Këtë të hënë, shtatë kandidatët e mbetur në garë për postin e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), do t’i nënshtrohen sot fazës së fundit të konkursit, një intervistë para një paneli të përbërë nga kreu i SPAK Altin Dumani dhe Prokurorët e Posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Kjo intervistë vjen pas përfundimit të shtatë fazave të testimit, ku kandidatët janë vlerësuar përmes një game të gjerë kriteresh, përfshirë testin logjik, testin e poligrafit, shkrimin e një eseje dhe faza të tjera vlerësimi.
Çdo kandidat paraqitet individualisht për këtë intervistë.
Pas përfundimit të kësaj faze, SPAK do të bëjë publik njoftimin përmbyllës me rezultatet e testimeve dhe renditjen e kandidatëve.
Më tej, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të figurës morale dhe të pasurisë. Në përfundim të gjithë këtij procesi, SPAK do t’i propozojë një emër Këshillit të Lartë të Prokurorisë për miratim.
BKH konsiderohet një nga strukturat kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo ka rol mbështetës në çdo hetim të ndërmarrë nga SPAK, përfshirë përgjimet, vëzhgimet dhe veprimet e tjera hetimore. Zgjedhja e drejtuesit të saj pritet me interes të lartë, për shkak të ndikimit që kjo figurë do të ketë në efikasitetin e hetimeve të ardhshme.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka denoncuar cilësinë e bukës, që sipas pamjeve që ka publikuar vetë, ditën e dytë është tërësisht e pakonsumueshme.
Braçe ka shtruar edhe një pyetje për autoritetet shtetërore që kanë për detyrë të kontrollojnë sigurinë ushqimore.
“Kam një pyetje: Me çfarë e bëjnë këtë bukën që ditën e dytë është ose kashtë, ose dru? Besoj gjithë kjo ushtria e tatimorëve-administrata tatimore kanë në kurriz, që ka dalë të na sigurojë ushqimin do e ketë një përgjigje; U bë dy javë që bëjnë betejë për ushqimin e sigurt apo jo”, thotë Erjon Braçe.
Kujtojmë se prej rreth 2 javësh ka nisur aksioni në mbarë vendin për sigurinë ushqimore.
Nga ky aksion, janë sekuestruar tonelata produkte ushqimore pa faturë, përfshirë qumësht, djathë e mish./kb
Mikroplastikat janë zbuluar tashmë jo vetëm në gjak, qumësht gjiri apo organe të ndryshme, por edhe në kockat tona. Pyetja kryesore që shtrohet është: Çfarë ndikimi kanë ato në shëndetin tonë?
Në një nga arkivat më të vjetra bujqësore në botë, në Rothamsted në Angli, studiuesit kanë gjetur mikroplastika në kampionë dheu që datojnë që nga mesi i shekullit të 20-të. Rritja e tyre ndjek periudhën kur plastika u përhap masivisht, sidomos pas viteve 1960.
Sot, mendohet se një person konsumon ose thith mijëra grimca mikroplastike në vit, përmes ushqimit, ujit apo ajrit. Ato janë gjetur në mëlçi, tru, veshka, shpretkë, madje edhe në arteriet që çojnë gjakun në tru.
Eksperimenti i parë me njerëz
Në fillim të vitit 2025, tetë vullnetarë në Londër pinë me vetëdije një tretësirë me mikroplastika, për të ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë se si përthithen nga trupi. Studiuesit po analizojnë nëse grimcat kalojnë nga zorra në gjak dhe çfarë ndodh më pas.
Zbulime tronditëse
-Mikroplastikat në tru: Janë zbuluar më shumë tek personat që kishin pasur demencë, deri në 10 herë më shumë se tek ata pa probleme të tilla.
-Në arteriet karotide: Lidhur me rrezik më të lartë për infarkt ose goditje cerebrale.
-Në kocka dhe muskuj: Zbulime në pacientë që kishin kryer operacione ortopedike; mund të ndikojnë në rritjen e muskujve dhe kockave.
-Në pacientë me kancer: Mikroplastikat mund të ndikojnë negativisht në efektin e ilaçeve kundër kancerit.
-Në pacientë me astmë: Po studiohet ndikimi i mikroplastikave në përkeqësimin e sëmundjes, informon dritare.net
Pse mikroplastikat janë problematike?
Trupi nuk mund t’i shpërbëjë lehtësisht.
Mund të shkaktojnë inflamacion kronik, dëmtim të indeve, rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare apo tumore.
Mikroplastikat më të vogla (nanoplastikat) mund të futen brenda vetë qelizave dhe të ndikojnë në ADN.
Studiuesit kanë gjetur deri në 240,000 grimca plastike në një litër ujë të ambalazhuar, që përfaqëson një shumëllojshmëri të madhe materialesh plastike – nga najloni deri te polistireni. Disa prej këtyre materialeve mund të mbajnë edhe metale të rënda apo substance toksike që ndikojnë në sistemin hormonal.
Çfarë pritet në të ardhmen?
Studimet e fundit synojnë të përcaktojnë sa mikroplastika mund të përballojë trupi pa shkaktuar dëme, duke përdorur enë laboratorike me qeliza njerëzore, të ngjashme me enët e gjakut. Për momentin, nuk ka një nivel të saktë që mund të quhet i sigurt, por ekspozimi kronik edhe ndaj sasive të vogla mund të ketë pasoja afatgjata.
Çfarë mund të bëjmë?
Studiuesit po analizojnë grimcat në ajër dhe shtëpitë e pacientëve për të kuptuar burimet më të zakonshme.
Qëllimi është që të bëhen rekomandime për prodhuesit që të përdorin lloje më të sigurta plastike ose të gjejnë zëvendësues për përdorim në spitale dhe ambiente të brendshme.
Ndikimi i mikroplastikave në shëndetin tonë është i ndërlikuar dhe ende në studim, por provat e deritanishme ngrenë shqetësime serioze për lidhjen e tyre me sëmundjet kronike, inflamacionin, plakjen e përshpejtuar dhe ndoshta edhe me kancerin./kb
Plazhet e Shqipërisë do të kthehen në “hit” këtë verë. Vendi ballkanik shkëlqen me një thesar plazhesh kilometra të gjata të fshehura midis mbetjeve arkeologjike, shkruan Ana María González Franco në një artikull të botuar në botimin spanjoll të “National Geographic”.
Dalëngadalë, ky vend i bukur ballkanik po shfaqet si parajsa e pazbuluar e Mesdheut.
Sidoqoftë, ajo që është e qartë është se Shqipëria ka gjithçka që i nevojitet për t’u bërë destinacioni më i lakmuar evropian, me plazhe spektakolare për çdo turist.
Riviera Shqiptare shtrihet përgjatë një bregdeti të mrekullueshëm, me vende arkeologjike, histori interesante, veçori kulturore dhe kuzhinë të pasur – të cilat mund të gjenden në plazhet më të mira në Shqipëri, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Plazhi i Ksamilit: Një sintezë e plazhit të Rivierës Shqiptare
Nëse Shqipëria do të përmblidhej në një plazh të vetëm, fituesi do të ishte Ksamili.
Plazhi me të njëjtin emër dallohet për me rërën e bardhë si borë në një vijë bregdetare të thyer të përshkuar nga katër ishuj (Ishulli Binjak, Ishulli Smerald, Ishulli i Vogël dhe Ishulli i Gurit).
Gjenden disa plazhe të bukura me rërë të bardhë në Ksamil, megjithëse shumica janë private dhe drejtohen nga restorantet.
Fakti që ndodhet në jug të Sarandës, përballë ishullit të Korfuzit, e bën atë një destinacion shumë tërheqës si për shqiptarët ashtu edhe për turistët e huaj – që kalojnë kufirin jugor të vendit ose kalojnë me traget nga Italia ose Greqia.
Sikur të mos kishte arsye të mjaftueshme për të qenë një nga plazhet më të mira në Shqipëri, Ksamili është vendi ideal për të eksploruar atraksione të tjera shqiptare si Syri i Kaltër dhe Parku Natyror i Butrintit, i shpallur Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.
Plazhi i Borshit: Disa kilometra i gjatë dhe me ujëra ngjyrë bruz
Rreth një orë larg me makinë nga Saranda përgjatë bregdetit Jon ndodhet plazhi më i gjatë në të gjithë Rivierën Shqiptare, Borshi.
Ky plazh është mbi 6 kilometra i gjatë dhe, përveç madhësisë së tij, shquhet për ujërat e tij të kristalta dhe malet gjigante me bimësi të harlisur që rrethojnë detin blu.
Kjo enklavë njihet për qetësinë dhe karakterin e saj të egër, duke e bërë atë plazhin e preferuar për turistët që kërkojnë të shpëtojnë nga turizmi masiv dhe “i civilizuar” i plazheve fqinje.
Megjithatë, ekzistojnë disa bare dhe restorante aty pranë, si dhe një parking i madh.
Plazhi i Gjipesë: Thesari i egër i Shqipërisë
Një nga thesaret më të çmuara në Rivierën Shqiptare është Plazhi i Gjipesë, një vend panoramik që magjeps me mjedisin e tij të egër natyror dhe perëndimet e diellit dhe lindjet ëndërrimtare, si dhe ujërat e tij të kaltra.
Pavarësisht se është një nga plazhet më të lakmuara, për të arritur atje, vizitorët duhet të ecin për rreth gjysmë ore, duke kaluar midis bunkerëve, duke kapërcyer shpatin e pjerrët dhe duke shmangur shkëmbinjtë e mëdhenj.
I vendosur në fund të kanionit me të njëjtin emër, gjiri i vogël është i rrethuar nga shkëmbinj gjigantë, duke e bërë atë një nga plazhet më piktoreske të Shqipërisë.
Plazhi i Dhërmiut: Urban, natyral dhe lokal
Si një nga plazhet më të mëdha urbane të Shqipërisë, Dhërmiu mirëpret vendasit dhe turistët e huaj që kërkojnë të gjitha lehtësitë që u nevojiten për të kaluar një ditë në plazh.
Qendra e qytetit është e ngritur dhe pranë detit, plazhi dhe shëtitorja janë qendra e aktivitetit veror, me bare dhe restorante, të cilat ofrojnë gjithashtu shezlongje dhe çadra me qira, pasi ka zona publike dhe private.
Drejt veriut, plazhi bëhet më shkëmbor dhe në periferi, mund të vizitoni gjire dhe shpella, duke përfshirë Drimadhes, një gji i bukur me rërë të bardhë me shkëmbinj, i arritshëm duke ndjekur një shteg midis pemëve të ullirit./kb
Ditën e sotme, temperaturat pritet të arrijnë kulmin sot, me vlera deri në 43°C në qarqet Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Kukës mund të shkojnë deri në 41°C.
Kushtet ekstreme të motit, shoqërohen me rrezik të lartë për shpërthim zjarresh në të gjithë territorin.
Një ditë më parë, situata më e rëndë u regjistrua në Delvinë, ku disa fshatra u përfshinë nga flakët. Janë djegur banesa dhe sipërfaqe të mëdha me pemëtari, ndërsa mbi 2 mijë banorë u evakuuan.
Zjarri, i favorizuar nga era, është përhapur drejt Borshit, ndërkohë që vatra aktive janë regjistruar edhe në malin e Dukatit.
Ditën e sotme, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, do t’u drejtohen sërish ulëseve të tyre në përpjekjen e radhës, e pesëdhjetë e treta, për të konstituuar Legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Vazhdimi i radhës mbahet nga ora katërmbëdhjetë, për herë të parë në më pak se 48 orë pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj seancave të Kuvendit, që nga e diela e 27 korrikut, deri më 8 gusht.
Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 -ditor, por nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht.
Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.
Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e shumicës së votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i takon pozita e kryeparlamentarit, mirëpo partitë tjera politike, ose nuk pajtohen për emrin e propozuar për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, ose për mënyrën e ndryshimit të votimit për të, nga të hapur në të fshehtë.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.
Pas dështimit të tentativës së 52-të të premten, diplomatët perëndimorë, të pranishëm në seancë, shprehën shqetësim për krizën institucionale.
Këtë të mërkurë, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, Ajola Xoxa, është paraqitur në SPAK. Xoxa është paraqitur në SPAK, pasi sot raportohet se asaj dhe Vejiajt do u kominikohen zyrtarisht akuzat.
Ajola Xoxa, është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike.
Sipas SPAK, Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Xoxa kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal dhe familjar përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Prokuroria e Posaçme, e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.
Këtë të hënë, zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, seanca e radhës për çështjen “Partizani”. Seanca pritet të nisë në orën 10:30, ndërkohë që ajo paraardhëse u shty për shkak se kreu i PD Sali Berisha nuk ishte i pranishëm.
Ai pretendoi se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar në lidhje me seancën, megjithatë në komunikime të mëparshme me gazetarët, Berisha ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në seancën e sotme.
Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë” e kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, kryer në bashkëpunim.
Aktori i njohur dhe ish-banori i Big Brother Albania VIP 4, Laert Vasili, ka rrëfyer për “Hipokrati” një moment të vështirë në jetën e tij.
Ai tregon për një rast kur është dërguar me urgjencë në spital, pas një aksidenti të frikshëm me motor, duke thënë:
“Për veten time kam shkuar në spital kur ka ndodhur ndonjë tragjedi. Për shembull përplasje me motor, fluturoj 22 metra, bie në tokë, thyej këmbën, zhvendoset një rruazë e shtyllës kurrizore, në ’98-ën kjo. Se si më doli diçka përpara. Ishte natë, nuk shihja, isha dhe pak turbullt.
Kur kam qenë i vogël më pëlqente të isha sëmurë, sepse merrja tre ditë raport. Më sillnin disa kompostot. Rrija në divan. Nuk më zgjonte askush në 6 të mëngjesit. Nuk bëja as atë fizkulturën e mëngjesit. Dhe kur isha sëmurë më pëlqente, sepse i shmangia të gjitha këto”./kb
Në kulmin e sezonit veror, Tushemishti, një nga fshatrat më të bukur dhe të vizituar të Pogradecit, po përballet me mungesë të theksuar pushuesish. Operatorët turistikë në këtë zonë, hotele, restorante dhe biznese të tjera të lidhura me turizmin, shprehen të shqetësuar, duke pohuar se krahasuar me vitet e kaluara, këtë verë fluksi ka rënë ndjeshëm.
Sipas tyre, arsyeja kryesore lidhet me punimet që po zhvillohen në zonën e Drilonit dhe përgjatë rrugës hyrëse për në Tushemisht, të cilat kanë krijuar pengesa në qarkullim dhe kanë ndikuar negativisht në ardhjen e vizitorëve.
Tushemishti, fshati i njohur për bukuritë natyrore dhe për historinë e tij po kalon një situatë të vështirë ekonomike këtë sezon. Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe në qytetin e Pogradecit, ku kapacitetet hoteliere janë thuajse të gjitha të rezervuara dhe qyteti po njeh një fluks të shtuar turistësh. m.p.
Këtë të shtunë, dalin para gjykatës, dy të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra mbrëmjen e 8 korrikut, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka.
Për ngjarjen e rëndë, janë shpallur në kërkim dhe dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, që dyshohet se janë larguar nga Shqipëria.
Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, ka rezultuar se 55-vjeçari, si edhe tre vëllezërit, Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj (dy të fundit në kërkim policor) kanë pirë kafe së bashku pranë një pike karburanti pak orë para krimit.
Më pas, 4 autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit, kanë udhëtuar me dy automjete, “Range Rover”-in e zi dhe një “Hundyai Santa Fe”, nga Burreli drejt fshatit Zenisht.
Projekti filmik “Nëna është gjallë sot” me regji dhe skenar nga Josip Lukic është shpërblyer me çmim në kategorinë Works in Progress, në edicionin e 72-të të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë.
Ky bashkëprodhim mes Kroacisë dhe Kosovës, me bashkëproducent nga Kosova Bujar Kabashi, është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionim të vitit 2023-2024.
Filmi, i cili është në fazën finale të post-produksionit, është prodhuar nga Dinaridi Film, Mobius dhe Non-Aligned Films, ndërsa producentë janë Tena Gojić, Bujar Kabashi dhe Ognjen Glavonić./ KultPlus.com
Ditën e sotme, 55-vjeçari, Leonard Mnella, është ekstraduar në Itali. Mnella një vit më parë, ishte u ekstraduar në Shqipëri, pasi u lokalizua në SHBA.
Shqiptari me 3 identitete, kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij që në vitin 2003. Me ekstradimin e tij sot në Itali, ai do të përballet me drejtësinë italiane.
Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, rezulton i dënuar në Itali me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Ai që ka qenë në arrati për vite të tëra. Në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
Ditën e sotme, kryeministri i vendit Edi Rama, do të zhvillojë takim me drejtorët e bashkisë dhe deputët e qarkut të Tiranës.
Ky takim, do të jetë i njëjtë me takimet e zhvilluara para disa ditëve dhe është planifikuar të mbahet në orën 08:30 në ambientet e një hoteli në qendër të Tiranës.
Në këtë takim, deputetët aktual dhe ato të zgjedhur dhe drejtorët e bashkisë do të raportojnë mbi problematikat e evidentuara gjatë daljeve të tyre në terren.
Çfarë ndodhi në takimin e 4 korrikut në selinë rozë?
Fokusi i diskutimeve në këtë takim ka qenë evidentimi i problematikave që hasin qytetarët e qarkut të Tiranës.
Rama është shprehur se deputetët duhet të zbresin në terren për evidentimin e problematikave dhe të kontaktojnë më qytetarët, si dhe janë ngritur disa grupe pune për fushat të ndryshme si hapësirat publike, shërbimet, parkimi, lejet e ndërtimit.
Kryeministri ka kërkuar që brenda dy javësh, të krijohet një raport për t`u depozituar më pas në Bashki.
Raportohet po ashtu se Rama ka angazhuar dhe ministrat e kabinetit për bashkinë e kryeqyteti.
Ministri Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj, janë caktuar të mbikëqyrin financat, ministri Blendi Gonxhe do të ndjekë transportin dhe trafikun, ndërsa Ogerta Manastirliu dhe Anuela Ristani do të merren me hapësira publike.
Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Durrësit.
Ky takim, do të fokusohet në një sërë temash kyçe që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e territorit dhe mirëqenien e qytetarëve:
Granti i Performancës dhe treguesit e financave vendore, si instrument për të lidhur performancën me financimin.
Paketa e Maleve – një ligj i ri për nxitjen e investimeve në zonat malore dhe agroturizëm.
Legalizimet dhe regjistrimi fillestar i pronave – përshpejtimi i proceseve në bashkëpunim me bashkitë.
Ligji për Administrimin e Bashkëpronësisë – sfida dhe detyra për garantimin e cilësisë së jetës në hapësirat e përbashkëta.
Roli i bashkive në procesin e integrimit evropian – ngritja e kapaciteteve dhe aksesi në fondet e BE-së.
Bujqësia 2030 – politikat e reja të mbështetjes për sipërmarrjet bujqësore në nivel vendor.
Takimi vjen në një moment kur vendi ndodhet në kulmin e sezonit veror, me një rritje të ndjeshme të fluksit turistik dhe sfida të shtuara për menaxhimin e territorit, shërbimeve publike dhe infrastrukturës vendore.
Gjatë ditëve të fundit, Rama ka kërkuar ndryshime në menaxhimin e qeverisjes vendore, duke kritikuar problematikat në disa qytete si Tirana, Vlora, Fieri apo Shkodra.