Dikur kishte lënë Zvicrën për Kroacinë, Petric i del në mbrojtje Avdullahut
Leon Avdullahu ka marrë vendimin për të veshur fanellën e ekipit kombëtar të Kosovës. Ka disa arsye që mund të çojnë një lojtar të ndërron ekipin e përfaqësimit, një temë që mediumi Blue Sport e diskutoi me sulmuesin Mladen Petric, i cili kishte bërë njëjtë.
Futbollisti, i cili ka kaluar të gjitha grupmoshat e Zvicrës nga U15 deri në U21 dhe ishte në listën për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, tani mund të debutojë për Kosovën më 5 shtator kundër Zvicrës.
Për Federatën Zvicerane, kjo është humbja e dytë e një talenti të madh brenda pak ditësh, pas mbrojtësit Eman Kospo, i cili vendosi të luajë për Bosnjën dhe Hercegovinën.
Petric shpjegon se vendime të tilla nuk janë të rralla në Zvicër, me sulmuesin që kishte kaluar te Kroacia në atë kohë.
“Mund të ketë arsye të ndryshme për secilin lojtar. Disa lojtarë zgjedhin të ndërrojnë sepse shohin perspektiva më të mira për të luajtur. Ka edhe ata që besojnë se mund të kenë sukses më të madh me ekipin kombëtar të vendlindjes së tyre”, ka thënë ish-lojtari kroat për Blue Sport.
Megjithatë, për Avdullahun, perspektiva e pjesëmarrjes në turne të mëdha ndërkombëtare nuk është e njëjtë si me Zvicrën.
“Aktualisht është e pamundur që ai të luajë në një turne të madh me Kosovën në një kohë të afërt”, thotë Petriç, duke theksuar se Kosova po ngjitet ngadalë në renditjen botërore.
Një faktor tjetër mund të jetë ndikimi i familjes dhe lidhja emocionale me vendin e origjinës.
“Është vendimi i tij dhe ai duhet të jetojë me të. Ka shumë arsye që nuk i dimë, dhe sigurisht është një humbje për futbollin zviceran, por në fund, është zgjedhja e lojtarit”, deklaroi Petric. /Telegrafi/
The post Dikur kishte lënë Zvicrën për Kroacinë, Petric i del në mbrojtje Avdullahut appeared first on Telegrafi.