Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Reshjet e dendura të shiut/ Rrëshqitje gurësh në zonën e Shkopetit, bllokohet rruga pranë tunelit

Reshjet e dendura te shiut gjatë natës, kanë sjellë probleme në zonën e Shkopetit. Masive gurësh kanë rrëshkitur duke bllokuar rrugën pranë tunelit të Shkopetit.

Masive të mëdha gurësh, kanë rënë dhe në objektet e kompanisë HEC-it madje dhe në vendin ku qëndron roja i objektit, fatmirësisht pa pasoja.

Menjëherë punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës Skuraj- Burrel në orët e para të mëngjesit, janë në vendngjarje për të larguar masivet e gurëve, ndërsa pritet të mbërrijë fadromat për hapjen e plotë të këtij aksi rrugor.

Sakaq janë shkulur dhe pyje që ndodhen pranë rrugës, nga reshjet gjatë natës në zonën e Shkopetit pranë tunelit./abcnews.al

Kina u ofron prindërve 1,500 dollarë për të nxitur lindjet

Qeveria kineze ka njoftuar një skemë të re kombëtare subvencioni, e para në rang kombëtar, për të nxitur lindjet në vend, teksa përballet me rënie të vazhdueshme të normës së lindshmërisë dhe plakje të popullsisë. Prindërit do të përfitojnë 3 mijë e 600 juanë (rreth 500 dollarë amerikanë ose 375 paund) në vit për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç.

Sipas mediave shtetërore, rreth 20 milionë familje pritet të përfitojnë nga kjo nismë, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike të rritjes së fëmijëve.

Skema, e bërë publike të hënën, do të ofrojë një shumë totale deri në 10,800 juanë për fëmijë dhe do të zbatohet në mënyrë retroaktive që nga fillimi i këtij viti. Prindërit e fëmijëve të lindur në periudhën 2022–2024 do të kenë gjithashtu të drejtën për përfitime të pjesshme.

Nisma vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve lokale në Kinë për të përmirësuar normat e lindshmërisë, përmes politikave mbështetëse dhe stimujve financiarë.

Në muajin mars, qyteti Hohhot në veriun e vendit nisi ofrimin e deri në 100 mijë juanëve për çdo fëmijë për çiftet me të paktën tre fëmijë. Ndërkohë, qyteti Shenyang, në verilindje të Pekinit, ofron 500 juanë në muaj për familjet vendase me një fëmijë të tretë nën moshën tre vjeç.

Javën e kaluar, autoritetet qendrore në Pekin u kërkuan qeverive lokale të hartojnë plane për ofrimin e arsimit parashkollor falas, si pjesë e strategjisë së gjerë për të përballuar sfidat demografike të vendit.

Sipas një studimi të Institutit kinez të Kërkimeve mbi Popullsinë “YuWa”, Kina është një ndër vendet më të shtrenjta në botë për të rritur një fëmijë. Kostoja mesatare për të rritur një fëmijë deri në moshën 17 vjeç kap vlerën e rreth 75 mijë e 700 dollarëve amerikanë.

Të dhënat zyrtare të publikuara në janar tregojnë se popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit radhazi. Në vitin 2024 u regjistruan 9.54 milionë lindje, një rritje e lehtë krahasuar me vitin paraardhës, por popullsia totale e vendit vazhdoi të tkurret.

Me një popullsi prej rreth 1.4 miliardë banorësh, Kina po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, çka e shton më tej shqetësimin për të ardhmen e fuqisë punëtore dhe për ngarkesën mbi sistemin social dhe ekonomik të vendit./abcnews.al

Tajlanda akuzon Kamboxhian për shkelje të qëllimshme të armëpushimit

Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian për shkelje të qëllimshme të armëpushimit të arritur të hënën, i cili synonte t’i jepte fund përplasjes së përgjakshme pesëditore përgjatë kufirit të përbashkët. Konflikti ka shkaktuar të paktën 33 viktima dhe ka detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas ushtrisë tajlandeze, forcat e saj kanë ndalur zjarrin pas mesnatës, por kanë vijuar të marrin goditje nga pala kamboxhiane në disa zona deri mëngjesin e së martës.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias deklaroi për agjencinë e lajmeve AFP se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në mesnatë “nuk ka pasur përplasje të armatosura” mes dy palëve. Takimi mes komandantëve lokalë, i parashikuar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, është shtyrë dy herë dhe mund të mos mbahet fare.

Tensionet mes dy vendeve të Azisë Juglindore mbi kufirin e diskutueshëm me shekuj u përshkallëzuan fillimisht në maj, kur një ushtar kamboxhian u vra gjatë një përplasjeje. Situata u përkeqësua më tej javën e kaluar, pasi pesë ushtarë tajlandezë u plagosën nga një shpërthim mine. Tajlanda reagoi duke mbyllur disa pika kufitare, dëbuar ambasadorin kamboxhian dhe tërhequr ambasadorin e vet nga Phnom Pen.

Pas një shkëmbimi zjarri të enjten në mëngjes, Kamboxhia u përgjigj duke lëshuar disa raketa në drejtim të territorit tajlandez, duke shkaktuar viktima mes civilëve. Edhe më shumë civilë humbën jetën në ditët në vijim, ndërsa dhjetëra mijëra banorë u evakuuan drejt qendrave të strehimit.

Shkëmbimet intensive të zjarrit mes dy ushtrive vazhduan deri në mesnatën e së hënës, kur hyri në fuqi armëpushimi. Deri në atë moment, Tajlanda kishte ndërmarrë edhe sulme ajrore ndaj pozicioneve kamboxhiane.

Megjithatë, të martën në mëngjes përpara se Tajlanda të akuzonte për shkelje të marrëveshjes kryeministri kamboxhian Hun Manet deklaroi se “vijat e frontit janë qetësuar” që nga mesnata.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet ranë dakord të tërheqin forcat ushtarake dhe të lejojnë praninë e vëzhguesve të pavarur për të parandaluar përplasjet e mëtejshme.

Takimi mes Hun Manet dhe homologut të tij tajlandez Phumtham Wechayachai u zhvillua të hënën në Malajzi, me ndërmjetësimin e kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim. Kamboxhia, e cila ndodhet në pozita më të pafavorshme ushtarake, ka kërkuar me këmbëngulje një armëpushim dhe e ka cilësuar takimin si “shumë të suksesshëm”.

Tajlanda, që fillimisht ishte e rezervuar për të hyrë në negociata, ndryshoi qëndrim pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar bisedimet tregtare me dy vendet nëse ato nuk ndalonin luftimet.

Përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias për kufirin datojnë më shumë se një shekull më parë, që nga ndarja e territoreve pas kolonizimit francez të Kamboxhias. Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm në vitin 2008, kur Kamboxhia kërkoi të regjistronte një tempull të shekullit XI në zonën e diskutueshme si Trashëgimi Botërore në UNESCO, një veprim që u kundërshtua ashpër nga Tajlanda.

Prej atëherë, kanë ndodhur përplasje sporadike që kanë shkaktuar viktima si në radhët e ushtarëve, ashtu edhe të civilëve.

Tensionet më të fundit nisën në maj pas vrasjes së një ushtari kamboxhian dhe kanë sjellë përkeqësimin më të madh të marrëdhënieve dypalëshe në më shumë se një dekadë.

Gjatë dy muajve të fundit, të dy vendet kanë vendosur kufizime tregtare dhe kufitare ndaj njëri-tjetrit. Kamboxhia ndaloi importet nga Tajlanda, përfshirë fruta, perime, si dhe shërbime energjetike dhe të internetit. Në të njëjtën kohë, të dyja palët kanë shtuar praninë ushtarake në zonat kufitare./abcnews.al

Sulm me armë në New York/ Katër të vdekur, mes tyre edhe një efektiv policie

Një person i armatosur ka vrarë katër persona, përfshirë një oficer policie, gjatë një sulmi me armë në një rrokaqiell në New York.

Autori vdiq nga një plagë me armë zjarri në gjoks që e kishte shkaktuar vetë, pasi vrau oficerin dhe tre civilë, thanë zyrtarët, shkruan Sky News.

I dyshuari u identifikua si një burrë 27-vjeçar nga Las Vegasi i quajtur Shane Devon Tamura, tha komisionerja e policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, në një konferencë për shtyp.

Ajo shtoi se Tamura kishte një “histori të dokumentuar të shëndetit mendor”, por motivi i tij ishte i panjohur.

Përveç të vrarëve, një burrë u plagos rëndë dhe mbetet në gjendje kritike.

Oficeri i policisë që u vra është identifikuar si Didarul Islam.

@NYCMayor and @NYPDPC provide an update on a shooting in Manhattan. https://t.co/quA9b0yQNd

— NYPD NEWS (@NYPDnews) July 29, 2025

Horoskopi 29 Korrik 2025, zbuloni parashikimet e yjeve

DASHI

Java fillon me një nxitje të këndshme energjie. Dielli ju bën protagonist dhe Marsi forcon dëshirën tuaj për veprim. Është koha e duhur për të ecur përpara me një projekt personal. Në dashuri, është më mirë të shmangni debatet e pakuptimta: lëreni zemrën tuaj të flasë vetë.

DEMI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e martë, 29 korrik 2025), është një ditë reflektimi. Kjo nuk është koha për të imponuar gjëra, por përkundrazi për të vëzhguar dhe dëgjuar. Saturni kërkon disiplinë, por Venusi ndihmon me marrëdhëniet personale. Nëse diçka ju ka zhgënjyer, është koha të ndryshoni perspektivën tuaj.

BINJAKËT

Yjet janë në anën tuaj, por kini kujdes nga angazhimet e tepërta. Rrezikoni të thoni po për gjithçka dhe pastaj të mbeteni pa energji. Kjo është një kohë e shkëlqyer për rrjetëzim dhe ide të shkëlqyera, veçanërisht në sferën profesionale. Në dashuri, dëshira për të luajtur kthehet.

GAFORRJA

Emocionet sot ju bëjnë të prekshëm, por edhe më autentikë. Hëna i flet drejtpërdrejt zemrës suaj: dëgjojeni. Ata që kanë përjetuar një krizë në marrëdhëniet e tyre tani mund të shërohen. Në punë, duhet të ruani qetësinë: jo gjithçka është ashtu siç duket.

LUANI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e martë, 29 korrik 2025), me Diellin në shenjën tuaj, ju jeni rrezatues! Ju doni të rifitoni kontrollin dhe do ta bëni, por mos harroni ata që ju kanë qëndruar pranë në kohë të vështira. Në dashuri, ju jeni magnetikë, por shmangni lojërat e pushtetit. Konfirmimi do të vijë shpejt.

VIRGJËRESHA

Një ditë produktive. Mendja juaj është e qartë dhe praktike, pikërisht ashtu siç ju pëlqen. Kjo është një kohë e shkëlqyer për të zgjidhur çështjet financiare ose burokratike. Dashuri? Mund të habiteni nëse hiqni dorë nga nevoja për të kontrolluar gjithçka.

PESHORJA

Pak melankolik po ju shoqëron, por yjet po ju nxisin të reagoni. Venusi mbron ndjenjat tuaja dhe ndihmon me marrëdhëniet e ndërlikuara. Në punë, është më mirë të shmangni konfliktet: vëzhgoni dhe shtyni vendimet e rëndësishme deri nesër.

AKREPI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e martë, 29 korrik 2025), është një ditë e fuqishme, por edhe disi e tensionuar. Marsi ju bën të paduruar dhe Hëna nxit pasiguritë e vjetra. Zgjidhja? Veproni me qetësi dhe me qartësi. Pasioni kthehet në dashuri, por vetëm nëse e lini mënjanë mosbesimin tuaj.

SHIGJETARI

Qielli ju dëshiron të lirë dhe të frymëzuar. Është koha të zgjeroni horizontet tuaja, madje edhe me një ndryshim të thjeshtë të rutinës. Projektet po vijnë së bashku, por jo të gjithë do t’i kuptojnë menjëherë qëllimet tuaja. Në dashuri, ka një dëshirë më të madhe për qetësi.

BRICJAPI

Kjo nuk është dita për të qenë kokëfortë. Saturni kërkon disiplinë, por edhe fleksibiliteti është i nevojshëm sot. Nëse diçka po ju rëndon në shtëpi, flisni sinqerisht. Këmbëngulja shpërblehet në punë, por shmangni sjelljen e stresit në shtëpi.

UJORI

Sipas horoskopit të Paolo Fox (e martë, 29 korrik 2025), keni nevojë për frymëzim të ri. Rreziku? Të bëni shumë gjëra menjëherë dhe pastaj të ndiheni të mbingarkuar. Ngadalësoni, merrni frymë thellë dhe zgjidhni betejat tuaja me kujdes. Miqësitë mund t’ju japin më shumë sesa imagjinoni. Në dashuri, kjo është një kohë interesante për beqarët.

PESHQIT

Ndjeshmëria është busulla juaj sot. Nëse diçka ju ngatërron, mbështetuni te intuita juaj. Yjet ju mbrojnë, por duhet të bëni një zgjedhje të qartë në ndjenjat tuaja. Puna? Kërkon durim. Përgjigjet do të vijnë, por mos i nxitoni.

Ngjarja në Vlorë/ “Dhuna s’ka vend për vetëgjyqësi”, Karamuço: Nuk mund të tolerohet

Ish-policit  Ardian Isufi dhunoi një kamerier 18-vjeçar në Vlorë për shkak se i ngatërroi porosinë.

Pas kësaj, Pronari i barit  kur ka parë skenën ka ndërhyrë duke e rrahur. Eksperti i Kriminalistikës, në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, u shpreh se në asnjë rast dhuna nuk duhet të ketë vend për vetëgjyqësi, sepse kjo më pas sjell pasoja shumë më të mëdha.

“Dhuna nuk ka vend për vetëgjyqësi. Nëse Policia e Shtetit do të ishte njoftuar menjëherë duhej të merreshin masa dhe të neutralizohej mundësia për të ndodhur ajo që ndodhi. Mungesa e forcave të Policisë së Shtetit aty, nuk e di nëse ka pasur njoftim apo jo, duhet ta bënte lokali vet njoftim dhe kjo ka çuar në një ngjarje të dytë që është shumë më e rëndë se e para. Duhet thënë që është edhe e patolerueshme sjellja ndaj kamerierit, një 18-vjeçar, ai është për një punë. Por ngjarja e dytë është akoma shumë më e rëndë sepse sjell pasoja të mëdha. Nuk mundet dot të masakrohet efektivi i policisë së shtetit, është e patolerueshme”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

Vrasjet në Fier dhe Pogradec/ Karamuço: Detajet flasin për marrëdhënie të komplikuara, që nuk e justifikojnë vrasjen

Krimi në Pogradec tronditi jo pak vendin. 31-vjeçari Ilirjan Selmani vrau partneren e tij 52-vjeçaren Kozeta Teço dhe më pas i vuri zjarrin banesën.

Fillimisht u mendua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia, por pas hetimeve të hollësishme u zbuluan edhe detaje të reja, që hollën dritë dhe i dhanë një tjetër kthesë ngjarjes, me autor të dyshuar 31-vjeçarin.

Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në “Edicioni i Fundit”, në ABC News bëri një përmbledhje të gjithë ngjarjes së rëndë, duke analizuar hap pas hapi dinamikën e këtij krimi.

Ai u shpreh se kamerat e sigurisë ndihmuan më tej hetimin dhe se puna e shpejtë e policisë zbardhi ngjarjen.

“Autori ka bërë një plan të mirëmenduar, ka përhapur një alibi që nuk shkonte në banesën e viktimës, por ka rezultuar se shkonte. Fillimisht për këtë ngjarje policia ka pasur dyshime sepse ka pasur disa vatra zjarri dhe nga kamerat e sigurisë është parë që i vetmi person që ka lëvizur ishte ky. Nuk mendoj se ka pasur një bashkëpunëtor. Por shoh që persona që shfaqin çrregullime të forta emocionale vijnë edhe si pasojë e përdorimit të narkotikëve dhe shfaqin agresivitet të shtuar dhe duhet të marrim masa për këtë lloj kontingjenti”, u shpreh ai.

Më tej e cilësoi këtë vrasje si “Një krim pasioni në terrenin e çrregullimeve psikologjike, por jo të papërgjegjshmërisë dhe këto janë efekti që vijnë nga droga, tha më tej Karamuço.

Në bazë të hetimeve të deritanishme mundësi që të ketë persona të tjerë të përfshirë nuk janë të larta sipas ekspertit të Kriminalistikës.

Një tjetër ngjarje e rëndë që përfshiu vendin disa ditë më herë, ishte edhe vrasja në Fier e 55-vjeçarit, ngjarje për të cilën janë arrestuar tre persona, vajza 26-vjeçare, gruaja e viktimës, por edhe një 55-vjeçar. Ky i fundit i dyshuar për lidhje me 26-vjeçaren dhe bashkëpunëtor në këtë krim të rëndë.

Megjithatë në dëshmitë e fundit të dhënë nënë e bijë kanë mohuar krimin në gjykatë.

“Nga ngjarja ka pasur një bashkëpunëtor për shkak të dinamikës së krimit. Dhe më pas janë parë edhe tabulatet për të zbuluar gjithçka, dhe përpjekjet për të ndryshuar dëshmitë janë të kota, pasi mund të them që është ngjarje e zbardhur”, tha ai, duke shtuar “këto krime flasin për marrëdhënie të kompleksuara në familje, por që nuk justifikojnë vrasjen”.

/abcnews.al/

Ngërçi politik/ Ambasada Amerikane: Liderët e Kosovës të gjejnë zgjidhje kushtetuese në javët e ardhshme

Ambasada Amerikane në Kosovë në ka deklaruar se udhëheqësit politikë duhet t’i shfrytëzojnë javët në vijim për të gjetur një zgjidhje që siguron udhëheqje të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës Ambasadës shtoi se, përveç tjerash, ngërçi politik që ka përfshirë vendin po vonon progresin drejt aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të saj.

“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ndërkohë, as pas 55 seancave nuk është arritur formimi i legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Pas përfundimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, Gjykata Kushtetuese ka ndaluar çdo veprim të deputetëve, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Zelensky: Ukraina e përkushtuar për paqe. Do të bashkëpunojmë me SHBA-në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i bërë të dy vendet më të sigurta.

“Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me SHBA-në për t’i bërë të dy vendet tona më të sigurta, më të forta dhe më të begata”, tha Zelensky në një reagim në platformën X, ndërsa komentoi njoftimin e udhëheqësit amerikan për shkurtimin e afatit 50-ditor që ai kishte vendosur më parë për arritjen e një armëpushimi midis Moskës dhe Kievit.

Ai e falënderoi presidentin amerikan për vendosmërinë dhe qëndrimin e qartë që sipas tij ishte në kohën e duhur.

Krimi në Pogradec, provat nxjerrin zbuluar autorin e dyshuar/ Urdhërarrest për Ilirjan Selmanin, njihej si përdorues droge

KORÇË- Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër arresti për Ilirjan Selmanin, i cili u ndalua më herët nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço.

Gjatë marrjes në pyetje, Selmani ka mbajtur qëndrim mohues duke mos pranuar autorësinë për krimin, por policia dhe prokuroria e Korçës ka grumbulluar prova të mjaftueshme të cilat dokumentojnë të gjithë dinamikën nga momenti i kryerjes së krimit, deri në largimin e autorit nga banesa e 52-vjeçares.

Nga hetimet rezulton që autori i krimit, mbrëmjen e së dielës, ashtu si çdo natë tjetër, e kishte kaluar në shtëpinë e 52-vjeçares me të cilën kishte një lidhje prej disa vitesh.

Dyshohet se mes çiftit të ketë patur një grindje të çastit, e cila ka degraduar në dhunë fizike të Selmanit ndaj 52-vjeçares dhe në fund përfundoi me vrasjen e partneres dhe djegien e banesës.

Autori i krimit njihej nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, për shkak të të cilave ai shpesh herë shfaqte simptoma depresioni. Nga ana tjetër edhe viktima kishte shfaqur kohët e fundit probleme të shëndetit mendor./abcnews.al

Zjarret “rrethojnë” Turqinë, gjendje e rëndë në Greqi dhe Bullgari

Zjarrfikësit turq kanë luftuar me flakët pasi të hënën kanë përfshirë tre provinca të shtetit, si pasojë e erërave të forta që frynë pas disa ditësh me temperatura jashtëzakonisht të larta.

Shtëllunga tymi e kanë mbuluar provincën malore të Karabukut, që ndodhet në veri të kryeqytetit, Ankara, ndërsa zjarri në një pyll, që po digjej për ditën e gjashtë me radhë, e ka detyruar evakuimin e shumë banorëve të fshatrave përreth.

Në Bursë tre zjarrfikës kanë vdekur të dielën, kur automjeti i tyre ka dalë nga rruga, kanë njoftuar në Ministrinë e Pyjeve të Turqisë.

Rasti ka ndodhur teksa ekipet e zjarrfikësve kanë luftuar kundër zjarreve, pas evakuimit të më se 3.600 personave nga vendbanimet në provincat jugore të Mersinit dhe Antaljas. Përveç Turqisë, me zjarre janë përballur edhe Greqia dhe Bullgaria.

Vetëm të dielën, në Greqi u raportua për zjarre të mëdha në pothuajse të gjithë vendin, teksa autoritetet kanë evakuuar numër të madh banorësh nga zonat më të goditura, vetëm 30 kilometra në veri të kryeqytetit Athinë.

“Manovër teatrale”, SHBA refuzon konferencën e OKB për zgjidhjen me dy shtete

SHBA-ja e refuzoi konferencën ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete që po mbahet këtë javë në selinë e OKB-së në New York, duke e quajtur përpjekje “joproduktive” dhe “në kohë të gabuar” që minon diplomacinë në zhvillim.

“Kjo është një manovër teatrale që ndodh në mes të përpjekjeve delikate diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

“Larg nga promovimi i paqes, konferenca do ta zgjasë luftën, do ta inkurajojë Hamasin dhe do të shpërblejë obstruksionet që ai vendos, duke minuar përpjekjet reale për të arritur paqe”, shtoi ajo.

Bruce tha se SHBA-ja nuk do të marrë pjesë në konferencë, duke akuzuar organizatorët se kanë organizuar një “shuplakë për viktimat e 7 tetorit dhe shpërblim për terrorizmin”.

Ajo gjithashtu kritikoi vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për ta njohur Shtetin e Palestinës, duke e quajtur atë një “model gjestesh kundërproduktive që vetëm sa e inkurajojnë Hamasin”.

Konferenca treditore, e bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, synon të shqyrtojë hapa konkretë dhe të kufizuar në kohë për zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Janë krijuar tetë grupe pune për të trajtuar aspekte të ndryshme të çështjes.

Takimi zhvillohet mes alarmit në rritje nga agjencitë humanitare për urinë masive në Gaza, ku palestinezët po përballen me një bllokadë ndaj ushqimit dhe ndihmës.

Izraeli ka vrarë më shumë afro 60.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës së tij gjenocidale në tetor të vitit 2023, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Programi i kërkimeve teknologjike/ BE propozon që Izraelit t’i pezullohet qasja në fonde, shkak lufta në Gaza

Komisioni Evropian ka propozuar pezullimin e qasjes së Izraelit në fondet e Bashkimit Evropian për start-up në fushën e teknologjisë, teksa presioni rritet për shkak të situatës së rënduar humanitare në Gazë.

Kjo lëvizje nga Brukseli vjen në kohën kur disa shtete të BE-së po kërkojnë hapa konkretë kundër Izraelit në dritë të rritjes së frikës për uri të thelluar në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.

“Edhe pse Izraeli ka njoftuar një pauzë të përditshme humanitare të luftimeve në Gaza… situata mbetet e rëndë”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë.

Propozimi për të pezulluar pjesërisht përfshirjen e Izraelit në programin gjigant të kërkimeve Horizon do të diskutohet nga 27 vendet anëtare të BE-së të martën.

Një pezullim i tillë kërkon miratimin e shumicës së shteteve anëtare në mënyrë që të hyjë në fuqi.

BE-ja ka hasur vështirësi në marrjen e masave lidhur me konfliktin në Gaza, pasi është e ndarë mes përkrahësve të Izraelit dhe atyre që kanë qëndrim më të favorshëm ndaj palestinezëve.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, këtë muaj paraqiti një sërë opsionesh për të ndëshkuar Izraelin, pasi ky i fundit u gjet fajtor për shkelje të marrëveshjes së bashkëpunimit me BE-në mbi baza të të drejtave të njeriut.

Brukseli po ashtu tha se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për të rritur qasjen e ndihmave humanitare në Gaza.

Teksa BE-ja thotë se Izraeli ka ndërmarrë disa hapa për të zbatuar premtimet për rritjen e ndihmës humanitare, ende mbetet shumë për të bërë.

Pezullimi i pjesshëm i qasjes në programin Horizon është një nga masat më të kufizuara që Brukseli mund të ndërmarrë.

Por diplomatët dhe zyrtarët theksojnë se kjo lëvizje është një hap i parë për t’i sinjalizuar Izraelit se blloku është i gatshëm të ndërmarrë masa, nëse situata në Gazë nuk përmirësohet.

Brukseli tha se propozimi do të nënkuptonte ndalimin e qasjes në financim për “start-up”-et izraelite që veprojnë në fusha si teknologjia e dronëve, siguria kibernetike dhe inteligjenca artificiale.

Në vitin 2024, Izraeli ishte ndër tre vendet kryesore me numrin më të madh të kompanive që garonin për fonde, krahas Gjermanisë dhe Francës.

Me mbi 2 milionë banorë të Gazës që përballen me uri dhe kequshqyerje, Izraeli iu nënshtrua presionit ndërkombëtar gjatë fundjavës dhe njoftoi një “pauzë taktike” ditore në luftime në disa zona.

Të hënën, kamionë me ushqim arritën te banorët e uritur të Gazës pasi Izraeli premtoi të hapë korridore të sigurta për ndihma, por agjencitë humanitare paralajmëruan se nevojiten sasi shumë më të mëdha për të shmangur urinë masive./REL/

Sulm me thikë në Londër, raportohet për dy viktima

Një sulm me thikë është regjistruar në Londër. Dy persona kanë humbur jetën. Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, ngjarja ka ndodhur pranë një biznesi ku katër persona janë sulmuar me thikë.

Një person humbi jetën në vendin e ngjarjes një 27-vjeçar ndërroi jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra.

Një person që dyshohet se ka lidhje me sulmin është arrestuar dhe gjithashtu theksohet se ka marrë plagë gjatë sulmit.

Tarifë 15 përqind mbi importet/ BE dhe SHBA dakord, ekspertët shqetësime për inflacion e pasiguri

Vendet e Bashkimit Europian kanë reaguar pasi unioni arriti marrëveshje me shtetet e bashkuara për tarifa 15% për importet e mallrave.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se e sheh pozitivisht marrëveshjen, të cilën e cilësoi një bazë të qëndrueshme.

“Padyshim që e konsideroj pozitiv faktin që është arritur një marrëveshje. Gjithmonë kam menduar se një përshkallëzim tregtar midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara do të kishte pasoja të paparashikueshme, potencialisht shkatërruese”, është shprehur kryeministrja italiane.

Megjithatë ajo theksoi se nevojitet më shumë qartësi për sektorët e bujqësisë dhe prodhimit të gazit, duke shtuar se ka ende shumë punë për të bërë.

Nga ana tjetër kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se e mbështet marrëveshjen, por pa asnjë entuziazëm.

Sanchez shtoi se një nga mësimet që Europa duhet të nxjerrë nga kjo marrëveshje është nevoja që unioni të diversifikojë partnerët tregtarë.

Ndërkohë ministri francez për Evropën dhe Tregtinë e Jashtme tha se marrëveshja u jep kompanive stabilitetin e shumëpritur, por mbetet e pabalancuar.

Ai paralajmëroi se lufta e tarifave e shkaktuar nga Uashingtoni nuk i shërben interesit të askujt, duke parashikuar çmime më të larta, inflacion në SHBA dhe një ngadalësim të ekonomisë globale.

Marrëveshja u prit me skepticizëm edhe nga ekonomistët. Ekonomisti Nicolas Poitiers nga qendra e ekspertëve Bruegel tha për Associated Press se vendosja e tarifës prej 15% për partnerin më të afërt tregtar është një ide e pamend. Poitiers shtoi se kjo tregon dobësinë e Evropës dhe kjo nuk është diçka pozitive.

Ndërkohë, Thibaut L’Ortye, Drejtor i Lartë i Çështjeve Publike në Dhomën Amerikane të Tregtisë në BE, tha se marrëveshja ofroi një ndjesi lehtësimi për kompanitë amerikane në Evropë.

Megjithatë ai theksoi se edhe një tarifë prej 15% është një rritje e konsiderueshme kostove tregtare në të dyja anët e oqeanit, sepse kjo lëvizje do të prekë të gjithë zinxhirët e furnizimit.

❌