Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka investuar në projektin e ndriçimit dekorativ të kalasë së Himarës, duke i dhënë jo vetëm dritë, por edhe ngjyra që e bëjnë më madhështore këtë monument mbi 3500-vjeçar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kalaja e Himarës, Monument Kulture i Kategorisë I.

Gonxhja vlerësoi se ky investim, i realizuar në një ansambël ku bashkëjetojnë banesa dhe objekte fetare, vjen si angazhim i bashkisë së Himarës, duke rritur kushtet për banorët dhe vlerën turistike të kalasë, e cila tashmë, falë këtij bashkëpunimi, vizitohet edhe në orët e mbrëmjes.

“Kalaja, Monument Kulture i Kategorisë I, në administrimin e DRTK Vlorë, ka qenë qendër e rëndësishme historike dhe kishtare që nga shekulli VIII. Sot, ajo është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së Himarës dhe një ftesë për ta vizituar jo vetëm për bregdetin”, theksoi ministri.

Kalaja e Himarës e cila të ofron një pamje të mrekullueshme nga zemra e Rivierës Shqiptare, vizitohet nga pushues të shumtë gjatë sezonit veror.

Turistë nga vende të ndryshme shprehen të mahnitur nga panorama që ofrohet teksa vizitojnë Kalanë e ndërtuar nga kaonët, një fortesë e fuqishme nëpër shekuj.

/m.m/r.e/

The post Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale


TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau një ansambël imazhesh nga Fototeka e saj, që rrëfejnë historikun e vendit.

E dyta në rang republike për nga madhësia, pas Fototekës “Marubi” (për fotot para ‘44-s), fototeka.arkiva.gov.al është tërësisht e digjitalizuar, duke garantuar akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.

Fototeka e DPA-së përllogarit rreth 135 mijë fotografi origjinale, prej të cilave afro 41 mijë ilustrojnë jetën politike nga Pavarësia deri në shtetndërtim.

Përmes imazheve paraqitet edhe jeta shoqërore nëpërmjet aktivitetit ekonomik, kulturor, arsimor dhe fetar.

Fondi prej rreth 43 mijë fotografish të Institutit “Luce” kryen një retrospeksion në Shqipërinë nën Italinë fashiste. Mes tyre, rreth 13 mijë fotografi që gjenden në negativë, u përkasin fotografëve të njohur korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

/m.m/r.e/

The post Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “gjyqtarët e prokurorët e Republikës nuk miratojnë rregulla, por janë të detyruar të zbatojnë rregullat që miraton qeveria e Kuvendi”.

Bardhi reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

“Edi Rama paska pyetur sot ‘se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut’. Dikush duhet t’i kujtojë që vetë ai s’ka akses në trurin e tij, sa kohë nuk kujton që ka firmosur vetë vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, për një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku ishte vendosur Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Rama e konsideroi vendimin “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

/m.m/r.e/

The post Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Korçë reagoi sot pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në kah të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Korçës bëri të ditur se për shkeljen e kryer, bazuar në Kodin Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.

/m.m/r.e/

The post Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve me kalldrëm, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se edhe në këto ditë gushti, kur të gjithë pushojnë, mjeshtrat e gurit në Gjirokastër po restaurojnë kalldrëmet mes lagjeve Granicë e Palorto.

“Ky projekt i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit forcon identitetin dhe lehtëson lëvizjen për banorët e lagjeve dhe turistët që gjithnjë e më shumë po e zbulojnë Gjirokastrën përtej zonës tradicionale historike”, u shpreh Kumbaro.

Gjatë punimeve, mjeshtrat gurskalitës respektojnë traditën ndërtimore të kalldrëmeve, duke i dhënë vlera edhe për turizmin.

Ndërkohë, bashkia e Gjirokastrës po investon gjithnjë e më shumë për rijetësimin e resurseve të traditës.

/m.m/r.e/

The post Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret që janë për kalimin e këmbësorëve apo dhe ambientet që u shërbejnë komunitetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, nga subjektet që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Vazhdojmë çdo ditë t’i hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

Pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar, Rama e konsideroi atë “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ndau edhe fotografi nga godina e vjetër e ASHK-së, e cila sipas tij, “për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”.

“Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi”, shtoi Rama.

“Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shtoi ai.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerëson se “ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.

“Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave të tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë të interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri, i sapokrijuar dhe mosakomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do ta cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun”, thuhet në vendimin e gjykatës.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Spitalin Ditor “Ismet Shushi”, në Delvinë, ku vlerësoi profesionalizmin që tregoi stafi i këtij spitali për përballimin e situatës së shkaktuar nga zjarret.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Delvinë, Besmir Veli, Koçiu zhvilloi një takim me stafin e spitalit, të cilëve u shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar në punë, gjatë ditëve të vështira të zjarreve masive që përfshinë zonën e Delvinës.

“Në ditët e vështira të javës që lamë pas, ku rrethinat e qytetit u përfshinë nga zjarret, ata trajtuan rastet urgjente, përfshirë pacientë me probleme respiratore dhe tronditje psikologjike”, vlerësoi ministrja.

Koçiu shprehu respekt për çdo mjek, infermier e punonjës të sistemit tonë shëndetësor që shërben pranë komunitetit me profesionalizëm dhe humanizëm.

Zona e Delvinës u përball pak ditë më parë me vatra zjarresh të cilat shkaktuan dëme në banesa, ullishte dhe bagëti, ndërsa për shkak të rrezikshmërisë u urdhërua edhe evakuimi i përkohshëm i banorëve.

/m.m/r.e/

The post Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë.

“E trishtë dita sot me ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë. Me mbi 30 vite në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura, Shpëtimi la gjurmë jo vetëm me profesionalizmin e tij, por edhe me dashurinë dhe kujdesin e pashtershëm për çdo pemë, pyll e ekosistem natyror ku punoi”, vlerësoi ministrja.

Kumbaro vlerësoi kontributin e tij prej 30 vitesh në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura.

“Mirënjohje dhe respekt të thellë për kontributin e tij të vyer, i cili do të mbetet i gjallë tek kolegët, tek natyra që mbrojti me gjithë zemër dhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij”, u shpreh Kumbaro.

/m.m/r.e

The post Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi drejtuesit e mjeteve se prejt ditës së sotme Certifikata e Aftësimit Profesional (CAP) përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit.

Përmes një njoftimi për shtyp, DPSHTRR bëri të ditur se nga data 19 gusht 2025 fillon aplikimi i një risie të rëndësishme që thjeshton ndjeshëm procesin për të gjithë drejtuesit e mjeteve që zotërojnë Certifikatën e Aftësimit Profesional (CAP).

“Në zbatim të standardeve më të mira europiane, CAP nuk do të lëshohet më si një karton më vete, por do të përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit, duke u pasqyruar si Kodi 95 në të njëjtin dokument”, thuhet në njoftim.

Konkretisht, qytetarët nuk do të pajisen më me një karton të veçantë për CAP, dhe të gjitha të dhënat pasqyrohen në lejen e drejtimit, ku do të shënohet Kodi 95.

Po ashtu, aplikimi dhe rinovimi do të bëhet sipas procedurave për pajisjen me CAP dhe do të pasqyrohet në lejen e drejtimit.

Ky ndryshim sjell kursim në kohë dhe pará për qytetarët, duke shmangur aplikimet e përsëritura, pagesat shtesë dhe ecejaket e panevojshme.

Me një procedurë të thjeshtuar, drejtuesit e mjeteve do të kenë tashmë vetëm një dokument të unifikuar, duke e bërë përdorimin më praktik dhe më të sigurt.

Gjithashtu, ky hap përputhet me standardet e Bashkimit Evropian, ku Kodi 95, si kod unik për CAP-in, pasqyrohet në lejen e drejtimit, praktikë që ndiqet në disa vende të Bashkimit Evropian.

Aplikantët e rinj do të përfitojnë duke mos paguar më për kartonin CAP, ndërsa drejtuesit që rinovojnë shmangin kostot shtesë dhe mbajnë gjithçka në një dokument të vetëm.

Po ashtu edhe institucionet kursejnë kohë dhe burime përmes një administrimi më të thjeshtë dhe të digjitalizuar.

Me këtë risi, DPSHTRR vazhdon në angazhimin për të ofruar shërbime më të shpejta, më të lehta, më të lira dhe në përputhje me standardet evropiane për çdo qytetar.

/m.m/r.e/

The post DPSHTRR: Certifikata e Aftësimit Profesional përfshihet automatikisht në lejen e drejtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Spanjës

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Spanjës një 41-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, të DVP Elbasan, bazuar në informacionet e shkëmbyera me Interpol Tiranën, kapën në rrugën e fshatit Papër, ndërkohë që qarkullonte me automjet, dhe arrestuan shtetasin E. B., 41 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Sabadellit (Spanjë), më datë 30 qershor 2025, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit E. B.

/m.m/r.e/

The post Arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pritet ekstradimi drejt Spanjës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjurmë të reja nga qyteti ilir në Bushat

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës do të plotësohet shumë shpejt edhe me një sit arkeologjik, zonifikim të qartë dhe rregullore administrimi të zonës A.

Bëhet fjalë për qytetin antik në Bushat, ku gërmimet arkeologjike që kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.

Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake.

Tashmë falë bashkëpunimit me IKTK, DRTK Shkodër dhe ndihmën e pakursyer të misionit arkeologjik me të dhënat shkencore dhe rezultatet e arritura u krye në terren rilevimi dhe përcaktimi qartë i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e këtij territori me potencial të lartë arkeologjik referuar dhe kuadrit ligjor për këtë qëllim.

/m.m/r.e/

The post Gjurmë të reja nga qyteti ilir në Bushat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhupa: Të ngrihet grup pune për evidentimin e dëmeve nga zjarret në Delvinë, Finiq dhe Konispol

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Ina Zhupa i dërgoi sot një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e menjëhershme të grupit të përbashkët të punës për evidentimin e dëmeve të zjarreve në bashkitë Delvinë, Finiq, Konispol dhe marrjen e masave për dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur.

Zhupa u shpreh se grupi i punës duhet të ngrihet pa vonesë në shërbim të banorëve, duke pasur parasysh përmasat e mëdha dhe dëmet kolosale që kanë sjellë zjarret në këto zona.

“Të ngrihet një grup pune i përbashkët, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, së Ministrisë së Brendshme, të secilës nga bashkitë, përfaqësues të prefektit të Qarkut dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile; Të bëhet një proces evidentimi real dhe i shpejtë në terren i dëmeve që la pas situata e zjarreve; Të përgatitet një projektvendim që dëmshpërblen në mënyrë të plotë sipas çmimeve të tregut dëmet e shkaktuara ndaj banorëve”, shtoi ajo.

Zhupa shprehu gatishmërinë e përfaqësuesve demokratë në këshillat bashkiak për të qenë pjesë e grupeve të punës për evidentimin e dëmeve me paanshmëri dhe korrektësi.

“Po ashtu shprehim vullnetin për të votuar çdo vendim për dëmshpërblimin e plotë dhe të shpejtë të banorëve të prekur nga zjarret. Siç e parashikon ligji “Për mbrojtjen civile” pamundësia financiare e buxheteve të këtyre bashkive nuk është dhe nuk mund të jetë justifikim për dëmshpërblimet e banorëve, në këtë rast janë institucionet qendrore që do duhet të përgjigjen”, theksoi Zhupa.

Por fillimisht, ajo nënvizoi se duhet “evidentimi dhe nxjerrja e faturës financiare si detyrë e drejtpërdrejtë e grupit të punës, proces që nuk duhet të vonohet”.

“Djegiet e shtëpive, tokave, bashkë me prodhimet e tyre bujqësore, ullishteve dhe bagëtive, e kanë kthyer jetesën e këtyre banorëve të pamundur për shkak se nuk kanë më asgjë. Banorët nuk mund të braktisen në premtime boshe me thasë koncentratesh. Është detyrë e shtetit t’iu përgjigjet në këtë fatkeqësi për të cilën ata nuk kanë asnjë përgjegjësi”, tha Zhupa.

1 nga 2

/m.m/r.e/

The post Zhupa: Të ngrihet grup pune për evidentimin e dëmeve nga zjarret në Delvinë, Finiq dhe Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Boga, një margaritar i turizmit malor dhe agroturizmit shqiptar

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Boga është një margaritar i turizmit malor dhe agroturizmit shqiptar që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

Zhvillimi i agroturizmit në këtë zonë, si dhe ndërtimi i strukturave hoteliere me standarde, i ka dhënë tjetër hov zhvillimit të turizmit në këtë zonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot shembullin e Gëzim Olajt, që kishte vizionin dhe iniciativën për ngritjen e Kullës së Bajraktarit.

“Zona ka marrë jetë të re me kuzhinën tradicionale që të çon në rrënjët e shijes shqiptare, mikpritjen e ngrohtë dhe një model zhvillimi që i jep frymëmarrje ekonomisë lokale”, u shpreh Kumbaro.

Ky, sipas ministres Kumbaro, është shembulli më i mirë se si turizmi i qëndrueshëm mund të kthehet në motor të punësimit dhe zhvillimit rural, duke ruajtur njëkohësisht traditat dhe peizazhet natyrore të Alpeve tona.

“Në zemër të Alpeve Shqiptare, Boga po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion të preferuar për udhëtarët që kërkojnë qetësi, aventura dhe shije autentike shqiptare, edhe në këto ditë të nxehta ku jo të gjithë preferojnë plazhin, por shpërndahen në territor për turizëm malor, për të përjetuar emocionet e rafting, për të shijuar zonat e mbrojtura apo sitet e kulturës”, theksoi Kumbaro.

Ndërsa sipërmarrësi Gëzim Olaj u shpreh se gjithë kursimet nga emigracioni në Angli i ka investuar në këtë sipërmarrje.

“Kemi filluar para 13 viteve. Investimi i parë ka qenë investimi në Qafë-Thore. Para 4 viteve kam bërë Kullën e Bajraktarit. Arsyeja më e madhe është dashuria për vendlindjen. Të gjitha kursimet e mia në Londër i kam investuar këtu. Investimet janë përqendruar në agroturizëm, i cili është i certifikuar. Kam ndërtuar edhe fermën time duke krijuar një cikël të mbyllur. Po ashtu mbledhim edhe prodhimet e zonës”, tha ai.

Olaj shprehet se investimi është kryer me standarde të larta dhe jo me idenë e përfitimit të shpejtë dhe pa cilësi.

“Kam vendosur standard. Nuk kam bërë një investim sot për sot, me gjëra të lira. Kam lënë Londrën dhe Anglinë ku kam jetuar 30 vjet dhe kam ardhur këtu. Shpresoj që të jap kontributin tim që Boga të ketë turizmin elitar”, shtoi ai.

“Shumica e turistëve janë europianë. Vijnë nga Europa Perëndimore, shumica janë turistë gjermanë e francezë, tani kanë filluar edhe spanjollë apo nga Polonia, Çekia e Sllovakia. Kemi pasur edhe nga Amerika, Australia dhe Zelanda e Re”, tha ai, ndërsa prezantoi edhe gatimet tradicionale të zonës që ofrohen në këtë agroturizëm.

/m.m/r.e/

The post Kumbaro: Boga, një margaritar i turizmit malor dhe agroturizmit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Antikushtetues, ligji që autorizon SPAK të regjistrojë telefonat e gjykatësve

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës detyrim paraqitje për dosjen “Partizani”.

Në një prononcim për mediet pas paraqitjes në SPAK, Berisha tha se institucioni që supozohet të luftojë krimin e organizuar po funksionon, sipas tij, si “aleat” i krimit.

Berisha akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani për mbështetje të aktivitetit kriminal brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Po ashtu, Berisha komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi vendimet e marra nga gjyqtari Hazbi Balliu dhe prokurorja e Shkodrës Elsa Gjeli.

“Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës. Më pas i është vërsulur edhe një gjyqtari të ri, Balliu, që ka zbatuar vendimin e qeverisë për të njohur të drejtën e parablerjes për disa qytetarë. Rama kërkon që njëherë gjykatësi ta zbatojë ligjin, e herën tjetër të mos e zbatojë, sipas interesit të tij”, shtoi ai.

Sipas Berishës, as Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe as Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk kanë reaguar për të mbrojtur prokuroren dhe gjyqtarin, megjithëse vepruan në përputhje me ligjin.

Berisha akuzoi gjithashtu KLGJ-në për mbrojtjen e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tij është e përfshirë në tri vepra penale dhe e dënuar me burg nga një gjykatë greke për deklarim të rremë pasurie dhe mashtrim gjatë procesit të vetting-ut.

Berisha e cilësoi rastin si “një mashtrim”, ndërsa u shpreh se “Gjoka justifikoi një pasuri të marrë si hua në vitin 1996 duke iu referuar nenit 830 të Kodit Civil, i cili hyri në fuqi vetëm në 2015”.

Po ashtu, Berisha tha se “pas largimit të PD nga parlamenti, kreu i qeverisë miratoi një ligj antikushtetues që autorizon SPAK të regjistrojë telefonat e gjykatësve”.

“De facto ata tre gjykatës, dhe jo vetëm ata, por të gjithë gjykatësit e gjykatës speciale në të dy nivelet, janë në kontrollin e plotë të Altin Troplinit. Kjo është e gjithë puna dhe kjo nuk ndodh në botë”, theksoi kryetari i PD-së.

/m.m/r.e/

The post Berisha: Antikushtetues, ligji që autorizon SPAK të regjistrojë telefonat e gjykatësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Studimet në Akademinë e FA-së, Vengu: Afat deri në 29 gusht për dorëzimin e dokumentacionit

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kujtoi sot se deri në datën 29 gusht është afati i dorëzimit të dokumentacionit për këdo që do të aplikojë për të ndjekur studimet në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Qendra e Personel Rekrutimit do të rekrutojë kandidatë për të ndjekur studimet për përgatitjen e oficerëve të rinj në Akademinë e Forcave të Armatosura, për vitin akademik 2025 – 2026, për 60 të drejta studimi.

Ministri Vengu ftoi të aplikojnë të gjithë ata që duan të provojnë sfidën dhe nderin e uniformës.

“Forcat e Armatosura hapin dyert për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, deri në moshën 29 vjeç. Ushtarë detarë, ajrorë, aktivë. Periudha e rekrutimit: 20 tetor – 31 dhjetor 2025. Afati për dorëzimin e dokumentacionit: 29 gusht 2025”, bëri të ditur ministri Vengu.

Kursi i Përgatitjes së Oficerit, sipas ministrit Vengu përfshin 60 kuota studimi në kursin përgatitor 9-mujor të Akademisë së Forcave të Armatosura 2025–2026 në fusha të tilla si
mjekësi, inxhinieri, ndërlidhje, logjistikë, këmbësori e shumë specialitete të tjera.

Konkretisht  sipas specialiteteve ofrohen: Ndërlidhje 15 Kuota (Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike, IT, Telekomunikacion, Inxhinieri Informatike, Kompjuterike, Mirëmbajtje rrjeti dhe Programim); Logjistikë 7 kuota (Fakulteti Ekonomik, Financë, Menaxhim); Inxhinieri 10 kuota (Gjeodezi, Mekanikë, Transport); Xhenio/Infrastrukturë 5 kuota (Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit); Mjekësi 3 kuota, (Mjekësi e përgjithshme); Shkenca mjekësore 2 kuota; Kimi 5 kuota (ushqimore, industriale); Këmbësori 13 kuota, (Diplomë bachelor në fusha të tjera).

/m.m/r.e/

The post Studimet në Akademinë e FA-së, Vengu: Afat deri në 29 gusht për dorëzimin e dokumentacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri shkollor nis në 8 shtator, Manastirliu: Laboratorë inteligjentë dhe standarde të reja sigurie

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë në 8 shtator për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë dhe do të përfundojë në 12 qershor 2026.

Lajmin e bëri sot të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau disa informacione të rëndësishme për vitin e ri shkollor 2025-2026.

Manastirliu informoi se për maturantët e klasave të 12-a viti shkollor do të përfundojë në 29 maj 2026.

Ministrja publikoi po ashtu edhe kalendarin e pushimeve të dimrit për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë, i cili do të jetë nga data 22 dhjetor 2025, deri në 2 janar 2026.

Ndërsa pushimet e pranverës për arsimin bazë janë në periudhën 30 mars deri në 3 prill 2026.

Provimet kombëtare për klasat e 9-a të arsimit bazë do të zhvillohen gjatë periudhës 15-26 qershor 2026, ndërsa Matura Shtetërore në periudhën 1-26 qershor 2026.

Ministrja Manastirliu informoi se regjistrimet online në “e-Albania” për klasat e para dhe të dhjeta vijojnë deri në 31 gusht.

Edhe këtë vit librat do të shpërndahen falas para fillimit të shkollës. “Shkolla do të afishojë listën e librave dhe do të njoftojë datat dhe vendin e shpërndarjes”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu kujtoi edhe rregullat që duhen zbatuar në shkollë, si për shembull ndalimi i telefonave. “Në rast shkelje dhe mosrespektimi të rregullave do të ketë forcim të masave nga shkolla dhe lajmërim të menjëhershëm të prindit”, bëri të ditur ministrja.

Ndërkohë komunikimi prind-shkollë do të realizohet në SMIP ku sigurohen hapësira të reja për informacion mbi cilësinë e mësimdhënies dhe orientimin e karrierës së fëmijës.

Në platformën SMIP mund të konsultohen dokumentet zyrtare të shkollës online, pa pasur nevojë për paraqitjen fizike.

Manastirliu u shpreh se siguria edhe mbështetja për fëmijët realizohet përmes shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë me standarde të reja për mbështetje më efektive dhe një ambient më të sigurt në shkollë.

Po ashtu, Ministrja theksoi se edhe këtë vit ofrohet përdorim i gjerë i laboratorëve inteligjentë në lëndë shkencore, teknologji, gjuhë të huaja dhe projekte praktike.

Lidhur me aktivitetet në nivel kombëtar, ministrja Manastirliu informoi se edhe këtë vit shkollor do të realizohet Konkursi Kombëtar i Teatrit për shkollat 9-vjeçare; Festivali i Shkencës për shkollat e mesme si dhe Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat IX.

/m.m/r.e/

The post Viti i ri shkollor nis në 8 shtator, Manastirliu: Laboratorë inteligjentë dhe standarde të reja sigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Energji verore nga Gjiri i Gramës

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit, është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Gjiri i Gramës, i cili ofron një peizazh natyror shumë tërheqës për çdo vizitor.

“Me energjinë verore nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamje nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.

Gjithashtu, ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty njihet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.

/m.m/r.e/

The post Rama: Energji verore nga Gjiri i Gramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Spitali i Lezhës me aparatura moderne dhe kushte bashkëkohore shërbimi


TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Spitali Rajonal i Lezhës, i cili tashmë ka marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale, po rikonstruktohet tërësisht duke rritur gamën e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Lezhës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i Rilindjes së Spitalit të Lezhës, ku shumë shpejt qytetarët do të gjejnë hapësira dinjitoze, aparatura moderne dhe kushte bashkëkohore shërbimi.

Spitali i Lezhës është një prej 53 strukturave spitalore që po transformohet me infrastrukturë moderne dhe me kushte më të mira në shërbim të qytetarëve dhe stafit shëndetësor.

Pas maternitetit, investimi në godinën qendrore të Spitalit Rajonal Lezhë përmbyll ciklin e investimeve në këtë spital.

Ky investim përfshin godinën qendrore të spitalit me sipërfaqe ndërtimi rreth 4 mijë m2, ku përfshihen të gjithë shërbimet me shtretër, reanimacioni, urgjencat peadiatrike dhe ato për të rritur, terapia intensive, pediatria, kirurgjia.

Me një kapacitet prej 117 shtretërish, ky spital do të ofrojë shërbime cilësore për rreth 200 mijë banorët e zonës që mbulon.

/m.m/r.e/

The post Rama: Spitali i Lezhës me aparatura moderne dhe kushte bashkëkohore shërbimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Thethi mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat publike të rikthyera në identitet

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Thethi, perla e Alpeve Shqiptare, po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat e rikthyera publike në identitet e në harmoni me peizazhin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa prej tyreve, të cilët shprehen të mahnitur me pamjet përrallore, mikpritjen tradicionale, me ujin e kristaltë e me ajrin e pastër që të falin qetësi dhe energji pozitive.

Një turiste australiane tregoi se si e magjepsur nga Thethi është rikthyer disa herë këtu.

“Të zgjohesh në një ditë me diell, me qiell të kaltër, të rrethuar me malet, në një fshat të bukur si Thethi. Si mund të mos jetë një ditë e mirë? Jam nga Australia dhe e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe në total kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë”, tha ajo.

Turistja e huaj e rekomandon Thethin për shtëpitë e pritjes të cilat sipas saj, janë thjesht të bukura.

“Atmosfera, ndjesia këtu është magjike. Është mistike, të jep një ngrohtësi. Ti vjen në Theth eksploron ujëvarën, del në ecje tek Syri i Kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqime tradicionale të mira, pi me miqtë e tu. Të vendos ty në një lloj vendi të magjisë dhe të përfshin brenda”, tha ajo.

Një tjetër turist nga Austria u shpreh se përshtypja e parë për Thethin ishte e mrekullueshme. “Nuk e prisnim këtë lloj lëndine në mes të maleve. Është më thjesht, më reklaksuese këtu se sa në Austri”, tha ai.

Një tjetër turiste e huaj u shpreh se gjithçka është e mrekullueshme. “Ne e shijuam shumë të vinim këtu me motoçikleta dhe u ndjemë shumë të relaksuar”, tha ajo.

“Vend shumë i bukur, ushqimi shumë i mirë. Kemi ardhur edhe herë të tjera na pëlqen shumë”, u shprehën disa vizitorë të tjerë.

Një tjetër turiste e huaj vlerësoi njerëzit dhe mikpritjen. “Janë shumë të këndshëm dhe të ndihmojnë shumë me çdo gjë”, tha ajo.

“Jemi nga Austria. Ne na pëlqen natyra dhe vendosëm të vinim në Theth sepse kërkuam një vend më të largët. Shkuam tek Syri i Kaltër, natyrë shumë e bukur që e rekomandoj. Është fantastike këtu na pëlqeu shumë. Është shumë impresionuese me kaq male, thjesht shumë bukur”, tha një tjetër.

Dy pushuese nga Zelanda e Re thanë se po e shijojnë shumë  qëndrimin e këndshëm në Theth. “Duket pak si malet Dalmat, na pëlqen kisha”, thanë ato.

“Jam nga Franca. Po kërkoja për një vend ku të bëja hiking në malet këtu. Pashë këtë. Disa njerëz ma rekomanduan nga Tirana, por më pëlqen shumë, është shumë bukur”, tha një turist francez.

Një tjetër turist skocez tha se e zgjodhi Thethin nga Majat e Ballkanit. “Përshtypja e parë është shumë e këndshme. Ushqim i mirë, biseda të këndshme dhe bujtina shumë të këndshme. Mund ta rekomandoj vërtetë. Është një vend shumë i mirë në Shqipëri. Është ndryshe nga Tirana ku ishim më parë”, tha ai.

Ndërkohë për turistët që zgjedhin Thethin ofrohen edhe sportet e aventurës.

“Zipline është atraksion. Shtimi i Zipline e bën më interesante për turistët e huaj. Turistë ka nga gjithë bota. Shumica janë holandezë, gjermanë nga Izraeli, nga Arabia Saudite”, shtoi një operator vendas.

“Jemi nga Australia. Vendosëm të vinim në Theth nga pamja e maleve. Është këndshëm të relaksohesh”, tha një tjetër.

/m.m/ /a.g/

The post Rama: Thethi mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat publike të rikthyera në identitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌