Rodrygo tashmë u ka thënë Liverpoolit, Arsenalit dhe Chelseat se për cilin klub dëshiron të luajë sezonin e ardhshëm
Sulmuesi brazilian Rodrygo raportohet se ka vendosur se cili klub i Ligës Premier do të ishte destinacioni i tij i preferuar, nëse largohet nga Real Madridi gjatë verës.
Që prej emërimit të Xabi Alonsos në krye të stolit madrilen në vend të Carlo Ancelottit, klubi ka përjetuar ndryshime të rëndësishme në përbërje dhe strategji. Vetëm disa ditë pas prezantimit, Alonso ka finalizuar transferimin e tre lojtarëve të rinj: Trent Alexander-Arnold nga Liverpool, Dean Huijsen nga Bournemouth dhe talenti Franco Mastantuono nga River Plate.
Por përveç përforcimeve, Alonso po përgatit edhe largime. Një nga emrat që mund të largohet është pikërisht Rodrygo, i cili sipas raportimeve po shfaq gjithnjë e më shumë shenja frustrimi për rolin e tij nën drejtimin e trajnerit të ri.
Gjatë pjesëmarrjes së Real Madridit në Kupën e Botës për Klube, Rodrygo ka luajtur vetëm në një ndeshje, çka ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm. Mediat britanike dhe spanjolle kanë raportuar interesim nga klube të mëdha të Ligës Premier si Liverpool, Chelsea dhe Arsenal.
Megjithatë, sipas të përditshmes spanjolle Diario AS, 24-vjeçari e ka bërë të qartë se në rast transferimi, ai preferon t’i bashkohet Arsenalit. “Topçinjtë” thuhet se janë të gatshëm të ofrojnë deri në 90 milionë euro për kartonin e Rodrygos, duke e parë atë si zëvendësuesin ideal të Gabriel Martinellit.
Pavarësisht kësaj, situata mbetet e paqartë, pasi Arsenal pritet të njoftojë gjithashtu transferimin e Noni Madueke nga Chelsea, çka mund të ndikojë në qëndrimin e klubit londinez ndaj Rodrygos.
Nga ana tjetër, trajneri Alonso ka refuzuar të japë komente konkrete për të ardhmen e brazilianit, duke lënë të hapur çdo mundësi. Pas humbjes 4-0 ndaj PSG-së, Alonso u shpreh:
“Nuk kemi marrë ende vendime për të ardhmen. Nuk kemi bërë shumë rotacione në këtë Kupë Bote për Klube, por konteksti do të jetë ndryshe në të ardhmen.”
Rodrygo, i cili iu bashkua Real Madridit në vitin 2019 nga Santos, ka qenë një figurë e rëndësishme në sukseset e klubit, por e ardhmja e tij tani varet nga planet e Alonsos dhe lëvizjet në merkato. /Telegrafi/
The post Rodrygo tashmë u ka thënë Liverpoolit, Arsenalit dhe Chelseat se për cilin klub dëshiron të luajë sezonin e ardhshëm appeared first on Telegrafi.