Gjoba dhe rrahje me kamxhik/ Singapori ashpërson ndëshkimet për përdoruesit e cigareve elektronike dhe drogës
Autoritetet në Singapor kanë njoftuar masa ndëshkuese më të rrepta ndaj përdoruesve të cigareve elektronike, në përpjekje për të frenuar përhapjen në rritje të avujve (vape) të përzier me substanca narkotike.
Masat përfshijnë gjoba më të larta, dënime më të gjata me burg dhe deri në ndëshkimin fizik me kamxhik. Shtetasit e huaj mund të përballen gjithashtu me dëbime dhe ndalim për rikthim në vend.
Singapori ishte ndër vendet e para në botë që ndaloi përdorimin e cigareve elektronike në vitin 2018, por pavarësisht ndalimit, përdorimi i tyre ka vazhduar dhe kohët e fundit është rritur dukshëm përhapja e pajisjeve që përmbajnë etomidat, një ilaç me efekte anestezie, i krahasuar me ketaminën. Në Singapor, këto vape njihen ndryshe si “Kpods” (shkurt për “ketamine pods”).
Një test i kryer në korrik mbi 100 pajisje të sekuestruara zbuloi se rreth një e treta përmbanin etomidat. Video të të rinjve që shfaqin sjellje të çrregullta në publik gjatë përdorimit të këtyre pajisjeve janë bërë virale në rrjete sociale, duke nxitur shqetësim të madh në një vend të njohur për ligjet e tij tejet të ashpra kundër drogës.
Ministri i Shëndetësisë, Ong Ye Kung, deklaroi të enjten se këto masa janë të domosdoshme pasi “cigaret elektronike janë kthyer në një portë drejt abuzimit serioz me substanca narkotike”, ku pajisjet përdoren si “mjete shpërndarjeje” të drogës.
Qeveria ka forcuar ndëshkimet për posedimin dhe përdorimin e vape-ve, ndërsa etomidati është klasifikuar si substancë e kontrolluar e klasës C për një periudhë 6-mujore. Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 shtator.
Të gjithë personat që kapen me vape edhe nëse nuk përmbajnë drogë do të përballen me gjoba që nisin nga 500 dollarë singaporianë (rreth 390 dollarë amerikanë) si dhe me masa rehabilitimi të detyrueshme nga shteti. Për ata që kapen me vape të përziera me etomidat, ndëshkimet do të jenë edhe më të rënda.
Furnizuesit e cigareve elektronike me drogë rrezikojnë deri në 20 vite burg dhe 15 goditje me kamxhik. Shtetasit e huaj që punojnë në Singapor përballen me të njëjtat ndëshkime, përveçse rrezikojnë të humbasin lejet e qëndrimit dhe punës, si dhe të dëbohen me ndalim për rikthim në vend. Rregullat vlejnë gjithashtu edhe për turistët./abcnews.al