Diplomohen 90 kadetë, Vengu: Profesion ku sakrifica merr domethënie
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e diplomimit të 90 studentëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, 5 prej të cilëve nga Republika e Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci,.
Ministri Vengu e cilësoi diplomimin e kadetëve të rinj, një moment krenarie për të diplomuarit dhe familjet e tyre, që nisin një kapitull të ri në shërbim të atdheut.
“Diploma që ju do të mbani në duart tuaja nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikënisje. Është një rrugë që shpesh është e vetmuar, por gjithmonë e drejtë. Nuk ofron lehtësi, por ofron kuptim. Aty ku disiplina bëhet virtyt dhe sakrifica merr domethënie. Në një botë që relativizon çdo gjë, profesioni juaj mbetet i pakontestueshëm në vlerat e tij. Ju nuk përfaqësoni thjesht shtetin, por i jepni atij formë, drejtim dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ministri Vengu
Komandanti i Shkollës së Bashkuar, Bardhyl Nuredinaj tha se betimi ushtarak para flamurit kombëtar nuk është thjeshtë një tekst por një angazhim moral, ligjor e atdhetar, një zotim për të qenë gjithmonë në shërbim të kombit, ruajtur e mbrojtur integritetin e sovranitetin e vendit, rendin kushtetues dhe për të kontribuar në paqen e sigurinë kolektive. /j.p/
The post Diplomohen 90 kadetë, Vengu: Profesion ku sakrifica merr domethënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.