Denoncimi i deputeti të PD-së: Qytetari në Lezhë u dhunua pasi protestoi për HEC-in
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka kërkuar pezullimin e koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve në Kaçinar.
Deputeti ka denoncuar dhe dhunën fizike të ushtruar sipas tij nga përfaqësues të kompanisë ndaj z. Kol Ndoji, banor i zonës, duke i shkaktuar dëmtime serioze trupore dhe duke e dërguar atë në spital.
Sipas deputetit ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Rrëshenit, në afërsi të stacionit të policisë, një fakt që ngre shqetësime të mëdha për funksionimin e shtetit ligjor.
“Kompania, me mbështetje të qartë politike dhe me mbështetjen e strukturave të Policisë së Mirditës, ka vijuar veprimtarinë, duke ushtruar presion, kërcënime dhe kanosje ndaj banorëve të fshatrave Simon, Shpërdhazë, Kaçinar, Arrëz, Shtuf dhe Kuzhnen – pjesë e Njësisë Administrative Kaçinar në Bashkinë Mirditë të cilët prej më shumë se një dekade e kanë kundërshtuar me forcë ndërtimin e katër hidrocentraleve në lumin Shpërdhaza”, shkruan Gjekmarkaj.
Sipas banorëve, ky projekt përbën një kërcënim serioz për jetën dhe mirëqenien e komunitetit, pasi uji i lumit është i pamjaftueshëm për të përballuar njëkohësisht nevojat për ujë të pijshëm, ujitje dhe prodhim energjie.
Në deklaratën e deputetit thuhet se zbatimi i këtij projekti do të sillte pasoja të parikuperueshme mjedisore dhe sociale, përfshirë tharjen e burimeve ujore dhe shpopullimin e zonës.
Sipas banorëve kontrata koncesionare është shoqëruar me shkelje të shumta të legjislacionit në fuqi, mungesë transparence dhe mungesë të konsultimeve me komunitetin në të gjitha fazat e saj.
Deputeti Gjekmarkaj kërkon që:
Komisariati i Policisë Mirditë, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë t’i japin përparësi hetimit të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të ndalojnë autorët, duke i nxjerrë përpara drejtësisë.
Institucionet përgjegjëse shtetërore t’u përgjigjen menjëherë kërkesave të komunitetit dhe të vendosin pezullimin urgjent të koncesionit, deri në një sqarim të plotë ligjor dhe faktik të situatës.
Në emër të Partisë Demokratike, ai shpreh mbështetjen e plotë për banorët e Kaçinarit dhe të gjithë zonës, duke theksuar se PD do të jetë në krah të çdo qytetari në mbrojtje të të drejtave të tij kushtetuese dhe ligjore, përballë çdo interesi privat të padrejtë apo abuziv.
Deputeti shkruan gjithashtu se kompania koncesionare, përtej të gjitha afateve ligjore dhe kontraktuale, dhe pas skadimit të lejeve mjedisore dhe ujore, nuk ka kryer asnjë punim për më shumë se një dekadë.
“Vetëm së fundmi, pas një zgjatjeje të dyshimtë të lejes së ndërtimit, është nisur puna përgatitore në terren, në mungesë të çdo transparence. Banorët e zonës kanë reaguar në mënyrë të vazhdueshme përmes protestave, peticioneve, padive dhe kallëzimeve penale. Edhe Bashkia Mirditë ka kërkuar zyrtarisht pezullimin e punimeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të deputetit Gjekmarkaj.
LEXONI GJITHASHTU:
- Sekuestrohen rreth 200 kg kanabis në Lezhë, arrestohen 5 persona (Emrat)
- “Hajdutët e Shkodrës”, goditet grupi kriminal. Kapen 3, në kërkim 2 të tjerë
The post Denoncimi i deputeti të PD-së: Qytetari në Lezhë u dhunua pasi protestoi për HEC-in appeared first on Euronews Albania.