Turistët e huaj sfidojnë vapën, shijojnë Tiranën: Mahnitëse, bashkëjeton tradita me modernen
TIRANË, 14 gusht/ATSH-Arbi Fortuzi/ Qindra turistë të huaj kanë mbushur arteriet kryesore të Tiranës, duke vizituar dhe shijuar nga afër atraksionet kulturore, artistike, historike dhe arkitekturore të saj.
Temperaturat e larta deri në 43 gradë Celsius nuk i kanë penguar turistët e huaj që këtë gusht kanë zgjedhur ta kalojnë në kryeqytet.
Në sheshin “Skënderbej”, dy turistë francezë kishin mbërritur me biçikletë. Ata treguan se kjo është një nga mënyrat e tyre të preferuara për të udhëtuar dhe për të shijuar vendet që vizitojnë.
“Është shumë bukur këtu. Sot është goxha vapë, por pamja është mbresëlënëse. Do të vazhdojmë me vizitën te ‘Shtëpia me Gjethe’ dhe në disa site të tjera kulturore. Na pëlqen të njohim dhe prekim nga afër vendet historike e kulturore. Ne udhëtojmë gjithnjë me biçikletë. Pasi të mbarojmë vizitën në Tiranë, do të shkojmë drejt plazhit, në Durrës. Më pas, do të vizitojmë edhe vende të tjera historike”, tha njëri prej tyre.
Një grup turistësh nga Spanja pohuan se temperaturat e larta nuk janë problem për ta, pasi janë mësuar edhe në Gadishullin Iberik me nxehtësi të tillë. Ata fillimisht u ndalën të bëjnë foto pranë monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e më pas u drejtuan te Kulla e Sahatit. Udhërrëfyesi i tyre u tregoi se Tirana është themeluar pikërisht pranë Sahatit, aty ku dikur ndodhej pazari i qytetit, ndërsa simboli i kryeqytetit mbetet vetë Kulla e Sahatit.
Sipas tij, itinerari ishte i ndarë në dy pjesë: fetar, që përfshin vizita në xhaminë e re të Tiranës dhe katedralet, si dhe historik, me ndalesa tek Piramida, “Shtëpia me Gjethe”, Kalaja e Tiranës, Bunk’Art dhe mozaiku i Tiranës.
Një prej turistëve spanjollë tha se e ka tërhequr fakti se në Tiranë bashkëjetojnë tradita dhe modernja. “Unë vi për herë të tretë në Shqipëri dhe më ka tërhequr shumë edhe arkitektura këtu, pasi është një ndërthurje mes stilit ottoman, atij tradicional shqiptar, por tashmë shoh edhe një bum ndërtimesh modern dhe futuriste. Është sikur e shkuara dhe e ardhmja të jetojnë së bashku”, theksoi ai.
Në sheshin “Skënderbej” ndodheshin edhe disa zonja nga Egjipti. “Është hera e parë që vijmë këtu dhe na duket shumë bukur. Ushqimi është i shijshëm. Sot do të vizitojmë Tiranën dhe nesër do të shkojmë në Berat, e më pas në Gjirokastër”, u shprehën ato.
Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit. Vetëm në muajin korrik të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë rreth 38 mijë shtetas më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë korrikut janë regjistruar 1.825.490 shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur 1.793.493 dalje të tyre.
Ndërkohë, kanë hyrë 837 mijë shtetas shqiptarë dhe kanë dalë jashtë vendit 782 mijë të tjerë. Në total, vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë në Shqipëri rreth 2.663.010 persona, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ky numër ishte 2.624.207.
Muaji gusht ka nisur me një fluks të shtuar udhëtarësh, si në Aeroportin e Tiranës, ashtu edhe në portet e Durrësit dhe Vlorës, por edhe në pikat kufitare turistike, ku përveç turistëve të huaj, një numër i madh janë emigrantë që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.
The post Turistët e huaj sfidojnë vapën, shijojnë Tiranën: Mahnitëse, bashkëjeton tradita me modernen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.