Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë
TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar zhvilloi mbrëmjen e sotme një koncert, në parkun “Rinia” në Tiranë, me muzikë nga kolonat zanore të filmave më të njohur shqiptarë.
Nën drejtimin e maestros Gridi Kraja, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar përcolli për publikun artdashës nostalgjinë e filmave shqiptarë.
Në repertorin e koncertit ishin kolonat zanore të filmave të kompozitorëve shqiptarë si Kujtim Laro, Limos Dizdari, Çesk Zadeja, Aleksandër Peçi, Aleksandër Lalo.
Emocionet e kinemasë u përcollën përmes Orkestrës së Radiotelevizionit Shqiptar me fuqinë e muzikës simfonike, që u prit me emocion nga publiku artdashës.
Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Republikës. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.
Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të “Ramë Lahaj & Friends Concert”, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota.
/m.m//r.e/
The post Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me kolonat zanore të filmave shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.