Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Troje dhe biznese, kërkohet konfiskimi i pasurive të një shtetasi në Gjirokastër

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, kërkoi konfiskimin e pasurive të shtetasit D.A. dhe personave të lidhur me të, në zbatim të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”, i ndryshuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit pasuror nr.2, të vitit 2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, kërkoi konfiskimin e pasurive të cilat nuk kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre si më poshtë vijon:

  • Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, në qytetin Gjirokastër;
  • Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 në Lazarat, Gjirokastër;
  • Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, në Grehot, Gjirokastër;
  • Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 në Grehot, Gjirokastër;
  • Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;
  • Objekt tregtie sipërfaqe e zënë 6500 m2, ndërtuar në vitin 2005, fshati Kordhocë, Lazarat;
  • Lokal dhe magazinë, ndërtuar në vitin 2013 në fshatin Kordhocë;
  • Fushë mini-futbolli me sipërfaqe 500 m2 dhe ndërtesë një kat me sipërfaqe 37.2 m2, ndërtuar në Lazarat;
  • Autoveturë “Mercedes Benz”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore si dhe për sekuestrimin/konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”. thuhet në njoftim.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Troje dhe biznese, kërkohet konfiskimi i pasurive të një shtetasi në Gjirokastër appeared first on Euronews Albania.

Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë të mahnitur nga pamja që ofron

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës priti një numër të madh vizitorësh, ashtu siç ndodh shpesh këto ditë të sezonit turistik. “DRTK Gjirokastër” publikoi pamjet plot jetë, histori dhe zëra nga e gjithë bota, që enden mureve të gurta.

Vizitorë vendas dhe nga bota që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve gjetkë.

Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.

/e.r//r.e//a.f/

The post Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë të mahnitur nga pamja që ofron appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Tendat shëndetësore verore në shërbim të pushuesve në kalanë e Gjirokastrës

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Në këto ditë të nxehta vere, kujdesi për shëndetin nuk mungon as në zonat turistike me fluks të lartë vizitorësh dhe pushuesish, siç është edhe kalaja e Gjirokastrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot se “ekipet mjekësore janë në gatishmëri të plotë jo vetëm përgjatë vijës bregdetare, por edhe në zona të tjera turistike, si kalaja e Gjirokastrës, ku fluksi i vizitorëve është i lartë”.

“Tendat Shëndetësore Verore janë aty për të ofruar ndihmën e parë dhe kujdesin e nevojshëm, që pushimet tuaja të jenë të sigurta, pa shqetësime shëndetësore”, tha Koçiu, në një postim në rrjetet sociale.

Në vetëm një muaj pas hapjes, 12 410 qytetarë kanë marrë shërbim në qendrat shëndetësore verore të hapura përgjatë bregdetit dhe zonave turistike.

Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.

Nga tenda shëndetësore verore në kalanë e Gjirokastrës
1 nga 11

/e.i//r.e/

The post Koçiu: Tendat shëndetësore verore në shërbim të pushuesve në kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

100 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona gjatë periudhës janar-qershor 2025.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi kodër si një anije që pret vizitorë vendas e të huaj.

Shifra prej 100 mijë vizitorësh në gjysmën e parë të vitit 2025, tregon një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e bërë kështu Kalanë e Gjirokastrës një nga më të vizituarat, me interes të lartë për të njohur e mësuar historinë e saj.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO. Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.

Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. /j.p/

The post 100 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama jep lajmin: Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës

”Pas më shumë se 30 vitesh, kanë rifilluar gërmimet arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës”. Lajmin e ndan kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë shkruan që synimi është zbardhja e fazave të hershme të ndërtimit. Kalaja e Gjirokastrës është atraksioni kryesor i qytetit të gurtë falë vlerave historike dhe arkitektonike. ”Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore…

Source

Imzot Joani, flalim në ceremoninë e lamtumirës për Mitropolitin e Gjirokastrës

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kreu i kishës ortodokse të Gjirokastrës, u përcoll me nderime në banesën e fundit. Ceremonia u drejtua nga Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, i shoqëruar nga klerikë të ardhur nga mitropoli të ndryshme të vendit dhe nga jashtë kufijve, përfshirë Greqinë dhe Malin e Zi.

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Imzot Joani, solli në vëmendje jetën dhe veprën e Hirësisë së Tij, që për 19 vite udhëhoqi Mitropolinë e Gjirokastrës.

Në fjalimin e tij, Fortlumturia tij Joani foli me përulësi për rrugëtimin shpirtëror të Mitropolitit Dhimitri, për sakrificat, përkushtimin dhe rolin e tij në rindërtimin e Kishës pas rënies së komunizmit.

Fjalimi i plotë i Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Imzot Joanit

Jemi mbledhur sot me hidhërim të thellë, për të përcjellë vëllain dhe bashkëmeshtarin tonë, Hirësinë e Tij, Mitropolitin e Gjirokastrës, Imz. Dhimitrin. Më 28 të muajit, në prag të festës së Apostujve të Shenjtë, Zoti e thirri pranë Vetes këtë shërbëtor të Tijin, i cili, sipas shembullit të Apostujve, ia kushtoi gjithë jetën  shër-bimit të Ungjillit. Ndjenja të përziera na pushtojnë në atmosferën e festës së Apostujve të Shenjtë. Kemi pikëllim dhe vajtojmë, por shpresa e mesazhit të Ngjalljes, që predikuan Apostujt e Krishtit dhe vazhdon të  predikohet pandërprerë  nga Kisha, nuk na lejon të  mbytemi në  detin e hidhërimit. Sepse – siç na mëson Shën Pavli – edhe nëse rrojmë, për Zotin rrojmë; edhe nëse vdesim, për Zotin vdesim. Edhe nëse rrojmë pra edhe nëse vdesim, të Zotit jemi (Rom 14:8).

Vëllai ynë, Mitropoliti  Dhimitër, lindi në Serez të Greqisë në shtator të vitit 1940. Qysh në moshë të re dëgjoi thirrjen e Zotit dhe iu bind asaj. Studioi në Fakultetin Teologjik të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku mori një formim të mirë teologjik, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Por zemra e tij nuk kërkonte vetëm arritje akademike, por kryesisht përsosmërinë shpirtërore dhe asketike.

Në vitin 1974, në moshën 34-vjeçare, hyri në Manastirin e Shenjtë të Shën Ekaterinës së Sinait, ku u qeth murg. Më 1988 u dorëzua Hierodhjakon dhe Hieromonak. Në këtë kështjellë historike dhe shumë të njohur të Orthodhoksisë, nën hijen e malit ku Perëndia i foli Moisiut, Hirësi Dhimitri përjetoi misterin e shkretëtirës dhe të heshtjes. Punoi me përkushtim në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të çmuara të manastirit. Përvoja në Sina e formoi thellësisht personalitetin e tij. Mësoi vlerën e heshtjes, të bindjes dhe të përulësisë. Kultivoi jetën e thellë të brendshme që më vonë do të bëhej burim force për punën e tij të vështirë baritore, sepse, siç thotë Shën Joan Gojarti: Janë më të shumta stuhitë që trazojnë shpirtin e priftit, sesa valët që godasin detin.

Në gusht të vitit 1991, kur Ekzarku Patriarkal, Episkopi i Andrusës, Imzot Anastasi mbërriti në Shqipëri për të marrë përsipër veprën titanike të rindërtimit të Kishës së shkatërruar, Hieromonaku Dhimitër,  me zellin e tij të madh apostolik ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes së tij. La Manastirin e dashur të Sinait dhe erdhi të shërbente atje ku Kisha kishte nevojë. Ai e ndjeu këtë thellësisht, pasi nga Metoqi i Manastirit të Shenjtë të Sinait në Janinë, ku shërbente, informohej për të gjitha vështirësitë e popullit të Shqipërisë.

Shqipëria e vitit 1991 ishte një vend që sapo po dilte nga errësira e regjimit ateist. Kisha ishte plotësisht e shkatërruar. Në këtë peizazh shkretimi, Kryepiskopi Anastas dhe bashkëpunëtorët e tij u thirrën të bënin të pamundurën njerëzore, por të mundshmen për dash-rinë e Perëndisë: të ringjallnin nga gërmadhat Kishën tonë.

Vetë zgjedhja e tij nga Kryepiskopi Anastas përbën në vetvete provë të dhuntive dhe vlerës së të ndjerit. Kryepiskopi Anastas nuk i zgjidhte bashkëpunëtorët e tij rastësisht; kërkonte njerëz që ndërthurnin pjekurinë shpirtërore me mençurinë baritore, formimin teologjik me përulësinë, zellin me durimin. Pikërisht këto dhunti njohu te Atë Dhimitri, dhe për këtë më 11 nëntor 2006, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte tashmë edhe folësi, pas miratimit të Statutit nga Asambleja e Përgjithshme Kleriko-Laike, e zgjodhi atë Mitropolit të Gjirokastrës. Dorëzimi i tij u bë më 16 nëntor në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, dhe fronëzimi i tij më 26 nëntor në Kishën e Shenjtë të Krye-engjëjve në Gjirokastër.

Si Mitropolit, Dhimitri zhvilloi një veprimtari baritore të shumanshme për nëntëmbëdhjetë vjet. Shën Joan Gojarti shkruan: Prifti duhet të sillet ndaj grigjës së tij, pikërisht ashtu siç do të sillej një baba ndaj fëmijëve të tij të vegjël. Këtë dashuri atërore e mishëroi Mitropoliti Dhimitër. Njëkohësisht funksionoi si faktor stabilizues. Me dallimin e tij dhe dashurinë e tij arriti të bashkojë grigjën, të ndërtojë ura mbi ndasitë, të sjellë paqe atje ku kishte përçarje.

Kujdes të veçantë tregoi për të rinjtë: studentët e Liceut Kishtar “Kryqi i Çmuar”, si dhe të konviktit për vajzat në Bularat dhe shkollat e Mitropolisë, të cilat përbëjnë shembull institucionesh arsimore.

Ishte i sjellshëm me të gjithë, i paktë në fjalë, por thelbësor, i qëndrueshëm në parimet e tij, por plot mirëkuptim për dobësitë njerëzore. Kujtoj vëllanë Dhimitër, frymën e respektit dhe bashkëpunimit që patëm gjithmonë dhe që e vulosi me praninë e tij sakrifikuese në zgjedhjen e Kryepiskopit të ri të Shqipërisë para pak muajsh. Ndërsa shëndeti i tij ishte tronditur, nuk ngurroi të udhëtonte për në Tiranë për zgjedhjen dhe të qëndronte në këmbë për orë të tëra në Liturgji, duke treguar në këtë mënyrë respektin për  Sinodin, dashurinë  e madhe për Kishën dhe ndjenjën e përgjegjësisë  për të  ardhmen dhe unitetin e saj.

Nuk do t’i harroj fjalët e fundit, të Kryepiskopit Anastas, kur, si përfaqësi  nga Sinodi i Shenjtë, e vizituam në spitalin “Hygeia” të Tiranës: Jini të bashkuar dhe ruani unitetin me çdo sakrificë, duke na i përsëritur disa herë këto fjalë. Më lejoni që  këtë mesazh uniteti, që na theksoi Kryepiskopi Anastas atë ditë, t’ua përcjell edhe gjithë ju vëllezërve të Mitropolisë së Gjirokastrës. Jam i sigurt, se brenda këtij uniteti në Krishtin, hierarkët e lumtur të Sinodit tonë që janë larguar prej nesh dhe vazhdojnë të luten për ne, të ndërmjetësojnë te Krishti me guxim për grigjën e Kishës së tyre të dashur, së cilës ia kushtuan jetën. Këtij uniteti do të përpiqem ti shërbej edhe unë si Kryepiskop, me hirin e Perëndisë.

Vëllezër dhe motra,

Pikëllimi i ndarjes është i rëndë, por shpresa e Ngjalljes e kthen pikëllimin në gëzim. Sepse e dimë se vdekja nuk është fundi, por fillimi i jetës së vërtetë sipas premtimit të Zotit dhe Perëndisë  tonë Jisu Krishtit.

Kisha e Shqipërisë do të të kujtojë gjithmonë me mirënjohje. Gjirokastra do të të mbajë në zemër si bariun e saj të dashur dhe ne do t’i qëndrojmë  pranë  me dashuri dhe përkujdesje grigjës suaj të bekuar, të  cilën e drejtuat për 19 vjet.

I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o vëllai ynë  i lumtur dhe i paharruar! Amin.

Nga shërbesa e Varrimit të Mitropolitit të ndjerë të Gjirokastrës, Hirësisë së Tij, Dhimitrit
1 nga 15

/e.i//a.f/

The post Imzot Joani, flalim në ceremoninë e lamtumirës për Mitropolitin e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I jepet lamtumira e fundit Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri

U zhvillua në qytetin e Gjirokastrës shërbesa e varrimit të Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri.

Ai u nda nga jeta ditën e shtunë, në 28 qershor, në moshën 85 vjeçare ndërsa ishte i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës për shkak të problemeve shëndetësore.

Ritet fetare të meshës së varrimit u zhvilluan në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në qytetin e Gjirokastrës. Të pranishëm kanë qenë hierarkë të kishës ortodokse, përfaqësues të politikës nga Shqipëria dhe Greqia, përfaqësues të besimeve të tjera fetarë, besimtarë të shumtë, etj. Shërbesa e varrimit u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joani

Besimtarët vlerësuan kontributin fetar dhe aktivitetin human të Imzot Dhimitri.

“Që me hapjen e kishave pas regjimit komunist Hirësi Dhimitri,  ju afrua kishës së Shqipërisë për të dhënë kontributin e tij,  jo vetëm për besimin por  për mbarë shoqërinë njerëzore në Shqipëri,  që pas vitit ’90-të deri në frymën e tij  të fundit ai shërbeu me devotshmëri jo vetëm në kishë por edhe në  shkollat që ne kemi, tek njerëzit në nevojë, jetim, të varfër,  dhe vazhdimisht ishte pranë tyre duke ndihmuar dhe kontribuar  për ata”, tha At Emiljano.

“Të vjen keq sepse ikën njeri, është ikja e një njeriu që humbet komuniteti, një njeri që ishte adapt, ishte kryesor për atë punë që bënte”, u shpreh një besimtare.

Në përfundim të meshës së varrimit, kortezhi mortor udhëtoi drejt fshatit Dervician ku Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri do të prehet në kishën e “Shën Parashqevisë”.

 

The post I jepet lamtumira e fundit Mitropolitit të Gjirokastrës, Imzot Dhimitri appeared first on Euronews Albania.

Ndahet nga jeta Imzot Dhimitri, Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës Imzot Dhimitri u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Lajmi u bë me dije nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në një postim në rrjetet sociale.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi se “Hirësia e Tij ishte i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë si pasojë funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve”.

Njoftimi i plotë:

“Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, u lind në Serres të Greqisë, në shtator të vitit 1940. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku edhe u diplomua.

Jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës. Ishte anëtar i vëllazërisë monastike të Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin Sinai (Egjipt), ku u bë murg në vitin 1974. Në këtë manastir, ai punoi në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të vjetra, të cilat përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të këtij manastiri. Ai iu bashkua veprimtarisë misionare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që në hapat e saj të parë, pas mbërritjes së Kryepiskopit Anastas në gusht të vitit 1991. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës.

Zgjedhja e Hirësisë së Tij në fronin e Mitropolisë së Gjirokastrës u bë më 11 nëntor 2006, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas Asamblesë së Përgjithshme Kleriko-Laike, e cila miratoi Statutin e Kishës. Ai u dorëzua episkop më 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa ceremonia e fronëzimit të tij u krye më 26 nëntor 2006 në Gjirokastër, në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve.

Gjatë periudhës së shërbesës së tij si mitropolit, Hirësia e Tij dha një kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipërinë e Jugut. Me zell të palodhur dhe dashuri të madhe, e udhëhoqi shpirtërisht grigjën e tij për 19 vjet, duke ndërtuar kisha, zhvilluar katekizmin dhe veprimtarinë filantropike, si dhe duke forcuar jetën shpirtërore të besimtarëve. Dallohej për njohjen e thellë të Traditës Orthodhokse dhe formimin e tij biblik, duke qenë një mbështetje e sigurt për grigjën e eparkisë së tij. Për një periudhë të gjatë shërbeu me përkushtim si Zëvendëskryetar i Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë” të themeluar nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas, duke kontribuar në mënyrë thelbësore në zhvillimin dhe përparimin e arsimit orthodhoks.

Në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës u krye shërbesa e përshpirtjes (trisaia) për prehjen e shpirtit të tij në tendat e të drejtëve.

Shërbesa e varrimit do të mbahet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër, më 1 korrik 2025, në orën 11:00.

“E çmuar është në sytë e Zotit vdekja e besnikëve të tij” (Psalm 116:15).

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” bëhet me dije në njoftim të kishës.

/e.i//a.f/

The post Ndahet nga jeta Imzot Dhimitri, Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E trishtë/ Ndahet nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri

Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme. Dhimitri ishte shtruar prej disa javësh në spitalin e Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit. Ky është një lajm shumë i trisht për komunitetin e besimtarëve ortodoksë shqiptarë, pasi Imzot Dhimitri ishte nga të parët Mitropolit që formuan Sinodin […]

The post E trishtë/ Ndahet nga jeta Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri appeared first on BoldNews.al.

Ndahet nga jeta Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës

Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës Imzot Dhimitrit është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Lajmi është bërë me dije nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ku bëhet me dije se “Hirësia e Tij ishte i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë si pasojë funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve”.

“Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, u lind në Serres të Greqisë, në shtator të vitit 1940. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku edhe u diplomua.

Jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës. Ishte anëtar i vëllazërisë monastike të Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin Sinai (Egjipt), ku u bë murg në vitin 1974. Në këtë manastir, ai punoi në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të vjetra, të cilat përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të këtij manastiri. Ai iu bashkua veprimtarisë misionare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që në hapat e saj të parë, pas mbërritjes së Kryepiskopit Anastas në gusht të vitit 1991. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës.

Zgjedhja e Hirësisë së Tij në fronin e Mitropolisë së Gjirokastrës u bë më 11 nëntor 2006, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas Asamblesë së Përgjithshme Kleriko-Laike, e cila miratoi Statutin e Kishës. Ai u dorëzua episkop më 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa ceremonia e fronëzimit të tij u krye më 26 nëntor 2006 në Gjirokastër, në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve.

Gjatë periudhës së shërbesës së tij si mitropolit, Hirësia e Tij dha një kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipërinë e Jugut. Me zell të palodhur dhe dashuri të madhe, e udhëhoqi shpirtërisht grigjën e tij për 19 vjet, duke ndërtuar kisha, zhvilluar katekizmin dhe veprimtarinë filantropike, si dhe duke forcuar jetën shpirtërore të besimtarëve. Dallohej për njohjen e thellë të Traditës Orthodhokse dhe formimin e tij biblik, duke qenë një mbështetje e sigurt për grigjën e eparkisë së tij. Për një periudhë të gjatë shërbeu me përkushtim si Zëvendëskryetar i Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë” të themeluar nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas, duke kontribuar në mënyrë thelbësore në zhvillimin dhe përparimin e arsimit orthodhoks.

Në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës u krye shërbesa e përshpirtjes (trisaia) për prehjen e shpirtit të tij në tendat e të drejtëve.

Shërbesa e varrimit do të mbahet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër, më 1 korrik 2025, në orën 11:00.

“E çmuar është në sytë e Zotit vdekja e besnikëve të tij” (Psalm 116:15).

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” bëhet me dije në njoftim të kishës.

The post Ndahet nga jeta Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës appeared first on Euronews Albania.

Hotel, ndërtesa, troje dhe makina, 45-vjeçarit i sekuestrohen pronat në Gjirokastër

Prokuroria e Gjirokastrës ka sekuestruar pronat e një 45-vjeçari pasi dyshohet se ato janë përfituar me të ardhura nga pjesëmarrja në një grup me veprimtari në trafikimin e lëndëve narkotike.

Në njoftimin e Prokurorisë së Gjirokastrës thuhet se 45-vjeçarit K.B., alias S.B., i janë sekuestruar një numër i madh pronash duke filluar nga ndërtesa, biznese, troje dhe automjete, ndërsa lista e pasurive të sekuestruara vijon si më poshtë:

Lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;

Pasuri e llojit ndërtesë dykatëshe + papafingo, me sipërfaqe 393.3 m2, me sipërfaqe ndërtimi 131.1 m2, në fshatin Valare, Gjirokastër;

Pasuri e llojit ndërtesë dykatëshe me sipërfaqe 235 m2 ndërtesë, në fshatin Valare, Gjirokastër;

Pasuri e llojit truall (servis makinash), me sipërfaqe 1216 m2, me sipërfaqe ndërtimi 276 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;

Pasuri e llojit ndërtesë (lokal) me sipërfaqe 30 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;

1 automjet tip “Audi Q7”.

Gjithashtu janë vënë në sekuestro dhe 8 automjete, në pronësi të 45-vjeçarit dhe të familjarëve të tij. Punohet për gjetjen e tyre.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Gjirokastrës

DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Center”.

Vihet sekuestro mbi pasuri (ndërtesa, biznese dhe automjete) të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e shtetasit K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, në kuadër të një procedimi pasuror të kryer në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ka vënë sekuestro mbi pasuri të shtetasit K. B., alias S. B., dhe të familjarëve të tij, i dyshuar për pjesëmarrje në një grup me veprimtari të trafikimit të lëndëve narkotike. Konkretisht janë sekuestruar:

-Lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 shtatori”, Gjirokastër;

-Pasuri e llojit ndërtesë  dykatëshe+papafingo, me sipërfaqe 393.3 m2, me sipërfaqe ndërtimi 131.1 m2, në fshatin Valare, Gjirokastër;

-Pasuri e llojit ndërtesë dykatëshe me sipërfaqe 235 m2 ndërtesë, në fshatin Valare, Gjirokastër;

-Pasuri e llojit truall (servis makinash), me sipërfaqe 1216 m2, me sipërfaqe ndërtimi 276 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;

-Pasuri e llojit ndërtesë (lokal) me sipërfaqe 30 m2, në lagjen “Grehot”, Gjirokastër;

-1 automjet tip “Audi Q7”.

Gjithashtu janë vën në sekuestro dhe 8 automjete, në pronësi të 45-vjeçarit dhe të familjarëve të tij. Punohet për gjetjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Hotel, ndërtesa, troje dhe makina, 45-vjeçarit i sekuestrohen pronat në Gjirokastër appeared first on Euronews Albania.

Kumbaro: Në 5 muaj, mbi 53 mijë turistë vizituan Kalanë e Gjirokastrës

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se, kalaja e Gjirokastrës ka mirëpritur mbi 53 mijë vizitorë, në 5-mujorin e parë të këtij viti.

Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga kalaja, teksa e cilësoi atë, kampione të monumenteve të kulturës.

”Pik’ e floririt mbi malin e gjerë Kalaja e Gjirokastrës, kampionia e monumenteve të kulturës për nga numri i vizitorëve, ka mirëpritur 53.455 vizitorë në 5 muajt e parë të vitit një thesar jo vetëm i historisë dhe kulturë, por edhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit”, shkroi Kumbaro në rrjete sociale.

/a.f/r.e/

The post Kumbaro: Në 5 muaj, mbi 53 mijë turistë vizituan Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 54 mijë vizitorë në 5 muaj, Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, thesar i historisë shqiptare

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës vijon të mbetet siti më i kërkuar nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë dhe që e përfshijnë qytetin e gurtë në itinerarin e tyre.

Kështu, Kalaja e Gjirokastrës ka mirëpritur 53,455 vizitorë vetëm në 5 muajt e parë të vitit.

Shifra u bë publike nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja i cili e cilësoi kalanë si një thesar të historisë shqiptare që vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Kjo kala i ka fillimet e saj në vitin 1336 megjithatë shumë historianë mendojnë se këto mure janë akoma më të hershme.

Në gjithë historinë e saj vlen për t’u theksuar shkëlqimi që pati nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës. Në vitin 1812 filloi rikonstruktimi nga Ali Pashë Tepelena. Gjatë kësaj periudhe kalaja u fortifikua dhe u pajis me armatime të përparuara.

Gjithashtu u ndërtua edhe kulla e sahatit, e cila edhe sot rrëmben vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.

Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, kjo kala u kthye në strehën e shumë banorëve që mbroheshin nga bombardimet ajrore.

Prej vitit 1968 ajo do të bëhej qendra e trashëgimisë folklorike duke u bërë me krenari djepi i Festivalit Folklorik Kombëtar, një festival që mban në këmbë traditën unike të këngës folklorike shqiptare.

Kjo kala është kthyer në një nga pikat kulturore më të frekuentuara nga turistët dhe i lejon qytetit të ketë një sezon turistik përgjatë gjithë vitit.

The post Rreth 54 mijë vizitorë në 5 muaj, Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, thesar i historisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kalaja e Gjirokastrës, atje ku historia dhe kënga bashkohen në një jehonë brezash


TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës, e shtrirë në një hapësirë prej 335 metra në kodër të qytetit, vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese nga Kalaja e Gjirokastrës ku historia, kënga dhe krenaria bashkohen në një jehonë brezash.

Gjirokastra, qyteti i gurtë një ndër të parët që u bë pjesë e UNESCO-s mban mbi supe një gjerdan të rrallë, Kalanë e Argjirosë.

Kjo kala i ka fillimet e saj në vitin 1336 megjithatë shumë historianë mendojnë se këto mure janë akoma më të hershme.

Në gjithë historinë e saj vlen për t’u theksuar shkëlqimi që pati nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës. Në vitin 1812 filloi rikonstruktimi nga Ali Pashë Tepelena. Gjatë kësaj periudhe kalaja u fortifikua dhe u pajis me armatime të përparuara.

Gjithashtu u ndërtua edhe kulla e sahatit, e cila edhe sot rrëmben vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.

Në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, kjo kala u kthye në strehën e shumë banorëve që mbroheshin nga bombardimet ajrore.

Prej vitit 1968 ajo do të bëhej qendra e trashëgimisë folklorike duke u bërë me krenari djepi i Festivalit Folklorik Kombëtar, një festival që mban në këmbë traditën unike të këngës folklorike shqiptare.

Kjo kala është kthyer në një nga pikat kulturore më të frekuentuara nga turistët dhe i lejon qytetit të ketë një sezon turistik përgjatë gjithë vitit.

/m.m/

The post Rama: Kalaja e Gjirokastrës, atje ku historia dhe kënga bashkohen në një jehonë brezash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

64 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës nga janari në maj

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të jetë një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Për periudhën janar-maj 2025, Kalaja e Gjirokastrës priti më shumë se 64,000 vizitorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve është rritur me 10%, duke dëshmuar edhe një herë interesin e lartë për këtë trashëgimi unike kulturore dhe historike.

Kalaja e Gjirokastrës ishte siti më i vizituar edhe gjatë vitit 2024. Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, gjatë vitit 2024, kjo kala u vizitua nga 263,048 persona.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të Gjirokastres por edhe në rang vendi.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg. /j.p/

The post 64 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës nga janari në maj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjirokastrës/ Gruaja i ikën nga banesa, bashkëshorti ngre alarmin në polici

Një 44-vjeçar nga fshati Nokov e Gjirokastrës i është drejtuar Policisë pas largimit të bashkëshortes së tij nga banesa. Sipas kallëzimit të bërë bashkëshorti, gruaja e tij me iniciale S. L., 39 vjeçe, është larguar nga shtëpia pa lënë gjurmë dhe ai nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e saj. “Dje, ka kallëzuar shtetasi M. […]

The post Gjirokastrës/ Gruaja i ikën nga banesa, bashkëshorti ngre alarmin në polici appeared first on BoldNews.al.

Rekord vizitorësh në maj, Kalaja e Gjirokastrës priti 30 mijë turistë

Kalaja e Gjirokastrës vijon të jetë ndër monumentet më të vizituara të trashëgimisë kulturore në vend, sidomos gjatë sezonit pranveror.

Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, gjatë periudhës janar–maj, kalaja është vizituar nga rreth 58 mijë turistë vendas dhe të huaj, ndërsa vetëm në muajin maj, 30 mijë vizitorë kanë kaluar portat e kështjellës së gurit.

Turistët e huaj shprehen të mahnitur nga mikpritja dhe historia e qytetit të gurtë:

“Mendoj se vendi juaj dhe peizazhi janë të mrekullueshëm. Kemi eksploruar shumë zona të bukura dhe do të rikthehemi sërish. Kur të kthehemi në Francë, do t’u flasim miqve tanë për Shqipërinë,” – thotë një turiste.

“Jam shumë i mahnitur, si nga mikpritja, ashtu edhe nga vlerat historike që ka Gjirokastra. Nuk po gjej fjalë për ta përshkruar,” – shprehet një turist.

Në përgjigje të rritjes së interesit turistik, autoritetet kanë ndërhyrë në ripërtëritjen e sinjalistikës, pastrimin e zonës nga bimësia si dhe mirëmbahet në mënyrë të vazhdueshme monumenti i klasifikuar “i kategorisë së parë”.

“Vetëm në muajin maj kemi pasur 30 mijë vizitorë, me një rritje prej rreth 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje është inkurajuese dhe na ngarkon me përgjegjësi për të përmirësuar shërbimet dhe infrastrukturën,” – u shpreh Ardis Duka, drejtor i DRTK Gjirokastër.

Përveç kalasë, turistët vizitojnë edhe pazarin karakteristik, shtëpitë muzeale dhe lagjet historike, duke bërë që Gjirokastra të mbetet një nga destinacionet kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rekord vizitorësh në maj, Kalaja e Gjirokastrës priti 30 mijë turistë appeared first on Euronews Albania.

Qëndistaria e Gjirokastrës, 40 vite pasion dhe trashëgimi

Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër “Dunavat” në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.

E lindur dhe rritur në këtë lagje, ajo përfaqëson gruan me një pasion të veçantë për artin e punimeve me gjilpërë, një teknikë delikate që ka zbukuruar për shekuj veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.

“Unë këtë zanat e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë që duhet ta duash, ta dashurosh dhe ta bësh. Nuk bëhet sepse është një punë që duhet të tërheqë për ta bërë. Nuk është si punët e tjera që mund t’i bëjë çdo njeri. Kjo është një gjë shumë e veçantë që duhet ta duash me shpirt për ta mësuar”, thotë Hëna Gega.

Qëndisjet tradicionale me gjilpërë kërkojnë orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo ka bërë që ndër vite, artizania e saj të jetë simbol i finesës, por gjithashtu një produkt i kërkuar kryesisht nga të huajt.

“Ishte një bum i madh, që nga Greqia kërkonin shumë prodhim të tillë, bënin këllëfë, çentro tabakaje, dhe mua më vinin porositë në shtëpi. Unë i bëja, por nuk është punë që vlerësohet. Është një punë që do shumë kohë dhe nuk ka shumë lekë”, thotë ajo.

Megjithëse e pranon se është vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, qëndistarja ende vazhdon të përcjellë këtë vlerë të traditës. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.

“Unë e kam pasion, unë këtë e kam jetë. Nuk mund të rri nëse jam e shqetësuar apo kam një mërzitje. Nuk mund të rri pa punëdore, nuk mund të rri një ditë pa punëdore. Edhe do ta vazhdoj patjetër”, thotë Hëna Gega.

Artizania gjirokastrite e qëndisjes karakteristike dëshiron që kjo mjeshtëri të mos harrohet, por të transmetohet në breza si një vlerë e çmuar e traditave të Gjirokastrës.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Qëndistaria e Gjirokastrës, 40 vite pasion dhe trashëgimi appeared first on Euronews Albania.

Gjirokastra mes votuesve historikë dhe të zhgënjyerve nga politika

Në hyrje të qytetit të Memaliajt, përpara një dyqani të tregëtimit të mishit, pronari dhe dy miqtë e tij të sapodalë në pension janë shtruar për një bisedë të qetë paraditen e 1 majit. Por tonet e tyre nxehen pasi u kërkon që të flasin për fushatën, aq sa nëse dikush që nuk do të […]

The post Gjirokastra mes votuesve historikë dhe të zhgënjyerve nga politika appeared first on Reporter.al.

Kalaja e Gjirokastrës, më shumë se 18 mijë vizitorë në 4 muajt e parë të vitit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Gjatë muajit prill Kalaja e Gjirokastrës priti numër të lartë vizitorësh ndërsa rritje reflektohet edhe në shifrat e katërmujorit.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, vizitat turistike në Kalanë e Argjirosë kanë ardhur duke u rritur krahasuar me shifrat e një viti më parë.

Llogaritet që Kalaja e Gjirokastrës priti 18,738 vizitorë gjatë periudhës janar-prill 2025, ose 19% vizitorë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Kalaja mbetet atraksioni kryesor i qytetit të Gjirokastrës. Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë, vazhdon të mbetet objekti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. /j.p/

The post Kalaja e Gjirokastrës, më shumë se 18 mijë vizitorë në 4 muajt e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌