E kaluara sportive e Dimal Bashës – kryetari i ri i parlamentit, dikur ish futbollist i FC Ferizajt dhe fans i madh i këtij sporti
Dimal Basha është zgjedhur së fundmi kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës, duke marrë një prej pozitave më të rëndësishme politike në vend. Por, e kaluara e tij është e lidhur ngushtë me sportin, e në veçanti me futbollin.
Sot (e martë), deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan Dimal Bashën si kryetar të ri, me 73 vota për 30 kundër dhe 3 abstenuan.
Në të kaluarën, Basha ka treguar një lidhje të veçantë me sportin, sidomos me futbollin.
45-vjeçari ka qenë pjesë e ekipeve rinore të FC Ferizajt, ku ka kultivuar disiplinën, punën ekipore dhe përkushtimin – vlera që sot i aplikon edhe në politikë.
Edhe pse karrierën sportive nuk e ka vazhduar në nivel profesionist, ai shpesh e përmend si periudhë formuese për karakterin e tij.
Megjithatë, Basha vazhdon të luajë futboll së bashku me veteranët e Ferizajt dhe jo rrallëherë ka fituar trofe.
Si fans i madh i futbollit, Basha vazhdon të ndjekë nga afër ndeshjet vendore dhe ndërkombëtare, duke qenë një mbështetës i zjarrtë i talenteve të rinj vendorë.
Ai shprehet shpesh se sporti është mësues i shkëlqyer i lidershipit dhe menaxhimit të presionit, dy aftësi të cilat ia kërkon edhe detyra e tij e re politike.
Basha vazhdimisht poston edhe fotografi me futbollistë të ndryshëm shqiptarë, por edhe duke përcjell ndeshje futbollit nga stadiumi apo televizori.
Ferizajasi gjithashtu njihet si fans i madh i klubit anglez, Tottenham Hotspur. /Telegrafi/
The post E kaluara sportive e Dimal Bashës – kryetari i ri i parlamentit, dikur ish futbollist i FC Ferizajt dhe fans i madh i këtij sporti appeared first on Telegrafi.