Enton Abilekaj: Hetimet e SPAK ndaj Metës janë të paragjykuara, drejtësia është vegël e Ramës
Gazetari Enton Abilekaj ka shprehur kritika të forta ndaj punës së SPAK, duke e akuzuar se nuk arrin të përgatisë dosje të plota dhe profesionale për çështjet që heton, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë.
I ftuar në një studio televizive, Abilekaj komentoi vendimin e fundit për shtyrjen e hetimeve ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar këtë çështje si të paragjykuar nga SPAK. Sipas tij, hetimet nuk janë të mbështetura në prova të forta, por janë thjesht një përpjekje për të dënuar një figurë të lartë politike.
“Kur SPAK mban një çështje hapur pa ngritur akuzë dhe pa e çuar në gjykatë, kemi të bëjmë me një rast të paragjykuar, që më shumë duket si dëshirë për të dënuar një zyrtar të lartë sesa një hetim serioz. Nëse Meta nesër do të shpallet i pafajshëm në Strasburg, dëmi financiar dhe moral për Shqipërinë do të jetë i madh,” u shpreh Abilekaj.
Ai theksoi se drejtësia sot, sipas tij, është kthyer në një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama dhe nuk është më e pavarur.
“SPAK nuk arrin të ndërtojë dosje profesionale, sidomos ndaj figurave të rëndësishme. Kemi parë raste ku dëshmitarë nga burgu kanë ndryshuar dëshmitë dhe shteti shqiptar ka paguar kur ata janë shpallur të pafajshëm,” tha gazetari.
Duke iu referuar çështjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Abilekaj vuri në dukje se prokurorët kanë treguar qëndrime personale dhe agresive ndaj tij, çka e bën procesin të duket i padrejtë.
“Prokurori duhet të jetë objektiv, jo subjektiv. Veliaj nxori në pah një qasje armiqësore nga prokurorët, sidomos nga kreu i SPAK, Altin Dumani,” theksoi Abilekaj.
Ai gjithashtu argumentoi se drejtësia është ndërtuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve, por tashmë është kthyer në një instrument të një pushteti të vetëm.
“E shohim se si drejtësia sillet ndryshe me personat që Rama i mbështet dhe me ata që ai i ka larguar. Hetimet ndaj liderëve të opozitës duhet të jenë të hapura për publikun, që të ketë transparencë dhe qytetarët të gjykojnë vetë mbi akuzat,” përfundoi Abilekaj.
The post Shtyrja me 3 muaj e hetimeve ndaj Metës, paralajmëron Abilekaj: Dëmi financiar që do i vijë… appeared first on Sot News | Lajme.