Lyon fiton apelimin, do të luajë në Ligue 1 sezonin e ardhshëm
Olympique Lyonnais do të vazhdojë të luajë në Ligue 1 edhe sezonin e ardhshëm, pasi ka fituar me sukses apelimin ndaj vendimit të mëparshëm për zbritjen në Ligue 2 nga autoritetet financiare të futbollit francez.
Muajin e kaluar, Drejtoria Kombëtare për Kontrollin dhe Menaxhimin (DNCG) vendosi që Lyon të zbresë në një kategori më poshtë, duke vlerësuar se klubi nuk kishte përmirësuar në mënyrë të mjaftueshme gjendjen e tij financiare.
Në nëntor të vitit të kaluar, DNCG kishte paralajmëruar përjashtimin e përkohshëm të klubit për shkak të një borxhi të konsiderueshëm, i cili arrinte në 505 milionë euro (592 milionë dollarë amerikanë).
Megjithatë, Lyon apeloi këtë vendim, duke sjellë në vëmendje disa elemente kyç, përfshirë transferimet e fundit të lojtarëve dhe një marrëveshje nga pronari i klubit, John Textor, për të shitur aksionet e tij në klubin anglez Crystal Palace te pronari i New York Jets, Woody Johnson, për një shumë të raportuar prej 190 milionë paundësh (259 milionë dollarë amerikanë).
Si pjesë e reformave të brendshme, Textor dha dorëheqjen si president i klubit, me Michele Kang – pronare e ekipit të femrave të Lyon – që u emërua në vend të tij.
“Vendimi i Komisionit Federal të Ankesave të DNCG është një lehtësim i madh për të gjithë të përfshirët në klub, por veçanërisht për tifozët dhe lojtarët,” deklaroi presidentja Kang.
“Jam mirënjohëse për të gjithë ata që na mbështetën gjatë këtyre kohërave të vështira. Ky është një fillim i ri për Lyon.”
Ajo shtoi se ndryshimet në drejtim dhe qeverisje janë një hap drejt ndërtimit të një strukture më të fortë për sukses brenda dhe jashtë fushës.
Ndikimi në garat evropiane: Palace në Ligën e Konferencës, jo më në Europa League
Vendimi për rikthimin e Lyon në Ligue 1 ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe te përfaqësimi i klubeve angleze në garat evropiane.
Crystal Palace, që fitoi Kupën FA duke mposhtur Manchester City-n, shpresonte të siguronte një vend në UEFA Europa League.
Por me Lyonin që ruan statusin në elitën franceze, Palace pritet të zhvendoset në Ligën e Konferencës.
UEFA kishte shtyrë marrjen e një vendimi për këtë çështje deri në përfundimin e procesit të apelimit të Lyon.
Tashmë, pas vendimit të DNCG, një deklaratë zyrtare nga UEFA pritet të bëhet publike në ditët në vijim.
Burime pranë institucionit evropian bënë të ditur se nuk janë konstatuar shkelje të rregullores për pronësinë e shumë klubeve në rastin konkret, edhe pse hetimet mbi ndikimin e investimeve të përbashkëta vazhdojnë.
Ndërkohë, Nottingham Forest – klubi që u përmend si kandidat për të zëvendësuar Palace në Europa League – mund të mos marrë pjesë, pasi vendi në këtë garë mbetet i Crystal Palace, ndonëse në një nivel më të ulët kompeticioni.
Sipas nenit 5 të rregullores së UEFA-s për garat e klubeve, nga data 1 mars 2024, asnjë individ apo subjekt nuk mund të ushtrojë ndikim ose kontroll mbi më shumë se një klub që merr pjesë në të njëjtën garë evropiane.
LEXONI GJITHASHTU:
- Skuadra e Lyon përjashtohet nga liga e parë franceze
- Ekskluzive/Ish-asistenti te Lyon e sugjeroi, zbulohen lidhjet e Sylvinho me Botafogo
The post Lyon fiton apelimin, do të luajë në Ligue 1 sezonin e ardhshëm appeared first on Euronews Albania.