Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur që pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, në të cilën njoftoi s’e e ka tërhequr kërkesën që ia kishte dërguar Gjykatës Kushtetuese për çështjen që ndërlidhet me konstituimin e Kuvendit, kjo gjykatë do të inicionte procedurën për shkarkimin e gjyqtarit Radomir Llaban.
Këtë pritje, ajo e ka shprehur në një konferencë për media më 10 gusht 2025. Megjithatë, procedurat për shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese janë të përcaktuara qartë dhe kërkojnë përmbushjen e disa kushteve paraprake.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, procedura e shkarkimit të një gjyqtari mbështetet në nenin 118 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thekson se: “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës me propozimin e dy të tretave (2/3) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave”.
Në këtë kontekst, njohësit e fushës juridike sqarojnë se shkarkimi i një gjyqtari kushtetues mund të iniciohet vetëm në rast se ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale të rëndë, ose nëse provohet mospërfillje serioze e detyrave zyrtare nga ana e gjyqtarit.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës tregon se një gjyqtar kushtetues mund të shkarkohet nëse kryen krim të rëndë sipas Kodit Penal, kryen mospërfillje të rëndë të detyrave të gjyqtarit, humb përhershëm aftësinë e veprimit e cila duhet konstatuar nga gjykata kompetente apo nëse ka ndonjë sëmundje apo problem tjetër shëndetësor që e bën të pamundur ushtrimin e përgjegjësive.
“Shkarkimi mund të propozohet nëpërmjet një dokumenti të shkruar, ku paraqiten arsyet për shkarkim, i cili nënshkruhet nga një ose më shumë gjyqtarë dhe i dorëzohet Kryetarit/es. Dokumentet që përmbajnë çfarëdo fakti të rëndësishëm, duhet t’i bashkëngjiten propozimit për shkarkim. Propozimi për shkarkim duhet të jetë konfidencial dhe të gjithë gjyqtaret duhet të njoftohen me të sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kryetari/ja njofton me shkrim gjyqtarin/en e propozuar për shkarkim mbi bazën e propozimit për shkarkim dhe i jep gjyqtarit/es përkatës/e propozimin me shkrim për shkarkim dhe të gjitha faktet relevante të bashkëngjitura” – shpjegon mes tjerash Bugaqku.
Në këtë linjë, avokati Ardian Bajraktari tregon se pas kësaj procedure mbahet takimi konfidencial i gjyqtarëve, ku merr pjesë edhe gjyqtari përkatës dhe aty diskutohet çështja e shkarkimit.
Gjyqtari për të cilin iniciohet shkarkimi, siç sqaron ai, në këtë takim ka të drejtë të përgjigjet ndaj propozimit për shkarkim dhe të paraqes shpjegime ose informacione apo edhe t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarëve.
“Më pas gjyqtarët mbajnë takim tjetër- po ashtu konfidencial- nga i cili përjashtohet gjyqtari/ja i/ e propozuar për shkarkim. Vlen të ceket se kuorumin për këtë mbledhje do ta përbejnë të gjithë gjyqtarët e mbetur. Në këtë takim, Gjykata përcakton nëse do t’ia propozojnë ose jo shkarkimin Presidentit/es shkarkimin e gjyqtarit/es” – ka shpjeguar avokati Bajraktari për Kallxo.
Bugaqku në anën tjetër tregon se nëse propozohet Kryetari i gjykatës për shkarkim, njoftimin e merr nga zëvendëskryetari i gjykatës, dhe pastaj mbahet takimi i gjyqtarëve.
“Në këtë takim, Gjykata përcakton nëse do t’ia propozojnë këtë shkarkim Presidentit/es të/së Republikës së Kosovës. Kryetari/ja e Gjykatës e kryeson këtë takim dhe diskutimet e gjyqtarëve mbeten konfidenciale. Nëse Kryetari/ja e Gjykatës propozohet për shkarkim, mbledhjen e kryeson Zëvendeskryetari/ja i/ e Gjykatës. Për t’i propozuar shkarkimin Presidentit/es të/së Republikës së Kosovës, propozimi për shkarkim duhet të votohet pozitivisht nga dy të tretat (2/3) e të gjithë gjyqtarëve të mbetur të Gjykatës. Të gjithë gjyqtarët e mbetur duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë” – ka shpjeguar Bugaqku, duke shtuar se abstenimi nuk lejohet.
Avokati Bajraktari, në anën tjetër shpjegon se në rastin e tanishëm të Gjykatës Kushtetuese, nëse shkarkohet ndonjë gjyqtar, kjo gjykatë do të paralizohej.
“Vlen të ceket se shkarkimi eventual i cilitdo gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, aktualisht do ta paralizonte punën e kësaj gjykatë, bazuar në faktin se kuorumin e gjykatës e përbejnë 7 gjyqtarë, po aq sa ka aktualisht Gjykata Kushtetuese” – ka deklaruar ai.
Sipas Bugaqkut pa u plotësuar kushtet që kërkohen nga Kushtetuta, nuk ka bazë për shkarkimin e një gjyqtari.
“Pa u plotësuar kushtet sipas asaj që kërkohet nga neni 118 i Kushtetutës, pra dënimi i formës së prerë ose cenimi i rendë i detyrave të punës atëherë nuk ka bazë me iniciuar shkarkimin e tij” – ka thënë Bugaqku.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se e ka tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili sipas saj, ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
“Ju njoftoj se sot në përputhje me Ligjin per Gjykatën Kushtetuese, kam tërhequr kërkesën të paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për vepritmarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021, 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare” – ka thënë Osmani më 05.08.2025
“Rasti që kam adresuar në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë pikërisht me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ka të bëjë me çështje të tjera, siç është funksionimi demokratik i institucioneve. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka diskrecion të plotë të vendosë se cili rast t’i caktohet cilit gjyqtar. Kërkesa jonë ka të bëjë me çështje thelbësore të rendit kushtetues, prandaj është shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet tona të sigurisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues” – ka deklaruar Osmani para gazetarëve.
Osmani nuk ka dhënë detaje konkrete për veprimet e pretenduara të gjyqtarit Llaban, por ka thënë se informatat për veprimtarinë e tij janë dorëzuar në vitin 2018, 2021 dhe 2024, nga udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Kjo nuk ka të bëjë me vlerësimet apo perceptimet e mia si presidente e Republikës, por ka të bëjë me informata zyrtare të institucioneve tona të sigurisë që i kanë dorëzuar para institucioneve të tjera tri herë radhazi. Njëherë i kanë dorëzuar në vitin 2018, njëherë në vitin 2021 dhe në vitin 2024, nga tre udhëheqës të ndryshëm të institucioneve të sigurisë” – ka thënë ajo.
“Për ne është shqetësuese se si përkundër ndarjes së informatave me Gjykatën Kushtetuese, pikërisht në rastin ndoshta më të rëndësishëm të dekadës, të caktohet gjyqtari për të cilin ka informata të tilla. Raportet e vitit 2021 dhe 2024 flasin për veprimtari të tij që ka të bëjë me rrezikimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të sigurisë kombëtare të Kosovës. Pra po flasim për veprime të tij kundër Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se bazuar në informatat e institucioneve të sigurisë, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomis Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe dhe i afërt me Milan Radoiçiqin.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se Llaban ka qenë edhe i përfshirë në planin e Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë.
“Llaban ka raporte shumë të afërta me Milan Radoiçiqin, pra kryeterroristin e rastit në Banjska, ku u vra Afrim Bunjaku. Në saje të këtyre raporteve të hershme, Llaban ka përfituar si prona të paluajtshme ashtu edhe punësimin e familjarëve të tij” – ka thënë Haxhiu.
“Nga ajo që dimë, Llaban nuk ka vetëm njohje me Radoiçiqin, por edhe me pjesëmarrësin tjetër në Banjska, Vladimir Radojeviq i njohur me nofkën ‘Mami’, njëri prej miqve më të mirë të Radoiçiqit. Me urdhër të Radoiçiqit, Radomir Llaban ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në realizimin e planit të Serbisë për ndërhyrje në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim ai ka shfrytëzuar edhe motrën e tij, Gordana, e cila në dhjetor të vitit 2020 ishte emëruar anëtare te KQZ-së”- ka shtuar Haxhiu.
Tutje Haxhiu ka thënë se në vitin 2006, Llaban ka qenë pjesë e Doganave të Serbisë. Sipas saj, ai ishte përfshirë në aktivitete kriminale dhe korrupsion, për çka ishte dënuar me 6 vite heqje lirie. Sipas Haxhiut, kjo ka mundur të jetë koha kur Llabanit ia ka organizuar BIA zhvendosjen në Kosovë.
“Llaban ka ushtruar ndikimin edhe për sigurimin e shumicës së votave të nevojshme për 10 mandatet e rezervuara për serbët, që ato t’i marrë Lista Serbe. Në vitin 2013 Ministria për Kthim e udhëhequr në atë kohë nga Lista Serbe ia kishte ndarë Llabanit një banesë në Graçanicë, në vitin 2023 ai përfitoi nga Serbia një banesë në Mitrovicë nga institucioni ilegal i ashtuquajtur “organ i përkohshëm komunal” i Mitrovicës. Institucionet tona kanë dëshmi se edhe aktualisht Radomir Llaban përfiton të ardhura nga buxheti i Serbisë” – ka thënë ndër të tjera Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me një sqarim për tërheqjes së kërkesës së dorëzuar nga presidentja Vjosa Osmani në këtë gjykatë me arsyetimin se raportues i lëndës është caktuar gjyqtari Radomir Llaban.
Kushtetuesja ka shpjeguar se ndarja e lëndëve bëhet në bazë të rregullave procedurale, të cilat i “respekton me përpikëri”.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës” – thuhet mes tjerash në njoftimin e GjK-së, më 06.08.2025.
Për gjyqtarin Llaban, Gjykata ka konfirmuar se ai ka qenë i punësuar aty që nga viti 2011 në pozitën e Këshilltar juridik dhe që nga 09.08.2018 është gjyqtar.
“Pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë” – thuhet tutje në njoftim.
Për çështjen e gjyqtarit Llaban ka shkruar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, më 11.08.2025.
Tahiri ka përkujtuar se Llaban ka qenë gjyqtar raportues kur PDK e ka kundërshtuar seancën në të cilën u zgjodhën: Guvernatori i Bankës Qendrore, anëtarët e Bordit të ZRRE-së, Kryesuesi dhe një anëtar i bordit të AKP-së, si dhe Kryesuesi dhe anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Personale.
“Si gjyqtar raportues, Llaban e rrëzoi kërkesën e GP të PDK-së, duke legjitimuar kështu seancën ku Vetëvendosje zgjodhi drejtuesit e këtyre institucioneve. Atëherë kur Vetëvendosje dëshiron të sistemojë jashtëligjshëm anëtarë të saj në borde e pozita kyçe, vendimet e Radomir Llabanit i respektojnë dhe i lavdërojnë” – ka shkruar Tahiri, raporton Kallxo.
The post “Rasti Llaban”- Kur përmbushën kushtet për nisjen e procedurës së shkarkimit të një gjyqtari kushtetues? appeared first on Telegrafi.