Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Sizmiologu tregon ç’po ndodh me situatën e tërmeteve, sa zgjasin pasgoditjet

27 June 2025 at 13:13

Sizmiologu Edmond Dushi ishte këtë të premte i ftuar në Euronews Albania për të folur rreth tërmeteve. Një tërmet i fortë u ndie dy ditë më parë në Tiranë me magnitudë 4.4 ndërsa ditën e sotme ka pasur dy pasgoditje me magnitudë më të ulët.

Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane Mesdhetare EMSC tërmeti me magnitudë 4,1 i shkallës Rihter ishte me epiqendër në zonën e Fushë-Krujës.

Sizmologu tha se duke pasur parasysh historikun e tërmeteve pritet që pas tërmetit kryesor të ketë edhe goditje të tjera 18-20 ditë më pas.

“Ne kemi statistika gjithë përfshirëse në të gjithë territorin. Të gjitha seritë tërmetore që ndodhin në zonat perëndimore të vendit zgjasin më shumë se tërmetet në zonën qendrore. Kjo është tregues që do të kemi një zgjatje në vazhdim të kësaj serie tërmetesh. Pa përhapur panik, bazuar mbi të dhënat që ne kemi aktualisht nëse bëjmë llogaritjet mund të llogarisim diku te 18-20 ditë nga tërmeti kryesor i datës 24”,-tha sizmiologu.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sizmiologu tregon ç’po ndodh me situatën e tërmeteve, sa zgjasin pasgoditjet appeared first on Euronews Albania.

Ambasadorja e Izraelit: Irani mund ta ketë gishtin te këmbëza për Shqipërinë

By: Besnik
17 June 2025 at 13:21

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, dha një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ku foli për përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit.

Ajo theksoi se kërcënimi që vjen nga Irani nuk është vetëm ndaj Izraelit, por përbën rrezik për të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë.

Duke iu referuar mundësisë së një sulmi nga Irani ndaj Shqipërisë, ambasadorja u shpreh se kjo nuk do të ishte aspak çudi nëse ata do ti kishin gati kapacitetet për një gjë të tillë, pasi sipas saj edhe Shqipëria, ashtu si çdo vend tjetër, është e ekspozuar ndaj rrezikut.

Ajo përmendi si shembull sulmin kibernetik të disa viteve më parë dhe paralajmëroi se çdo shtet mund të vihet nën kërcënim përmes formave të ndryshme nga Irani.

“Shikoni, nuk është nevoja që Shqipëra të bombardohet nga Irani. Nëse ata arrijnë kapacitetin, ju kërcënojnë. Mjafton t’ju kërcënojnë. Para dy vitesh e gjysmë, ose tre, ju sulmuan kibernetikisht dhe u përpoqën të shkatërronin shërbimet tuaja digjitale. Nëse mund t’ju kërcënojnë në mënyra të ndryshme për të ndikuar në qëndrimet tuaja në çështje të ndryshme, ata mund ta mbajnë gishtin në këmbëz dhe t’ju vënë në presion. Dhe pyetja është çfarë do të bëni ju? Nëse Izraeli është objektivi i Iranit, pse Irani po zhvillon raketa balistike që shkojnë dy herë më larg se Izraeli? Qartazi, kjo do të thotë se Izraeli nuk është synimi i tyre i fundit. Edhe Shqipëria mund të jetë në rrezik. ” – tha Peleg.

Sipas ambasadores Peleg, nëse Irani arrin të zhvillojë kapacitete të avancuara balistike apo bërthamore, ai mund t’i përdorë ato si mjet presioni apo shantazhi ndaj shteteve që nuk i konsideron aleatë ku theksoi se rreziku iranian është më i gjerë se sa perceptohet:

“Nuk është vetëm Perëndimi në rrezik nga ky shtet. Çdo shtet mund të kërcënohet nga ky regjim nëse ai ka mjetet. Prandaj, qëllimi është që ai regjim të mos i ketë këto kapacitete.”

Në lidhje me operacionin ushtarak të Izraelit ndaj Iranit, Peleg konfirmoi bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara:

“Operacioni u koordinua me amerikanët. Kemi marrëdhënie të mira me ta. Morëm mbështetje përmes furnizimeve të ndryshme nga ana e tyre. Çdo gjë është e hapur, s’ka asgjë për të fshehur. Izraeli ka qenë kreu i këtij sulmi, dhe kushdo që do t’i bashkohet është i mirëpritur.”

E pyetur nëse eliminimi i liderit suprem të Iranit ishte pjesë e objektivave ushtarake, ambasadorja e përjashtoi si qëllim të drejtpërdrejtë, por nuk e përjashtoi mundësinë si efekt anësor të operacioneve ushtarake.

“Eliminimi i liderit suprem të Iranit nuk është një prej objektivave të përcaktuara në këtë sulm. Objektivat janë ushtarakë. Qëllimi, siç ju thashë, është të shkatërrojmë mundësitë e tyre për pasurimin e uraniumit dhe kapacitetet e tyre balistike. Por megjithatë, nëse gjatë rrugës ndryshon diçka, mendoj se do të ishte një bonus, jo vetëm për Izraelin dhe pjesën tjetër të botës, por edhe për vetë iranianët. Megjithatë, ky nuk është një prej objektivave tona,” – përfundoi Peleg.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ambasadorja e Izraelit: Irani mund ta ketë gishtin te këmbëza për Shqipërinë appeared first on Euronews Albania.

Ekskluzive/ Ambasadorja izraelite: Sulmi ndaj Iranit kishte 3 objektiva strategjikë

By: Besnik
17 June 2025 at 12:37

Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, ku ka komentuar situatën pas shkëmbimit të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit.

Ajo theksoi se sulmi i Izraelit ndaj Iranit kishte tre objektiva të qarta, ndërsa shtoi se qytetarët izraelitë janë të ndërgjegjshëm për rrezikun dhe të përgatitur për t’u përballur me çdo kërcënim.

“Qëllimi i sulmit ishte: të ndalonim kapacitetet e tyre bërthamore, të ndalonim kapacitetet e tyre balistike dhe e treta, do të thoja, pjesa e politikës që ata synojnë për shkatërrimin e  Izraelit. Nuk kanë ndaluar asnjëherë, duke thënë publikisht se duan ta zhdukin Izraelin nga harta. Dhe fakti që ata kanë një kapacitet të tillë balistik të rinovuar… ne e prisnim një goditje të tillë me raketa dhe jemi mirënjohës që ata nuk kanë arritur atë fazë të kapaciteteve bërthamore për të sulmuar Izraelin. Kështu që ne jemi të përgatitur”, u shpreh ajo.

Në lidhje me situatën në terren dhe qëndrimin e regjimit iranian, Peleg u shpreh:

“Ajo që po shohim në terren… përshtypja ime është që regjimi i Iranit është i dobët. Dhe fakti që ata po kërkojnë për armëpushim do të thotë se ata e kuptojnë se ne jemi të drejtpërdrejtë në gjërat që po themi dhe jemi të fortë në këtë drejtim. Nuk mund të vijojmë të jemi nën trysni. Të gjithë shpresojmë që të arrihet rezultati i kërkuar. Shpresojmë që ata të ndalin së zhvilluari dhe pasuruari uranium dhe nuk kanë për të vijuar të kërcënojnë botën me kapacitetet e tyre bërthamore dhe balistike. Pra, kjo është situata. Ne i dinim kapacitetet e tyre balistike dhe e prisnim reagimin e tyre”, tha  amabasadorja.

Ambasadorja Peleg foli edhe për reagimin e qytetarëve izraelitë ndaj situatës dhe rrezikut të sulmeve nga Irani.

“Lufta aktuale… njerëzit e kuptojnë pse është e nevojshme dhe cili është rreziku që vjen nga Irani për sa i përket rritjes së kapaciteteve të tyre bërthamore. Po ashtu, njerëzit janë më të përgatitur. Edhe pse, për hir të së vërtetës, nuk mund të jesh i përgatitur kur një raketë që peshon gjysmë ton shpërthen në shtëpinë tënde.”

Ndërsa komentoi perceptimin publik brenda Izraelit, ambasadorja shtoi:

“Ne e kuptojmë se kjo është një luftë midis dy shtetesh. Askujt nuk i pëlqen të jetë në situatë lufte, por njerëzit e kuptojnë. Publiku izraelit e kupton mjaft mirë situatën dhe mendon se ne tani jemi më të fortë.”

Për situatën aktuale në Izrael, Peleg theksoi se qytetarët janë të vendosur dhe solidarë me njëri-tjetrin, pavarësisht humbjeve dhe pasigurisë.

“Në Izrael situata është, siç e dini… njerëzit janë duke qëndruar pranë strehave të ndryshme, janë duke u përpjekur të fshihen nga raketat. Iranianët janë duke targetuar civilët në Izrael. Fatkeqësisht, ne kemi 24 persona të vrarë nga raketat e ardhura nga Irani. Ditët e fundit kemi diku te 600 të plagosur që ndodhen në spitale. Por më duhet të them se ne jemi shumë të fortë. Njerëzit po ndihmojnë njëri-tjetrin dhe këto janë kohërat ku njerëzit janë duke qëndruar së bashku. Mendoj po ashtu se njerëzit e kuptojnë nevojën e këtij sulmi ndaj Iranit. Po ashtu, këta e dinë se nëse Irani do të kishte kapacitete bërthamore sot, do të ishte edhe më keq. Pra, njerëzit janë të fortë dhe po përpiqen të kenë disiplinë”, tha ajo.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekskluzive/ Ambasadorja izraelite: Sulmi ndaj Iranit kishte 3 objektiva strategjikë appeared first on Euronews Albania.

Taravari tregon pse u largua nga qeveria e RMV: Nuk bëmë asgjë nga ato që premtuam

11 June 2025 at 13:44

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, 1 muaj më parë njoftoi se partia që ai drejton ishte tërhequr nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për Euronews Albania, Taravari tha se koalicioni VLEN në qeverinë e RMV, ku bënte pjesë edhe Aleanca për Shqiptarët nuk arriti të përmbushë asnjë nga premtimet dhënë shqiptarëve në RMV pas zgjedhjeve.

“Koalicioni VLEN u formua vitin e kaluar kur Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e qeverisë Kovaçevski dhe në atë kohë dolëm nga qeveria siç bëmë sot për t’ju bashkuar këtij koalicionit. Morën 107 mijë vota si koalicion, i premtuam qytetarëve shqiptarë në RMV se pas 22 vjet qeverisje të BDI dhe Ali Ahmetit, shqiptarët meritojnë ndryshimin në skenën politike. Pas 11 muaj qeverisje ne si VLEN, 4 parti së bashku, ishte një projekt i paqëndrueshëm… qytetarët janë të pakënaqur nga ne. Kishim dy opsione; të heshtnim dhe të mbanim karriget, unë isha ministër i shëndetësisë ose të reagonim”, ta Taravari.

 

The post Taravari tregon pse u largua nga qeveria e RMV: Nuk bëmë asgjë nga ato që premtuam appeared first on Euronews Albania.

“Nuk shikonim asgjë”, Guida tregon si shpëtuan gjatë shpërthimit të vullkanit Etna

3 June 2025 at 14:45

Paolo Turnaturi nga guida vullkanologjike në Katania, ka folur mbi eksperiencën e tij duke qenë prezent gjatë shpërthimit të vullkanit më të madh dhe më aktiv në Evropë, në malin e Etnas.

Vullkani shpërtheu ditën e djeshme në Siçili, duke lëshuar një re gjigande tymi në atmosferë, duke bërë që shumë turistë dhe banorë të vraponin të frikësuar.

Turnaturi shpjegon momentin që ai së bashku me kolegët e tij, kuptuan se diçka nuk shkonte lidhur me stabilitetin e kraterit jo të fortë në atë moment.

“Isha me kolegët e mi dhe kuptuam se stabiliteti i kraterit nuk ishte i fortë derisa frakturat u hapën dhe bënë që të shembej një pjesë e madhe e kraterit. Papritur u gjendëm të përfshirë nga shpërthimi që zbriste nga lart, por patëm mundësi për tu arratisur”, tha Paolo Turnaturi.

I pyetur mbi ndjesinë e tij gjatë largimit nga vendndodhja e shpërthimit të vullkanit Etna, Paolo tregon se akoma më të vështirë e bënte fakti që nuk dukej asgjë për shkak të hirit të ndezur.

“Frika ishte gjatë arratisjes sepse nuk kuptohej se cili do ishte drejtimi i hirit të ndezur. Më vonë dukshmëria përreth ishte zero, pasi nuk shihnim dot se ku vendosim këmbën. Nga eksperienca gjetëm shtegun e duhur për tu larguar. Frika është e nevojshme në këto raste sepse të mban të kthjellët.

Në këtë moment që flasim, nga këndvështrimi strukturor, krateri juglindor është një nga pikat më të brishta ku mund të përsëritet shpërthimi. Prisnim që kjo të ndodhte prej 15 vjetësh pasi prej 2011-tës, Etna ka hyrë në një proces ndryshimi strukturor ndaj dhe këto janë të zakonshme në një vullkan. Dridhjet e tokës tregojnë që nuk ka stabilitet, por mbeten brenda normave”, tha Paolo Turnaturi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Nuk shikonim asgjë”, Guida tregon si shpëtuan gjatë shpërthimit të vullkanit Etna appeared first on Euronews Albania.

Përshëndetjet fashiste trazojnë Italinë. Flet gazetarja Sara Lucaroni

30 May 2025 at 14:37

Një grua 30-vjeçare bëri përshëndetje fashiste gjatë një demonstrate pro-Palestinës në Piazza Scandaliato në Sciacca në Sicili, por simbolet fashiste janë shtuar gjatë qeverisë Meloni, që duket se nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë ndaj këtij fenomeni.

Gazetarja italiane Sara Lucaroni tha në një intervistë për Euronews Albania se neo-fashistët ndihen të mbrojtur nga qeveria në Itali.

“Organizata neofashiste në këtë moment ndihen të mbrojtura nga qeveria, në 27 prill në Komo u zhvillua përkujtimi për arrestimin e Musolinit ku morën pjesë qindra përfaqësues të së djathtës ekstreme ku të pranishmit bënë përshëndetjen romane dhe ishin veshur me rroba të zeza. E majta kritikoi sërish këtë manifestim duke akuzuar qeverisë se nuk merr një pozicion të qartë kundër këtyre veprimeve. Qeveria bën sikur nuk ka ndodhur asgjë kur mbahen  këto manifestime dhe lënë në harresë rastet kur ka pasur viktima nga dhuna e militantëve të djathtë”, tha gazetarja italiane.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

The post Përshëndetjet fashiste trazojnë Italinë. Flet gazetarja Sara Lucaroni appeared first on Euronews Albania.

Çfarë janë të aftë të bëjnë mafiat shqiptare në Ekuador/ Flet Mario Pazmino

22 May 2025 at 14:39

Mario Pazmiño, Ish-shefi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ekuadorit, foli në Euronews Albania lidhur me atë çfarë ai e quan mafia shqiptare ose grupet kriminale në Ekuador.

Pazmiño shprehet se për mënyrë sesi veprojnë, mafiat shqiptare nuk kanë një kapacitet në Ekuador, por vetëm disa lidhje.

Pazmiño tregon se kur ka mbërritur mafia shqiptare në territorin e Ekuadorit, duke shpjeguar se aktivitetet e tyre kriminale cilësohen si klandestine.

“Mafia shqiptare në Ekuador filloi të mbërrijë në vitin 2010 dhe të vendosej në territorin tonë kombëtar me infrastrukturë të vogël, siç ishin dyqanet dhe sipërmarrjet. Filluan të shiheshin nga ana e autoriteteve kombëtare, filluan të hynë në një etapë klandestiniteti dhe lloji i veprimit të tyre në atë moment u kufizua, pra nuk është aq e madhe sa supozohet, siç është Karteli i Sinaloas apo Karteli i Gjirit Kolumbian.

Këto janë shumë më të hapura si mafie në mënyrën sesi veprojnë, duke bashkuar veprime territoriale me terrorizëm urban. Ndërkohë që mafia shqiptare nuk është identifikuar qartësisht dhe nuk ka hyrë në “luftë”.

Mendoj se ka një gjendje klandestiniteti për veprimet që kryen. Janë të rëndësishëm sepse është lidhja që bëhet me Evropën për çështjen e drogës por ka një aktivitet klandestin. Pas kapjes së disa prej kokave të mafias shqiptare në territorin e Ekuadorit, veprimtaria e tyre është dobësuar”, përfundoi Mario Pazmiño.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Çfarë janë të aftë të bëjnë mafiat shqiptare në Ekuador/ Flet Mario Pazmino appeared first on Euronews Albania.

“Berisha gur në qafë për PD”, Kadilli: Shitën shqiptarët për një rrogë në parlament

14 May 2025 at 13:39

Fatbardh Kadilli komentoi në një intervistë për Euronews Albania rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas tij, projekti i PD me Berishën kryetar ishte mision i pamundur pasi nuk ishte ofertë dhe alternativë politike.

“E shkuara nuk bëhet e ardhme. Partitë e vogla mbartin të gjitha sëmundjet e të mëdhenjve; delirin e liderëve të tyre, paaftësinë për të bashkëpunuar, sa kohë janë të tilla nuk mund të bëhen alternativë. Ai që ka pushtetin ka një avantazh të madh, por nuk justifikohet diferenca e madhe që tregon refuzimin  për të votuar PD e Sali Berishës, refuzimi për të parë të vegjlit si alternativë pasi nuk u bënë të tillë.

Berisha të mbajë përgjegjësinë të japë dorëheqjen, të çlirojë demokratët, është vendimi i tij, i atyre që  e mbështesin. Berisha nuk mund të jetë gur në qafë për PD-në i pëlqen apo jo atij dhe atyre që i rrinë rrotull. Nëse do vazhdojnë të jenë lëpirës të kryetarit… Parregullsi ka sa të duash por nuk justifikohen 33 mandate diferencë. Shitën shpirtin për një mandat, shitën shqiptarët për një rrogë në parlament”, tha Kadilli.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Berisha gur në qafë për PD”, Kadilli: Shitën shqiptarët për një rrogë në parlament appeared first on Euronews Albania.

Artan Hoxha: Një person u mor peng për konflikt politik. Ka video!

9 May 2025 at 14:41

Gazetari Artan Hoxha tha në një intervistë për Euronews Albania se ndikimi i krimit në zgjedhje ka vijuar edhe gjatë procesit të fundit, por ndodh në mënyrë të kamufluar dhe efekti ndihet pas zgjedhjeve.

Sipas tij, SPAK nuk e arriti të përmbushte misionin që pretendoi lidhur me parandalimin e krimeve zgjedhore dhe aksionet si ai i djeshmi në Shkodër janë vetëm për shfaqje mediatike.

Hoxha tregoi rastin e marrjes peng të një përfaqësuesi të një force politike nga anëtarë të një tjetër force në mes të ditës, gjë që siç tha nuk është bërë mediatike.

“Një mbështetës i opozitës është marrë peng nga njerëzit e një kandidati të mazhorancës, është marrë peng në qytetin X, është e filmuar, dhe e kanë lëshuar në Rrugën e Kombit. E kanë futur në bagazh dhe e kanë çuar atje se sipas llogarive te tyre ky njeri me fushatën që po bënte po iu prishte punë. Dhe lirimi i pengut mesa di unë është bërë edhe me ndërhyrjen e policisë, madje oficerë të lartë të policisë dhe personat përgjegjës nuk janë arrestuar. Kjo ngjarje është ngjarje e freskët”, tha Hoxha.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

The post Artan Hoxha: Një person u mor peng për konflikt politik. Ka video! appeared first on Euronews Albania.

Indi-Pakistan, gati armët bërthamore? Gazetari jep detaje: Po mbahen takime

7 May 2025 at 12:57

Mbrëmjen e të martës India nisi “Operacionin Sindoor” duke goditur me raketa provincën Punjab dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani, nga ky sulm mbetën të vrarë të paktën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Për të dhënë më shumë detaje rreth konfliktit mes Pakistanit dhe Indisë, ishte i ftuar në një lidhje direkte për Euronews Albania gazetari nga India Virendra Tiwari. Në një intervistë për Thimi Samarxhiun ai shpjegoi se sulmi i mbrëmshëm vjen si pasojë e sulmit terrorist të ndodhur në një zonë turistike të Kashmirit, ku mbetën të vrarë 26 persona. Për këtë sulm India kishte akuzuar Pakistanin, por ky i fundit nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.

I pyetur nëse i druhet India një sulmi të mundshëm nga Pakistani ai tha:

“Ka shumë takime që po zhvillohen në Indi, për të marrë masa për kundërpërgjigjen që mund të vijë nga Pakistani. Nuk ka kredibilitet nga ana e Pakistanit, sepse kanë kërcënuar që do përdorin fuqinë bërthamore, për gjëra shumë të vogla. Shumë institucione janë mbyllur sot, aeroporte apo stacione të ndryshme dhe nuk dihet ende deri kur do të funksionojnë”,-tha gazetari.

Ai shtoi se ka panik tashmë sidomos në zonën e Kashmirit, pasi shumë qytetarë janë lënduar, ndërsa në zona të tjera të Indisë situata është më e qetë.

The post Indi-Pakistan, gati armët bërthamore? Gazetari jep detaje: Po mbahen takime appeared first on Euronews Albania.

Ekstradimi i Çapjas, Lala: Dubai jo më vend i sigurtë për personat e botës së krimit

5 May 2025 at 14:39

Gazetarja Klodiana Lala ka folur në Euronews Albania mbi ekstradimin nga Dubai të Florenc Çapjas tre ditë më parë, për të cilin GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg.

Lalal ka bërë një pasqyrim të faktit se pse u ekstradua Çapja dhe si qëndron momenti i arrestimit të tij. Në këndvështrimin e Klodiana Lalës, Dubai nuk duket më një vend i sigurtë për pesonat e botës së krimit.

“Nuk është më Dubai streha e sigurtë. Duket sikur ka një marëveshje të heshtur mes qeverisë shqiptare dhe autoriteteve në Dubai, për të përzënë në forma apo mënyra të ndryshme. Policia thotë ekstradim, vetë personat në konflikt me ligjin thonë dëbim ose është dëshirë e tyre për të ardhur në Shqipëri, por fakti që pas Plarent Dervishajt, Julian Meçajt, u ekstradua Florec Çapja dhe erdhi në Shqipëri, do të thotë se Dubai nuk është më strehë e sigurtë për njerëzit e krimit.

Sipas meje autoritetet shqiptare po dërgojnë atje të dhëna, ose email-e, ose dosje duke tentuar të bindin autoritetet në Dubai se këto personazhe përbëjnë kërcënim për sigurinë e këtij vendi.

Florenc Çapja ishte në shëtitje me të birin në momentin kur autoritetet janë afruar dhe i kanë thënë që duhet të vish me ne sepse të ka skaduar afati i dokumentave, e më pas e kanë sjellë në drejtim të Shqipërisë. Nuk është tamam ekstradim. Ekstradimi do të thotë të ketë një marrëveshje dypalëshe të miratuara përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Mendoj që po ekstradohen të gjithë njerëzit e përfshirë në organizatë kriminale dhe vrasje. Këtë lloj ndjeshmërie nuk e kanë për rastet e tjera pasi atje mund të kemi shumë të dënuar të tjerë për vepra më të lehta penale, por nuk ka patur një anagazhim të autoriteteve në Dubai për ti përzënë”, tha Lala.

Ndër të tjera, gazetarja ngre pyetjen se kush është në të vërtetë Florenc Çapja dhe pse e duan në Shqipëri.

“Është një personazh i cili është akuzuar për vepra shumë të rënda penale. Nuk janë provuar akuzat për vite me radhë. Me të drejtë ose jo është dërguar me burgim të përjetshëm për një vrasje të kryer në 2012, ku u vranë babë e bir. Më tej ka dyshime për një akuzë të re “për krijim të kushteve për të kryer vrasje” në dëm të Sokol Sanxhaktarit. Njihet gjithashtu si kundërshtar i përbetuar i Suel Çelës.

Ngarkesa e tij penale ishte shumë e rëndë dhe mendoj se autoritetet në Dubai nuk po bëhen më strehë për këta njerëz të cilët mund të sjellin problematika për sigurinë e këtij vendi”, tha Klodiana Lala.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekstradimi i Çapjas, Lala: Dubai jo më vend i sigurtë për personat e botës së krimit appeared first on Euronews Albania.

Tragjedia me 62 viktima në Koçan, familjarët nisin marshimin në Shkup

29 April 2025 at 13:01

Këtë të martë familjarë të viktimave të tragjedisë së Koçanit kanë mbëjtur një marshim në nderim të të vdekurve.

Ky marshim ka për qëllim të kërkojë drejtësi dhe tërheqjen e vëmendjes për mangësitë dhe vonesat në reagimin e autoriteteve, duke kërkuar një hetim të plotë dhe përgjegjësi për tragjedinë që mori jetën e disa qytetarëve.

Gazetarja Ferikan Iljazi  në një lidhje direkte nga Maqedonia e Veriut dha më tepër detaje rreth kësaj proteste që po zhvillohet atje.

“Që në orën 12 kanë nisur marshin e qetë familjarë të viktimave të Koçanit, por edhe qytetarë të tjerë të cilët kanë ardhur të shprehin mllefin e tyre ndaj tragjedisë. Ata kërkojnë përgjegjësi nga institucionet dhe ndalesa e tyre e parë është para Prokurorisë Publike, e cila po heton se çfarë e ka shkaktuar ngjarjen dhe kush kanë qenë personat që kanë lejuar shkeljet e rregullave duke sjellë si pasojë atë zjarr i cili mori 62 jetë”,-tha gazetarja.

Kujtojmë se një zjarr që shpërtheu në klubin e natës “Pulse”, në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 16 marsit, i mori jetën 62 personave dhe la të lënduar mbi 150 të tjerë. Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës, duke u përhapur me shpejtësi pas ndezjes së mjeteve piroteknike.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Tragjedia me 62 viktima në Koçan, familjarët nisin marshimin në Shkup appeared first on Euronews Albania.

Tërmeti 6,2 ballë, flet shqiptari në Stamboll: Tronditje shumë e madhe, e prisnim

23 April 2025 at 13:27

Gentian Fejzullahi, shtetas shqiptar që jeton në Stamboll tregoi në një intervistë për Euronews Albania se tërmeti që goditi të mërkurën Stambollin ishte shumë i fuqishëm dhe shkaktoi tronditje të madhe te qytetarët.

Ai tha se dita e sotme në Turqi është pushim zyrtar dhe shumica e njerëzve kanë qenë brenda banesave duke e bërë edhe më dramatike situatën.

Banorët kanë marrë direktiva nga autoritet që të mos futen në banesa për 2 deri në 3 orët e ardhshme.

“Tërmeti ka shkaktuar shumë panik, është ndjerë një tronditje e madhe. Shqetësimi është i madh, njerëzit kanë dalë në ambiente të hapura për të qenë larg pallateve. Autoritet kanë paralajmëruar që 2-3 orë nuk duhet të futemi në banesa. Ky tërmet pritej në një farë mënyrë, por jo sot…sot të gjithë sot janë në shtëpi pasi është pushim zyrtar për ditën e fëmijëve. Banorët janë shumë të shqetësuar, është ndërprerë energjia elektrike”, tregoi ai.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Tërmeti 6,2 ballë, flet shqiptari në Stamboll: Tronditje shumë e madhe, e prisnim appeared first on Euronews Albania.

Kusari Lila: E shoh të vështirë formimin e qeverisë Kurti 3 me shumicë të thjeshtë

10 April 2025 at 13:52

Kryetarja e Partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila tha në një intervistë për Euronews Albania se përpjekjet për formimin e qeverisë Kurti 3 vazhdojnë me qëllim përmbyllen ditën kur do të konstituohet Kuvendi i ri, më 15 prill.

Nisur nga kalkulimet e deritanishme ajo u shpreh se e sheh të vështirë formimin e qeverisë Kurti me shumicë të thjeshtë për të cilën do të duhen të paktën 61 deputetë.

“Nga 10 deputetë të pakicave joserbe, 3 nuk e kanë dhënë ende konfirmimin e plotë, kanë pasur kërkesa më të mëdha se sa mandati i tyre. Ka dyshime se ka presion edhe nga Lista Serbe për të parandaluar formimin e qeverisë Kurti 3 përmes shantazheve ndaj grupit të pakicave joserbe. Aktualisht janë 8 nga komunitet jo shumicë, edhe Limaj ka shprehur gatishmërinë për 3 deputetët e vet, bëhen 59, duke ngelur ende 2 mangët nga 61 i shumicë së thjeshtë parlamentare që duhen për qeverinë… Me trendin aktual nuk mund të kem parashikim pozitiv. Dua të besoj që do i kemi, por po e shoh me vështirësi”, tha ajo.

The post Kusari Lila: E shoh të vështirë formimin e qeverisë Kurti 3 me shumicë të thjeshtë appeared first on Euronews Albania.

Maqedonci i përgjigjet Serbisë: Aleanca me Shqipërinë dhe Kroacinë mesazh për paqe

By: Besnik
20 March 2025 at 14:25

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, foli në një lidhje live për Euronews Albania, në lidhje me marrëveshjen trepalëshe në fushën e mbrojtjes të nënshkruar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars 2025.

Ai tha se kjo marrëveshje nuk ka për synim të kërcënojë asnjë shtet, por është një mesazh për stabilitetin dhe paqen në rajon.

“Ne nuk synojmë të kërcënojmë askënd, as në Ballkanin Perëndimor, as kudo tjetër. Deshirojmë të dërgojmë mesazh për stabilitet dhe siguri, por edhe mesazh për të gjithë ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor, territorin dhe jetën e qytetarëve të vendeve tona,” tha Maqedonsi.

Maqedonci theksoi edhe rolin e Shqipërisë dhe Kroacisë në mbështetjen e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Në dokument theksohet qartë angazhimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për të mbështetur Kosovën në integrimin e strukturave euroatlantike, që do të thotë se këto dy vende të NATO-s mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit në NATO. Kjo është mirëseardhur për ne, duke parë ambientin e sigurisë në rajon dhe Evropë, dhe duke pasur parasysh nevojën e Kosovës për mbështetje nga vendet e NATO-s. Por edhe ne, si Republikë e Re, do të angazhohemi t’i mbështesim Kroacinë dhe Shqipërinë aty ku mund të japim ndihmën tonë,” shtoi Maqedonsi.

“Rrënjët e gjithë këtij bashkëpunimi dhe dakordësimi për të pasur një marrëveshje të përbashkët mes tri vendeve janë formuar para një viti, ku kemi pasur diskutime edhe me ministrin kroat të mbrojtjes, dhe veçanërisht me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu. Kemi rënë dakord që të fuqizojmë, zgjerojmë dhe thellojmë bashkëpunimin ushtarak mes tri vendeve, dhe jo vetëm ushtarake, por në fushën e mbrojtjes në përgjithësi. Ëështë mëse e natyrshme që Kroacia, Shqipëria dhe Kosova të kenë një marrëveshje të tillë, si marrëveshja e parë e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, që bashkon vende që ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa për paqen dhe stabilitetin. Po ashtu ekziston vullneti i Bullgarisë për t’u bashkangjitur kësaj iniciative, dhe vende të tjera besoj se do të kenë të njëjtën qasje në raport me iniciativën e tri vendeve tona.” tha Maqedonsi.

Maqedonsi gjithashtu foli për ndikimin e luftës Rusi-Ukrainë, duke theksuar se ky ka ndryshuar tërësisht ambientin global të sigurisë. Ai theksoi se balancat mes fuqive botërore janë prishur dhe aspekti i mosprekjes së kufijve është vënë në rrezik.

“Invazioni rus në Ukrainë ka alarmuar vendet e NATO-s dhe vendet demokratike, të cilat mund të jenë të cenueshme nga vendet autokratike, dhe po merren masa në lidhje me çështjet e mbrojtjes. Për një kohë të gjatë, Evropa ka hezituar të investojë në sistemet e mbrojtjes, dhe tani kërkesa e re e administratës për investime më të shumta në mbrojtje nga vendet e BE-së ka ndezur alarmin dhe i ka bërë më të vëmendshëm vendet evropiane,” përfundoi ai.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Maqedonci i përgjigjet Serbisë: Aleanca me Shqipërinë dhe Kroacinë mesazh për paqe appeared first on Euronews Albania.

“SHBA nuk është tërhequr nga SPAK” – Basha citon mesazhin e zyrtarit amerikan

7 March 2025 at 14:45

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për Euronews Albania theksoi mbështetje e fortë nga SHBA për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Basha gjithashtu solli në studio edhe mesazhin e një zyrtari të lartë të SHBA, i cili është shprehur se heshtja e përkohshme e administratës amerikane për shkak të procedurave të tranzicionit nuk duhet ngatërruar me ndryshim qëndrimesh.

Sipas Bashës, është gabim të mendohet që SHBA-të do të ç’angazhohen nga investimet e tyre në Shqipëri dhe Ballkan, duke e quajtur këtë një “debilizëm”.

“Tani dua të them diçka me përgjegjësi të plotë, unë nuk jam zëdhënës i qeverisë Amerikane, nuk jam zëdhënës i presidentit Donald Trump, nuk jam zëdhënës i sekretarit Rubio, por këtë ua them me përgjegjësi maksimale. Citoj, “gabojnë rëndë ata që ngatërrojnë heshtjen e përkohshme për shkak të procedurave të tranzicionit në të gjithë botën, me qëndrimet tona. Qëndrimet tona në mbështetje të të Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit, janë angazhime parimore të cilat nuk ndryshojnë”, tha Basha.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “SHBA nuk është tërhequr nga SPAK” – Basha citon mesazhin e zyrtarit amerikan appeared first on Euronews Albania.

“Abuzime, një konferencë kushton 90 mln lekë”, Fuga tregon përplasjen me Gjinushin

7 March 2025 at 13:39

Një debat i ashpër është zhvilluar një ditë më parë në mbledhjen e Akademisë së Shkencave mes profesorit Artan Fuga dhe kryetarit të Akademisë, Skënder Gjinushi.

Gjatë diskutimit mbi raportin vjetor, Fuga ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si është paraqitur ecuria e institucionit, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe vetëkritikë.

Në një intervistë për Euronews Albania Fuga tregoi se nuk është hera e parë që ai ngre mendimin e tij kundër dhe është censuruar dhe bullizuar. Sipas tij, në Akademi është duke u abuzuar me paratë publike për aktivitete apo projekte që ajo organizon dhe financon.

“Unë nuk jam dakord që një konferencë qoftë edhe për një çështje të rëndësishme të kushtojë 40 mln lekë, unë nuk jam dakord që një konferencë për eurokodet të kushtojë 5 mln lekët të vjetra, që një akademik, që mund të jetë shumë i nderuar të ketë 11 projekte dhe shumica e projekteve që propozohen brenda 1 viti janë 55 mln lekë të vjetra. Si një akademik mund të përballojë në vit 11 projekte me buxhetet e të marra nga akademia? Nuk jam dakord që një konferencë shkencore të kushtojë 90 mln lekë, projekti i një akademikeje në pension të financohet me 29 mln lekë të vjetra. Për mua është abuzim më paratë publike. Kam vite përballë kësaj sjelljeje censuruese dhe abuzuese në akademi, nuk dëgjohen propozimet që unë bëj”, tha Fuga.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Abuzime, një konferencë kushton 90 mln lekë”, Fuga tregon përplasjen me Gjinushin appeared first on Euronews Albania.

Fjalët e fundit të Adem Jasharit… rrëfehet Adnan Merovci

6 March 2025 at 14:53

Adnan Merovcit, një figurë kyçe dhe bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte i ftuar në Euronews Albania për të folur për atë çfarë Kosova ka përkujtuar 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Gjatë bisedës, Merovcit ka ndarë detaje të fjalëve të fundit të komandantit Adem Jashari.

“Qendrat e Informimit në Kosovë kanë njoftuar Ademin Jasharin në telefon që po vijnë serbët me tanke dhe Ademi u ka thënë: “Na qoftë për hajr lufta”.

Telefoni ka qenë aktiv derisa kanë plasur bombat, ky është komunikimi i fundit i tij. Këto informacione vinë prej njerëzve që kanë qenë të angazhuar dhe kanë parë ngjarjet e tilla. Kanë qenë 5 mijë njerëz të angazhuar nga institucione të ndryshme për informim dhe informacione të cilat janë shpërndarë në botë.

Ato ditë ka qenë rrëmujë e madhe dhe çdo herë Ibrahim Rugova ka qenë i informuar edhe pse Prekazi ka qenë një vend i hermetizuar me tanke dhe automjete të blinduara”, shpjegoi Adnan Merovcit.

Ndër të tjera, ai tha se ka pasur një relatë personale me Ademin, një afërsi të ngushtë pasi ai ishte mik me komandantin legjendar në shkollën e Mesme.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Fjalët e fundit të Adem Jasharit… rrëfehet Adnan Merovci appeared first on Euronews Albania.

Njoftoi se nuk do kandidojë për deputet, flet Agron Duka: Pse mora këtë vendim

9 January 2025 at 11:52

Politikani Agron Duka ka deklaruar se nuk do të kandidojë më në zgjedhje. I ftuar në Euronews Albania, ai e gjykon këtë vendim si diçka pozitive por duke mos lënë pas kontributin e tij në Shqipëri.

“Gjykoj që në një moshë dhe eksperiencë të caktuar, njerëzit mund të japin një kontribut edhe jashtë parlamentit, duke liruar vendin rrymave të reja të partive të tyre përkatëse.

Nuk ka asnjë interes për partinë Agrare Ambientaliste kur nga fushata në fushatë, çdo 4 vjet të gjithë përpiqen që të bëjnë kryetarin anëtar të parlamentit”, tha Duka.

Ndër të tjera, Agron Duka shton se nuk do të lërë mënjanë kontributin e tij në vend me anë të fushatave.

“Kontributi im do të jetë maksimal në të gjithë Shqipërinë. Duhet një punë e madhe dhe se duhet marrë pozitivisht mos kandidimi im.

Duka ka theksuar se biseda me Berishën lidhur me këtë vendim ishte diçka normale dhe e mirëkuptueshme nga Kreu i PD.

“Sa i përket Berishës, jemi në proces të vazhdueshëm negociatash. Berisha nuk nguli këmbë që unë mos të kandidoj, thjeshtë kërkoi arsyen. Iu përgjigja që do bëj fushatë në gjithë Shqipërinë. Kontributi im do jetë më i madh në këtë mënyrë”, tha Agron Duka.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Njoftoi se nuk do kandidojë për deputet, flet Agron Duka: Pse mora këtë vendim appeared first on Euronews Albania.

222 mega nga Ankandi Shteteror, Balluku: Vijon procesi i ri i energjisë eolike

8 January 2025 at 12:56

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, gjatë një konference për shtyp, ka bërë një prezantim të hapave që qeveria ka hedhur për sektorin energjitik shqiptar sa i përket uljes së çmimit.

Balluku ka folur për gjithë evolimin që ka pasur ky sektor, nga ku ndalet në shifra dhe ndryshime të pasuara vit pas viti.

“Ky sektor ka evoluar shumë duke kaluar një kalvar sakrificash. Po të nisemi në vitin 2005, çmimet ishin të ndara me dy fasha, teksa njëra kishte një ndarje e cila ka rezultuar se nuk ishte e studiuar ndërkohë fasha tjetër që paguhej me 4.5 lekë, gjithashtu fasha mbi 210 kilovatorë paguhej me 9 lekë.

Ndryshimet janë çdo vit, ku tregohet se ka pasur një paqëndrueshmëri dhe as vizion për vazhdimësinë  e sektorit energjitik, por pas një viti këto dy fasha bashkohen duke nxjerrë një çmim prej 7 lekësh. Në 2008, fashat rindahen në një nivel tjetër, fashë 300 kilovatorë e cila paguhet me 7 lekë”.

Balluku ndalet në vitin 2010 aty ku rezulton viti me çmimin me të lartë të aplikuar ndonjëherë duke e shpjeguar në shifra.

“Në vitin 2010 kemi çmimin më të lartë historik të aplikuar ndonjëherë ku kemi fashën nën 300 kilovatorë me 7.7 lekë dhe fasha mbi 300 kilovatorë me 13.5 lekë.

Vijojmë në vitin 2015 ku vendoset që fashat të hiqen një herë e mirë dhe vendoset një çmim prej 9.5 lekësh, çmim ky i unifikuar që do jetë në fuqi deri në 1 shkurt 2025”, shtoi ministrja.

Ajo ka vënë në dukje gjithashtu faktin sesi Shqipëria mban vendin e parë në Ballkan sa i përket energjisë së rinovueshme, duke synuar për mos ta humbur një vend të tillë me anë të proceseve të tjera që e presin Shqipërinë lidhur me burimet e rinovueshme.

“Shqipëria nuk do e humb vendin e parë në Ballkan sa i përket energjisë së rinovueshme dhe ne synojmë të jemi kampionët e Ballkanit përmes një portofoli të diversifikuar.

Kemi nisur punën për një tjetër burim të rinovueshëm që është ai i energjisë eolike që kërkon më shumë kohë për zbatim, e kemi nisur si proces sepse 222 mega do të vinë nga ankandi shtetëror i cili është përmbushur”, ka thënë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

 

The post 222 mega nga Ankandi Shteteror, Balluku: Vijon procesi i ri i energjisë eolike appeared first on Euronews Albania.

❌
❌