Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE
TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot për nivelin e varfërisë në vend, ndërsa u shpreh se “numri i familjeve të rrezikuara nga varfëria pritet të rritet ndjeshëm këtë vit”.
Në një deklaratë për mediet, Blushi theksoi se “rritja e kostos së jetesës për qytetarët shqiptarë, më të varfërit në Europë, vijon me ritme dramatike të pandalshme”.
“Sipas Eurostat, për vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 100.1% e mesatares së vendeve të BE-së, që do të thotë se qytetarët shqiptarë i blejnë ushqimet bazë të jetesës me shtrenjtë, jo vetëm se të gjithë fqinjët në rajon, por paguajnë më shumë edhe se qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian”, theksoi ai.
Rritja e kostos së jetesës, sipas Blushit, nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave të në të njëjtën masë.
“Sipas të dhënave të Eurostat, ndërkohë që çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 32 pikë përqindje relativisht me mesataren e BE-së, të ardhurat për frymë janë rritur me 7 pikë për qind. Që do të thotë se shqiptarët i paguajnë ushqimet njësoj me vendet e BE-së, ndonëse të ardhurat i kanë 3 herë më të ulëta se europianët”, shtoi ai.
Kostot e larta të jetesës bazë dhe rritja thuajse e papërfillshme e të ardhurave, sipas Blushit “i mbajnë familjet shqiptare të mbërthyera në shpenzimet e mbijetesës”.
“Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka sot, përqindjen më të lartë të familjeve të rrezikuara nga varfëria. Ndaj dhënia fund e këtij modeli të dështuar ekonomik, të orientuar drejt industrisë së ndërtimit, importeve dhe shërbimeve, është më shumë se kurrë një emergjencë kombëtare, jo vetëm që prodhimi vendas të mos përfundojë në kanal, por në tezgat dhe kuzhinat e shqiptarëve, por edhe që ekonomia familjare të marrë frymë lirisht”, theksoi ai.
Blushi tha se “modeli ekonomik që i duhet Shqipërisë, janë 5 prioritetet e Partisë së Lirisë, për 4 milion shqiptarë plus, që jo vetëm i japin fund dramës së madhe të shpopullimit, por edhe e shndërrojnë Shqipërinë në fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon”.
/m.m/j.p/
The post Blushi: Varfëria po thellohet, ushqimet bazë më shtrenjtë se në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.