Kërkonin të dhënat e qytetarëve në emër të një banke, zbardhet në Shqipëri skema mashtruese përmes mesazheve të rreme
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri ka bërë të ditur se kanë parandaluar dhe neutralizuar me kohë një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank.
Në njoftimin e publikuar në Facebook bëhet e ditur se SMS-të mashtruese përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare.
AKSKSH ua kujton qytetarëve që të mos klikojnë në lidhje të dyshimta e nga burime të panjohura dhe të mos të ndajnë të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.
Lexoni të plotë postimin:
Rast i bllokuar me sukses: sulm keqdashës nëpërmjet SMS (smishing).
Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank, u parandalua dhe u neutralizua në kohë rekord.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Raiffeisen Bank dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.
SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë të gjithë qytetarët:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.
Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.
Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike
Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.
Falënderojmë AKEP dhe Raiffeisen Bank për bashkëpunimin e menjëhershëm dhe qytetarët që denoncojnë raste të dyshimta!. /Telegrafi/
The post Kërkonin të dhënat e qytetarëve në emër të një banke, zbardhet në Shqipëri skema mashtruese përmes mesazheve të rreme appeared first on Telegrafi.