së Gjykatës Kushtetuese, në vend se të kujdesej për mirëvajtjen e saj, siç e ka detyrim kushtetues.

Edhe sikur zonja Osmani të ketë pasur informata të sakta për rrezikim të sigurisë kombëtare nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ajo nuk ka guxuar dhe nuk guxon të dalë në publik e të denoncojë një gjë të tillë. Si shefe e shtetit, ajo ka në dispozicion të gjitha mekanizmat kushtetues dhe shtetërorë për të nisur procedurat e nevojshme dhe për të penguar çdo rrezikim të sigurisë kombëtare. Thirrja me emër e mbiemër e një gjyqtari kushtetues nga presidentja e Republikës, në një çështje ku vetë është palë në procedurë, përbën asgjë më pak se huliganizëm institucional, i papranueshëm për çdo institucion shtetëror – e aq më pak për presidentin e Republikës.

Kjo kërkesë është qartazi e pabazuar dhe pa meritë. Gjykata, megjithatë, ka të drejtë të vazhdojë procedurën lidhur me të. Por, kjo kërkesë nuk ka asnjë relevancë në procedurat që lidhen me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, sepse presidenti i Republikës nuk mund të paraqitet si palë në procedurë për këtë temë. Presidenti i Republikës ka vetëm një autorizim: thirrjen e seancës së parë konstituive – dhe edhe këtë jo si detyrim, por si kompetencë që mund ta ushtrojë nëse dëshiron.

Zgjidhja e ngërçit “është politike”

A mendoni që Gjykata Kushtetuese sërish do të ballafaqohet me kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit?

Enver Hasani: Nëse gjykojmë sjelljet e zotit Kurti, gjendja po shkon drejt moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai po zbaton aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të pengimit të konstituimit ose inaugurimit të Kuvendit të Kosovës.

Profesor, kur them se a mund të ketë kërkesa për interpretim të gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit, do të thotë a mund të ketë kërkesa të reja po themi, pasi eventualisht të përfundojë afati 30-ditor dhe çfarë mund të jenë ato?

Enver Hasani: Zgjidhja ka qenë dhe mbetet politike. I takon politikës të gjejë rrugëzgjidhje brenda normave dhe parimeve kushtetuese, si dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që interpretojnë këto norma dhe parime.

Nuk e përjashtoj mundësinë që Kuvendi i Kosovës të mos inaugurohet edhe brenda këtyre 30 ditëve të parashikuara, dhe që Gjykata të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.

Do të thotë, kjo është shtegdalja?

Enver Hasani: Po, nuk ka tjetër rrugë. Rruga e vetme është që procesi politik duhet të zhvillohet sipas normave dhe parimeve kushtetuese, ashtu siç i ka interpretuar dhe i interpreton Gjykata Kushtetuese. Asnjë rrugë tjetër nuk mund të ndiqet./REL/

The post Hasani: S’e përjashtoj mundësinë që Kuvendi të mos konstituohet dhe Kushtetuesja të vihet sërish në lëvizje appeared first on Telegrafi.

Shpërthen bombola e gazit nëElbasan, flakët përhapen në brendësi të një magazine

24 August 2025 at 13:58

Një bombol gazi ka marrë flakë në një objekt që përdorej si magazinë në qendër të Elbasanit.

Flakët janë përhapur në brendësi të godinës por menjëherë punonjësit e zjarrfikëses kanë ndërhyrë duke vënë nën kontroll situatën.

Nuk ka dëme në njerëz vetëm materiale./abcnews/

The post Shpërthen bombola e gazit nëElbasan, flakët përhapen në brendësi të një magazine appeared first on Telegrafi.

U votua nga Gashi e Berisha, deputeti Basha: I falënderoj, por tema nuk jam unë

24 August 2025 at 13:50

Pas seancës së dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kandidati për kryetar  nga radhët e Vetëvendosjes, Dimal Basha është shprehur se vendi ndodhet në “ngërç” institucional dhe se opozita sot tregoi fytyrën e vërtetë.

“Kandidatja jonë për kryetare të Kuvendit besoj se duhet të jetë Albulena Haxhiu,” tha Basha, duke shfaqur hapur preferencën e tij.

Ai kritikoi opozitën për mospërfaqësim të vullnetit të saj në përmbushjen e premtimit.

“Opozita u shpërfaq kësaj radhe sepse qëndrimet e tyre kanë qenë që nuk votojnë asnjë anëtar qeverie e u dëshmua që ata edhe nga radhët e deputetëve nuk votojnë, kjo flet shumë për ta,” tha Basha.

Basha theksoi se Kuvendi mbetet në ngërç dhe se opozitës të gjitha arsyet i kanë rënë në ujë.

Basha falënderoi kolegët e opozitës që votuan për kandidaturën e tij dhe bëri thirrje për vëmendje ndaj rëndësisë së Kuvendit të Republikës.

“I falënderoj të gjithë kolegët që kanë votuar për emërimin tim si kryetar Kuvendi. Që tri mandate jemi me deputetin Gashi, njihemi mirë, kemi pasur respekt të ndërsjellët — i falënderoj ata. Tema nuk jam unë, por Kuvendi i Republikës, dhe nevojiten 61 vota për,” përfundoi Basha. /Telegrafi/

The post U votua nga Gashi e Berisha, deputeti Basha: I falënderoj, por tema nuk jam unë appeared first on Telegrafi.

PZAP obligon KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

24 August 2025 at 12:57

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me këtë vendim, PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

PZAP i ka kërkuar KQZ-së që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale./RTK/

The post PZAP obligon KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit appeared first on Telegrafi.

Krasniqi: Kishim gatishmëri për votimin e Dimal Bashës, por VV nuk pranoi as 10 minuta pauzë

24 August 2025 at 11:58

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se nuk po tregon asnjë interes për të gjetur zgjidhje por po synon ta vazhdojë krizën politike në vend.

Sipas Krasniqit, në seancën e sotme është tentuar të testohet deklarata e opozitës se do të mbështesë një kandidat për kryetar Kuvendi, për sa kohë ai nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin e kaluar.

Ai tha se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, është përpjekur të arrijë një marrëveshje për votim por thirrja është injoruar nga ana e pozitës.

“Nuk na mundësuan një pauzë 10-minutëshe nga e cila do të mund ta votonim një kryetar Kuvendi, edhe nëse do të ishte Dimal Basha. Tek e fundit, këta njerëz i ka Vetëvendosja”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së shtoi se shpreson që në seancën e radhës të mos ketë të njëjtën “arrogancë” nga drejtuesi i seancës, Glauk Konjufca, dhe që të jepet hapësira për një marrëveshje të mundshme.

“Shpresoj që pasnesër të mos ketë arrogancë të njëjtë nga Dehari, dhe nëse ka propozim që mund t’i marrë votat e PDK-së, të na japin një pauzë 10-minutëshe”, theksoi ai. /Telegrafi/

The post Krasniqi: Kishim gatishmëri për votimin e Dimal Bashës, por VV nuk pranoi as 10 minuta pauzë appeared first on Telegrafi.

Dështon konstituimi i Kuvendit, as Dimal Basha nuk votohet për kryeparlamentar

24 August 2025 at 11:41

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e 57-të për të bërë një tjetër përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo ishte përpjekja e tretë pa sukses që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.

Lëvizja Vetëvendosje sot doli me tre propozime. Fillimisht për herë të dytë me radhë u propozua Hekuran Murati, i cili dështoi të marr votat e duhura.

Nga 106 deputetë të pranishëm Murati mori vetëm 55 vota për, 46 kundër dhe 5 abstenime.

Pas dështimit të tij, Murati ishte ai që propozoi për kryeparlamentare ministren në detyrë të Arismit, Arbërie Nagavcin.

As Nagavci nuk mori votat e mjaftueshme.

Nga 106 deputetë të pranishëm ajo  mori vetëm 55 vota për, 47 kundër dhe 4 abstenime.

Nagavci pastaj propozoi deputetin Dimal Basha. Por, as Basha nuk mori votat e mjaftueshme.

Deputeti mori mori vetëm 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.

Në seancat e kaluara LVV kishte propozuar Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën.

Asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke mbetur në maksimum në 57 vota.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator. /Telegrafi/

The post Dështon konstituimi i Kuvendit, as Dimal Basha nuk votohet për kryeparlamentar appeared first on Telegrafi.

Pas Muratit dështon edhe Arbërie Nagavci – LVV propozon Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit

24 August 2025 at 11:37

Pas dështimit të zgjedhjes së Hekuran Muratit në krye të Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme, Lëvzija Vetëvendosje doli me një propozim tjetër.

Ishte vetë Murati që propozoi ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci si kandidate e radhës për kryeparlamentare.

As Nagavci nuk mori votat e mjaftueshme.

Nga 106 deputetë të pranishëm mori vetëm 55 vota për, 47 kundër dhe 4 abstenime.

Si rrjedhojë LVV propozoi kandidatin tjetër e që ishte deputeti Dimal Basha. /Telegrafi/

The post Pas Muratit dështon edhe Arbërie Nagavci – LVV propozon Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit appeared first on Telegrafi.

Hekuran Murati sërish nuk merr votat e duhura për kryeparlamentar – dështon për herë të dytë

24 August 2025 at 11:31

Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e 57-të për të bërë një tjetër përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo është përpjekja e tretë  që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.

Lëvizja Vetëvendosje sot propozoi sërish si kandidat Hekuran Muratin për të dytën herë,  i cili nga 106 deputetë të pranishëm mori vetëm 55 vota për, 46 kundër dhe 5 abstenime.

Në seancat e kaluara LVV kishte propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën. Asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke mbetur në maksimum në 57 vota.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku përcaktohet që legjislativi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, afat ky që përfundon më 18 shtator. /Telegrafi/

The post Hekuran Murati sërish nuk merr votat e duhura për kryeparlamentar – dështon për herë të dytë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

I jep 9 mijë dollarë false për të mbuluar borxhin prej mbi 21 mijë euro – aktakuzë ndaj pejanit

21 August 2025 at 15:51

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.M., i cili akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i parasë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2023, ku i pandehuri A.M. duke qenë në dijeni se paratë janë të falsifikuara, i vë ato në qarkullim.

Ai kishte borxh ndaj personit tjetër, S.Q., në vlerë prej 21,500 euro. Fillimisht, i kthen 3,500 euro, ndërsa për pjesën e mbetur prej 18,000 euro në formë “garancie” i dorëzon 9,000 dollarë, të cilët rezultuan të jenë të falsifikuar.

“Në muajin nëntor 2023, i’a jep shumën prej 9,000.00 (nëntëmijë dollar) $ të cilat ishin të falsifikuara,” thuhet në aktakuzë.

Prokurori i rastit, përveç kërkesës për dënimin e të pandehurit, ka propozuar konfiskimin e parave të falsifikuara dhe kompensimin e dëmit ndaj të dëmtuarit. /Telegrafi/

The post I jep 9 mijë dollarë false për të mbuluar borxhin prej mbi 21 mijë euro – aktakuzë ndaj pejanit appeared first on Telegrafi.

Kushtetuesja rrëzoi nenin që përjashtonte kujdesin mendor nga spitalet – FSSHK e quan fitore për sektorin publik

21 August 2025 at 13:22

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka pranuar sot aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin KO 141/24 në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Statutit nr.01/2023 të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

FSSHK thekson se ky aktgjykim është fitore për shëndetësinë publike, për qytetarët dhe të gjithë punëtorët shëndetësor e administrativ të Spitaleve të Përgjithshme në nivel vendi.

“FSSHK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe vigjilente në evidentimin e shkeljeve dhe mbrojtjen ligjore”, thuhet në njoftim.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se paragrafi 1 i nenit 11 (organizimi i shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme) të Statutit nr.01/2023 për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, i miratuar përmes vendimit nr.29/180 të Qeverisë së Kosovës, të datës 27 dhjetor 2023, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 dhe paragrafin 4 të nenit 92 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Vendimi argumenton se Ligji për Shëndetin Mendor përcakton qartë që kujdesi mendor duhet të ofrohet në nivel të dytë përmes spitaleve të përgjithshme — që në fakt është përjashtuar në listën e shërbimeve të Statutit.

Kushtetuesja urdhëroi që ky paragraf të ndryshohet dhe deri atëherë, shërbimet e kujdesit mendor të ofrohen sipas ligjit aktual. /Telegrafi/

 

The post Kushtetuesja rrëzoi nenin që përjashtonte kujdesin mendor nga spitalet – FSSHK e quan fitore për sektorin publik appeared first on Telegrafi.

“Jo i denjë për të kryesuar” – Krasniqi kritikon Avni Deharin, thotë se duhet të tërhiqet nga drejtimi i seancës

21 August 2025 at 11:51

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si është kryesuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nga Avni Dehari, duke e cilësuar veprimin e tij si kundërkushtetues dhe arbitrar.

Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka theksuar se Dehari është dashur të nisë seancën me kërkim falje për shkeljet e rënda të Kushtetutës dhe injorimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Avni Dehari, të paktën, do të duhej ta kishte hapur seancën e djeshme me një kërkim falje ndaj deputetëve për veprimet e tij kundërkushtetuese,” ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se reagimet e Deharit ndaj deputetëve që përmendnin aktgjykimin e Kushtetueses kanë qenë arrogante dhe joprofesionale.

“Sa herë që deputetët i rikujtonin Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ai me arrogancë kërkonte nga regjia t’ua ndalte mikrofonin,” shton ai.

Sipas Krasniqit, sjellja e Deharit dëshmon se ai nuk është i aftë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe se më e natyrshme do të ishte që ai të tërhiqej krejtësisht nga kryesimi i seancës konstituive.

“Imponoi në mënyrë arbitrare një opsion kundërkushtetues. Injoroi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se një muaj. Dëshmoi se nuk është në gjendje të veprojë i pavarur nga diktati partiak,” ka thënë ai.

Krasniqi thekson se një kryesues i seancës konstituive duhet të jetë garantues i rregullit kushtetues dhe dinjitetit të Kuvendit, dhe jo të kontribuojë në cenimin e tij. /Telegrafi/

The post “Jo i denjë për të kryesuar” – Krasniqi kritikon Avni Deharin, thotë se duhet të tërhiqet nga drejtimi i seancës appeared first on Telegrafi.

Ushtroi dhunë psikike ndaj vajzave, arrestohet burri nga Klina

21 August 2025 at 09:35

Një burrë është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy vajzave të tij, njëra prej tyre e mitur.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Klinës.

Sipas autoriteteve, pas intervistimit dhe grumbullimit të provave, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti është cilësuar si dhunë në familje dhe po trajtohet nga organet kompetente. /Telegrafi/

The post Ushtroi dhunë psikike ndaj vajzave, arrestohet burri nga Klina appeared first on Telegrafi.

Bllokohen llogaritë e Komunës së Deçanit, AKK: Qeveria po ushtron presion politik

20 August 2025 at 13:25

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në funksionimin e pushtetit lokal.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi në një prononcim për Telegrafin, tha se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence shqetësuese të qeverisë për të ushtruar presion mbi komunat që nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është informuar që sa ditë për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, Ky nuk është rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave”,tha Ibrahimi.

Ai theksoi se AKK është njoftuar për këtë situatë përmes një bisede telefonike me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka ngritur shqetësimin se pasojat e bllokimit janë të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Këto veprime të nivelit qendror po krijojnë pasoja si në vijim: Ndëshkojnë qytetarët, duke ua pamundësuar përfitimin nga shërbimet dhe investimet publike, Pengojnë realizimin e projekteve kapitale, sidomos në një vit zgjedhor lokal, kur komunat duhet të japin llogari para qytetarëve dhe Shkelin parimin e barazisë dhe të vetëqeverisjes lokale, të garantuar nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale”, ka theksuar Ibrahimi.

Kryetari i AKK-së u shpreh se qeveria duhet të ndalojë menjëherë këtë praktikë të paprecedentë.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë qasje të qeverisë si presion të papranueshëm ndaj pushtetit lokal, i cili rrezikon të minojë themelet e demokracisë lokale dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”, theksoi Ibrahimi për Telegrafin.

AKK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë menjëherë bllokimet dhe të garantojë funksionimin e lirë dhe të barabartë të të gjitha komunave, duke mos lejuar që qytetarët të paguajnë çmimin për mosmarrëveshjet politike. /Telegrafi/

The post Bllokohen llogaritë e Komunës së Deçanit, AKK: Qeveria po ushtron presion politik appeared first on Telegrafi.

Bajrami: LVV po bllokon Kuvendin me qëllim, u dit që Gërvalla e Haxhiu si kishin votat

20 August 2025 at 11:51

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur pas dështimit të radhës të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht Albulena Haxhiun e pastaj Donika Gërvallën, të cilat dështuan të zgjidheshin.

Bajrami u shpreh se LVV e ka ditur se të dyja kandidatet nuk do të marrin votat.

“Sot u propozuan dy kandidate për të cilat dihej se nuk kishin votat. Është e qartë se nuk kishte mbështetje as për Haxhiun, as për Gërvallën,” tha Bajrami.

Ajo theksoi se LVV nuk e ka as interes për të konstituar Kuvendin.

“Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

The post Bajrami: LVV po bllokon Kuvendin me qëllim, u dit që Gërvalla e Haxhiu si kishin votat appeared first on Telegrafi.

Albulena Haxhiu nuk merr votat e duhura, nuk arrin të zgjedhet kryeparlamentare

20 August 2025 at 11:29

Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish Albuelna Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Propozimi u bë nga deputeti Glauk Konjufca.

Pas propozimit kryesuesi i seancës e hedhin në votim.

57 vota ishin për, 56 kundër dhe 3 abstenime.

Deputetët që abstenuan ishin Fatmir Limaj, Xhevahire Izmaku dhe Albulena Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate

Kryesuesi i seancës Avndi Dehari konstatoi se kandidatja Haxhiu nuk arriti të marrë votat e duhura.

Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e publikoi Aktgjykimin për seancën konstituive.

Sipas Aktgjykimit, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh dhe e drejta e propozimit të kryeperlamentarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar i dalë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Aktgjykimi e kufizon në vetëm tri votime kandidaturën për kryetar Kuvendi. /Telegrafi/

The post Albulena Haxhiu nuk merr votat e duhura, nuk arrin të zgjedhet kryeparlamentare appeared first on Telegrafi.

Vrasja e 32 vjeçarit në Divjakë – kapet autori, zbulohet motivi i krimit

20 August 2025 at 09:40

Policia e Fierit, pas disa orësh kërkim ka mundur të identifikojë dhe të verë në pranga autorin e vrasjes në zonën e Divjakës, në orët e para të mëngjesit.

Sipas të dhënave zyrtare, mësohet se është 25 vjeçari Xhesion Toromani personi që qëlloi disa herë me thikë 32 vjeçarin Besmir Kumria, duke e lënë atë pajetë.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në një lokal në Kryekuq, kur Toromani ka mbërritur me makinë dhe ka shkuar menjëherë në tavolinën ku qëndronte viktima duke e qëlluar me thikë pa i thënë asnjë fjalë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi 25 vjeçari Toromani e ka vrarë shtetasin Besmir Kumria, pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat.

Toromani tashmë ndodhet në drejtorinë e policisë dhe akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./a2cnn/

The post Vrasja e 32 vjeçarit në Divjakë – kapet autori, zbulohet motivi i krimit appeared first on Telegrafi.

Në Gjykatën Speciale nis përgatitja për provat e mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

19 August 2025 at 10:54

Gjykata Speciale ka filluar punimet, pas pushimit veror me konferencën përgatitore të mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Të pranishëm në sallën gjyqësore janë tre ish-krerët e UÇK-së, ndërkaq Jakup Krasniqi është duke e përcjell përmes videolidhjes.

Gjykatësi ka thënë se qëllimi i kësaj konference është që të përgatitemi për provat që do të paraqes mbrojtja.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe pesë javë deri në vazhdimin e gjykimit, ku më 15 shtator pritet të fillojë dëshminë, dëshmitari i parë i mbrojtjes. /Telegrafi/

The post Në Gjykatën Speciale nis përgatitja për provat e mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit appeared first on Telegrafi.

Zhduket një person në Prizren, familjarët kërkojnë ndihmë

19 August 2025 at 10:40

Një femër kosovare ka raportuar në polici se vëllai i saj ka dalë nga shtëpia dhe prej asaj kohe nuk dihet vendndodhja e tij.

Rasti është regjistruar në adresën Rruga Selajdin Berisha në Prizren, ndërsa njësitet policore janë vënë menjëherë në kërkim dhe po hetojnë ngjarjen.

Lidhur me situatën është informuar edhe prokurori kompetent./Telegrafi/

The post Zhduket një person në Prizren, familjarët kërkojnë ndihmë appeared first on Telegrafi.

❌
❌