Edhe pse e ka krijuar partinë e tij dhe u fjalos me Trumpin, Musk ka financuar me 15 milionë dollarë partinë republikane
Miliarderi afrikano-amerikan, Elon Musk dhuroi gjithsej 15 milionë dollarë në muajin qershor për organizata politike që mbështesin presidentin amerikan, Donald Trump dhe republikanët në Kongres.
Donacione prej nga 5 milionë dollarësh për grupet MAGA Inc., Fondi për Udhëheqjen e Senatit dhe Fondi për Udhëheqjen e Kongresit janë bërë më 27 qershor, në mes të një përplasjeje të ashpër mes Muskut dhe Trumpit për legjislacionin federal të shpenzimeve, dhe vetëm disa ditë para se njeriu më i pasur në botë të shpallte se do të krijonte një parti të vetën politike.
Drejtori ekzekutiv i Teslës u shfaq në raportet si donatori individual më i madh për secilën nga këto grupe, raporton cnn.
Raportet e fushatës të dorëzuara në Komisionin Federal Zgjedhor (FEC) tregojnë se Musk ka investuar këtë vit më shumë se 45 milionë dollarë në America PAC, një grup të cilin ai e drejton, teksa përpiqej pa sukses të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve për Gjykatën e Lartë të Wisconsinit.
Në zgjedhjet e vitit 2024, Musk ka shpenzuar mbi 290 milionë dollarë për të ndihmuar në rizgjedhjen e Trumpit dhe kandidatëve të tij të preferuar për Kongres.
Për disa muaj këtë vit, ai ka shërbyer si këshilltar kryesor i Shtëpisë së Bardhë dhe si drejtor i një Departamenti joformal për Efikasitetin e Qeverisë, përpara se të tërhiqej nga shërbimi shtetëror për t’u fokusuar në kompanitë e tij.
Në atë kohë ai njoftoi gjithashtu mundësinë e zvogëlimit të financimit politik.
Megjithatë, në fillim të muajit korrikut, Musk hyri sërish në përplasje publike me Trumpin dhe republikanët në Kongres rreth politikave të brendshme, për të cilat ai pretendonte se do të rrisnin ndjeshëm deficitin shtetëror.
Ai gjithashtu premtoi se do të krijonte një parti të re, të quajtur America Party, megjithëse deri tani ka pak dëshmi konkrete që ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
Raporti i dorëzuar në FEC të enjten përfshin aktivitetet e super PAC-ut deri në fund të qershorit. /Telegrafi/
The post Edhe pse e ka krijuar partinë e tij dhe u fjalos me Trumpin, Musk ka financuar me 15 milionë dollarë partinë republikane appeared first on Telegrafi.