Shifrat e Juventus, në vitin e parë nën drejtimin e teknikut Thiago Motta po shqetësojnë tifozët: vendi i 6-të në kampionat, -6 pikë nga Napoli kryesues dhe me Milan që e ndjek nga pas, vendi i 19-të në Champions League me vetëm tre ndeshje të mbetura në fazën e grupeve dhe, mbi të gjitha, vetëm tetë fitore në 19 ndeshjet e zhvilluara deri tani. Pas barazimit të fundit në Lecce, kanë nisur edhe vërshëllimat dhe protestat e para për një fillim sezoni shumë poshtë pritshmërive, jo vetëm për 7 pikët më pak krahasuar me një vit më parë. Edhe ata që mendonin se largimi i Allegrit do të sillte një përmirësim të menjëhershëm po fillojnë të ndërrojnë mendje. Dëmtimet e shumta janë një justifikim i vlefshëm, por nuk mund të fshehin disa probleme që dolën menjëherë në pah. Le t’i analizojmë.
NJË MERKATO ME SHUMË ZHURMË, POR PAK REZULTATE
I pari që po kritikohet është Cristiano Giuntoli. Edhe pse balanca ekonomike mes blerjeve dhe shitjeve duket më e arsyeshme, nuk mund të mohohet që Juventus ka shpenzuar shumë këtë verë, por jo gjithmonë me sukses. Veçanërisht shqetësues janë 110 milionë eurot (përfshirë kartonët e Barrenechea dhe Iling-Junior) të shpenzuara për të siguruar Koopmeiners dhe Douglas Luiz. Holandezi është shumë larg nivelit që tregoi te Atalanta, ku ndoshta dha maksimumin e tij. Gabimet e shumta, disa edhe teknike, po bëjnë që vlera e tij reale të vihet në dyshim. Për sa i përket Douglas Luiz, paksa që u pa para dëmtimit nuk e përmbush aspak nivelin e kërkesave të Juventus, saqë tashmë përflitet për largimin e tij në merkaton e janarit.
Lexo më tej: Di Canio fundos teknikun Thiago Motta: “Juventus luan njësoj si me Allegrin”
Po ashtu, largimet e bujshme si ato të Chiesa, Rabiot, Szczesny, Kean dhe Kostic kanë revolucionarizuar ekipin, por nuk janë zëvendësuar me lojtarë të një niveli të duhur për rolet e tyre. Në përgjithësi, në Torino kanë mbërritur lojtarë që kanë më shumë potencial sesa një cilësi të provuar. Deri tani, këto blerje nuk kanë sjellë ndonjë hap përpara krahasuar me të kaluarën e afërt.
ZGJEDHJE E KONTESTUARA TË FORMACIONIT
Edhe Thiago Motta po jep kontributin e tij në situatën e komplikuar. Fillimisht sepse ai ka aprovuar të gjitha zgjedhjet e Drejtorit Sportiv Giuntoli dhe, më pas, sepse duket se ende nuk ka ide të qarta. Duke nisur nga portieri. Alternimi i vazhdueshëm mes Di Gregorio dhe Perin, dy portierë me vlera të ngjashme, mund të nxisë konkurrencën e brendshme, por nuk ndihmon për të sjellë qartësi, as për shokët e skuadrës, në një rol kaq të ndjeshëm.
Pastaj është rasti i kapitenit Danilo, i lënë mënjanë për të bërë vend për të riun Savona dhe i rikthyer në mënyrë të ngutshme për të mbuluar emergjencën në mbrojtje. Cabal, i përcaktuar si “qendror” nga Motta, po përdoret më shumë si mbrojtës krahu, ndërsa Rouhi, i hedhur në fushë papritur, ka qenë protagonist negativ në humbjen kundër Stuttgart dhe në barazimin në sekondat e fundit kundër Lecce. Fagioli është lënë jashtë për t’u mbështetur tek një Koopmeiners zhgënjyes, ndërsa mbizotëron konfuzioni për atë që duhet të zëvendësojë Vlahovic në mungesë të tij dhe të Milik. Në këtë situatë, duket se Thiago Motta ka shumë ide, por i duhet të marrë vendime më të qarta për titullarët dhe rezervat.
DËMTIMET: FAT I KEQ APO GABIME NË PËRGATITJE?
Së fundi, kemi çështjen e dëmtimeve. Disa mendojnë se janë thjesht fat i keq, por duke qenë se shumica janë muskulore, kjo tregon se diçka ka shkuar keq në përgatitje. Dhe këtu faji bie mbi stafin e teknikut italo-brazilian të Juventus. Nëse Bremer dhe Cabal kanë pësuar dëmtime aksidentale dhe Milik u dëmtua rëndë gjatë verës me kombëtaren e tij, e njëjta gjë nuk vlen për Nico Gonzalez, Douglas Luiz, Vlahovic, McKennie, Savona dhe Adzic, për të përmendur disa nga ata që aktualisht janë ende jashtë fushe.
Për Bremer dhe Cabal, sezoni duket praktikisht i përfunduar, por për të tjerët pritet një rikthim i shpejtë, ose të paktën kështu shpresohet. Gjithsesi, disa nga këta lojtarë po qëndrojnë jashtë më gjatë se sa pritej, duke ngritur dyshime. Për ndeshjen e së shtunës kundër Bologna-s, mund të jenë të gatshëm Vlahovic, McKennie dhe Savona, ndërsa për të tjerët, përfshirë Milik, dhjetori mund të jetë muaji i rikthimit. Problemi është se aktualisht nuk ka asnjë siguri për këto rikthime, gjë që e bën situatën edhe më shqetësuese.
The post Juventus, durimi po mbaron: nën akuzë dëmtimet, merkato e zgjedhjet teknike appeared first on Lapsi.al.