Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 August 2025Main stream

Apple do të zbulojë iPhone-in e ri më 9 shtator

By: Kult Plus
28 August 2025 at 23:34

Apple planifikon të mbajë lansimin e madh të produktit të saj të vjeshtës më 9 shtator, kur pritet të zbulojë serinë iPhone 17, e cila përfshin një version të ri dhe më të hollë të pajisjes së saj ikonike, raportoi Bloomberg.

Eventi do të transmetohet në internet, duke vazhduar strategjinë e prezantimeve virtuale që filloi gjatë epokës së Covid-it. Motoja e eventit është: “E pabesueshme”, sipas ftesës së postuar në internet dhe të dërguar medias.

Eventi do të përqendrohet në telefonat e rinj inteligjentë të kompanisë, duke përfshirë një model bazë të përditësuar, dy modele të reja “Pro” dhe një version krejtësisht të ri që ka një dizajn shumë më të hollë se çdo iPhone i mëparshëm. Kompania po përgatitet gjithashtu të lançojë versione të përmirësuara të Apple Watch.

iPhone 17 i ri bazë do të duket i ngjashëm me iPhone 16, por do të përfshijë një ekran dhe përmirësime më të mëdha në kamerë, raportoi Bloomberg News. Nga ana tjetër, iPhone 17 Pro dhe Pro Max do të kenë pjesën e pasme të ridizajnuar me një zonë më të madhe të kamerës, duke e bërë fotografinë një pjesë edhe më të rëndësishme të pajisjes.

iPhone 17 më i hollë do të jetë dizajni i parë krejtësisht i ri në vite dhe do të jetë rreth 2 milimetra më i hollë se modelet aktuale. Apple po vë bast se kjo qasje mund të tërheqë klientë të rinj për iPhone, megjithëse pajisja do të ketë të metat e saj. Pritet të ketë jetëgjatësi më të shkurtër të baterisë dhe vetëm një kamerë të vetme të pasme.

Lansimi i iPhone 17 nga Apple do të nisë një periudhë produktesh të reja. Gjithashtu, në zhvillim e sipër janë syzet e përditësuara Vision Pro me një procesor më të shpejtë dhe një iPad Pro me një çip M5 dhe një kamerë të dytë të përparme. Kompania me seli në Cupertino të Kalifornisë po planifikon gjithashtu një HomePod mini të ri dhe një Apple TV.

Vitin tjetër, kompania planifikon modele të reja MacBook Pro, një iPhone 17e të nivelit të ulët dhe aksesorë të rinj për Mac, duke përfshirë një monitor të jashtëm. Lajmi më i madh në të ardhmen e afërt do të jetë altoparlanti i parë inteligjent i kompanisë me ekran, i cili është planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2026.

Lansimi në shtator do të nisë një riorganizim tre-vjeçar të iPhone, gjeneratorit më të madh të të ardhurave të Apple. Vitin tjetër, kompania do të prezantojë iPhone-in e saj të parë të palosshëm, duke ndjekur hapat e Samsung Electronics dhe Google. Në vitin 2027, Apple do të lançojë një iPhone me ekran të lakuar për të shënuar 20-vjetorin e produktit.

Elina Xhengo fiton medaljen e artë në finalen e Diamond League, sukses historik për atletikën shqiptare

By: Kult Plus
28 August 2025 at 23:13

Atletja shqiptare e hedhjes së shtizës, Elina Xhengo, shkroi një faqe të re në historinë e sportit shqiptar, duke fituar medaljen e artë në finalen e Diamond League që u zhvillua në Zyrih. Ky sukses përfaqëson medaljen e saj të parë të artë në këtë kompeticion prestigjioz, duke e vendosur Xhengon në mesin e elitës botërore të atletikës.

Kampionia evropiane e vitit 2022 arriti një hedhje 64.57 metrash, rezultat që i mjaftoi për të lënë pas konkurrentet më të forta dhe për të siguruar vendin e parë në finalen e madhe. Performanca e saj tregoi qëndrueshmëri, forcë dhe teknikë të shkëlqyer, duke e bërë një nga momentet më të bukura të sezonit në Diamond League.

Ky triumf vjen vetëm pak muaj para Kampionatit Botëror të Atletikës në Tokyo, ku Xhengo pritet të jetë një nga favoritët për medalje, duke sfiduar atletët më të mirë të botës. Për trajnerin Giorgos Botskariov dhe ekipin e saj, ky sukses është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të atletës shqiptare.

Me këtë rezultat, Elina Xhengo konfirmon vendin e saj në skenën ndërkombëtare, duke inspiruar gjeneratat e reja të sportistëve shqiptarë dhe duke rritur prestigjin e atletikës në vend./KultPlus.com

Drita bën histori, kualifikohet për herë të parë në fazën e Ligës së Konferencës

By: Kult Plus
28 August 2025 at 22:28

Skuadra e Dritës ka shkruar një faqe të re të futbollit kosovar në arenën europiane. Pas suksesit në Ballkan, kampionia e Kosovës është bërë skuadra e dytë kosovare që arrin fazën e ligës në Ligën e Konferencës.

Gjilanasit triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Differdange në Luksemburg, duke fituar 1:0. Ndeshja e parë në Prishtinë kishte përfunduar 2:1 në favor të Dritës, gjë që i dha avantazh të madh ekipit për këtë sfidë.

Në minutën e tretë, futbollisti i Differdange, Buch, u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë, çka e bëri më të lehtë dominimin e Dritës. Gol i vetëm u shënuar nga Besnik Krasniqi në minutën e 61-të, nga penalltia.

Me këtë fitore, Drita siguron vendin në fazën e ligës dhe nesër do t’i mësojë kundërshtarët në shortin që do të tërhiqet në mesditë./KultPlus.com

Melisa Ibrahimi vlerësohet me çmimin ‘Recognized Kosovar Pianist Melisa Ibrahimi’

By: Kult Plus
28 August 2025 at 22:10

Pianistja Melisa Ibrahimi pas pjesëmarrjes në festivalin “Mimas” në Procida të Italisë është vlerësuar me çmimin “Recognized Kosovar Pianist Melisa Ibrahimi”.

Pianistja Ibrahimi ka thënë se ky vlerësim përbën një hap historik, pasi për herë të parë një pianiste nga Kosova njihet zyrtarisht në këtë nivel ndërkombëtar.

“Këtë javë, në Festivalin prestigjioz Mimas në Procida, Itali, pata nderin të performoj në koncert dhe të pranoj çmimin “Recognized Kosovar Pianist Melisa Ibrahimi” për arritjet e mia artistike në skenën ndërkombëtare. Ky çmim shënon një hap historik, pasi për herë të parë një pianiste nga Kosova njihet zyrtarisht në këtë nivel ndërkombëtar. Ky vlerësim nuk është vetëm arritje personale, por edhe një dëshmi e potencialit të madh që arti kosovar ka për të zënë vend të merituar në skenat kulturore evropiane”, ka thënë pianistja Ibrahimi./ KultPlus.com

Yesterday — 28 August 2025Main stream

15 biblioteka magjike që çdo dashamirës librash duhet t’i vizitojë

By: Kult Plus
28 August 2025 at 21:44

Disa biblioteka të botës tërheqin vizitorët me arkitekturën e tyre madhështore, të tjerat me historinë që ruajnë, dhe disa me atmosferën e veçantë që nuk mund të përshkruhet lehtë një ndjesi që të shoqëron që në momentin që futesh brenda.

Aromë librash të vjetër, raftet e larta, dritaret me qelq të ngjyrosur çdo element tregon se si një bibliotekë mund të kthejë leximin në një përvojë pothuajse të shenjtë, shkruan KultPlus.

Disa nga bibliotekat më të mahnitshme për t’u vizituar:

Strahov Library, Pragë, Çeki – një perlë baroke me tavan të vizatuar dhe statuja që krijojnë një atmosferë ceremoniale.

Admont Abbey Library, Austri – brendësi e bardhë dhe e artë, me fresko që fluturojnë mbi koleksionet e teksteve teologjike.

George Peabody Library, Baltimore, SHBA – katër ballkone hekuri rrethojnë atriumin qendror, si një teatër i literaturës.

The Long Room, Trinity College Dublin, Irlandë – raftet prej druri të errët dhe aroma e letrës krijojnë një ambient intim dhe të thellë.

Royal Portuguese Reading Room, Rio de Janeiro, Brazil – një bibliotekë e shekullit XIX me punime të detajuara druri dhe dritare gotike që e bëjnë leximin të duket si një rit.

Stuttgart City Library, Gjermani – kub modern me brendësi të bardhë dhe hapësira gjeometrike, ku librat janë shpërthime ngjyrash.

Morgan Library & Museum, New York, SHBA – një kombinim mes studimit rinascimental dhe një depoje thesari me libra të rrallë.

Rijksmuseum Library, Amsterdam, Holandë – rafte të larta me tekste të vjetra dhe dritë natyrale që krijon një ndjesi muzeale.

Library of Celsus, Efes, Turqi – vetëm fasada ruhet, por kolonat dhe gdhendjet tregojnë historinë e një biblioteke romake të humbur.

Beinecke Rare Book Library, Connecticut, SHBA – një kullë qelqi me libra të rrallë, ku drita e filtruara i jep volumit ndjesinë e një objekti të shenjtë.

Teylers Museum Library, Holandë – një ambient historik ku studiuesit e shekullit XIX mund të lexonin tekste natyrore nën dritën e qirinjve.

Suzzallo Library, Seattle, SHBA – arkitekturë gotike që i bën hapat dhe zërat të duken si pjesë e një rituali.

Sainte-Geneviève Library, Paris, Francë – harku i hekurt dhe rendi i rafteve krijojnë një ritëm të qetë dhe të përqendruar.

Royal Library of Denmark (The Black Diamond), Kopenhagë – ndërtesa moderne me xham dhe hijeshinë e dritehijeve që japin ndjesinë e lëvizjes.

Liyuan Library, Huairou, Kinë – një hapësirë e thjeshtë prej druri në mes të pyllit, ku leximi bëhet një meditacion i vërtetë.

Çdo bibliotekë tregon se leximi nuk është vetëm një akt njohjeje, por mund të shndërrohet në një përvojë estetike dhe shpirtërore që të mbetet gjatë pas largimit./KultPlus.com

Ali Podrimja: Kthehu në vargun e Homerit

By: Kult Plus
28 August 2025 at 21:26

Poezi nga Ali Podrimja

Kthehu në vargun e Homerit
kthehu atje prej nga erdhe
koha jote s’është kjo, kthehu
liroji njerëzit prej vetvetes
e hijeve liroji prej maskave
e ikjeve liroji prej pagjumësisë
e heshtjeve liroji prej etheve
e shirave koha jote s’është kjo
kthehu në vargun e Homerit
Troja ra e Marsejezën
kahmot s’e këndojnë njerëzit.

Begaj: Shqipëria do të mbetet avokate dhe mbrojtëse e Kosovës

By: Kult Plus
28 August 2025 at 20:45

Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim luftëtarët e parë për çlirimin e Kosovës, të stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, familjarë të martirëve dhe ish-pedagogët ushtarakë që kryen trajnimet e asaj kohe.

Kreu i Shtetit vlerësoi guximin dhe sakrificën e tyre dhe, po ashtu, rolin e ushtarakëve të Shqipërisë në përgatitjen politike, logjistike dhe ushtarake.

Duke i cilësuar ata si “njerëz që kanë shkruar një faqe të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar”, Presidenti Begaj u shpreh se akti i vitit 1991 duhet vlerësuar për rëndësinë historike si dhe të mësohet në shkolla për të mos mbetur në harresë.

Presidenti Begaj theksoi se nga ky moment, nga kjo sakrificë nisi udha drejt luftës për çlirimin e Kosovës dhe se vepra e të gjithë atyre që guxuan dhe sakrifikuan nuk do të harrohet kurrë.

“Ngjarjet e tetor-nëntorit të ‘91-shit janë fillimi i flakës së madhe të çlirimit të Kosovës. Ishte një sakrificë, sakrificë, së pari, e atyre njerëzve që dolën vullnetarë dhe erdhën për t’u stërvitur në Shqipëri, sakrificë e atyre pedagogëve që i mësuan, trajnuan, i stërvitën, të cilët nuk e dinin se si do të shkonte Shqipëria dhe kur askush nuk e imagjinonte që në ’99-ën ne do të kishim një Kosovë të çliruar”.

Ndërsa nderoi figurën e martirëve të këtij grupi të përgatitur në Tiranë, mes të cilëve ishte dhe Adem Jashari, Ilaz Kodra dhe Sali Çekaj. Presidenti Begaj i siguroi pjesëmarrësit në takim për angazhimin e tij në vlerësimin e veprës së ish-luftëtarëve.

“Unë ju siguroj që ju do të keni gjithmonë vëmendjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, UÇK-ja do të jetë patjetër në vëmendjen e shtetit shqiptar”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të mbetet një avokate dhe mbrojtëse e Kosovës në çfarëdo lloj rrethane dhe situate, ndërsa kërkoi që dhe Kosova të dëshmojë pjekurinë e duhur për të ecur përpara.

“Vetë shteti i Kosovës duhet të bëjë shumë më shumë për interesat e brendshme të Kosovës. Tani jemi në një situatë që shpresoj të tejkalohet ngërçi institucional për formimin e institucioneve të reja, pasi Kosova e ka shumë të nevojshme, shumë të domosdoshme për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare që është e aftë të bëjë shtetformim dhe të jetë një partner i besueshëm për ata të cilët kontribuuan për shtetin e Kosovës, që janë partnerët tanë strategjik: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”, nënvizoi Begaj.

Gjatë bashkëbisedimit, ish-luftëtarët sollën përjetimet e atyre viteve dhe vuajtjet që pasuan nga torturat në burgjet jugosllave apo gjatë luftës së UÇK-së, si dhe i përcollën Kreut të Shtetit mirënjohjen për mbështetjen nga Shqipëria, si dhe për pritjen e rezervuar sot në Institucionit e Presidentit të Republikës.

Venecia 2025: Tapeti i kuq ndriçon me yje dhe elegancë në hapjen e Festivalit të Filmit

By: Kult Plus
28 August 2025 at 20:21

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia ka nisur më 27 gusht, duke sjellë jo vetëm premierat më të pritura të vitit, por edhe paraqitjet më glamuroze të tapetit të kuq. Në Lido di Venezia, yjet e Hollivudit kanë lënë pas pushimet verore për të shkëlqyer me fustane të personalizuara nga markat më të mëdha të modës si Armani, Chanel e Prada.

Cate Blanchett magjepsi publikun në hapje me një fustan të ri-Armani Privé, të cilin e kishte veshur për herë të parë në vitin 2022, duke dëshmuar se eleganca është e përjetshme.

Emma Stone erdhi me një krijim të Louis Vuitton, me një fustan argjendi të mbushur me shkëlqim, ndërsa Alicia Silverstone solli freskinë e një fustani këmishë të bardhë të ridizajnuar për glamurozin e Venecias.

Nga ana tjetër, Tilda Swinton u shfaq me një kombinim bardh e zi Chanel, që kombinonte klasiken me detaje plot fantazi.

Festivali, që zgjat deri më 7 shtator, do të sjellë premierat e filmave si “Bugonia” me Emma Stone dhe “Jay Kelly” me George Clooney, por edhe dhjetëra momente të paharrueshme të tapetit të kuq me pjesëmarrjen e emrave si Amal Clooney, Julia Roberts e shumë të tjerë.

Tapeti i kuq i Venecias mbetet çdo vit një kombinim i kinemasë dhe modës, ku filmi dhe eleganca ecin krah për krah./KultPlus.com

Festivali i Filmit në Venecie, Werner Herzog fiton Luanin e Artë për karrierën

By: Kult Plus
28 August 2025 at 20:06

Dy tapete të kuqe, dy filma në natën e parë dhe Festivali i 82-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecie ka ngritur siparin.

Filmi “La Grazia” i Paolo Sorrentinos hapi eventin me protagonistët Toni Servillo dhe Ana Farzetti. Filmi i dytë ishte “Mother” i regjisores maqedonase Teona Strugar Mitevska, me protagoniste Noomi Rapace në rolin e Nënë Terezës së Kalkutës.

Ceremonia e hapjes së ngjarjes botërore të filmit u drejtua nga Emanuela Faeli, dhe gjatë mbrëmjes, Luani i Artë për karrierën iu dorëzua regjisorit gjerman Werner Herzog nga Francis Ford Coppola.

Unë jam një ushtar i kinemasë dhe për mua kjo do të thotë këmbëngulje, guxim dhe ndjenjë detyre. Kjo është, në fund të fundit, ajo që më solli këtu. Faleminderit,” tha Herzog.

Sot, në ditën e dytë, tapetin e kuq do ta shkelë një dyshe hollivudiane: George Clooney dhe Emma Stone, por edhe yje të tjera të kinematografisë, me një program që përfshin tre filma: komedia e zezë “Bugonia”, “Jay Kelly” dhe “Orphan” i hungarezit László Nemes./rtsh

Drita në prag të historisë, sonte sfidon Differdange për fazën e grupeve të Conference League

By: Kult Plus
28 August 2025 at 19:45

Skuadra e Dritës është vetëm një hap larg historisë, duke synuar për herë të parë kualifikimin në fazën e grupeve të Conference League.

Kampioni i Kosovës do të luajë sonte në transfertë ndaj ekipit nga Luksemburgu, Differdange, në kuadër të play-offit të kësaj gare prestigjioze evropiane.

Drita e ka një avantazh të lehtë pas ndeshjes së parë në Gjilan, ku fitoi me rezultatin 2-1. Kjo fitore i jep gjilanasve shpresa të mëdha për ta mbyllur me sukses këtë rrugëtim evropian.

Ndeshja Differdange – Drita nis në orën 20:00 dhe pritet me shumë interes nga tifozët, të cilët shpresojnë të shohin skuadrën e tyre për herë të parë në një fazë grupesh të UEFA-s./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhuron libra për bibliotekat komunale

By: Kult Plus
28 August 2025 at 18:56

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka vijuar nismën për mbështetjen e bibliotekave në nivel vendi, duke shpërndarë kontingjente librash për disa komuna të Kosovës.

Këtë herë, dhuratat me libra kanë mbërritur në bibliotekat e Gjilanit, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Drenasit, Kamenicës, Skenderajt, Obiliqit dhe Artanës.

Ndër botimet me vlerë të veçantë që janë bërë pjesë e dhurimit spikasin:

Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Rilindja”, librat janë përzgjedhur kryesisht për nxënësit e nivelit parauniversitar dhe do të shpërndahen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke pasuruar koleksionet ekzistuese dhe duke nxitur kulturën e leximit te gjeneratat e reja./KultPlus.com

Presidentja Osmani takon Prattipatin, flasin për zgjedhjen e Bashës, nënkryetarët dhe konstituimin

By: Kult Plus
28 August 2025 at 18:36

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me të ngarkuarën me punë të ShBA-së, Anu Prattipati.

Bëhet e ditur se e para e shtetit foli me Prattipatin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, por edhe për hapat drejt konstituimit të plotë të kuvendit.

“Në mesin e temave të diskutuara ishte edhe bashkëpunimi dypalësh, ku u rikonfirmua gatishmëria për avancimin e mëtejshëm në fusha me interes strategjik për të dyja vendet”.

“Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe këtë vit si kryesuese e delegacionit të Kosovës në cilësinë e saj si Kreu i shtetit, u diskutua për agjendën si dhe pritshmëritë nga takimet dhe aktivitetet e planifikuara”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës e ka mbajtur seancën e radhës konstituive, por që ka dështuar në zgjedhjen e nënkryetarit nga pakicat serbe.

Ndarja nga jeta e Naun Shundit, Gonxhja: Do kujtohet për dashurinë që përcolli tek publiku

By: Kult Plus
28 August 2025 at 18:14

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja reagoi sot pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Naun Shundi.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja e konsideroi të trishtë lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit të mirënjohur Naun Shundi, pas një beteje shëndetësore me sëmundje të rëndë.

“Artisti që dha shpirt e jetë për skenën shqiptare, do të kujtohet gjithmonë për rolet e tij të paharrueshme dhe dashurinë që përcolli tek publiku”, u shpreh Gonxhja.

Ministri Gonxhja u ka shprehur “ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik për humbjen e një figure të shquar, që do të mbetet përherë pjesë e identitetit tonë kulturor”.

Aktori i njohur Naun Shundi u nda sot nga jeta në moshën 66-vjeçare pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehu gatishmërinë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme për aktorin Shundi.

Naun Shundi dha një kontribut të çmuar për më shumë se katër dekada në fushën e aktrimit, regjisurës dhe dramaturgjisë. Gjatë karrierës së tij, Shundi interpretoi mbi 100 role në teatër dhe mori pjesë në rreth 20 filma.

Muzeu ‘Van Gogh’ në Holandë rrezikon të mbyllet

By: Kult Plus
28 August 2025 at 17:46

Muzeu Van Gogh në Amsterdam paralajmëroi të mërkurën se përballet me mbyllje nëse nuk merr fonde shtetërore, duke thënë se një rinovim prej 104 milionë eurosh ishte jetik për të mbrojtur kryeveprat e tij.

Muzeu i cili mban koleksionin më të madh në botë të veprave të artistit tha se projekti nuk mund të vazhdonte nëse shteti holandez nuk do të respektonte një marrëveshje të vitit 1962 me nipin e Vincent van Gogh duke siguruar fondet e nevojshme.

Ministria holandeze e kulturës e hodhi poshtë paralajmërimin, duke thënë se muzeu tashmë kishte marrë një subvencion sipas Aktit të Trashëgimisë Holandez që ishte i mjaftueshëm për të mbuluar mirëmbajtjen.

Muzeu strehon më shumë se 200 piktura të artistit të torturuar holandez, 500 vizatime të tij dhe pothuajse të gjitha letrat e tij.

Vincent van Gogh, i cili vdiq në vitin 1890 në moshën 37 vjeç, krijoi më shumë se 800 piktura dhe konsiderohet si një nga figurat më me ndikim në artin perëndimor.

Muzeu Van Gogh është një nga institucionet kulturore më të njohura të Holandës.

Firma e inteligjencës artificiale thotë se teknologjia e saj është ‘armatosur’ nga hakerët

By: Kult Plus
28 August 2025 at 16:10

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale (IA) Anthropic thotë se teknologjia e saj është “armatosur” nga hakerët për të kryer sulme kibernetike të sofistikuara.

Anthropic, e cila ka krijuar chatbot-in Claude, thotë se mjetet e saj janë përdorur nga hakerët për të kryer vjedhje dhe shantazh në shkallë të gjerë të të dhënave personale.

Kompania tha se IA e saj është përdorur për të ndihmuar në shkrimin e kodit që më pas u përdor në sulmet kibernetike, ndërsa në një rast tjetër, mashtrues nga Koreja e Veriut përdorën Claude për të aplikuar në mënyrë të rreme për punë në distancë në kompani të mëdha amerikane.

Anthropic thotë se ka arritur të ndërpresë aktivitetin e këtyre aktorëve kërcënues dhe i ka raportuar rastet tek autoritetet, si dhe ka përmirësuar mjetet e saj të zbulimit.

Përdorimi i IA-së për të ndihmuar në shkrimin e kodit është rritur në popullaritet ndërsa teknologjia bëhet më e fuqishme dhe më e aksesueshme.

Anthropic thotë se ka zbuluar një rast të ashtuquajtur “sulmi nëpërmjet atmosferës së përgjithshme (vibe hacking)”, ku IA e saj është përdorur për të shkruar kod që mund të hakonte të paktën 17 organizata të ndryshme, përfshirë institucione qeveritare.

Kompania tha se hakerët “e përdorën IA-në në një nivel që ne besojmë se është i paparë deri më tani”.

Ata përdorën Claude për të marrë vendime si taktike ashtu edhe strategjike, si për shembull për të vendosur se cilat të dhëna të grabiten dhe si të përpilojnë mesazhe shantazhi të synuara psikologjikisht.

IA madje sugjeroi edhe shumën e shpërblesës (ransom) që t’u kërkohej viktimave.

IA agjentike, ku teknologjia vepron në mënyrë autonome, është promovuar si hapi i radhës në këtë fushë.

Por këto shembuj tregojnë disa nga rreziqet që këto mjete të fuqishme paraqesin për viktimat e mundshme të krimit kibernetik.

Përdorimi i IA-së bën që koha e nevojshme për të shfrytëzuar dobësitë në sigurinë kibernetike të zvogëlohet me shpejtësi, tha Alina Timofeeva, këshilltare për krimin kibernetik dhe IA.

“Zbulimi dhe parandalimi duhet të kalojnë në një qasje proaktive dhe parandaluese, jo reaktive pasi dëmi të jetë bërë”, shtoi ajo.

Por nuk është vetëm krimi kibernetik ku po përdoret kjo teknologji.

Anthropic tha se “operativë nga Koreja e Veriut” përdorën modelet e saj për të krijuar profile të rreme për të aplikuar për punë në distancë në kompani amerikane të Fortune 500.

Përdorimi i punës në distancë për të fituar akses në sistemet e kompanive është i njohur tashmë, por Anthropic thotë se përdorimi i IA në këtë skemë mashtruese është një fazë krejtësisht e re e këtyre mashtrimeve punësimi.

Ajo thotë se IA është përdorur për të shkruar aplikime pune dhe, pasi mashtruesit janë punësuar, është përdorur për përkthimin e mesazheve dhe shkrimin e kodit.

Shpesh, punëtorët nga Koreja e Veriut janë “të izoluar nga bota e jashtme, si nga ana kulturore ashtu edhe teknologjike, duke e bërë të vështirë për ta realizimin e kësaj mashtrimi”, tha Geoff White, bashkë-prezantues i podcast-it të BBC-së “The Lazarus Heist”.

“IA agjentike mund t’i ndihmojë ata të kapërcejnë këto barriera dhe të punësohen,” tha ai.

“Punëdhënësi i tyre i ri, në mënyrë të pavetëdijshme, bie ndesh me sanksionet ndërkombëtare duke i paguar një qytetar koreano-verior.”

Por ai shtoi se IA aktualisht nuk po krijon valë krejtësisht të reja krimi, pasi shumica e sulmeve ransomware ende ndodhin përmes metodave të zakonshme, si email-et mashtruese (phishing) dhe shfrytëzimi i dobësive në softuer.

“Organizatat duhet të kuptojnë se IA është një depo informacioni konfidencial që duhet mbrojtur njësoj si çdo sistem tjetër ruajtjeje,” tha Nivedita Murthy, konsulente e lartë për sigurinë në firmën e sigurisë kibernetike Black Duck./BBC/KultPlus.com

Stephen King dhe Maurice Sendak rikthejnë ‘Hansel dhe Gretel’ si një tmerr për të gjitha moshat

By: Kult Plus
28 August 2025 at 15:30

Nga bashkëpunimi mes mjeshtrit të horrorit Stephen King dhe ilustratorit legjendar të letërsisë për fëmijë Maurice Sendak, lind një version i ri i përrallës klasike “Hansel dhe Gretel”, që përçon frikë, ankth dhe reflektim të thellë, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë lexuesit, sidomos ata që kujtojnë çfarë do të thotë të jesh i vogël dhe i pambrojtur.

Libri, një botim elegant dhe i hollë me shkronja të mëdha dhe ilustrime të fuqishme, ngjan me një libër për fëmijë në pamje të parë. Por nuk duhet të gabojmë: kjo është një histori tmerri, e ndërtuar me mjeshtëri nga King, i cili zhbiron thellë në dimensionin psikologjik të frikës dhe traumës së fëmijërisë, dhe Sendak, i njohur për mënyrën e tij të ndërlikuar dhe shpesh të errët të trajtimit të botës fëminore.

Përralla nis me formulën klasike “Na ishte një herë…”, duke krijuar ndjesinë e një bote të largët dhe të sigurt, por kjo ndjesi shpejt zhbëhet. Ajo që ndjek është një rrëfim i mbushur me humbje, rrezik dhe dy fëmijë të detyruar të përballen me brutalitetin e botës, të tradhtuar nga prindërit dhe të përndjekur nga një shtrigë që mishëron frikërat arketipale.

Ky ribotim i “Hansel dhe Gretel” ngre pyetjen thelbësore: për kë janë shkruar vërtet përrallat e vjetra? Edhe pse sot shpesh i konsiderojmë si pjesë të literaturës për fëmijë, përrallat e Brothers Grimm, të mbledhura në fund të shekullit XVIII gjatë një vale nacionalizmi gjerman, ishin shpesh të dhunshme, të errëta dhe të mbushura me mesazhe të zymta për jetën. Pas Luftës së Dytë Botërore, madje u ndaluan përkohësisht në Gjermani, pasi mendohej se kishin ndikuar në frymën nacionaliste që ushqeu ideologjinë naziste.

Në vend të pafajësisë, shumë prej këtyre tregimeve përshkruajnë humbjen e saj. Zgjidhjet që ofrojnë janë shpesh të përgjakshme dhe të kushtueshme. Vetë “Hansel dhe Gretel” është një histori mbijetese, mashtrimi, dhe triumfi të hidhur.

Stephen King, me mjeshtërinë e tij për të eksploruar frikën njerëzore, i jep kësaj përralle një thellësi të re dhe i rikujton lexuesit se tmerret më të mëdha shpesh ndodhin jo nëpër rrugica të errëta apo shtëpi të braktisura, por në zemër të familjes dhe fëmijërisë.

Ky libër është një rikujtim se përrallat, edhe në formën më të thjeshtë, mund të jenë pasqyrë e errësirës së brendshme dhe mjete për të përballuar atë që na tremb më shumë. Dhe ndoshta, siç sugjeron edhe vetë King, horror-i nuk është vetëm për të na frikësuar, por për të na treguar të vërtetat që nuk guxojmë t’i themi me zë./theobserver/KultPlus.com

Vizatimi më i vjetër në botë, shkencëtarët zbulojnë pikturën 51.200 vjeçare

By: Kult Plus
28 August 2025 at 15:00

Shembulli më i vjetër i artit figurativ të shpellave është zbuluar në ishullin indonezian Sulawesi nga shkencëtarë australianë dhe indonezianë.

Piktura e një derri të egër dhe tre figurave të ngjashme me njeriun është të paktën 51.200 vjet e vjetër, më shumë se 5.000 vjet më e vjetër se arti i mëparshëm më i vjetër i shpellës.

Sipas ekspertëve, zbulimi tregon se njerëzit asokohe kishin aftësinë për të menduar në terma abstrakte.

Këto piktura përfaqësojnë një evolucion në proceset e mendimit në specien tonë që i dhanë fill artit dhe shkencës.

Prof Adam Brumm nga Universiteti Griffith tha se zbulimet më të fundit të artit të shpellave indoneziane hedhin dritë të re mbi rolin e rëndësishëm të tregimit në historinë e artit.

“Vlen të përmendet se arti më i vjetër i shpellave që kemi gjetur deri më tani në Sulawesi përbëhet nga skena të dallueshme: domethënë, piktura që përshkruajnë njerëzit dhe kafshët duke ndërvepruar në atë mënyrë që ne mund të nxjerrim përfundimin se artisti synon të komunikojë një rrëfim të një lloji-një histori”, tha ai./euronews.al/KultPlus.com

‘Çka po sheh?’ – Homazh për të zhdukurit në Muzeun e Burgut të Prishtinës

By: Kult Plus
28 August 2025 at 13:31

Më 29 dhe 30 gusht 2025, në ambientet e Muzeut të Burgut të Prishtinës, “Burgu i Idealit”, do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, nën moton simbolike “Çka po sheh?”. Kjo ngjarje përkujtuese, e organizuar nga organizata Molla e Kuqe me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sjell përmes artit, mendimit dhe muzikës një reflektim të thellë për mijëra njerëzit e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, dhe për trupin si hapësirë e kujtesës, dhimbjes dhe mungesës.

Më 29 gusht, aktivitetet nisin me fjalën shqyrtuese të Orgest Azizit: “Montazhe të dritës dhe forma të (zh)dukjes së trupave”, një reflektim kushtuar veprës ikonike të Michel Foucault, “Disiplinë dhe ndëshkim: Lindja e burgut”, në 50-vjetorin e botimit të saj.
Azizi, përkthyes i librit në shqip, shtjellon mënyrën sesi Foucault e vendos trupin në qendër të proceseve politike dhe estetike të disiplinës, ndërkohë që ndriçon mekanizmat e zhdukjes përmes mjeteve të mbikëqyrjes dhe dhunës sistematike, transmeton KultPlus.

Në këtë kontekst, ai sjell në diskutim edhe punën e kineastëve si Harun Farocki (Imazhe burgu) dhe Patricio Guzmán (Nostalgjia e dritës), të cilët përmes montazhit vizual ndërlidhin panoptizmin me an-optikën, kalimin nga trupi i kontrolluar, te trupi i zhdukur.

Në datën 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, aktiviteti artistik merr formën e një homazhi të ndjerë përmes muzikës, artit pamor dhe dokumentarit.

Nderim Arifi, përmes koncertit në kitarë klasike “Malli i yjeve”, sjell një dialog të heshtur me trupat e munguar, duke interpretuar vepra nga Silvius Leopold Weiss, Miguel Llobet, dhe Agustín Barrios Mangoré, një udhëtim muzikor nga terri drejt dritës.

Mentor Berisha, me ekspozitën dhe instalacionin e tij artistik, ndërton një vizualitet të ndjeshëm të dhimbjes kolektive dhe mungesës së formës. Ndërsa artistja Besa Berberi, përmes ninullave të saj në kuadër të thirrjes “Trup i mbyllur – Trup i zhdukur”, i jep zë një dhimbjeje që shpesh mbetet e heshtur, asaj të qindra fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.

Ngjarja mbyllet me shfaqjen e filmit dokumentar “Mjegull” nga Ujkan Hysaj, i cili sjell histori të familjarëve të personave të zhdukur, të mbërthyer mes kujtimit dhe pritjes së pafund. Një rrëfim prekës për ata që ende presin, që çdo trokitje në derë ta kthejnë në një shpresë, qoftë edhe në ëndërr, për rikthimin e të dashurve të tyre.

Këto dy ditë veprimtarish në Burgu i Idealit, që tashmë funksionon si hapësirë muzeale dhe reflektimi, synojnë të kthejnë vëmendjen nga historia jonë më e errët, duke i dhënë zë dhe figurë trupave të zhdukur, jo vetëm përmes statistikave, por përmes artit që flet më thellë se fjalët.

Me moton “Çka po sheh?”, ngjarja sfidon shikuesin: A jemi ende të verbër përballë dhimbjes që vazhdon? A kemi guxim të shohim, të kujtojmë, dhe të mbajmë përgjegjësi?/KultPlus.com

Naun Shundi – Një humbje e madhe për artin shqiptar

By: Kult Plus
28 August 2025 at 13:00

Naun Shundi ishte aktor, regjisor dhe dramaturg shqiptar me karrierë të pasur që zgjati dekada. Ai ka luajtur në më shumë se 95 role dhe është nderuar nga Teatri Kombëtar për kontributin e tij të gjatë dhe të vyer.

Në vitet e fundit, Shundi themeloi Teatrin “Zonja e Bujtinës”, një hapësirë kulturore inovative që shërbeu si vend për promovime, takime, ekspozita dhe shfaqje teatrore. Ideale për artin e ngushtë dhe ftesë për bashkëpunim komunitar, ky teatër u ndërtua edhe në ambientin e shtëpisë së tij, transmeton KultPlus.

Ai shkroi dhe interpretoi monokomedinë “Babi”, ku shkrimtari dhe aktori përshkon rrëfime absurde dhe introspektive mbi vetminë dhe tranzicionin shoqëror në Shqipëri.

Në vitin 2023, Shundi realizoi “Osman Taka”, një dramë me mesazh filozofik të shkruar nga Arben Iliazi, e shfaqur me sukses në Teatrin Kombëtar Eksperimental.

Në gusht të vitit 2025, Shundi u tërhoq nga aktiviteti artistik për shkak të një sëmundjeje të rëndë, kancer i lëkurës. Familja e tij nisi një fushatë fondesh për trajtimin mjekësor në Francë, me nevojë për rreth 250,000 euro.

Në përballjen me sëmundjen e rëndë, Shundi qëndroi si një simbol i rezistencës artistike dhe moralit që kërkonte vëmendje për teatrin dhe vlerat kulturore. Ndërhyrja institucionale për trajtimin e tij tregon se arti dhe krijuesit e tij ende meritojnë mbështetje.

Sot, më 28 gusht 2025, Shundi u nda nga jeta duke lënë pas një karrierë shumë vjeçare dhe një punë që pasuroi artin e kulturën shqiptare.

Kontributi i tij për kulturën kombëtare ishte i jashtëzakonshëm, duke u kthyer në një zë të rëndësishëm të skenës dhe një mentor për breza të rinj artistësh. Humbja e tij është një plagë e madhe për artin shqiptar, që mbetet më i varfër pa prezencën, pasionin dhe vizionin e tij./KultPlus.com

‘N’atë vështrim të pakuptuar zbulohej jeta gjer në fund’

By: Kult Plus
28 August 2025 at 12:00

Poezi nga Fjodor Tjutçev

Kam njohur sy-o, ata sy!
Sa fort i desha, e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat me ngadal,
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal

Shpesh rrihja shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot.

Përktheu: Petraq Kolevica/KultPlus.com

❌
❌