SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë!
BERLIN, 24 gusht /ATSH– DPA/ – Një turiste nga Zelanda e Re u përball me një faturë prej 1 506 eurosh për një udhëtim me taksi prej vetëm 1,5 kilometrash gjatë vizitës sa saj turistike në kryeqytetin kroat, Zagreb.
Gruaja e kuptoi vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi se shuma i ishte tërhequr nga llogaria.
”Ajo më pas mori një pjesë të parave mbrapsht”, raportoi gazeta kroate “Jutarnji List”.
Shoferi tani është nën hetim për “evazion fiskal”, pasi dyshohet se nuk ka lëshuar faturë.
Prej kohësh ka paralajmërime për mashtrime me udhëtimet me taksi në Kroaci.
Turistja kishte marrë taksinë në maj nga stacioni kryesor i trenit në Zagreb drejt një destinacioni të afërt në qendër të qytetit.
Taksimetri tregoi në ekran pagesën prej 185 euro dhe kur turistja protestoi, shoferi thuhet se i ofroi një “zbritje” me çmimin 150 euro, të cilën ajo e pagoi me ngurrim e nën presion.
Më pas shoferi thirri një koleg që kishte lexues karte, por shuma e tërhequr doli shumë më e lartë.
Pasi u kthye në Zelandën e Re, gruaja zbuloi mashtrimin dhe e raportoi shoferin në polici përmes ambasadës kroate.
Pas publikimit të lajmit nga gazeta, shoferi i ktheu 1 350 euro, duke pretenduar se pagesa kishte qenë një “gabim i pafajshëm”. /Ad.Ab./
The post SOFT NEWS – Neozelandezja paguan 1 506 euro një taksi për… 1 500 metra rrugë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.