Juventus e nis si ‘Zonjë’/ Parma reziston vetëm një pjesë, gola nga David e Vlahoviç
Sukses shumë i mirë, por qetësi të plotë nuk ka. Juventusi e nisi siç duhet vitin e ri të Serisë A, duke mundur Parmën 2-0, veçse njëri nga heronjtë edhe mund të largohet.
Sulmuesi i ri, Zhonatan David i ardhur nga Lila e Francës, debutoi me gol, ashtu si yjet e dikurshëm ofensivë si Vieri, Inzagi, Ibrahimoviç, Dibala apo Higuain. Madje, ashtu si dy sulmuesit që janë sot në ekip, Kolo Muani e Dushan Vlahoviç, por që njëri prej tyre mund të largohet.
Francezi nuk ishte as në stol, ndërsa futbollisti i Serbisë u detyrua ta niste nga stoli. David shënoi për 1-0 në minutën e 59-të, pasi Parma rezistoi gati një orë me mbrojtjen e betonuar në stadiumin “Alianc”.
Vlahoviçit iu deshën vetëm 4 minuta në fushë për të tundur rrjetën, madje e bëri në një moment shumë të vështirë.
“Zonja e Vjetër” kishte mbetur me 10 lojtarë pasi Kambiazo mori të kuq direkt në 83’, veçse pa kaluar 60 sekonda Dushani shënoi.
Për gazetën e Torinos, “Tutosport”, kjo ishte dita “D”: Jildiz krijon, David godet, Dushan mbyll gjithçka! Juventusin e kemi! Vlahoviç nga vërshëllimat te brohoritjet!”
“Goditje prej Juventusi, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Vendosin David e I rigjeturi Vlahovic! Tudor: I kënaqur nga Dushani, por vendos klubi!”
Trajneri Tudor ishte I kënaqur, por edhe hermetik.
“Jam i kënaqur për fitoren, edhe sepse ishte ndeshja e parë dhe mund të kishte të papritura. Nuk e njihnim mirë kundërshtarin, dhe patëm tension mes lojtarëve para ndeshjes. Kjo është normale. Parma e luajti ndeshjen me “katenaçon” e kohëve të vjetra dhe me kundërsulm. Patëm durim, ndaj fituam. Jam I lumtur me sulmuesit e mi. David e ka golin në gjak, dhe lëviz shumë mirë në zonën e rreptësisë. Koló është rritur. Vlahoviç luajti mirë, ka mentalitetin e duhur, dhe shënoi një gol të madh. Nuk dua t’iu them se cili prej tyre duhet të rrijë apo të largohet. Mendimin tim ia kam thënë klubit”.
Nisje e mirë për Juventusin, duke iu përgjigjur Napolit, e duke mos bërë figurë të keqe si Milani, që mund të jetë destinacioni për Vlahoviçin. Të shohim nëse rekordmenët e titujve mund të pretendojnë për “skudeton”./abcnews.al