GJKKO dënon me 2 vjet e 4 muaj burgim për korrupsion ish-shefin e antidrogës në Durrës
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi u arrestua me urdhër të SPAK dhe kërkesë të AMP, për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ai ka rënë në pranga me urdhër të SPAK, pas një skemë gjobëvënie ndaj një biznesmeni në qytetin bregdetar të Durrësit.
GJKKO njoftoi sot se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim, të të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.
Në aplikim të gjykimit të shkurtuar GJKKO vendosi uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Gazmir Preçi me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Gjithashtu u vendos heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gazmir Preçi për 5 vjet.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Gazmir Preçi do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit në flagrancë të tij, datë 15 gusht 2024 dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.
/gj.m/j.p/
The post GJKKO dënon me 2 vjet e 4 muaj burgim për korrupsion ish-shefin e antidrogës në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.