TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi sot se “UT mban edhe këtë vit peshën kryesore, ndërsa pret rreth 11 mijë studentë të rinj”.
Në një konferencë për shtyp një ditë përpara regjistrimit të studentëve për vitin e ri akademik, Hoxha tha se “këtë vit 500 maturantë më shumë do t’i drejtohen bankave të universiteteve dhe në veçanti UT e kanë zgjedhur më shumë të rinj nga viti i kaluar”.
Sipas tij, kjo është shenjë ë mirë për të rinjtë që tregon se ata i drejtohen bankave të universitetit dhe është një tregues kanë besim më shumë tek universitetet në vend në krahasim me vitin e kaluar që i drejtoheshin universiteteve jashtë vendit”.
“Universiteti i Tiranës padyshim që mban peshën kryesore të arsimit të lartë. Ne së bashku më të 3 ciklet e studimit presim mbi 11 mijë studentë. Për vitin akademik 2024-2025 kishim mbi 22 mijë studentë që tregon se pesha specifike e këtij institucioni të lartë vazhdon të jetë ajo që rëndon më shumë dhe që garanton të rinjtë shqiptarë që programet që zhvillohen në këtë universitetet janë programe të konsoliduara madje më traditë dhe të koordinuara me të gjitha zhvillimet e kohës duke u foksuar në ndërkombëtarizimin e tyre”, theksoi Hoxha.
“Nga rreth 20.200 maturantë në shkallë vendi, 60% kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar janë 160 studentë më shumë që kanë preferuar këtë institucion. Ky është një tregues i qartë se studentët shqiptarë po e shohin gjithnjë e më shumë të ardhmen e tyre akademike te Universiteti i Tiranës. Programet tona janë të konsoliduara dhe të përditësuara me zhvillimet e kohës, duke garantuar arsim cilësor dhe mundësi të reja profesionale”, theksoi Hoxha.
Rektori Hoxha u shpreh se “të gjitha këto arritje që ka arsimi i lartë dhe në veçanti Universiteti i Tiranës rrisin vetëbesimin tek të rinjtë për të ndjekur studimet tek universitet tona”.
Hoxha foli edhe për degët që janë më të kërkuara nga të rinjtë në UT dhe ato më pak të preferuara.
“Ne kemi disa programe që janë të konsoliduara në disa fakultete që kanë edhe rritje si është Drejtësia, Ekonomia, Shkencat Sociale, Histori, Filologji. Gjithashtu, interes i lartë po vërehet në shkencat e natyrës dhe teknologjinë e informacionit, të cilat ofrojnë perspektivë të gjerë punësimi dhe kërkim të aplikuar. Megjithatë, sfidë mbeten programet e mësuesisë, ku interesi është më i ulët, duke reflektuar një prirje të maturantëve për të zgjedhur fusha të tjera më të lidhura me tregun e punës. Por kemi disa programe që vuajnë kryesisht ato të mësuesisë dhe disa programe të Shkencave të Natyrës, të cilat përzgjidhen nga një numër i madh studentësh dhe për to ka politika për ti mbështetur ata në vazhdimin e studimeve”, tha Hoxha.
Rektori Hoxha u ndal edhe tek dhënia e bursave.
“UT ka vite që ka mijëra studentë që marrin bursa. 2668 studentë këtë vit përfitojnë bursën me 100 mijë lekë të vjetra dhe janë 60 studentë nga programet që kanë interes kombëtar, të cilët pëfitojnë 400 mijë lekë të vjetra dhe sipas politikave që janë vendosur studentët e ekselencës nuk paguajnë tarifë shkollimi dhe studentë nën notën 9 paguajnë gjysmën e tarifës së studimit”, sqaroi Hoxha.
Sa i përket procesit të regjistrimit, Hoxha tha se “për këtë vit zhvillohet në dy raunde: i pari me 7 faza dhe i dyti me 5 faza, me fazën e parë që nis që nesër. Paralelisht, Universiteti i Tiranës po forcon hapjen e tij ndërkombëtare. Ai është pjesë e 12 rrjeteve evropiane të arsimit të lartë dhe së fundmi është bashkuar në një aleancë me 8 universitete prestigjioze të Europës, duke ofruar mbi 20 programe në gjuhë të huaj dhe diploma të dyfishta në bashkëpunim me pesë universitete partnere”.
Rektori Hoxha u shpreh se Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër edhe trajnimin e mësueseve të ciklit parauniversitar, të drejtueseve dhe roleve të tjera që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies.
“Për herë të parë në mënyrë të konsoliduar Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër të trajnojmë mësuesit e shkollave parauniversitsare, drejtuesit e tyre dhe të gjithë ata që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies. Është një ndërmarrje e rëndësishme që ecën prej dy vitesh. Kjo ka bërë një ndërthurje dhe një lidhje me të mirë më universitetin dhe ciklin parauniversitar duke njohur më mirë njëri-tjetrin se çfarë ofrojmë nëpërmjet programeve universitare dhe parauniversitare dhe reformat që bëhen në arsim duhet të jenë të integruara pasi nxënësi kthehet në student dhe pastaj në tregun e punës”, u shpreh Hoxha.
Në lidhje me debatin për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, Hoxha u shpreh se nuk është koha për një ligj të ri, por për një rishikim të tij pas një analize të plotë.
“Ligjet nuk duhen shfuqizuar, por përmirësuar. Ligji për arsimin e lartë ka treguar se i ka rezistuar kohës dhe i është përgjigjur qëllimit për të cilin është miratuar, por pas 10 vitesh zbatim ka ardhur koha për amendime që t’i përgjigjen realitetit të ri të arsimit dhe zhvillimeve që ka përjetuar Shqipëria”, tha Hoxha.
/k.s/j.p/
The post Hoxha: 11 mijë studentë të rinj në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.