Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pesë gazetarë në mesin e 20 të vrarëve nga sulmet izraelite në Gazë

By: Ela
25 August 2025 at 15:11

Agjencia e Gazës për Mbrojtje Civile ka thënë se pesë gazetarë janë në mesin e të paktën 20 personave të vrarë të hënën, si pasojë e sulmeve izraelite në një spital në jug të enklavës. Agjencitë Reuters, Associated Press dhe televizioni Al Jazeera kanë konfirmuar se në mesin e të vrarëve janë gazetarë që kanë […]

The post Pesë gazetarë në mesin e 20 të vrarëve nga sulmet izraelite në Gazë appeared first on BoldNews.al.

IZRAEL – Rritet presioni mbi Netanyahun për të siguruar armëpushimin në Gazë

24 August 2025 at 11:39

TEL AVIV, 24 gusht /ATSH-DPA/-
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me presion në rritje për të arritur një armëpushim – për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura që mbahen në Rripin e Gazës dhe për të ndaluar luftën përpara se ushtria të fillojë ofensivën e saj për të pushtuar Qytetin e Gazës.

Muajtë e negociatave indirekte për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit deri më tani nuk kanë dhënë rezultate.

Anëtarët e ekstremit të djathtë të qeverisë së Netanyahut janë kategorikisht kundër arritjes së një marrëveshjeje me grupin islamist palestinez.

Media izraelite raportoi se ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich u tha të afërmve të pengjeve se do të dilte nga koalicioni qeverisës nëse Netanyahu pranonte një armëpushim.

Si një zgjidhje alternative, figura kryesore e opozitës izraelite Benny Gantz propozoi dje formimin e një qeverie gjashtëmujore për shpengimin e pengjeve – për të mundësuar një marrëveshje.

Një ish-ministër i Mbrojtjes, Gantz u largua nga qeveria e Netanyahut në vitin 2024 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi një numër çështjesh.

“Nëse Netanyahu nuk pranon, atëherë duhet të dimë se kemi bërë gjithçka,” tha Gantz në një konferencë për shtyp.

Sipas vëzhguesve, nuk ka gjasa që Netanyahu ta pranojë propozimin, pasi ai varet nga mbështetja e partnerëve të ekstremit të djathtë si Smotrich për mbijetesën e tij politike.

Gantz tha se qeveria e unitetit duhet të fillojë punën e saj duke arritur një marrëveshje që sjell në shtëpi të 50 pengjet që mbahen ende në Gazë – 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Kjo do të pasohet nga zgjedhje të reja vitin e ardhshëm në një datë të dakorduar nga të dyja palët, shtoi ai. //a.i/

The post IZRAEL – Rritet presioni mbi Netanyahun për të siguruar armëpushimin në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu: Raporti i mbështetur nga OKB-ja mbi urinë në Gazë, plotësisht një gënjeshtër

22 August 2025 at 22:20

TEL AVIV, 22 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka hedhur poshtë raportin e OKB-së mbi urinë në disa pjesë të Rripit të Gazës – duke e quajtur atë “plotësisht një gënjeshtër”.

“Izraeli nuk ka një politikë urie. Izraeli ka një politikë për të parandaluar urinë”, shkroi sot Netanyahu në platformën X.

“Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka mundësuar hyrjen e 2 milionë tonë ndihma në Rripin e Gazës”, tha ai.

Ministria e Jashtme izraelite shkroi më herët në X se nuk kishte një krizë urie në Gazë.

“Vlerësimi i Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) të mbështetur nga OKB-ja, i cili tha sot se ka prova të arsyeshme – se uria ka përfshirë një pjesë të Gazës, kryesisht Qytetin e Gazës, u bazua në informacion të rremë të dhënë nga Hamasi”, tha qeveria izraelite. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu: Raporti i mbështetur nga OKB-ja mbi urinë në Gazë, plotësisht një gënjeshtër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIAD – Arabia Saudite e shqetësuar për Gazën pas raportit të OKB-së për urinë

22 August 2025 at 19:41

KAJRO, 22 gusht /ATSH-DPA/- Arabia Saudite tha të premten se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën humanitare në Rripin e Gazës, pasi një raport i mbështetur nga OKB-ja konfirmoi për herë të parë krizën e urisë në një zonë të territorit të shkatërruar nga lufta.

“Katastrofa humanitare që po përkeqësohet në Gazë është një rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së mekanizmave të parandalimit dhe llogaridhënies për krimet e përsëritura të pushtimit izraelit”, tha Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë.

Monarkia e pasur me naftë e quajti këtë katastrofë një stigmë për komunitetin botëror dhe bëri thirrje për një veprim të menjëhershëm ndërkombëtar për të ndryshuar situatën.

Në një raport të publikuar nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) tha se ka prova të arsyeshme se uria ka ndodhur në Guvernatoratin e Gazës, një rajon administrativ që përfshin Qytetin e Gazës, që nga 15 gushti.

Në një reagim, Autoriteti Palestinez (AP) me qendër në Bregun Perëndimor akuzoi Izraelin se po përdor urinë si armë kundër civilëve palestinezë.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia palestineze e lajmeve WAFA, AP bëri thirrje për një veprim “të vendosur” botëror kundër Izraelit për t’u dhënë njerëzve në Rripin e Gazës – qasje në ndihma të qëndrueshme. //a.i/

The post RIAD – Arabia Saudite e shqetësuar për Gazën pas raportit të OKB-së për urinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Lammy: Deklarata për krizën e urisë në Gazë, krejtësisht e tmerrshme

22 August 2025 at 17:59

LONDËR, 22 gusht /ATSH- DPA/- Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy e përshkroi krizën e urisë në Qytetin e Gazës si krejtësisht të tmerrshme, ndërsa akuzoi qeverinë izraelite për shkaktimin e një katastrofe të shkaktuar nga njeriu.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Komitetit të Rishikimit të Urisë i mbështetur nga OKB-ja, David Lammy tha: “Konfirmimi i urisë në Qytetin e Gazës dhe lagjen përreth është krejtësisht i tmerrshëm dhe është plotësisht i parandalueshëm”.

“Refuzimi i qeverisë izraelite për të lejuar ndihmë të mjaftueshme në Gazë ka shkaktuar këtë katastrofë.Ky është një zemërim moral”, shtoi ai.

“Raporti i IPC-së (Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore) i bën të qarta pasojat e rënda, veçanërisht për fëmijët. Qeveria e Izraelit mund dhe duhet të veprojë menjëherë për të ndaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës. Ajo duhet të lejojë menjëherë dhe në mënyrë të qëndrueshme që ushqimi, furnizimet mjekësore, karburanti dhe të gjitha llojet e ndihmës të arrijnë tek ata që kanë kaq shumë nevojë për to”, tha Lammy.

Lammy përsëriti gjithashtu thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm, për të mundësuar shpërndarjen e ndihmës me shpejtësinë maksimale dhe në shkallën e kërkuar, duke përfshirë ndalimin e operacioneve ushtarake në Qytetin e Gazës.

“Britania e Madhe përsërit dënimin e saj për këtë veprim ushtarak, i cili vetëm sa do ta përkeqësojë situatën humanitare tashmë katastrofike dhe do të rrezikojë jetën e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të ndryshojë kursin dhe të ndalojë planet e saj”, tha ai.

“Ky konflikt i tmerrshëm duhet të marrë fund. Një armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm është e vetmja mënyrë për të ndaluar vuajtjet, për të siguruar lirimin e pengjeve, për të arritur një rritje të ndihmës dhe për të ofruar një kornizë për paqe të qëndrueshme”, theksoi ai. //a.i/

The post BM – Lammy: Deklarata për krizën e urisë në Gazë, krejtësisht e tmerrshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Banorët në radhë për një copë buke

22 August 2025 at 17:20

KAJRO, 22 gusht /ATSH-DPA/ – Mariam al-Sheikh, një nënë 34-vjeçare nga qyteti i Gazës, dëgjon fëmijën e saj më të vogël duke qarë nga uria natën – por nuk ka çfarë të bëjë.

Sigurimi i ushqimit për tre fëmijët e saj është një betejë e përditshme, rrëfen ajo për agjencinë gjermane të lajmeve DPA . Shpesh kalon orë të tëra duke kërkuar bukë ose ushqim të konservuar.

“Ka ditë kur mund të gjej vetëm një copë të vogël buke dhe një domate për t’ua dhënë fëmijëve”, thotë ajo.

Situata në Rripin e Gazës, i cili është nën rrethim që nga fillimi i luftës, është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Organizatat humanitare paralajmërojnë për një krizë të madhe urie. Sipas Kombeve të Bashkuara, qindra mijëra njerëz përballen çdo ditë me mungesë të thellë ushqimi.

Për shumëmf amilje, buka dhe uji janë të vetmet gjëra që arrijnë të sigurojnë pas radhëve të gjata dhe pritjes së pafundme /Ad.Ab./

 

The post GAZË – Banorët në radhë për një copë buke appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Guterres: Uria në Gazë, katastrofë e shkaktuar nga njeriu

22 August 2025 at 16:37

NJU JORK, 22 gusht ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i OKB,së, António Guterres e përshkroi sot situatën në Rripin e Gazës si një katastrofë të shkaktuar nga njeriu – pasi autoriteti ndërkombëtar i sigurisë ushqimore shpalli zyrtarisht zi në e bukës – në një pjesë të territorit bregdetar për herë të parë.

Në një raport të publikuar të premten, Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) tha se ka prova të arsyeshme se zia e bukës ka ndodhur në Gazë, një rajon administrativ që përfshin Qytetin e Gazës, që nga 15 gushti.

Duke iu përgjigjur njoftimit të IPC-së në një postim në X, Guterres i përshkroi kushtet në Gazë si një “ferr i gjallë”.

Ai theksoi se situata nuk ishte një mister, por përkundrazi një katastrofë e shkaktuar nga njeriu, një padi morale dhe një dështim i vetë njerëzimit.

Shefi i OKB-së tha se Izraeli, si fuqi pushtuese, ka detyrime sipas ligjit ndërkombëtar për të siguruar furnizime ushqimore dhe mjekësore.

Njoftimi i IPC-së vjen ndërsa trupat izraelite përparojnë drejt Qytetit të Gazës – si pjesë e një ofensive të re për të pushtuar metropolin më të madh të territorit – në një përpjekje për të shkatërruar grupin ekstremist palestinez Hamas.

Fushata e fundit ka ngjallur frikë për vuajtje të mëtejshme për popullsinë civile, të cilën agjencitë e ndihmës e kanë paralajmëruar prej kohësh se përballet me mungesa katastrofike.

Izraeli vendosi një bllokadë pothuajse totale të ndihmës në territor në fillim të këtij viti.

Duke u përballur me kritika ndërkombëtare, ai e hoqi pjesërisht bllokadën muajin e kaluar, duke lejuar sasi të kufizuara ndihme në Rripin e Gazës, megjithëse organizatat e ndihmës kanë thënë se sasia e ndihmës nuk është e mjaftueshme për të parandaluar urinë.

Guterres përsëriti kërkesën e tij për një armëpushim të menjëhershëm në luftën e Gazës, lirimin e pengjeve dhe akses të plotë humanitar në Rripin e Gazës. //a.i/

The post NJU JORK – Guterres: Uria në Gazë, katastrofë e shkaktuar nga njeriu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OKB konfirmon zyrtarisht zinë e bukës në qytetin e Gazës

By: gaze tare
22 August 2025 at 11:36

Për herë të parë, një agjenci e mbështetur nga OKB-ja ka konfirmuar zyrtarisht shpërthimin e zisë së bukës në qytetin e Gazës dhe zonat përreth. Më shumë se 500,000 njerëz në Rripin e Gazës po përballen me “uri, mjerim dhe rrezik të afërt vdekjeje”, thuhet në raportin e publikuar të enjten.

Raporti 59-faqesh, i hartuar nga organizata përgjegjëse për monitorimin e sigurisë ushqimore, paralajmëron se kushtet katastrofike do të përhapen edhe në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit, nëse situata nuk ndryshon.

Çdo vonesë, edhe prej disa ditësh, do të çojë në rritje të papranueshme të vdekjeve të lidhura me urinë,” paralajmërohet në dokument.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit ka hedhur poshtë përfundimet e raportit, duke deklaruar se “nuk ka zi buke në Gaza”.

Tensionet janë të larta, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se kabineti i tij ka miratuar planet për një ofensivë të re në qytetin e Gazës. Ushtria izraelite (IDF) ka paralajmëruar një operacion të madh evakuimi, duke u kërkuar organizatave ndërkombëtare dhe punonjësve shëndetësorë të përgatiten për zhvendosjen e mbi një milion banorëve drejt jugut të enklavës.

Situata humanitare në Gaza mbetet dramatike, me komunitetin ndërkombëtar që bën thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur një katastrofë masive njerëzore.

The post OKB konfirmon zyrtarisht zinë e bukës në qytetin e Gazës appeared first on iconstyle.al.

IZRAEL – Netanyahu vazhdon me zgjerimin e ofensivës në Qytetin e Gazës, pavarësisht kundërshtimeve

21 August 2025 at 18:40

TEL AVIV, 21 gusht /ATSH/- Kundërshtimi i gjerë nga brenda Izraelit dhe unioni ndërkombëtar nuk e kanë penguar kryeministrin Benjamin Netanyahu nga plani i tij për të zgjeruar operacionin e ushtrisë izraelite në Qytetin e Gazës, sipas AP.

Ushtria izraelite telefonoi sot zyrtarët mjekësorë dhe organizatat ndërkombëtare në Rripin verior të Gazës – për t’i nxitur ata të evakuonin zonën përpara operacionit të zgjeruar.

Kjo vjen një ditë pasi ushtria njoftoi aktivizimin e 60,000 rezervistëve dhe zgjerimin me 20,000 rezervistëve që aktualisht shërbejnë për të mbështetur operacionin.

Netanyahu pritet të japë miratimin e tij përfundimtar për operacionin gjatë një takimi të Kabinetit të Sigurisë sot në mbrëmje.

Miratimi vjen pas vrasjes së të paktën 36 palestinezëve në sulmet në Rripin qendror dhe jugor të Gazës.

Operacioni në Qytetin e Gazës mund të fillojë brenda pak ditësh

Edhe pse Izraeli ka synuar dhe vrarë shumë nga lidershipi i lartë i Hamasit, pjesë të Hamasit po riorganizohen në mënyrë aktive dhe po kryejnë sulme, duke përfshirë edhe lëshimin e raketave drejt Izraelit.

Trupat izraelite tashmë po veprojnë në lagjen Zeitoun të qytetit dhe në Jabaliya, një kamp refugjatësh në Rripin verior të Gazës, për të përgatitur terrenin për operacionin e zgjeruar, i cili mund të fillojë brenda pak ditësh.

Ofensiva e planifikuar, e njoftuar këtë muaj, vjen mes kritikave ndërkombëtare ndaj Iztraelit – për kufizimin e aksesit të ushqimeve dhe ilaçeve në Gazë dhe frikës se shumë palestinezë do të detyrohen të largohen.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje sërish për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, ndërsa Izraeli përgatitet për sulmin e tij të ri në Qytetin e Gazës dhe zona të tjera të populluara.

“Duhet të përsëris se është jetike të arrihet menjëherë një armëpushim në Gazë dhe se lirimi pa kushte i të gjithë pengjeve për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin masiv që një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës do të shkaktonte në mënyrë të pashmangshme”, tha Guterres në një konferencë për shtyp në Konferencën e 9-të Ndërkombëtare të Tokios për Zhvillimin Afrikan, të organizuar nga Japonia. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu vazhdon me zgjerimin e ofensivës në Qytetin e Gazës, pavarësisht kundërshtimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Katari kërkon armëpushim në Gazë pas përgjigjes pozitive të Hamasit

19 August 2025 at 21:42

JERUSALEM, 19 gusht /ATSH/- Katari theksoi sot urgjencën e ndërmjetësimit të një armëpushimi në Gazë – pasi Hamasi njoftoi një përgjigje pozitive ndaj një propozimi, por Izraeli ende nuk ka ndërhyrë, ndërsa ushtria e tij përgatit një ofensivë në disa nga zonat më të populluara të territorit, sipas AP.

Perspektiva e një sulmi të zgjeruar në zonat ku strehohen qindra mijëra civilë ka shkaktuar kritika brenda Izraelit dhe jashtë tij.

Shumica e palestinezëve të lodhur nga lufta nuk shohin asnjë vend në Gazë si të sigurt, madje as në zona – të shpallura humanitare, pas 22 muajsh lufte.

Qindra mijëra izraelitë, të cilët protestuan të dielën, kanë frikë se ofensiva mund të rrezikojë pengjet e mbetura në Gazë. Vetëm 20 nga 50 pengjet e mbetura mendohet se janë gjallë.

“Nëse propozimi për armëpushim dështon, kriza do të përkeqësohet”, u tha gazetarëve Majed al-Ansari, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, duke shtuar se ata ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Izraeli për këtë.

Witkoff ftohet të ribashkohet në bisedime

Al-Ansari tha se Hamasi kishte rënë dakord me kushtet që ishin në diskutim. Ai nuk pranoi të jepte detaje, por tha se propozimi ishte pothuajse identik me atë që ishte paraqitur më parë nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff.

Propozimi i SHBA-së ishte për një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit disa nga pengjet e mbetura do të liroheshin dhe palët do të negocionin një armëpushim të qëndrueshëm dhe kthimin e pjesës tjetër.

“Nëse arrijmë një marrëveshje, nuk duhet të pritet që ajo të zbatohet menjëherë”, tha al-Ansari.

Ky vlerësim i kujdesshëm erdhi një ditë pasi ministri i Jashtëm i Egjiptit, vendi tjetër arab që ndërmjetëson bisedimet, tha se po bënin përpjekje për një marrëveshje me faza – dhe vuri në dukje se kryeministri i Katarit ishte bashkuar në negociatat midis udhëheqësve të Hamasit dhe ndërmjetësve arabë.

“Witkoff është ftuar të ribashkohet në bisedime”, tha ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.

Witkoff u tërhoq nga negociatat më pak se një muaj më parë, duke akuzuar Hamasin se nuk po vepronte me mirëbesim.

Nuk ishte e qartë se si Witkoff i është përgjigjur ftesës.

Abdelatty zhvilloi sot një sërë telefonatash me ministrat e Jashtëm nga BM-ja, Turqia dhe Bashkimi Evropian, duke u kërkuar të ushtronin presion mbi Izraelin që të pranonte propozimin për armëpushim.

“Topi tani është në fushën e Izraelit”, tha Abdelattay në një deklaratë.

Një zyrtar i lartë izraelit tha sot se qëndrimi i vendit për një armëpushim është konsistent dhe nuk ka ndryshuar.

“Izraeli kërkon lirimin e të 50 pengjeve në përputhje me udhëzimet e përcaktuara nga Kabineti për t’i dhënë fund luftës”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me median.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se nevojitet një përpjekje përfundimtare për të përfunduar mposhtjen e Hamasit.

Ai është zotuar të vazhdojë luftën derisa të kthehen të gjithë pengjet dhe Hamasi të çarmatoset. //a.i/

The post FOKUS – Katari kërkon armëpushim në Gazë pas përgjigjes pozitive të Hamasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Hamasi pranon propozimin e ri për armëpushim

18 August 2025 at 20:04

GAZË, 18 gusht /ATSH-ANSA/- Hamasi ka pranuar propozimin e ri për armëpushim në Gazë të paraqitur nga ndërmjetësit, raportoi një burim i “Al Jazeera”

“Ne i informuam ndërmjetësit për marrëveshjen tonë mbi propozimin e paraqitur dje”, tha Hamasi.

Propozimi për armëpushim përfshin lirimin e 10 pengjeve izraelite të gjallë dhe 18 të vdekurve, shpërndarjen e ndihmës në Gazë përmes organizatave humanitare, Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kombeve të Bashkuara, dhe një armëpushim 60-ditor.

Negociatat për t’i dhënë fund luftës do të fillojnë sapo të fillojë armëpushimi.

“Do ta shohim kthimin e pengjeve të mbetura vetëm kur Hamasi të përballet dhe të shkatërrohet.Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më të mëdha janë shanset për sukses”, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump në platformën e tij të mediave sociale.

Mbani mend, isha unë ai që negocioi dhe siguroi lirimin e qindra pengjeve dhe hyrjen e tyre në Izrael. Isha unë ai që i dha fund gjashtë luftërave në vetëm gjashtë muaj. Isha unë ai që shkatërroi objektet bërthamore të Iranit”,tha Trump.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Eyal Zamir ka miratuar planin për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe do t’ia paraqesë nesër ministrit të Mbrojtjes.

Ai shtoi se në bisedimet me dyer të mbyllura gjatë ditëve të fundit, Zamir deklaroi se evakuimi i planifikuar i popullsisë do të zgjaste më pak se dy muaj, pas të cilit qyteti do të rrethohej dhe do të pushtohej.

“Ne do të përpiqemi të minimizojmë përdorimin e forcave rezervë”, tha shefi i IDF-së. //a.i/

 

The post GAZË – Hamasi pranon propozimin e ri për armëpushim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raportohet për të paktën 17 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

By: Re Nato
14 August 2025 at 20:44

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se të paktën 17 persona u vranë të enjten nga sulmet ajrore izraelite, teksa ushtria ka intensifikuar bombardimet në Qytetin e Gazës.

Në mesin e viktimave ishin gjashtë civilë që po prisnin të merrnin ndihma humanitare, tha zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal.

“Forcat izraelite po intensifikojnë sulmet në zonën Zeitun” në Qytetin e Gazës, tha ai.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këto pretendime.

“Për të katërtën ditë me radhë, zona është goditur nga ushtria, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Shumë njerëz nuk mund të largohen nga zona për shkak të luftimeve”, theksoi Bassal.

Një ditë më parë, kreu i ushtrisë izraelite miratoi planin e ri për operacione në Rripin e Gazës, që synojnë lirimin e të gjitha pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite

14 August 2025 at 09:35

GAZË, 14 gusht /ATSH-DPA/- Të paktën 89 palestinezë janë vrarë në sulme të ndryshme izraelite në Rripin e Gazës, thanë sot burimet mjekësore.

Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi gjithashtu dhjetëra vdekje në zonën e sulmuar që në orët e para të mëngjesit. Rreth gjysma e viktimave thuhet se janë regjistruar në Qytetin e Gazës.

Shtatë persona u vranë në veriperëndim të Qytetit të Gazës – në vendin e shpërndarjeje së ndihmës humanitare.

Shtatë persona të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, vdiqën pas një sulmi ajror në Qytetin e Gazës.

Një person tjetër thuhet se u vra në një sulm me dron në Rripin verior të Gazës.

Sulmet vijnë ndërsa forcat izraelite përgatiten të nisin një operacion për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.

Plani ka shkaktuar një protestë ndërkombëtare, me udhëheqësit që paralajmërojnë për pasoja shkatërruese humanitare për territorin e shkatërruar nga lufta.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria nuk ishte në dijeni të ndonjë viktime të shkaktuar nga zjarri i ushtrisë në zonën e korridorit Netzarim.

Fillimisht nuk ishin të disponueshme detaje të mëtejshme mbi sulmet e tjera.

Sulme të shumta ajrore izraelite u raportuan gjatë mëngjesit të djeshëm, veçanërisht në Qytetin e Gazës, ku u goditën disa ndërtesa.

Banorët shprehën shqetësim se sulmet mund të ishin një përgatitje për ofensivën e premtuar tokësore.

Incidente vdekjeprurëse janë raportuar vazhdimisht pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave – të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë private e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.

GHF filloi operacionet në brezin bregdetar të bllokuar në maj – pas një ndalese gati tre-mujore izraelite për shpërndarjen e ndihmave.

Lufta filloi më 7 tetor 2023, kur Hamasi dhe grupe të tjera militante islamike palestineze kryen një sulm në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, duke vrarë rreth 1 200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje në Gaza.

“Që atëherë, më shumë se 61 700 palestinezë janë vrarë në territor”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Shifrat, të cilat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.

Megjithatë, organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara i konsiderojnë shifrat kryesisht të besueshme.

Ministria tha se mbi 1 850 njerëz janë vrarë ndërsa përpiqeshin të mblidhnin ndihma gjatë luftës.

Në shumë raste, civilët duhet të kalojnë zonat aktive të luftimeve për të arritur në pikat e shpërndarjes. //a.i/

The post GAZË – Të paktën 89 palestinezë të vrarë në sulmet e fundit izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rreth 20 vende arabe dhe myslimane dënojne planin izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës

9 August 2025 at 17:48

KAJRO, 9 gusht /ATSH-AFP/- Rreth 20 vende arabe dhe myslimane kanë dënuar planin e Izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke e cilësuar atë një përshkallëzim të rrezikshëm.

Vendet, përfshirë Egjiptin, Arabinë Saudite dhe Turqinë, thanë se plani përbënte një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të rrënjosur pushtimin e paligjshëm në kundërshtim me legjitimitetin ndërkombëtar.

Qeveria e Benjamin Netanyahut njoftoi dje planin për një pushtim të plotë të territorit të Gazës – pavarësisht kundërshtimit nga udhëheqësit ushtarakë.

Izraeli vlerësohet se kontrollon rreth 75% të territorit të shkatërruar kryesisht, i cili është shtëpia e afërsisht 2 milionë palestinezëve. //a.i/

 

The post FOKUS – Rreth 20 vende arabe dhe myslimane dënojne planin izraelit për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB e alarmuar nga vendimi i Izraelit për të pushtuar Gazën

8 August 2025 at 22:47

NJU JORK, 8 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është i alarmuar nga vendimi i qeverisë izraelite për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës.

“Ky vendim shënon një përshkallëzim të rrezikshëm dhe rrezikon të thellojë pasojat, tashmë katastrofike për miliona palestinezë, dhe mund të rrezikojë më tej jetë të tjera, përfshirë edhe pengjet e mbetura”, tha sot zyra e tij në Nju Jork.

“Sekretari i përgjithshëm paralajmëron se ky përshkallëzim i mëtejshëm do të rezultojë në zhvendosje të detyruara shtesë, vrasje dhe shkatërrim masiv, duke përkeqësuar vuajtjet e paimagjinueshme të popullsisë palestineze në Gazë”, sipas deklaratës.

“Sekretari i përgjithshëm përsërit thirrjen e tij urgjente për një armëpushim të përhershëm, akses të papenguar humanitar në të gjithë Gazën dhe lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë.

“Sekretari i përgjithshëm edhe një herë i kërkon Qeverisë së Izraelit të përmbushë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar”, tha zyra e Guterres.

“Nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme për këtë konflikt pa i dhënë fund këtij pushtimi të paligjshëm dhe pa arritur një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e një shteti palestinez”, sipas deklaratës.

Kabineti i Sigurisë në Izrael vendosi të intensifikojë më tej luftimet në rripin bregdetar të izoluar. //a.i/

The post NJU JORK – OKB e alarmuar nga vendimi i Izraelit për të pushtuar Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Netanyahu mbledh sot kabinetin e sigurisë për zgjerimin e luftës në Gazë

By: Ela
7 August 2025 at 14:41

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet sot me një grup të vogël ministrash të lartë për t’i shqyrtuar planet që ushtria izraelite t’i marrë nën kontroll më shumë territore në Rripin e Gazës, me gjithë kundërshtimet në rritje brenda dhe jashtë vendit për luftën që ka zgjatur pothuajse dy vjet. Netanyahu do të […]

The post Netanyahu mbledh sot kabinetin e sigurisë për zgjerimin e luftës në Gazë appeared first on BoldNews.al.

TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës

5 August 2025 at 20:48

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua sot me zyrtarë të lartë të sigurisë për të finalizuar një strategji të re për luftën 22-mujore në Gaza, tha sot zyra e tij, sipas “Reuters”.

Pavarësisht presionit të fortë ndërkombëtar për një armëpushim për të lehtësuar krizën e urisë dhe kushtet e tmerrshme në enklavën e rrethuar palestineze, përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas kanë dështuar.

“Tetë persona të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa 79 të tjerë vdiqën në sulmet e fundit izraelite.

Zyra e kryeministrit tha se Netanyahu kishte mbajtur një “diskutim të kufizuar sigurie” që zgjati rreth tre orë, gjatë të cilit shefi i Shtabit të Përgjithshëm ushtarak Eyal Zamir prezantoi opsionet për vazhdimin e fushatës në Gazë.

Një zyrtar izraelit tha më herët se ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, një njeri i besueshëm i Netanyahut, do të merrnin pjesë gjithashtu në takim për të vendosur mbi një strategji që do t’ia paraqiste kabinetit këtë javë.

“Channel 12” i Izraelit, duke cituar një zyrtar nga zyra e Netanyahut, tha se kryeministri po kërkonte marrjen e kontrollit të të gjithë territorit.

Kjo do të përmbyste vendimin e vitit 2005 për t’u tërhequr nga Gaza, duke ruajtur kontrollin mbi kufijtë e saj, një veprim që partitë e krahut të djathtë e fajësojnë për marrjen e pushtetit nga Hamasi.

Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse Netanyahu po parashikonte një pushtim të zgjatur apo një operacion afatshkurtër që synonte shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.

Zyra e kryeministrit nuk pranoi të komentonte mbi raportin e “Channel 12”.

“Është ende e nevojshme të përfundojmë mposhtjen e armikut në Gazë, të lirojmë pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, u tha Netanyahu rekrutëve të rinj në një bazë ushtarake.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga këto misione”, shtoi ai.

Lufta u shkaktua nga sulmet e militantëve të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke kapur 251 pengje. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Ish-shefat e ushtrisë dhe spiunazhit izraelit kundërshtojnë zgjerimin e luftës në Gazë

5 August 2025 at 16:44

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu la të kuptohej sot për një veprim më të gjerë ushtarak në Gazën e shkatërruar, edhe pse ish-shefat e ushtrisë dhe shërbimit sekret izraelit bënë thirrje për t’i dhënë fund luftës gati 22-mujore, sipas AP.

Presioni i ri mbi Netanyahun erdhi ndërsa Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se numri i të vdekurve palestinezë kishte tejkaluar 61,000.

Zyrtarët e Shëndetësisë raportuan vdekje të tjera të palestinezëve të uritur që kërkonin ushqim në pikat e shpërndarjes.

Ndërsa dëshpërimi rritet, Organi Mbrojtës Izraelit që koordinon ndihmën njoftoi një marrëveshje me tregtarët vendas për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës.

Ish-zyrtarët e Sigurisë që bënë thirrje përfshinin ish-udhëheqës të Shërbimit të Sigurisë së Brendshme – “Shin Bet” të Izraelit, agjencisë së spiunazhit “Mossad” dhe ushtrisë – dhe ish-kryeministrin Ehud Barak.

Në një video të postuar në media sociale këtë javë, ata thanë se anëtarët e qeverisë së ekstremit të djathtë po e mbanin Izraelin “peng” në zgjatjen e konfliktit.

“Objektivat e Netanyahut në Gazë janë “një fantazi”, tha Yoram Cohen, ish-kreu i “Shin Bet”.

Netanyahu njoftoi dje se do të mbledhë Kabinetin e tij të Sigurisë për të drejtuar ushtrinë në fazën tjetër të luftës, duke lënë të kuptohet se veprime edhe më të ashpra ishin të mundshme.

Netanyahu tha se objektivat e tij përfshinin mposhtjen e Hamasit, lirimin e të 50 pengjeve të mbetura dhe sigurimin që Gaza të mos kërcënonte më kurrë Izraelin, pasi sulmi i udhëhequr nga Hamasi në vitin 2023 shkaktoi luftën.

Media izraelite raportoi një mosmarrëveshje midis Netanyahut dhe shefit të ushtrisë, gjeneral-lejtënant Eyal Zamir.

Raportet, duke cituar zyrtarë anonimë në zyrën e Netanyahut, thanë se kryeministri po e nxiste ushtrinë – e cila kontrollon rreth tre të katërtat e Gazës – të pushtonte të gjithë territorin – një hap që mund të rrezikonte pengjet, të thellonte krizën humanitare dhe të izolonte më tej Izraelin, ndërkombëtarisht.

Raporte të ndryshme thanë se Zamir ka kundërshtuar këtë hap dhe mund të japë dorëheqjen. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Ish-shefat e ushtrisë dhe spiunazhit izraelit kundërshtojnë zgjerimin e luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës

4 August 2025 at 22:04

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi sot se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet ushtarake në zonat ku besohet se mbahen pengje, sipas “Euronews”.

“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve”, tha Netanyahu në një video të postuar në X.

“Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë: ‘Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi” dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”, shtoi ai.

Zyra e Kryeministrit tha gjithashtu në një mesazh drejtuar Shefit të Shtabit, Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir, “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë ju duhet të jepni dorëheqjen”.

Netanyahu dhe Zamir kanë qenë në kundërshtim me mënyrën se si po zhvillohet lufta në Gazë – mes tensioneve që kanë arritur kulmin e tyre sot.

Vendimi i raportuar i kryeministrit izraelit vjen pas disa muajsh bisedimesh për armëpushim midis qeverisë së tij dhe Hamasit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përsëritura.

Izraeli është përballur gjithashtu me presion ndërkombëtar në rritje për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pasi Hamasi publikoi një video ku shfaqeshin pengje izraelite të dobësuara që mbahen në Gaza, të cilat grupi tha se ishin rezultat i bllokadës së ndihmës humanitare nga Izraeli në territorin e shkatërruar nga lufta.

Videot patën një ndikim të rëndësishëm në publikun izraelit dhe shkaktuan protesta nga mijëra njerëz të shtunën në mbrëmje dhe thirrje për një marrëveshje armëpushimi. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave

4 August 2025 at 07:34

GAZË, 4 gusht /ATSH/-Forcat izraelite hapën zjarr pranë dy vendeve të shpërndarjes së ndihmave të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës i mbështetur nga Izraeli, ndërsa turma palestinezësh të uritur kërkonin ushqim, duke vrarë të paktën 10 persona, thanë dje në mbrëmje punonjësit shëndetësorë – një ditë pasi zyrtarët amerikanë vizituan Fondacionin Humanitar të Gazës, sipas AP.

Ka kaluar gati një javë që kur Izraeli, nën presionin ndërkombëtar mes krizës së urisë në Gazë, njoftoi pauza të kufizuara humanitare dhe dërgesa nga ajri që synonin të sillnin më shumë ushqim për mbi 2 milionë banorët, pas rreth 22 muajsh lufte.

Por Kombet e Bashkuara, partnerët dhe palestinezët thanë se po dërgohen shumë pak ndihma – ndersa furnizime të grumbulluara jashtë Gazës presin miratimin e Izraelit.

Banorë të dëshpëruar dhe grupe kriminale nxjerrin me forcë furnizimet nga kamionët që hyjnë në zonën e ndihmës – përpara se të mbërrijnë në depo për shpërndarje.

Ekspertët këtë javë thanë se “skenari më i keq i zisë” po ndodhte në enklavën e rrethuar.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thadje se shtatë palestinezë të tjerë kishin vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë një fëmijë.

Ndihma është “larg të qenit e mjaftueshme”, tha qeveria gjermane nëpërmjet zëdhënësit, Stefan Kornelius. //a.i/

The post GAZË – Të paktën 10 të vrarë pas sulmeve izraelite pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌