Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën

DEKLARATË E PËRBASHKËT

12 Gusht 2025

Ne, Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, shprehim shqetësimin e përbashkët mbi pengimin policor dhe ngjarjet pasuese që prekën Focus Media Group: News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me të.

Në orët e para të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën në Tiranë ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen për gazetarët dhe stafin. Kjo ndaloi transmetimin televiziv të News24 në kohë reale. Sipas Focus Media Group, nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit.

Veprimi i policisë buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group mbi qiratë dhe procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e fortë e policisë është kryer mesa duket deri tani mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën e rregullt ligjore. Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, vendimve gjyqësorë dhe urdhrave ekzekutues, ose një afati dhe hapash të qartë për vijimin e procesit, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i veprimit vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Si pasojë, që nga data 9 gusht një nga transmetuesit kryesorë të lajmeve në Shqipëri në nivel kombëtar, News24, ka qenë jashtë transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, ende nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as mbi të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të Focus Media Group. Kjo pasiguri minon besimin e publikut, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë një efekt frikësues mbi lirinë e medias.

Ndikimi mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz. Rreth 230 të punësuar, gazetarë, punonjës të medias dhe staf mbështetës tani përballen me rrezikun e papunësisë, ndërsa shumë prej tyre prej disa kohësh po përjetojnë vonesa në pagesat e rrogave dhe mosshlyerje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me ndërtesën e bllokuar dhe veprimtarinë e ndërprerë, mjetet e tyre të jetesës dhe e ardhmja e tyre profesionale janë në rrezik.

Prandaj, ne u bëjmë thirrje të përbashkët autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre, dhe:

  • të ofrojnë një shpjegim të plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, duke përfshirë kohën e zhvillimit, metodat e përdorura, proporcionalitetin dhe nëse janë marrë parasysh alternativa më pak kufizuese;
  • të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje;
  • të mbrojnë materialet dhe infrastrukturën gazetareske, duke u përmbajtur nga çdo sekuestrim ose dëmtim dhe duke siguruar akses të sigurt në pajisje, arkiva dhe lidhjet e transmetimit;
  • të mbrojnë të drejtat e punës gjatë ndërprerjes, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës që pagat dhe kontributet shoqërore të shlyhen dhe të mundësohen ambiente të përkohshme dhe masa për vazhdimësinë e punës;
  • të ofrojnë garanci efektive ligjore duke publikuar bazën ligjore dhe urdhrat, duke përcaktuar afatin dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar një mundësi të qasshme për ankim me efekt pezullues kur është e zbatueshme, si dhe duke bashkëpunuar me AMA-n duke përdorur mjetet më pak kufizuese për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimit të lajmeve;
  • të hetojnë çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë llogaridhënie dhe të komunikojnë rregullisht me publikun.

Ndërkohë, ne u bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group:

  • të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion;
  • të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar;
  • të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si dhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje;
  • të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.

Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Kjo situatë ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias. Të gjitha palët duhet të veprojnë shpejt, në mënyrë transparente dhe në interes të publikut për të siguruar që këto të drejta të respektohen dhe mbrohen.

Nënshkruar,

Rrjeti SafeJournalists

  •  Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
    • Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
  •  Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
  •  Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
  •  Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
  •  Sindikatë e Medias e Malit të Zi

Reporterët pa Kufij  (RSF)

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR)

  •  Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
  •  Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
  •  ARTICLE 19 Europe
  •  Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
  •  Shtyp i Lirë Pa Kufizim (FPU)

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:

  • Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  • Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  • Asociacioni e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  • Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AWA)
  • Amfora
  • Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
  • Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
  • Komiteti Shqiptar i Helsinkit (AHC)
  • Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  • Rrjeti Ballkanik për Raportim Hulumtues Shqipëri (BIRN Albania)
  • Faktoje
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH)
  • Shoqata e Gazetarëve Europian, Seksioni shqiptar
  • Qendra Citizens Channel
  • Qendra Respublica

The post Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën appeared first on Faktoje.al.

Zjarri në Poliçan, Ministria e Mbrojtjes: Të angazhuar zjarrëfikës nga gjashtë bashki dhe 60 trupa të FA-së

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes deklaroin se “në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vijon aktive një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte”.

Në një deklaratê për mediet mbrëmjen e sotme, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se “flakët kanë kaluar mbi ujësjellësin dhe janë afruar pranë një grupi banesash si dhe pranë Azilit të të Moshuarve në qytet”.

“Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec, të ndihmuara nga 60 trupa të Forcave të Armatosura dhe mbështetje nga ajri. Pavarësisht përpjekjeve intensive, zjarri ende nuk është shuar. Forcat operacionale vijojnë punën me intensitet për ta vendosur nën kontroll”, thuhet në njoftimin për shtyp.

The post Zjarri në Poliçan, Ministria e Mbrojtjes: Të angazhuar zjarrëfikës nga gjashtë bashki dhe 60 trupa të FA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEKI: Asnjë lidhje me pasuritë e shoqërisë KAYO sh.a., detyrime të pashlyera mbi 2 milionë euro

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Në vijim të deklaratës publike lidhur me pasuritë shtetërore pranë ish-Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve dhe në përgjigje të interesit për sqarimin e dallimit mes pronave të shoqërisë Kayo sh.a. dhe pasurisë nr. 10/304, të pretenduar nga shoqëria Panaroma Group sh.a., Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) bën të ditur sot se këto pasuri nuk kanë asnjë lidhje juridike apo faktike mes tyre.

MEKI bën të ditur se pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr. 1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasuritë e kaluara shoqërisë Kayo sh.a. me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.

Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa).

Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro.

MEKI thekson se shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve.

Që në vitin 2021, sipas MEKI-t, palës i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara.

Megjithatë, bën të ditur MEKI, në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike.

Kjo sjellje, thekson MEKI, është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, po ashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave.

“MEKI vepron me kujdes institucional dhe respekt të plotë për lirinë e medias dhe të shprehjes. Por këto të drejta nuk mund të përdoren si justifikim ose si mekanizëm për të gëzuar padrejtësisht pronën publike dhe për të shmangur shlyerjen e detyrimeve kontraktuale. Trajtimi i barabartë i të gjitha subjekteve ekonomike, qofshin këto edhe media, është parim themelor: është e padrejtë ndaj çdo aktiviteti të njëjtë që paguan taksa dhe qira në kohë, që disa të tjera të përfitojnë nga kontrata publike të dhëna në mirëbesim pa shlyer dhe pa respektuar detyrimet”, thuhet në deklaratën e MEKI-t.

MEKI siguron se do të vijojë verifikimet proceduriale dhe do të ndërmarrë masat administrative dhe ligjore sipas kuadrit ligjor në fuqi për zbatimin e obligimeve të detyrueshme të menaxhimit financiar dhe garantimit të administrimit efektiv të pasurisë shtetërore në fjalë dhe arkëtimin e plotë të detyrimeve në interes të qytetarëve dhe taksapaguesve.

/r.e/

The post MEKI: Asnjë lidhje me pasuritë e shoqërisë KAYO sh.a., detyrime të pashlyera mbi 2 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE-ja mirëpret marrëveshjen armeno-azere të paqes

BRUKSEL, 9 gusht /ATSH-AZERTAC/ – BE-ja mirëpret ngrohtësisht takimin mes presidentit Ilham Aliyev të Azerbajxhanit dhe kryeministrit Nikol Pashinyan të Armenisë, të organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump si edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqen dhe Vendosjen e Marrëdhënieve Ndërshtetërore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, thanë në një deklaratë të përbashkët presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”Nënshkrimi i deklaratës nga kryeministri Pashinyan dhe presidenti Aliyev, në prani të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, është një zhvillim i madh si për Armeninë ashtu edhe për Azerbajxhanin duke hapur rrugën për një paqe të qëndrueshme për të dy vendet dhe për të gjithë rajonin, duke kulmuar gjithashtu vite të tëra përpjekjesh të BE-së”, shtuan ata.

”Tani do të jetë e rëndësishme të sigurohet zbatimi në kohë i hapave të dakordësuar për të garantuar përparim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, theksuan Costa dhe Von der Leyen.

”Siç u është thënë në disa raste të dy udhëheqësve, përfshirë së fundmi samitin e Tiranës në maj 2025, presidenti Costa dhe presidentja von der Leyen janë inkurajuar sinqerisht nga hapat vendimtarë të ndërmarrë nga udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë”, theksuan ata.

”BE mbështet fuqimisht procesin e normalizimit Armeni-Azerbajxhan dhe është e gatshme të investojë në lidhshmërinë rajonale dhe hapjen e plotë, për të përfituar para së gjithash popullatat e ndara nga trashëgimia e konfliktit, dhe për ta sjellë rajonin më afër paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e dy liderëve të BE-së./ a.jor.

The post BRUKSEL – BE-ja mirëpret marrëveshjen armeno-azere të paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu: Hamasi nuk dëshiron asnjë marrëveshje

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se grupi militant palestinez Hamas nuk ka interes të arrijë asnjë marrëveshje armëpushimi ose të lirojë pengjet e mbetura në Gaza.

“E kuptoj saktësisht se çfarë dëshiron Hamasi. Nuk dëshiron asnjë marrëveshje”, tha Netanyahu në një mesazh video, sipas një përkthimi në anglisht nga ”The Times of Israel”.

Ai shtoi se videot e fundit të publikuara nga Hamasi vetëm sa e kishin forcuar vendosmërinë e tij për të mposhtur grupin dhe për të sjellë pengjet në shtëpi.

Vërejtjet e Netanyahut u pritën me kritika të ashpra nga Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve, i cili përfaqëson shumicën e familjeve të 50 pengjeve që besohet se janë ende në Gaza.

“Për 22 muaj tani publikut i është shitur iluzioni se presioni ushtarak dhe luftimet intensive do t’i kthejnë pengjet”, tha grupi në një deklaratë.

Ditët e fundit, Hamasi ka publikuar video që tregojnë dy nga pengjet në një gjendje të kequshqyerjes akute.

Imazhet kanë tronditur publikun izraelit dhe shumë njerëz në mbarë botën gjatë fundjavës, me udhëheqës, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Emmanuel Macron të Francës, që shprehën tronditjen e tyre.

Në Izrael, dyshohet se Hamasi qëllimisht i solli pengjet në prag të urisë në mënyrë që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Netanyahut.

“Hamas kërkon të na thyejnë – me këto video tmerruese dhe me propagandën e rreme të tmerrit që përhap në të gjithë botën”, tha Netanyahu.

“Por, ne nuk do të thyhemi”, theksoi ai./ a.jor.

The post TEL AVIV – Netanyahu: Hamasi nuk dëshiron asnjë marrëveshje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut

UASHINGTON, 1 gusht /ATSH/ – Më poshtë është deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona respektive.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë.

Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarë në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Kjo është e papranueshme.

Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë.

Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që t’u japin fund menjëherë aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona respektive”, përfundon deklarata e publikuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Suedisë mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut./ /Ad.Ab./

The post FOKUS – Deklarata e përbashkët e DASH dhe 14 vendeve të tjera, përfshirë Shqipërinë, mbi aktivitetin e kërcënimit shtetëror iranian në Evropë dhe Amerikën e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit

PEKIN, 1 gusht /ATSH-ANSA/ – Forcat e armatosura kineze janë të gatshme të shtypin çdo përpjekje për pavarësi në Tajvan dhe ne nuk do të lejojmë kurrë që asnjë projekt pavarësie separatiste të ketë sukses dhe jemi të gatshëm të mposhtim çdo ndërhyrje të armatosur të jashtme në çdo kohë, pasi për ribashkimin e plotë të atdheut, Ushtria Çlirimtare Popullore është e gatshme në çdo kohë, paralajmëroi ministri kinez i Mbrojtjes, Dong Jun duke folur të enjten në mbrëmje në një pritje të organizuar në Sallën e Madhe të Popullit në sheshin ”Tienanmen” për 98-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

”Viti 2025 shënon 80-vjetorin e fitores së luftës së rezistencës së popullit kinez kundër agresionit japonez dhe luftës botërore antifashiste, 80-vjetorin e çlirimit të Tajvanit dhe 80-vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara”, shtoi ai.

Brenda pak më shumë se një muaji, Ushtria Popullore do të nderohet nga partia dhe populli kinez në lidhje me paradën e 3 shtatorit që feston fitoren ndaj Japonisë militariste.

“Ne do të bashkohemi edhe më ngushtë rreth Komitetit Qendror të PKK-së… për të promovuar pa u lodhur zhvillimin politik të forcave të armatosura, për të forcuar në mënyrë gjithëpërfshirëse stërvitjen dhe gatishmërinë luftarake dhe për të përmbushur në mënyrë efektive misionin dhe detyrat e Ushtrisë Popullore në epokën e re”, vazhdoi ministri.

”Ushtria kineze është e gatshme të bashkëpunojë me ushtritë e të gjitha vendeve për të zbatuar konceptin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe tre nismat kryesore globale, për të adresuar së bashku rreziqet dhe sfidat dhe për të punuar së bashku për të ndërtuar një botë me paqe të qëndrueshme, siguri universale, prosperitet të përbashkët, hapje dhe përfshirje”, theksoi ai./ a.jor.

The post FOKUS – Kina: Nuk do ta lejojmë kurrë pavarësinë e Tajvanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amber Candy: Nuk rri pa një bashkëjetesë, por s’mund të adoptoj një fëmijë!

E ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Amber Candy, foli për jetën e saj pas daljes nga formati dhe planet që ka për të ardhmen, si në aspektin profesional ashtu edhe atë personal.

E pyetur nga moderatori nëse mendon të krijojë një familje dhe të ketë fëmijë, Amber u tregua e sinqertë, duke theksuar se ndonëse nuk e përjashton mundësinë e një bashkëjetese, nuk është gati për të marrë përsipër një përgjegjësi kaq të madhe si rritja e një fëmije vetëm.

Pjesë nga biseda:

Ronaldo: A do të krijosh një familje, të kesh fëmijë?

Amber: Në momentin që unë jam realiste, e marr jetën ashtu si më vjen. Nëse në jetë bëra një ndryshim, kjo nuk do të thotë që të deliroj me mendjen time. Absolutisht nuk mund të rri dot pa një familje, pa një bashkëjetesë, por fëmija është një përgjegjësi e madhe, nuk mendoj të adoptoj… Më duket shumë e vështirë. Ai fëmijë duhet të rritet normalisht, me nënë e me baba, natyral. Nuk duhet të deliroj në këtë jetë. Në këtë jetë ne nuk do të thotë që t’i bëjmë të gjitha dhe të marrim përsipër gjëra që mund të mos i bëjmë dot dhe që të rrezikojmë për një të tretë, për jetën e një të treti.
Ronaldo: Mendon për pasojat që mund të ketë tek fëmija?

Amber: Absolutisht që po.

Ronaldo: E lidh këtë me mentalitetin shqiptar?

Amber: Jo, sepse nëse unë do të ecja me mentalitetin shqiptar, nuk do të isha kjo që jam. Por ai fëmija, duhet të rritet me një nënë e baba natyral dhe duhet të ketë një jetë të lumtur e të mos ketë trauma.

The post Amber Candy: Nuk rri pa një bashkëjetesë, por s’mund të adoptoj një fëmijë! appeared first on iconstyle.al.

Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik 

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Partia Demokratike  reagoi sot për situatën e zjarreve në vend.

Në një deklaratë për mediet, PD u bërn thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara dhe të ndihmojnë këdo në rrezik.

“Nga Jugu në Veri, Shqipëria është pushtuar nga zjarret. Ndërkohë që, u bëjmë thirrje banorëve, qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar, të largohen sa më parë nga zonat e kërcënuara, dhe të ndihmojnë këdo në rrezik. Partia Demokratike shpreh indinjatën e thellë me reagimin minimalist dhe thuajse përqeshës të autoriteteve”, thekson PD.

Sipas PD, “jo vetëm ndërhyrjet bëhen me vonesë, por janë mungesa e alarmit dhe angazhimit që e bëjnë situatën të duket edhe më kaotike, kërcënuese dhe dëshpëruese”.

“Zjarret, përmbytjet, fatkeqësitë natyrore përsëriten në Shqipëri, si në të gjithë botën, dhe kjo nuk është në dorë të qeverive, por përgatitjet, gatishmëria, vullneti, janë detyrë dhe në dorë të tyre”, nënvizon PD.

“Siç e kemi parë prej vitesh, qeveria dërgon ushtrinë dhe zjarrfikësit, të cilët u sulen zjarreve me shkurre, me lopata dhe batanije, si në një vend të Botës së Tretë, apo të sapodalë nga lufta dhe në mungesë të mjeteve bazike”, shton PD.

“Një pamje tjetër shohim prej tri javësh në Theth, Tiranë dhe gjithandej nëpër Shqipëri. Për të shembur bujtinat në Theth dhe marrë para shitësit të rigonit në Sarandë, qeveria dërgoi IMT, Tatimet, Policinë dhe Ushtrinë, me mjete të rënda, me arrogancë, të armatosur deri në dhëmbë, në luftë me qytetarët”, shprehet PD.

PD thekson se, “Për Edi Ramën, prioritet absolut është uzurpimi i pushtetit lokal, jo zjarret dhe dhjetëra problemet që kërcënojnë qytetarët dhe jetën e tyre. Për Edi Ramën, prioritet është spektakli me satelitët “Albania 1” dhe “2”, apo dronët për të cilët, pasi i hedh në Facebook për t’u mburrur nuk ka kush as t’i lexojë dhe as kush t’i komandojë. Sepse, Edi Rama e ka bërë ushtrinë e një vendi të NATOs, një organizatë që shkon të fikë zjarret me shkurre dhe pagure”.

Prandaj, shton PD, “përballja me zjarret dhe fatkeqësitë natyrore që kërcënojnë qytetarët janë të mekura”.

“Do të jetë kështu këtë verë dhe tjetrën, sepse Edi Rama nuk kujtohet dhe as kujdeset për infrastrukturën e shtetit, për fondet e emergjencave, për modernzimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit. Paratë që i merr nga taksat i bën shpenzime luksi për vete dhe ministrat, udhëtime me carter, koncerte të shtrenjta apo kopësht 4 milion euro në oborrin e Kryeministrisë”, shton PD.

“Edi Rama është me pushime, pasi bëri zhurmën me drejtorët, me heqjen e tendave dhe terrorizimin e Thethit, por zjarret nuk bëjnë pushim dhe pyjet, territori, bizneset, shtëpitë dhe jeta e qytetarëve është në rrezik. Edi Rama nuk është zjarrfikës, por ai nuk mund të lejohet të jetë Kryeministri që hedh Shqipërinë në zjarr”, përfundon deklarata e PD.

/gj.m/

The post Situata e zjarreve në vend, PD thirrje qytetarëve: Largohuni nga zonat në rrezik  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli kundërshton apelin e 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë

TEL AVIV, 21 korrik /ATSH-ANSA/- Izraeli ka kundërshtuar deklaratën e përbashkët të 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë, tha sot Ministria e Jashtme izraelite.

Sipas Izraelit deklarata e tyre është e shkëputur nga realiteti dhe i dërgon mesazhin e gabuar Hamasit – i cili e nisi këtë luftë dhe po e zgjat atë dhe është pala e vetme përgjegjëse për mungesën e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushimi,ë

“Ekziston një propozim konkret për një marrëveshje armëpushimi: Izraeli i ka thënë vazhdimisht “Po” këtij propozimi, ndërsa Hamasi ka refuzuar me kokëfortësi ta pranojë atë”, tha ministria.

“Në një moment kaq delikat në negociatat në vazhdim, është më mirë të shmangen deklarata të tilla”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Të gjitha deklaratat dhe kërkesat duhet t’i drejtohen palës së vetme përgjegjëse për mungesën e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushimi: Hamasit, i cili e nisi këtë luftë dhe po e zgjat atë”, thuhet në deklaratën e postuar në X.

“Në vend që të pranojë një armëpushim, Hamasi është i angazhuar në një fushatë për të përhapur gënjeshtra për Izraelin. Në të njëjtën kohë, Hamasi po vepron qëllimisht për të rritur fërkimet dhe dëmin ndaj civilëve që mbërrijnë për të marrë ndihmë humanitare”, tha Ministria e Jashtme Izraelite.

“Deklarata e 25 vendeve nuk ushtron presionin mbi Hamasin dhe nuk arrin të njohë rolin dhe përgjegjësinë e tij në këtë situatë. Hamasi është përgjegjësi i vetëm për vazhdimin e luftës dhe vuajtjet nga të dyja palët”, tha ministria. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Izraeli kundërshton apelin e 25 vendeve për t’i dhënë fund luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DURBAN – G20 deklaratë të përbashkët për çështjet kryesore ekonomike

DURBAN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Ministrat e Fnancave të G20 kanë rënë dakord për një deklaratë të përbashkët përfundimtare në takimin e tyre në qytetin e Afrikës së Jugut, Durban, për herë të parë që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump mori detyrën për mandatin e tij të dytë.

Dokumenti, i publikuar sot nga presidenca e Afrikës së Jugut pajtohet me sfidat kryesore për ekonominë globale.

Këto përfshijnë luftërat dhe konfliktet e vazhdueshme, mosmarrëveshjet tregtare, ndërprerjet e zinxhirëve globalë të furnizimit, nivelet e larta të borxhit dhe fatkeqësitë natyrore, të cilat, sipas dokumentit, po ndikojnë në rritjen ekonomike, stabilitetin financiar dhe stabilitetin e çmimeve.

Ministrat e Financave të G20 janë takuar disa herë që nga fillimi i vitit, por nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një deklaratë të përbashkët në samitet e mëparshme.

Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të G20 është planifikuar të zhvillohet në metropolin e Afrikës së Jugut, Johanesburg.

Grupi përfshin 19 vende, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan. //a.i/

The post DURBAN – G20 deklaratë të përbashkët për çështjet kryesore ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit në Dibër, Duka: Në pranga dy shtetas

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka informoi sot mbi rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, të finalizuar pas një hetimi njëjavor, me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç.
Trupi i pajetë i 23-vjeçarit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin nga banesa.
Gjatë konferencës për shtyp, Duka u shpreh se menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale.
“Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D.”, shtoi ai.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, u vunë në pranga shtetasit P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..
Duka sqaroi se nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
Sipas tij, 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
“Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve”, shtoi ai.
Duka theksoi se grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
/m.m/j.p/

The post Zbardhet vrasja e 23-vjeçarit në Dibër, Duka: Në pranga dy shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Të ndalen sekuestrimet e produkteve të freskëta vendase

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Zv.sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu u shpreh në një deklaratë për shtyp sot se, “qeveria shqiptare ka vendosur t’i shpallë luftë fermerit shqiptar, t’i vërë gjoba atij që prodhon, dhe ta bëjë mallin vendas më të shtrenjtë se ai i importuar”.

Sipas saj, “sekuestrimi i qumështit të papërpunuar nga fermerët, me pretendimin e mungesës së faturës tatimore, është vetëm simboli më i fundit i kësaj politike antiproduktive dhe antikombëtare”.

“Në vend që shteti të ndërtojë infrastrukturën e munguar të grumbullimit, certifikimit, ftohjes dhe përpunimit, ai dërgon inspektorët për të gjobitur fshatarin”, tha Haxhiu, teksa shtoi se, “në çdo vend të Bashkimit Europian, fermeri është partneri më i rëndësishëm i shtetit në garantimin e ushqimit për popullsinë. /j.p/

 

Haxhiu theksoi se, “Partia e Lirisë kërkon ndalim të menjëhershëm të sekuestrimeve të produkteve vendase të freskëta, derisa të krijohet një sistem real dhe i drejtë për grumbullim dhe certifikim.

Rritje të buxhetit për bujqësinë në vitin 2025, për të garantuar mbështetje reale dhe jo thjesht propagandë.

Reduktimin e TVSH-së 20% në 5% mbi prodhimet bujqësore vendase – Shqipëria është i vetmi vend në Europë që aplikon këtë taksë absurde ndaj prodhimit vendas.

Ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe transparent subvencionesh, që përkrah ata që punojnë, jo ata që abuzojnë.

Kthimin e bujqësisë dhe  sigurisë ushqimore në prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar”.

“Bujqësia është një prioritet shumë i rëndësishëm , ndër 5 prioritetet tona, sepse nuk ka të bëjë vetëm me koston e jetesës, problemet me ushqimin, por ka të bëjë me decentralizimin e popullsisë dhe me kthimin dhe riintegrimin e shqiptarëve në vendlindjet e tyre”, tha Haxhiu.

 

/gj.m/

 

The post PL: Të ndalen sekuestrimet e produkteve të freskëta vendase appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trump nënshkruan “deklaratën e fatkeqësisë natyrore për Texas”: Tragjedi e paimagjinueshme

Donald Trump ka nënshkruar “Deklaratën e Fatkeqësisë së Madhe për Texas”, për të siguruar në këtë mënyrë mbështetjen e domosdoshme.

Nëpërmjet një reagimit në “Truth Social”, Trump ka thënë se kjo që ka ndodhur për po përjetojnë familjet e viktimave dhe të të zhdukurve është një tragjedi e paimagjinueshme.

Presidenti amerikan siguroi se administrata e tij vazhdon të punojë ngushtë me udhëheqësit shtetërore dhe lokalë për të ndihmuar njerëzit në Texas.

“Roja jonë Bregdetare e SHBA-së, së bashku me Ndërhyrësit e Parë Shtetërorë kanë shpëtuar më shumë se 850 jetë”, thotë Trump, duke e përfunduar mesazhin e tij me: “Zoti i bekoftë familjet dhe Zoti e bekoftë Teksasin!”

The post Trump nënshkruan “deklaratën e fatkeqësisë natyrore për Texas”: Tragjedi e paimagjinueshme appeared first on Sot News | Lajme.

TURQI – Erdogan: Azerbajxhani dhe Rusia të tregojnë vetëpërmbajtje mes tensioneve

ANKARA, 6 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Rusisë dhe Azerbajxhanit të tregojnë përmbajtje mes tensioneve në rritje midis dy vendeve, duke vënë në dukje se Ankaraja ka lidhje të thella dhe strategjike si me Moskën, ashtu edhe me Bakunë.

”Dëshira më e madhe e Ankarasë është që incidentet e pafat të mos shkaktojnë dëme të pariparueshme në marrëdhëniet midis Moskës dhe Bakusë”, u tha Erdogan gazetarëve, në bordin e fluturimit të tij të kthimit nga Azerbajxhani.

Duke folur për marrëveshjen e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, Erdogan tha se ”do të dëshmojmë një hapje të dritareve të reja dhe historike të mundësive me marrëveshjen e paqes”.

Lidhur me Sirinë, Erdogan tha se Turqia i ka bërë të qarta vijat e saj të kuqe për Sirinë, duke shtuar se vendi nuk do të tolerojë asnjë plan që legjitimon grupet terroriste ose bashkëpunëtorët e tyre.

“Ne mund të zbatojmë modele të tilla si zonat e tregtisë së lirë, qendrat logjistike dhe tregjet kufitare në Sirinë veriore”, shtoi Erdogan.

“Në takimin tim me vëllain (presidentin e Azerbajxhanit) Ilham Aliyev, ai tha se jam gati të ofroj të gjitha llojet e mbështetjes për Sirinë për gazin natyror’”, tha Erdogan.

Duke folur për Korridorin e Zangezurit – një rrugë strategjike e vendosur për të lidhur Azerbajxhanin perëndimor me enklavën e Nakhçivanit dhe për t’u shfaqur si një lidhje kyç nga Kina me Turqinë dhe Rusinë – presidenti Erdoğan tha se ai ofron mundësi jo vetëm për Azerbajxhanin, por për gjithë rajonin.

Ai vuri në dukje se Ankaraja e sheh rrugën si pjesë të një “revolucioni gjeoekonomik”.

”Edhe pse Armenia fillimisht kundërshtoi Korridorin e Zangezurit, Erevani tani po tregon një qasje më fleksibile për t’u bashkuar me integrimin ekonomik”, shtoi ai.

Lidhur me çështjen e dorëzimit të avionëve F-35 midis Washingtonit dhe Ankarasë, presidenti Erdogan tha se pret dorëzim gradual të F-35-ëve në Turqi gjatë mandatit të Donald Trumpit, duke shpresuar që presidenti amerikan do të “respektojë marrëveshjen tonë”.

Ai tha po ashtu se qetësia e qëndrueshme në rajon dështoi për shkak të shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli, duke shtuar se Ankaraja po punon për të parandaluar përsëritjen kësaj radhe.

”Turqia beson se armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit ka hapur gjithashtu derën për një armëpushim në Gaza”, tha presidenti, duke shtuar se ”Hamasi ka treguar vazhdimisht vullnetin e tij të mirë për këtë çështje”./  a.jor.

The post TURQI – Erdogan: Azerbajxhani dhe Rusia të tregojnë vetëpërmbajtje mes tensioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale

TIRANË, 28 qershor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me deklaratën e deputetit britanik, Nigel Farage i cili është shprehur se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë aktorë kryesorë në kriminalitet dhe se :1 në 50 shqiptarë në territorin anglez, janë në burg”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e quajti këtë pretendim “i pavërtetë dhe absurd”, duke e sfiduar publikisht Farage për një përballje me fakte.

Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama në platformen ‘X’:

Upsss… vetë z.Nigel Farage më sfidoi për faktet!

Çfarë nderi — për një “burrë gjigand”, siç më përshkroi ai (duke pasur parasysh, natyrisht, që vij nga një “vend i vogël”) — të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës me tituj në Britani.

Ai tha — dhe po e citoj:
‘’Të them diçka, z. Rama: e di që një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg? Prandaj trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi.”

Epo, z. Farage — më lejoni t’ju përgjigjem me diçka që s’është aq e zakonshme në stilin tuaj: shifra reale.

Pretendimi juaj se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”Nuk është fakt. Është absurd. Një klasik i manualit post-Brexit: ‘’Nëse tingëllon frikshëm, atëherë duhet të jetë e vërtetë.’’

Por kur shikohen të dhënat reale — është një befasi! Edhe nëse do të supozonim se çdo shqiptar që ndodhet në burg është realisht fajtor (ndonëse shumë janë aty për shkak të një sistemi vizash të padrejtë dhe të vjetëruar), shkalla e kriminalitetit mes shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të ishte më e lartë se ajo e popullsisë britanike— madje ka shumë gjasa të jetë më e ulët.

Dhe meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe nuk e durojmë “hipokrizinë”, kam një propozim të thjeshtë për ju:

T’i sjellim të dyja palët faktet në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “1 në 50” del i saktë — angazhohem publikisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Jo për show, por zotohem publikishit.

Por nëse del që shifra juaj është thjesht karburant për tabloide, atëherë s’ka nevojë për ndjesë. S’ka nevojë për drama. Madje në vënd të kësaj do të merni një ftesë për të ardhur në Shqipëri — si i ftuar nderi.

Do të merrni diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë, dhe fakte edhe më të vërteta — për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe gjithçka që do t’ju kërkoj në këmbim është një zotim i vogël, i thjeshtë: që herën tjetër kur dikush të përgojojë shqiptarët, të jeni ju i pari që t’i thoni, të ndalet.

Si thoni atëherë? Një verifikim faktesh për një deportim total — ose për një palë pushime, në mesin e njerëzve më të ngrohtë që do të njihni ndonjëherë.

Hajde, Nigel. Edhe nëse humb në kontrollin e fakteve, fiton një komb të tërë miqsh për gjithë jetën.

Pres me padurim përgjigjen tuaj.

https://x.com/ediramaal/status/1938739319168024656?s=48&t=0bOqiSwhVUnwV6dbw2g7jA

https://www.gbnews.com/politics/nigel-farage-albania-brexit-pm-dig-britain

 

The post Rama reagon ndaj deklaratës së Farage-n për emigrantët shqiptarë në Britani: Të sfidoj për shifrat reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamur Noka tregon arysen pse u thirr në SPAK

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, pasi dha dëshminë SPAK, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në një prononcim për mediat ai ka zbuluar edhe arsyen e thirrjes nga prokurorët e posaçëm. “U thirra nga SKAP-i për denoncimet e bëra në fushatë elektorale. Task forca e ngritur për të hetuar krimin elektoral […]

The post Flamur Noka tregon arysen pse u thirr në SPAK appeared first on BoldNews.al.

FOKUS – Deklarata e përbashkët e NATO-s në përfundim të samitit të Hagës

HAGË, 25 qershor /ATSH/ – Më poshtë gjeni deklaratën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s, që morën pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në Hagë:

1 – Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Hagë për të riafirmuar angazhimin tonë ndaj NATO-s, aleancës më të fortë në histori, dhe ndaj lidhjes transatlantike. Ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve. Ne mbetemi të bashkuar dhe të palëkundur në vendosmërinë tonë për të mbrojtur një miliard qytetarët tanë, për të mbrojtur aleancën dhe për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë tonë.

2 – Të bashkuar përballë kërcënimeve dhe sfidave të thella të sigurisë, në veçanti kërcënimit afatgjatë të paraqitur nga Rusia për sigurinë euroatlantike dhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët angazhohen të investojnë 5% të PBB-së çdo vit në kërkesat thelbësore të mbrojtjes, si dhe në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035 për të siguruar detyrimet tona individuale dhe kolektive, në përputhje me Nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit. Investimet tona do të sigurojnë që të kemi forcat, aftësitë, burimet, infrastrukturën, gatishmërinë për luftë dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të penguar dhe mbrojtur në përputhje me tre detyrat tona kryesore të pengimit dhe mbrojtjes, parandalimit dhe menaxhimit të krizave dhe sigurisë bashkëpunuese.

3 – Aleatët bien dakord që ky angazhim prej 5% do të përfshijë dy kategori thelbësore të investimeve në mbrojtje. Aleatët do të ndajnë të paktën 3,5% të PBB-së çdo vit bazuar në përkufizimin e rënë dakord të shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s deri në vitin 2035 për të siguruar burimet e kërkesave kryesore të mbrojtjes dhe për të përmbushur Objektivat e Aftësive të NATO-s. Aleatët bien dakord të paraqesin plane vjetore që tregojnë një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim. Dhe aleatët do të përbëjnë deri në 1,5% të PBB-së çdo vit për të mbrojtur, ndër të tjera, infrastrukturën tonë kritike, për të mbrojtur rrjetet tona, për të siguruar përgatitjen dhe qëndrueshmërinë tonë civile, për të çliruar inovacionin dhe për të forcuar bazën tonë industriale të mbrojtjes. Trajektorja dhe balanca e shpenzimeve sipas këtij plani do të rishikohen në vitin 2029, nën dritën e mjedisit strategjik dhe Objektivave të përditësuara të Aftësive. Aleatët riafirmojnë angazhimet e tyre të qëndrueshme sovrane për të ofruar mbështetje për Ukrainën, siguria e së cilës kontribuon në tonën, dhe, për këtë qëllim, do të përfshijnë kontribute të drejtpërdrejta drejt mbrojtjes së Ukrainës dhe industrisë së saj të mbrojtjes kur llogariten shpenzimet e mbrojtjes së aleatëve.

4 – Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për të zgjeruar me shpejtësi bashkëpunimin industrial të mbrojtjes transatlantik dhe për të shfrytëzuar teknologjinë në zhvillim dhe frymën e inovacionit për të avancuar sigurinë tonë kolektive. Ne do të punojmë për të eliminuar barrierat tregtare të mbrojtjes midis aleatëve dhe do të shfrytëzojmë partneritetet tona për të promovuar bashkëpunimin industrial të mbrojtjes.

5 – Ne shprehim vlerësimin tonë për mikpritjen bujare që na është ofruar nga Mbretëria e Holandës. Ne mezi presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi në vitin 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri./  a.jor.

The post FOKUS – Deklarata e përbashkët e NATO-s në përfundim të samitit të Hagës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ish-konkurrenti bën deklaratën e fortë, thotë se Big Bastës i është premtuar çmimi i madh në Ferma VIP 2

Pas eliminimit nga Ferma VIP 2, këngëtari i njohur Frederik Ndoci ka ndarë opinionin e tij të sinqertë mbi rrjedhën e lojës dhe pretendentët për fitoren e këtij edicioni.

I ftuar në një intervistë pas daljes, Ndoci u shpreh pa doreza kur iu drejtua pyetja nga moderatorja Aulona Musta: “Kush është për ty fituesi?”.

Artisti e nisi përgjigjen me diplomaci, duke thënë: “Të gjithë janë të mirë, kush dëshiron le ta fitojë. Më dëshiru tjetër e kush e merr tjetër”.

Megjithatë, ai nuk hezitoi të theksonte se sipas tij, Big Basta është më i favorizuari për të dalë fitues, duke lënë të kuptohet se ka pasur përfitime brenda fermës që nuk u janë dhënë të gjithëve.

“Unë kam arsye me thënë që do ta marrë Big Basta. Ka të gjitha premisat. Ka qenë shumë më i privilegjuar se ne të tjerët aty. Ai ka qenë për me dalë qysh në javën e tretë për nga aftësia”.

Megjithatë, preferencat personale të Ndocit për fitues janë të tjera.

Ai përmendi me respekt dhe vlerësim dy emra që, sipas tij, e kanë mbajtur gjallë garën përmes një loje të fortë dhe të vazhdueshme: Andueli dhe Andrea.

“Unë do të doja Andueli ose Andrea, sepse patën lojë gjatë gjithë kohës”, theksoi këngëtari.

Deklaratat e Ndocit vijnë në një fazë kyçe të Ferma VIP 2, kur loja është bërë më e ashpër dhe publiku është më i përfshirë në vendimmarrje. Fjalët e tij pritet të nxisin diskutime mes ndjekësve të emisionit, sidomos për pozicionin e Big Bastës në garë dhe mënyrën si është trajtuar brenda fermës.

The post Ish-konkurrenti bën deklaratën e fortë, thotë se Big Bastës i është premtuar çmimi i madh në Ferma VIP 2 appeared first on Albeu.com.

SHBA – Trump për sulmet ndaj Iranit: Ndoshta po, ndoshta jo

UASHINGTON, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump ngriti dyshime sot rreth mundësisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kryejnë sulme ndaj Iranit duke u thënë gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se “ndoshta do ta bëj, ndoshta jo”.

“Dua të them, askush nuk e di se çfarë do të bëj”, shtoi presidenti amerikan, i cili i kishte bërë thirrje Iranit një ditë më parë për një “dorëzim pa kushte” pas disa ditësh lufte me Izraelin.

Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi dje, me germa kapitale, “DORËZIM PA KUSHT” nga Irani, i cili ka qenë shënjestër e sulmeve izraelite që nga e premtja.

Presidenti amerikan, i cili u kthye me nxitim gjatë natës nga samiti i G7 në Kanada për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, siguroi gjithashtu në një seri mesazhesh rreth Iranit se “ne tani kemi kontroll të plotë dhe total mbi hapësirën ajrore iraniane”.

Në një postim disi të pakuptueshëm në Truth Social, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se “tani kemi kontroll të plotë dhe total të qiellit mbi Iranin”./  a.jor.

The post SHBA – Trump për sulmet ndaj Iranit: Ndoshta po, ndoshta jo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌